Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Pse ta ruaj virgjërinë?

Pse ta ruaj virgjërinë?

KAPITULLI 5

Pse ta ruaj virgjërinë?

«Ndiej një nxitje të fortë nga brenda për të provuar si është seksi.»​—Keli.

«Më duket vetja jonormal ngaqë s’e kam provuar akoma seksin.»​—Xhordoni.

«MOS më thuaj që s’ke bërë akoma seks?!» Këto fjalë mund të të kenë bërë të strukesh nga frika. Në fakt, në shumë vende, një adoleshent që nuk e ka provuar seksin mund të shihet si specie e rrallë, si prapa bote. S’është më çudi që shumë të rinj kryejnë marrëdhënie që kur janë adoleshentë.

Dëshira josh, shoqëria nxit

Nëse je i krishterë, tashmë e di se Bibla thotë «rrini larg nga kurvëria». (1 Selanikasve 4:3) Por prapëseprapë, mund ta kesh të vështirë të kontrollosh impulset seksuale. «Ndonjëherë, pa kuptuar, më shkon mendja te seksi»,​—pranon një djalë me emrin Pol. Të jesh i sigurt se në të shumtën e rasteve këto ndjenja janë normale.

Megjithatë, të durosh gjithmonë të tjerët që tallen e të ngacmojnë pse nuk ke bërë akoma seks, është shumë e sikletshme. Për shembull, si do të ndiheshe nëse shokët të thonë se nuk je burrë ose grua e vërtetë po s’pate bërë seks? «Moshatarët të flasin për seksin sikur është gjëja më e bukur dhe më normale në botë,—thotë Eli.—Nëse nuk ke shkuar me disa, të shohin shtrembër.»

Megjithatë, shokët lënë pa përmendur një anë tjetër të seksit para martese. Për shembull, Mariola, e cila kreu marrëdhënie me të dashurin, kujton: «Më pas, më vinte turp dhe ndihesha në siklet. E urreja veten dhe të dashurin.» Kështu ndodh shpesh, ndonëse shumë të rinj e kanë të vështirë ta kuptojnë. Të jemi realistë, marrëdhëniet para martese në të shumtën e rasteve sjellin dhembje emocionale me pasoja të hidhura.

Megjithatë, një vajzë me emrin Shanda pyet: «Pse Perëndia u ka dhënë të rinjve dëshira seksuale kur e di që duhet të presin derisa të martohen?» Kjo është një pyetje me vend. Megjithatë, le të shohim më poshtë:

A janë impulset seksuale të vetmet ndjenja të forta që ke? Jo. Perëndia Jehova të ka krijuar me aftësinë për të provuar emocione dhe dëshira të llojllojshme.

A duhet të ndjekësh çdo impuls që në çastin që nxjerr kokë? Jo, sepse Perëndia të ka krijuar me aftësinë për t’u vetëpërmbajtur.

Atëherë, çfarë mësimi del nga kjo? Dëshirat lindin, këtë s’e pengon dot, por mund të kontrollosh reagimin tënd ndaj tyre. Në të vërtetë, të ndjekësh çdo impuls seksual, është po aq e gabuar dhe e marrë sa të godasësh dikë sa herë të hipin nervat.

Ç’është e vërteta, kur na krijoi, Perëndia nuk kishte si qëllim që t’i keqpërdornim organet e riprodhimit. Bibla thotë: «Secili nga ju të dijë ta zotërojë enën [trupin] e vet në shenjtëri dhe në nder.» (1 Selanikasve 4:4) Siç ka «një kohë për të dashur dhe një kohë për të urryer», ka edhe një kohë për të ndjekur impulset seksuale dhe një kohë për t’u vënë fre. (Eklisiastiu 3:1-8) Në fund të fundit, dëshirat i ke në dorë vetë.

Por, ç’mund të bësh nëse dikush të ngacmon me një ton mosbesues: «Mos më thuaj që s’ke bërë akoma seks?!» Mos u vër në siklet. Atij që ka qejf të tallet me ty, mund t’i thuash: «Jo, dhe s’e kam problem fare.» Ose mund t’i thuash: «Kjo është punë për mua. S’besoj se të intereson.» * (Proverbat 26:4; Kolosianëve 4:6) Por, nëse mendon se ai që të pyet meriton të dijë më shumë, mund t’i shpjegosh qëndrimin tënd të bazuar në Bibël.

A të vijnë në mendje përgjigje të tjera nëse të tallin: «Mos më thuaj që s’ke bërë akoma seks?!» Nëse po, shkruaji.

․․․․․

Një dhuratë e çmuar

Si ndihet Perëndia kur dy njerëz të pamartuar vendosin të kenë marrëdhënie? Ta zëmë se i ke blerë një dhuratë një shoku. Por, nga kureshtja, ai e hap para se t’ia japësh. A s’do të mërziteshe? Kjo të tregon si do të ndihej Perëndia nëse kryen marrëdhënie para martese. Ai do që të presësh derisa të martohesh që të zbulosh e të kënaqesh me dhuratën e marrëdhënieve seksuale.​—Zanafilla 1:28.

Çfarë duhet të bësh në lidhje me dëshirat e tua seksuale? Thjesht, mëso t’i kontrollosh. Nuk të mungon forca për t’ia dalë mbanë. Kërkoji ndihmë Jehovait. Fryma e tij mund të të ndihmojë të kesh më shumë vetëkontroll. (Galatasve 5:22, 23) Kujtoji gjithmonë vetes se Jehovai «nuk do t’i kursejë asgjë të mirë kujtdo që ecën në mënyrë të patëmetë». (Psalmi 84:11) Një djalë me emrin Gordon thotë: «Kur nis të mendoj se seksi para martese nuk është edhe aq keq, kujtoj pasojat e këqija frymore dhe e kuptoj se nuk ia vlen të humbasësh miqësinë me Jehovain për asnjë lloj mëkati.»

Virgjëria nuk është një gjendje e çuditshme, as jonormale. Përkundrazi, imoraliteti seksual është degjenerues, poshtërues dhe i dëmshëm. Prandaj, mos lejo që idetë e shtrembëruara të botës të të bëjnë të mendosh se je anormal nëse ndjek normat e Biblës. Duke ruajtur virgjërinë, ruan shëndetin fizik dhe emocional, por mbi të gjitha ruan miqësinë me Perëndinë.

LEXO MË SHUMË PËR KËTË TEMË NË VËLL. 1, KAP. 23

[Shënimi]

^ par. 15 Është rasti të përmendim se Jezui heshti dhe nuk iu përgjigj pyetjeve të Herodit. (Luka 23:8, 9) Shpesh, heshtja është një mënyrë e mirë për të manovruar kur të bëjnë pyetje pa vend.

SHKRIMI KYÇ

«Nëse dikush . . . ka vendosur në zemër të ruajë virgjërinë, do të bëjë mirë.»​—1 Korintasve 7:37.

KËSHILLË

Mos u shoqëro me ata që s’kanë norma të forta morale, edhe nëse thonë se kanë të njëjtin besim me ty.

A E DIJE . . . ?

Ata që shkojnë si bleta lule më lule, zakonisht nuk e lënë këtë vese dhe pas martese. Kurse ata që janë besnikë ndaj normave morale të Perëndisë që para se të martohen, zakonisht janë më besnikë ndaj bashkëshortit edhe pas martese.

HAPAT QË DUA TË BËJ . . .

Nëse dua të ruaj virgjërinë derisa të martohem, duhet të ․․․․․

Nëse të tjerët ma bëjnë të vështirë t’i përmbahem këtij vendimi, do të ․․․․․

Pyetje që dua t’u bëj prindërve: ․․․․․

ÇFARË MENDON?

Sipas teje, pse disa tallen me ata që janë ende të virgjër?

Pse mund të jetë e vështirë të ruash virgjërinë?

Cilat janë dobitë që do të kesh po ta ruash virgjërinë derisa të martohesh?

Si do t’ia shpjegoje vëllait ose motrës më të vogël dobitë që ka ruajtja e virgjërisë?

[Diçitura në faqen 51]

«Kur kujtoj se ‘asnjë kurvar a i ndyrë nuk ka trashëgimi në mbretërinë e Perëndisë’ e kam më të lehtë t’u rezistoj tundimeve seksuale.» (Efesianëve 5:5)​—Lidia

[Kutia në faqen 49]

Fletë pune

Çfarë ndodh në të vërtetë më pas?

Shokët dhe ato që sheh në TV shpesh e maskojnë me zgjuarsi realitetin e pakëndshëm të seksit para martese. Hidhu një sy tri situatave të mëposhtme. Si mendon, çfarë ndodh në të vërtetë më pas?

● Një shok klase mburret se ka shkuar me shumë vajza. Ai thotë se është qejf; askush s’lëndohet. Çfarë ndodh në të vërtetë më pas me të dhe me vajzat? ․․․․․

● Një film mbaron me dy të rinj të pamartuar që i shprehin dashurinë njëri-tjetrit duke bërë seks. Mirëpo çfarë ndodh në jetën reale? ․․․․․

● Një djalë simpatik të propozon të shkosh me të në shtrat. Ai thotë se s’do ta marrë vesh askush. Nëse dorëzohesh dhe mundohesh ta mbash të fshehtë, çfarë do të ndodhë në të vërtetë më pas? ․․․․․

[Figura në faqen 54]

Seksi para martese është si të hapësh një dhuratë para se të ta japin