Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Pse jam kaq sëmurë?

Pse jam kaq sëmurë?

KAPITULLI 8

Pse jam kaq sëmurë?

«Kur je i ri të duket vetja i pamposhtur. Por befas të zë një sëmundje e rëndë dhe e kupton që s’është ashtu. Të duket sikur je plakur brenda një nate.»​—Xhejsoni.

KUR ishte 18 vjeç, Xhejsonit i thanë se vuante nga sëmundja Kron, një sëmundje e dhimbshme e zorrëve që të shter fuqitë. Mbase edhe ti vuan nga ndonjë sëmundje kronike a kufizim fizik. Aktivitete që për shumë të tjerë janë normale, si të vishesh, të hash ose të shkosh në shkollë, mund të kërkojnë sforco të jashtëzakonshme.

Një problem shëndetësor kronik mund të të bëjë të ndihesh si i ngujuar pas hekurave të burgut. Mund të ndihesh i vetmuar. Madje, mund të fillosh të mendosh se mos ke lënduar Perëndinë a se mos Perëndia të ka vënë para një sprove të pazakontë integriteti. Megjithatë, Bibla thotë: «Perëndia nuk mund të sprovohet me gjëra të liga, dhe as ai vetë nuk sprovon njeri.» (Jakovi 1:13) Sëmundjet janë thjesht pjesë e pandarë e jetës, dhe që të gjithë «përjetojnë ngjarje të paparashikuara».​—Eklisiastiu 9:11.

Sa mirë që Perëndia Jehova ka premtuar një botë të re ku «asnjë banor nuk do të thotë: ‘Jam sëmurë.’» (Isaia 33:24) Edhe ata që kanë vdekur, do të ringjallen që ta shijojnë atë botë të re. (Gjoni 5:28, 29) Megjithatë, si mund të bësh ndërkohë më të mirën në situatën tënde?

Mundohu të jesh optimist. Bibla thotë: «Një zemër e gëzuar të bën mirë porsi ilaç.» (Proverbat 17:22) Disa mund të mendojnë se është e pavend të gëzosh e të qeshësh kur vuan nga një sëmundje e rëndë. Megjithatë, një ndjenjë e mirë humori dhe një shoqëri e këndshme ripërtërijnë mendjen dhe shtojnë dëshirën për jetën. Ndaj, mendo si ta bësh më të gëzueshme jetën. Mos harro se gëzimi është pjesë e frytit të frymës së Perëndisë, domethënë vjen nga Perëndia. (Galatasve 5:22) Pikërisht kjo frymë mund të të ndihmojë ta përballosh sëmundjen me njëfarë optimizmi.​—Psalmi 41:3.

Vër synime të arritshme. «Mençuria është me modestët»,—thotë Bibla. (Proverbat 11:2) Modestia do të të ndihmojë që të mos jesh nga ata që s’e çajnë kokën fare dhe as nga ata që kanë merak të tepruar. Për shembull, nëse është brenda mundësive të tua, aktiviteti fizik pa e kaluar masën, mund të të ndihmojë të ndihesh më mirë. Kjo është arsyeja pse disa spitale e klinika shpesh përfshijnë fizioterapinë në trajtimin e pacientëve me moshë të re. Në të shumtën e rasteve, ushtrimet në masën e duhur shpejtojnë shërimin, por ndihmojnë edhe të mos biesh shpirtërisht. E rëndësishme është ta vlerësosh me ndershmëri gjendjen tënde dhe të vësh synime të arritshme.

Mëso të përballosh fjalët e të tjerëve. Çfarë të bësh nëse disa thonë fjalë të pamenduara lidhur me gjendjen tënde? Bibla thotë: «Mos ua vër veshin gjithë fjalëve që mund të thonë njerëzit.» (Eklisiastiu 7:21) Nganjëherë është vërtet më mirë të mos ua vësh veshin. Ose mund t’u presësh rrugën këtyre fjalëve. Për shembull, nëse të tjerët duken në siklet në praninë tënde, ngaqë je në karrige me rrota, mundohu ta shtensionosh situatën. Për shembull, mund të thuash: «Ndoshta thoni me vete pse jam në këtë karrige. A doni ta dini?»

Mos u dorëzo. Kur ishte përballë vuajtjesh të mëdha, Jezui iu lut Perëndisë, u mbështet tek Ai dhe i mbajti sytë tek e ardhmja e lumtur që e priste e jo te dhembja që po kalonte. (Hebrenjve 12:2) Ai mësoi nga ato që vuajti. (Hebrenjve 4:15, 16; 5:7-9) Pranoi ndihmë dhe inkurajim. (Luka 22:43) Nuk e mbante mendjen te shqetësimi i tij, por te mirëqenia e të tjerëve.​—Luka 23:39-43; Gjoni 19:26, 27.

Jehovai ‘kujdeset për ty’

Çfarëdo sëmundjeje të kesh, s’duhet të mendosh që Perëndia të sheh si gjysmënjeri. Përkundrazi, ata që bëjnë përpjekje t’i pëlqejnë Jehovait janë të çmuar e të vlefshëm në sytë e tij. (Luka 12:7) ‘Ai kujdeset për ty’ dhe i pëlqen të të përdorë në shërbim të tij, paçka se je i sëmurë apo ke një kufizim fizik.​—1 Pjetrit 5:7, DSF.

Prandaj, mos lejo që frika a pasiguria të të pengojnë të bësh gjërat që do dhe ke nevojë. Mbështetu gjithmonë te Jehovai. Ai i kupton nevojat dhe ndjenjat e tua. Veç kësaj, ai mund të të japë ‘fuqi përtej asaj që është normale’, që të mos dorëzohesh. (2 Korintasve 4:7) Me kalimin e kohës, ndoshta do të tregosh të njëjtin optimizëm si Timoteu, i cili në moshën 17-vjeçare u diagnostikua me sindromën e rraskapitjes kronike. Ai thotë: «Sipas 1 Korintasve 10:13, Jehovai nuk lejon të durojmë më shumë nga ç’mundemi. Unë i them vetes se, nëse Krijuesi im është i sigurt se mund ta përballoj këtë sprovë, kush jam unë që të them jo?»

Nëse një i njohuri yt është sëmurë

Mbase ti vetë gëzon shëndet të plotë, por një i njohuri yt është i sëmurë ose ka një kufizim fizik. Çfarë mund të bësh? Si mund ta ndihmosh? Gjëja më e rëndësishme që mund të bësh, është të tregosh «ndjenja të përbashkëta» dhe të jesh «zemërdhembshur». (1 Pjetrit 3:8) Mundohu të kuptosh se çfarë po kalon ai. Vëre veten në vend të tij. Nina, që lindi me një sëmundje të quajtur shpina e ndarë, (një defekt zhvillimi që karakterizohet nga mosmbyllja e kanalit të shtyllës kurrizore), thotë: «Përderisa trupi im është i pazhvilluar dhe lëviz me karrige me rrota, disa më flasin si të isha e vogël, dhe kjo nganjëherë më bën të ndihem keq. Por të tjerë përpiqen të ulen që të mos më flasin duke më parë nga lart. Kjo më pëlqen shumë!»

Nëse sheh përtej sëmundjes së tyre, do të kuptosh se ata që kanë probleme me shëndetin, janë krejt si ti. Gjithashtu, ki parasysh se fjalët e tua mund të jenë ‘një dhuratë frymore’ për ta. Nëse e bën, do të bekohesh edhe ti, sepse ‘do të inkurajoni njëri-tjetrin’.​—Romakëve 1:11, 12.

LEXO MË SHUMË PËR KËTË TEMË NË VËLL. 1, KAP. 13

SHKRIMI KYÇ

«Në atë kohë . . . asnjë banor nuk do të thotë: ‘Jam sëmurë.’»​—Isaia 33:23, 24.

KËSHILLË

Njohuria e pakëson frikën nga e panjohura. Prandaj, mëso sa të mundesh për gjendjen tënde. Bëji mjekut pyetje specifike, nëse nuk ke të qartë ndonjë gjë.

A E DIJE . . . ?

Sëmundja ose kufizimi fizik që ke, nuk është ndëshkim nga Perëndia,por pasojë e papërsosmërisë që kemi trashëguar të gjithë nga Adami.​—Romakëve 5:12.

HAPAT QË DUA TË BËJ . . .

Që ta përballoj me optimizëm sëmundjen a kufizimin që kam, do të ․․․․․

Një synim i arritshëm për mua është ․․․․․

Nëse dikush më lëndon me fjalë për gjendjen time, do ta përballoj situatën duke ․․․․․

Pyetje që dua t’u bëj prindërve: ․․․․․

ÇFARË MENDON?

Si mund ta përdorësh informacionin e këtij kapitulli për të ndihmuar dikë që ka një kufizim fizik ose sëmundje kronike?

Për çfarë mund të meditosh nëse vuan nga një sëmundje kronike, që të bësh sa të mundesh në situatën ku ndodhesh?

Si e di se ky problem nuk është shenjë që tregon se nuk ke miratimin e Perëndisë?

[Kutia dhe figura në faqen 75]

DASTINI, 22 vjeç

«Mbaj mend se qaja në krahët e mamit kur mora vesh që do të ngujohesha në një karrige me rrota. Isha vetëm tetë vjeç.

Vuaj nga distrofia muskulare. S’vishem dot vetë, madje as ha e as lahem dot vetë. Krahët s’i lëviz dot fare. Megjithatë kam bërë një jetë të gjallë e të gëzueshme, dhe jam mirënjohës për shumë gjëra. Dal rregullisht në shërbim dhe shërbej si shërbëtor ndihmës në kongregacion. As që e mendoj se jeta ime është një ‘luftë’. Kur i shërben Jehovait, ke gjithmonë çfarë të bësh dhe çfarë të shpresosh. Së shpejti pres me padurim botën e re të Perëndisë, ku ‘do t’i ngjit të përpjetat si një dre’.»​—Isaia 35:6.

[Kutia dhe figura në faqen 75]

TOMOKO, 21 vjeçe

«Kur isha 4 vjeçe doktori më tha: ‘Duhet të marrësh insulinë për gjithë jetën.’

Mbajtja nën kontroll e nivelit të sheqerit në gjak është shumë e vështirë për një diabetik. Shpesh, s’mund të ha kur më hahet dhe duhet të ha kur s’më hahet. Deri tani jam shpuar rreth 25.000 herë, sa më janë bërë kallo në krahë dhe në kofshë. Megjithatë, prindërit më kanë ndihmuar ta shfrytëzoj sa më mirë situatën në të cilën gjendem. Ata kanë qenë gjithnjë gazmorë e optimistë, dhe që e vogël, kanë rrënjosur tek unë vlerësimin për gjërat frymore. Jehovai është treguar shumë i mirë me mua. Kur gjendja shëndetësore më lejoi, vendosa të tregoj mirënjohjen time duke filluar shërbimin e plotkohor.»

[Kutia dhe figura në faqen 76]

XHEJMSI, 18 vjeç

«Njerëzit s’dinë si të sillen me dikë që është ndryshe nga ata, dhe unë jam i tillë.

Kam një formë të rrallë të nanizmit. Njerëzit mendojnë shumë për paraqitjen, ndaj unë mundohem gjithmonë të tregoj se nuk jam një vocërrak me zë të rrituri. Në vend që të rri i ngrysur ngaqë jam ndryshe nga të tjerët, mundohem të përqendrohem tek ai që jam në të vërtetë. E gëzoj jetën. Studioj Biblën dhe i lutem Jehovait për mbështetjen e tij. Familja më qëndron gjithmonë afër. Mezi pres të vijë koha kur Perëndia të zhdukë të gjitha sëmundjet. Ndërkohë, jetoj me këtë problem, por nuk e lë të më pengojë ta jetoj jetën.»

[Kutia dhe figura në faqen 76]

DANITRIA, 16 vjeçe

«E dija që kishte diçka që s’shkonte, sepse edhe kur mbaja një gotë ujë kisha shumë dhembje.

Fibromialgjia është e dhimbshme dhe e bezdisshme. Si e re që jam, dua të jem si moshatarët e mi, por tani çdo gjë e kam më të vështirë se më parë. Edhe për të më zënë gjumi duhet një shekull! Megjithatë, kam mësuar se me ndihmën e Jehovait mund t’ia dal mbanë. Madje kam mundur të shtoj orët e shërbimit duke shërbyer si pioniere ndihmëse. Ishte e vështirë, por ia dola. Përpiqem të bëj sa mundem. Duhet ‘t’ia vë veshin’ trupit dhe të pranoj kufizimet e mia. Edhe nëse unë harroj, kam mamin që ma kujton gjithmonë.»

[Kutia dhe figura në faqen 77]

ELISIA, 20 vjeçe

«Kam qenë nxënëse e shkëlqyer. Tani e kam të vështirë të lexoj qoftë edhe një fjali, dhe kjo më dëshpëron.

Sindroma e rraskapitjes kronike t’i vështirëson edhe gjërat më të thjeshta. Shpeshherë është e pamundur edhe të çohem nga shtrati. Megjithatë, s’e lë asnjëherë sëmundjen të më bëjë të harroj kush jam. E lexoj Biblën çdo ditë, edhe nëse kjo do të thotë të lexoj pak vargje ose të ma lexojë një nga familja. I detyrohem shumë familjes. Në një kongres, babi hoqi dorë nga një caktim në një repart që të më ndihmonte të isha e pranishme. Kurrë nuk u ankua për këtë, por tha se të kujdesej për familjen ishte privilegji më i madh që kishte.»

[Kutia dhe figura në faqen 77]

KATSUTOSHI, 20 vjeç

«Papritur e pakujtuar më zë paniku e bërtas, përpëlitem, përplas çfarë më zë dora dhe e thyej.

Vuaj nga epilepsia që kur kam qenë pesë vjeç. Ka pasur raste që më ka zënë mbi shtatë herë në muaj. Duhet të marr ilaçe përditë dhe si pasojë lodhem shpejt. Megjithatë përpiqem të mos mendoj vetëm për vete, por edhe për të tjerët. Dy vëllezër të moshës sime që shërbejnë në kohë të plotë në kongregacionin tim, më kanë qëndruar shumë afër. Kur mbarova shkollën, fillova të dal më shumë në shërbim. Çdo ditë më duhet të luftoj me epilepsinë. Megjithatë, kur ndihem i dëshpëruar, pushoj mirë. Të nesërmen jam më optimist.»

[Kutia dhe figura në faqen 78]

METHJU, 19 vjeç

«Është e vështirë të fitosh respektin e moshatarëve, kur për ta ‘nuk je normal’.

Kam shumë qejf të merrem me sport, por s’mundem. Vuaj nga paraliza cerebrale dhe me zor eci. Megjithatë, s’e mbaj mendjen tek ato që s’mund të bëj. U kushtohem aktiviteteve që mund të bëj, si për shembull, leximit. Salla e Mbretërisë është vendi ku mund të jem vetvetja pa frikën se mos më gjykojnë. E di se Jehovai më do për atë që jam nga brenda dhe kjo ma ngroh zemrën. Në fakt, as që e shoh veten si një njeri të paaftë, por si një njeri që ka një problem më shumë për të përballuar.»

[Kutia dhe figura në faqen 78]

MIKI, 25 vjeçe

«Dikur merresha me sport. Por gjatë adoleshencës ndodhi diçka dhe ishte sikur u plaka menjëherë.

Linda me vrimë në zemër, një defekt në murin ndarës të zemrës. Simptomat e para u shfaqën kur isha adoleshente. Bëra një operacion, por tani, gjashtë vjet më vonë, lodhem shpejt dhe kam vazhdimisht dhembje koke. Prandaj, vë synime afatshkurtra dhe të arritshme. Për shembull, jam munduar të shërbej në kohë të plotë dhe pjesën më të madhe të këtij shërbimi e bëj duke shkruar letra ose duke dëshmuar nëpërmjet telefonit. Veç kësaj, sëmundja më ka ndihmuar të fitoj cilësi që më parë nuk i kisha, si shpirtgjerësia dhe modestia.»

[Figura në faqen 74]

Një problem kronik me shëndetin mund të të bëjë të ndihesh si i ngujuar pas hekurave, por Bibla jep shpresë se do të dalësh nga ky burg