Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

A është njeriu i duhur për mua?

A është njeriu i duhur për mua?

KAPITULLI 3

A është njeriu i duhur për mua?

Plotësoje pa u nxituar pyetësorin e mëposhtëm:

Cilat cilësi sheh sot si thelbësore te një bashkëshort i mundshëm? Në listën e mëposhtme vër një përbri katër tipareve që për ty janë më të rëndësishmet.

□ I pashëm □ Drejtohet nga parimet biblike

□ I afrueshëm □ I besueshëm

□ Pëlqehet në shoqëri □ I moralshëm

□ Me humor □ Me synime

A të ka rënë ndonjëherë në kokë për dikë kur ishe në moshë më të re? Në listën e mësipërme vër një × përbri tiparit që të tërhiqte më shumë tek ai njeri në atë kohë.

ASNJË nga tiparet e mësipërme s’ka ndonjë gjë që nuk shkon. Secili tipar të bën për vete. Por, a s’mendon edhe ti se kur je i ri dhe të ka rënë në kokë për dikë, përqendrohesh te cilësi më sipërfaqësore, si ato të renditura në kolonën e majtë?

Megjithatë, teksa piqesh, gjykon më mirë e thellohesh në cilësi më të rëndësishme, si ato të renditura në kolonën e djathtë. Për shembull, fillon të kuptosh se vajza më simpatike që njeh, mbase s’është njeri i besueshëm, ose se një shok klase që pëlqehet shumë në shoqëri, mbase s’është i moralshëm. Kush e ka kaluar lulen e rinisë, zakonisht nuk mjaftohet vetëm me tiparet sipërfaqësore që t’i përgjigjet pyetjes: «A është njeriu i duhur për mua?»

Në fillim, njih veten

Para se të mendosh se kush mund të jetë njeriu i duhur për ty, duhet të njohësh mirë veten. Për këtë do të të ndihmojnë pyetjet e mëposhtme.

Çfarë cilësish të mira kam? ․․․․․

Çfarë të metash ose dobësish kam? ․․․․․

Cilat janë nevojat e mia emocionale dhe frymore? ․․․․․

Nuk është e lehtë të njohësh veten, por pyetje si këto mund të të japin një ide nga t’ia nisësh. Sa më shumë ta njohësh veten, aq më mirë do të dish të gjesh dikë që do të përforcojë cilësitë e tua të mira, jo dobësitë. * Po nëse mendon se tashmë e ke gjetur atë njeri?

A është çdokush njeriu i duhur?

«A mund të njihemi më mirë?» Kur dikush të bën këtë pyetje ose hidhesh përpjetë nga gëzimi, ose rrudh buzët, varet kush të propozon. Ta zëmë se përgjigjja jote është po. Si mund të përcaktosh, ndërsa koha kalon, se është njeriu i duhur për ty?

Ta zëmë se do që të blesh një palë këpucë të reja. Shkon te dyqani dhe ia vë syrin një pale. I provon, por sa keq, të rrinë të vogla. Çfarë do të bësh? Do t’i blesh edhe pse s’të bëjnë? Apo do të shohësh për një palë të tjera? Kuptohet që është më mirë t’i kthesh këpucët në vendin e vet dhe të kërkosh një palë të tjera. Do të ishte budallallëk të vije vërdallë me një palë këpucë që s’të bëjnë.

Nëse duhet të tregosh kaq kujdes kur zgjedh thjesht një palë këpucë, mendo sa kujdes duhet kur zgjedh shokun e jetës. Me kalimin e viteve mund t’i kesh ndalur sytë te disa individë të seksit tjetër. Por jo çdokush do të ishte ai i duhuri. Mos harro se je në kërkim të një njeriu me të cilin ndihesh rehat e me të cilin të përputhen karakteri dhe synimet. (Zanafilla 2:18; Mateu 19:4-6) A e ke gjetur? Nëse po, si e kupton se është njeriu i duhur?

Mos shih vetëm pamjen

Që t’i përgjigjesh pyetjes së fundit, shihe njeriun me të cilin je lidhur me sy objektiv. Megjithatë, kujdes! Mund të priresh të shohësh vetëm atë që do ti të shohësh. Ndaj mos u nxito. Përpiqu të kuptosh karakterin e tij të vërtetë. Dhe dihet që kjo s’është aspak e lehtë. Të marrim një shembull: E zëmë se ke dëshirë të blesh një makinë. Sa imtësisht do ta kontrolloje? Do të shihje vetëm si duket nga jashtë? A s’do të ishte më e mençur ta shihje më me imtësi, që të dije sa më shumë për gjendjen e motorit?

Të gjesh një shok jete është një çështje shumë më serioze se të zgjedhësh një makinë. Megjithatë, shumë nga ata që kanë nisur një lidhje, shohin te tjetri vetëm pamjen. Madje, nxitojnë të tregojnë gjërat që kanë të përbashkëta. «Kemi të njëjtat shije për muzikën.» «Na pëlqejnë të njëjtat aktivitete.» «Jemi dakord për çdo gjë.» Megjithatë, siç u tha më sipër, nëse e ke kaluar lulen e rinisë, sheh më thellë se sipërfaqja. E kupton se duhet të dallosh ‘njeriun e fshehtë të zemrës’.​—1 Pjetrit 3:4; Efesianëve 3:16.

Për shembull, në vend që të përqendrohesh se sa shumë ju përputhen mendimet kur jeni dakord, mund ta njohësh më mirë personin po të vëresh çfarë ndodh kur nuk jeni dakord. Me fjalë të tjera, si reagon kur keni mosmarrëveshje? Ngul këmbë që t’i dalë e vetja me ‘shpërthime zemërimi’ ose me ‘sharje’? (Galatasve 5:19, 20; Kolosianëve 3:8) Apo tregohet i arsyeshëm, domethënë, kur bëhet fjalë thjesht për preferenca, është gati të hapë rrugë që të mos prishë paqen?​—Jakovi 3:17.

Edhe diçka tjetër që duhet parë mirë: A është xheloz? A të përdor si mashë për të arritur qëllimet e tij? A të trajton si pronën e vet? A kërkon të dijë çdo gjë që bën? «Kam dëgjuar për çifte të dashuruarish që grinden, sepse njëri nuk duron dot që tjetri ‘nuk raporton’ për çdo gjë që bën,—thotë Nikola.—Sipas meje kjo është një shenjë e keqe.»​—1 Korintasve 13:4.

Çështje si ato që u ngritën më sipër përqendrohen te karakteri dhe sjellja. Megjithatë, është po aq e rëndësishme të njohësh deri në njëfarë mase reputacionin e njeriut me të cilin je lidhur. Ç’mendim kanë të tjerët për të? Do të ishte mirë të flisje me ata që e njohin prej kohësh, si për shembull me njerëz të pjekur në kongregacionin e tij ose të saj. Kështu do të mësosh nëse për të ‘flitet mirë’.​—Veprat 16:1, 2.

Do të kuptoje shumë për të nëse shkruan çfarë ke vënë re në fushat që diskutuam deri tani. A është ai që po kërkon?

Karakteri ․․․․․

Sjellja ․․․․․

Reputacioni ․․․․․

Veç kësaj, do të të ndihmonte shumë edhe kutia « A do të ishte një bashkëshort i mirë?» në faqen 39 ose « A do të ishte një bashkëshorte e mirë?» në faqen 40. Pyetjet në këto kuti do të të ndihmojnë të përcaktosh nëse njeriu që ke zgjedhur, do të ishte shoku i duhur i jetës.

Por mund të ndodhë edhe që, pasi e peshon mirë çështjen, del në përfundimin se ai ose ajo ndoshta nuk është njeriu i duhur për ty. Atëherë shtrohet kjo pyetje serioze:

A duhet të ndahemi?

Nganjëherë ndarja është gjëja më e mirë. Le të marrim rastin e Xhildës. «Në fillim, më vinte mirë që i dashuri shqetësohej gjithmonë se ku isha, me kë isha e çfarë po bëja,—thotë ajo.—Por puna arriti deri aty sa s’mund të rrija me askënd përveç tij. Ai bëhej xheloz edhe kur rrija me familjen time, sidomos me tim atë. Kur i vura kapak lidhjes, u ndjeva sikur m’u hoq një barrë e rëndë nga supet.»

Sara pati një problem të ngjashëm me të dashurin, Xhonin. Asaj filloi t’i binte në sy se ai ishte një njeri që s’kënaqej kollaj dhe kishte një të folur të hidhur e të vrazhdë. «Një herë, erdhi tri orë me vonesë,—kujton Sara.—Mamaja i hapi derën, dhe ai as e përshëndeti, por vetëm tha: ‘Hajde, jemi vonë.’ Jo ‘jam vonë’, por ‘jemi vonë’. Më parë, ai duhej të kishte kërkuar ndjesë ose të kishte shpjeguar pse ishte vonuar. Mbi të gjitha, duhej t’i kishte treguar respekt mamit.» Sigurisht, një tipar i papëlqyeshëm ose një pakënaqësi e rastit, nuk mjafton për të prishur një lidhje. (Psalmi 130:3) Mirëpo, kur kuptoi se vrazhdësia e Xhonit nuk ishte thjesht një rast, por mënyra si sillej ai me të gjithë, Sara i dha fund lidhjes.

Njësoj si Xhilda dhe Sara, edhe ti mund të vendosësh të mos martohesh me njeriun që je lidhur. Prandaj, mos i shpërfill ndjenjat! Sado e vështirë, mund të jetë më mirë t’i japësh fund lidhjes. Proverbat 22:3 thotë: «Mendjehollë është ai që e sheh të keqen dhe fshihet.» Për shembull, nëse shfaq një ose më shumë nga shenjat e këqija që gjenden në faqen 39 dhe 40, do të ishte më mirë të ndaheni, të paktën derisa ky problem të ndreqet. Vërtet, ndarja ndoshta s’është e lehtë, por martesa zgjat gjithë jetën. Më mirë një fund me dhembje tani, se një dhembje e pafund!

Si t’ia them?

Si t’ia thuash se do që të ndaheni? Së pari, zgjidh një rrethanë të përshtatshme. Cila mund të jetë, për shembull? Po ja, mendo çfarë do të doje ti po të ishe në vend të tij. (Mateu 7:12) A do të doje të ta thoshte në sy të të tjerëve? Patjetër që jo. Gjithashtu, nëse nuk e kërkojnë rrethanat, do të ishte më mirë që lidhja të mos përfundohej nëpërmjet telefonit ose nëpërmjet një mesazhi në celular, në sekretarinë telefonike a në Internet. Prandaj, mendo mirë cila është koha dhe vendi i duhur për të folur për një çështje kaq serioze.

Çfarë të thuash kur të vijë koha për t’u shprehur? Apostulli Pavël i nxiti të krishterët ‘t’i thoshin të vërtetën’ njëri-tjetrit. (Efesianëve 4:25) Pra, mënyra më e mirë është të flasësh me takt, por të jesh i vendosur. Thuaj qartë pse për mendimin tënd kjo lidhje s’do të funksiononte. S’ka pse t’i tregosh një listë të gjatë me të meta ose t’i derdhësh një lumë me kritika. Në fakt, në vend që të thuash «ti nuk bën këtë» e «ti nuk bën atë», do të ishte më mirë të shprehje ndjenjat e tua, si «unë kam nevojë për dikë që . . . » ose «unë mendoj se duhet ta lëmë me kaq këtë lidhje, sepse . . . ».

Nuk është momenti të lëkundesh; thuaj jo dhe mos e kthe. Mos harro se ke vendosur të ndahesh për një arsye serioze. Prandaj, trego kujdes nëse ai ose ajo mundohet të ta kthejë mendjen me dredhi. «Pasi i dhashë fund lidhjes,—thotë një vajzë me emrin Lori,—i dashuri im filloi të hiqej si me depresion. Mua më duket se e bënte që të më vinte keq për të. Ç’është e vërteta, më vinte keq, por nuk lashë që reagimi i tij të ndryshonte vendimin tim.» Ashtu si Lori, ti e di çfarë do. Përmbaju vendimit që ke marrë. Jo-ja jote të jetë jo.​—Jakovi 5:12.

Pasojat e ndarjes

Mos u çudit nëse pas ndarjes, për njëfarë kohe, do të të duket sikur s’po e merr veten nga tronditja. Madje, mund të ndihesh si psalmisti që tha: «E kam humbur toruan, jam kërrusur fare, gjithë ditën e ditës endem i trishtuar.» (Psalmi 38:6) Disa miq, duke menduar se po të ndihmojnë, mund të të nxitin që ta provosh edhe një herë. Por kujdes! Ky vendim do të të kushtojë për gjithë jetën ty, jo miqve të tu, sado të mira të jenë qëllimet e tyre. Prandaj, pa frikë, trego vendosmëri, edhe pse mund të ndihesh keq për çfarë po ndodh.

Në fund dhembja do të kalojë, dhe kjo është më se e sigurt! Ndërkohë përballoje situatën me optimizëm, duke bërë disa nga hapat që përmenden më poshtë.

Fol për ndjenjat e tua me një shok të besuar. * (Proverbat 15:22) Kërkoji ndihmë Jehovait në lutje. (Psalmi 55:22) Merru me aktivitete frymore. (1 Korintasve 15:58) Mos u veço nga të tjerët. (Proverbat 18:1) Shoqërohu pa humbur kohë me ata që të ndihmojnë të marrësh veten. Përpiqu ta mbash mendjen në gjëra që ndikojnë për mirë.​—Filipianëve 4:8.

Me kalimin e kohës mund të njihesh me dikë tjetër. Nëse kjo ndodh, pa dyshim që do të kesh një pikëpamje edhe më të ekuilibruar. Ndoshta atëherë përgjigjja e pyetjes «A është njeriu i duhur për mua?», do të jetë po.

LEXO MË SHUMË PËR KËTË TEMË NË VËLL. 1, KAP. 31

NË KAPITULLIN TJETËR:

Ku është caku i shprehjeve të dashurisë në një lidhje?

[Shënimet]

^ par. 17 Mund ta njohësh më mirë veten, duke shqyrtuar pyetjet në kapitullin 1, poshtë nëntitullit: «A je gati të martohesh?»

^ par. 45 Prindërit ose të rritur të tjerë, si pleqtë e krishterë, mund të të ndihmojnë. Mund të kuptosh se edhe ata kanë provuar të njëjtat dhembje kur ishin të rinj.

SHKRIMI KYÇ

«Një djalë njihet edhe nga veprimet e tij: nëse veprat e tij janë të kulluara dhe të drejta.»​—Proverbat 20:11.

KËSHILLË

Merruni me aktivitete që nxjerrin në pah cilësitë e secilit:

● Studioni Fjalën e Perëndisë së bashku.

● Vëreni sa merr pjesë tjetri në mbledhje dhe në shërbim.

● Përfshihuni në pastrimin e Sallës së Mbretërisë dhe në projekte ndërtimi.

A E DIJE . . . ?

Studimet vazhdojnë të tregojnë se martesa e dy njerëzve me besime të ndryshme ka më shumë të ngjarë të përfundojë me divorc.

HAPAT QË DUA TË BËJ . . .

Nëse më tërheq dikush që s’ka besimin tim, do të ․․․․․

Për të kuptuar ç’reputacion ka njeriu me të cilin jam lidhur, mund të ․․․․․

Pyetje që dua t’u bëj prindërve: ․․․․․

ÇFARË MENDON?

Çfarë cilësish ke për të qenë një bashkëshort i mirë?

Cilat janë disa cilësi të rëndësishme që kërkon te shoku i jetës?

Cilat çështje delikate mund të lindin nëse martohesh me dikë që nuk ka besimin tënd?

Si mund ta njohësh më mirë karakterin, sjelljen dhe reputacionin e njeriut me të cilin je lidhur?

[Diçitura në faqen 37]

«Mund të kuptosh si do të të trajtojë i dashuri ose e dashura nga mënyra si trajton familjen e vet.»​—Toni

[Kutia në faqen 34]

«Mos u futni nën të njëjtën zgjedhë»

«Mos u futni nën të njëjtën zgjedhë me jobesimtarët.» Ky parim biblik gjendet te 2 Korintasve 6:14, dhe ndoshta ty të duket me vend. Por prapëseprapë të pëlqen dikush që nuk ka të njëjtin besim me ty. Pse? Nganjëherë të bën për vete thjesht pamja fizike. «Në orën e fizkulturës më venin sytë gjithmonë te një vajzë,—thotë një djalë me emrin Marko.—Ajo vinte shpesh e më fliste, dhe vetvetiu u bëmë shokë.»

Nëse e njeh mirë veten e beson te normat e tua fetare, dhe nëse je aq i pjekur sa të mos bëhesh rob i ndjenjave, e di çfarë duhet të bësh. Në të vërtetë, ky njeri, sado tërheqës, i lezetshëm ose në pamje të parë i ndershëm, nuk do ta forcojë miqësinë tënde me Perëndinë.​—Jakovi 4:4.

Sigurisht, nëse ka lindur një histori dashurie, s’do të jetë e lehtë t’i japësh fund. Në këtë përfundim doli një vajzë me emrin Sindi. «Qaja çdo ditë,—thotë ajo.—S’kishte moment që të mos mendoja për të, madje edhe gjatë mbledhjeve. Aq shumë e doja, sa më mirë të vdisja se ta humbja.» Por shpejt Sindi e pa sa e mençur ishte këshilla që i dha e ëma për të mos u lidhur me një njeri që nuk pajtohej me bindjet e saj. «Më mirë që i dhashë fund,—thotë ajo.—Kam besim të plotë se Jehovai do të më japë gjithçka që më duhet.»

A gjendesh edhe ti në një situatë të ngjashme me atë të Sindit? Nëse po, s’ka pse ta përballosh vetëm. Hapua zemrën prindërve. Këtë bëri Xhimi kur e kuptoi se i kishte rënë në kokë për një vajzë në shkollë. «Në fund, u kërkova ndihmë prindërve,—thotë ai.—Pikërisht kjo më ndihmoi t’i mposhtja këto ndjenja.» Edhe pleqtë e kongregacionit mund të të ndihmojnë. Fol me një prej tyre për atë që po kalon.​—Isaia 32:1, 2.

[Kutia dhe figura në faqen 39]

 Fletë pune

A do të ishte një bashkëshort i mirë?

Karakteri

□ Si e ushtron autoritetin?​—Mateu 20:25, 26.

□ Çfarë synimesh ka?​—1 Timoteut 4:15.

□ A po përpiqet tani t’i arrijë?​—1 Korintasve 9:26, 27.

□ Si sillet në familje?​—Dalja 20:12.

□ Me kë shoqërohet?​—Proverbat 13:20.

□ Për çfarë flet?​—Luka 6:45.

□ Ç’pikëpamje ka për paratë?​—Hebrenjve 13:5, 6.

□ Ç’lloj zbavitjesh pëlqen?​—Psalmi 97:10.

□ Si e tregon dashurinë për Jehovain?​—1 Gjonit 5:3.

Anët e mira

□ A është punëtor?​—Proverbat 6:9-11.

□ A i përdor siç duhet paratë?​—Luka 14:28.

□ A flasin mirë për të?​—Veprat 16:1, 2.

□ A mendon për të tjerët?​—Filipianëve 2:4.

Shenja të këqija

□ A nxehet shpejt?​—Proverbat 22:24.

□ A mundohet të të përfshijë në sjellje të gabuar seksuale?​—Galatasve 5:19.

□ A godet fizikisht ose me fjalë?​—Efesianëve 4:31.

□ A kërkon medoemos të ketë pije alkoolike që të zbavitet?​—Proverbat 20:1.

□ A është xheloz dhe egoist?​—1 Korintasve 13:4, 5.

[Kutia dhe figura në faqen 40]

 Fletë pune

A do të ishte një bashkëshorte e mirë?

Karakteri

□ Si e tregon nënshtrimin në familje dhe në kongregacion?​—Efesianëve 5:21, 22.

□ Si sillet në familje?​—Dalja 20:12.

□ Me kë shoqërohet?​—Proverbat 13:20.

□ Për çfarë flet?​—Luka 6:45.

□ Ç’pikëpamje ka për paratë?​—1 Gjonit 2:15-17.

□ Çfarë synimesh ka?​—1 Timoteut 4:15.

□ A po përpiqet tani t’i arrijë?​—1 Korintasve 9:26, 27.

□ Ç’lloj zbavitjesh pëlqen?​—Psalmi 97:10.

□ Si e tregon dashurinë për Jehovain?​—1 Gjonit 5:3.

Anët e mira

□ A është punëtore?​—Proverbat 31:17, 19, 21, 22, 27.

□ A i përdor siç duhet paratë?​—Proverbat 31:16, 18.

□ A flasin mirë për të?​—Rutha 3:11.

□ A mendon për të tjerët?​—Proverbat 31:20.

Shenja të këqija

□ A është grindavece?​—Proverbat 21:19.

□ A mundohet të të përfshijë në sjellje të gabuar seksuale?​—Galatasve 5:19.

□ A godet fizikisht ose me fjalë?​—Efesianëve 4:31.

□ A kërkon medoemos të ketë pije alkoolike që të zbavitet?​—Proverbat 20:1.

□ A është xheloze dhe egoiste?​—1 Korintasve 13:4, 5.

[Figura në faqen 30]

Jo çdo këpucë të bën; po ashtu, jo çdokush mund të jetë një shok i mirë jete

[Figura në faqen 31]

Kur zgjedh një makinë, është e rëndësishme të mos shohësh vetëm si duket nga jashtë. Aq më tepër kur zgjedh shokun e jetës!