Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Si ta luftoj vetminë?

Si ta luftoj vetminë?

KAPITULLI 9

Si ta luftoj vetminë?

Është ditë e bukur dhe ti rri kot në shtëpi. Kurse shokët e tu kanë dalë dhe po bëjnë qejf. Edhe këtë herë ata të kanë lënë mënjanë. Ndihesh keq që s’të kanë ftuar, por edhe më keq kur mendon pse. «Mos ka ndonjë gjë që s’shkon tek unë? Pse askush s’do të rrijë me mua?»—pyet veten.

NDOSHTA e ke parë veten në këtë situatë më shumë se një herë. Mbase të duket sikur mes teje dhe shokëve të moshës sate ka një hendek të thellë që ju ndan. Sa herë mundohesh të nisësh një bisedë, të lidhet gjuha. Edhe kur të vjen rasti, nxjerr kokë ndrojtja. Pse është kaq e vështirë qoftë edhe të bisedosh me ta?

Mos qëndro krejt vetëm në njërën anë të hendekut, por bëj diçka për ta kaluar. Le të shohim se si.

Hendeku i parë: Mendim jo i mirë për veten. Disa të rinj tregohen të pamëshirshëm me veten duke mohuar vlerat që kanë. Janë të bindur se nuk i do njeri dhe se s’dinë të bëjnë një muhabet. A mendon edhe ti kështu për veten? Nëse po, kjo do ta bëjë edhe më të pakalueshëm hendekun që të ndan nga shokët e moshës sate.

Si ta kalosh? Përqendrohu te të mirat që ke. (2 Korintasve 11:6) Pyet veten: «Cilat janë cilësitë e mia të mira?» Mendo për dhuntitë ose vetitë e mira që ke dhe renditi më poshtë.

․․․․․

Kuptohet që edhe ti ke të metat e tua, dhe s’është keq të jesh i vetëdijshëm për këtë. (1 Korintasve 10:12) Por ke edhe shumë të mira. Kur i di vlerat e tua, e lufton më me siguri mendimin jo të mirë për veten.

Hendeku i dytë: Ndrojtja. Ti do të doje të nisje një bisedë, por kur të del rasti, të duket sikur të është ngjitur gjuha pas qiellzës. «Jam gjithmonë e ndrojtur,—ankohet një vajzë 19-vjeçare me emrin Elizabeta.—Kur shkoj në mbledhje, e kam shumë të vështirë t’u afrohem të tjerëve, dhe i kam zili ata që arrijnë ta bëjnë.» Nëse je edhe ti si Elizabeta, mbase të duket e pamundur ta kalosh këtë hendek.

Si ta kalosh? Interesohu për të tjerët. Mos ki merak, s’ka nevojë të bëhesh tip i hedhur. Thyeje akullin duke treguar interes fillimisht për një person. «Mjafton t’i pyesësh të tjerët si po ia kalojnë ose si po shkon puna, dhe e ke më të lehtë të njihesh me ta»,​—thotë një djalë me emrin Jori.

Por, ja edhe një këshillë: mos u shoqëro vetëm me moshatarët e tu. Disa nga shoqëritë më të ngushta për të cilat flet Bibla ishin mes njerëzve me diferencë të madhe në moshë, si për shembull, Rutha dhe Naomi, Davidi dhe Jonatani, Timoteu dhe Pavli. (Rutha 1:16, 17; 1 Samuelit 18:1; 1 Korintasve 4:17) Gjithashtu, mos harro se të bisedosh do të thotë ta lësh edhe tjetrin të flasë e jo të ligjërosh vetëm ti. Ata që dinë të dëgjojnë vlerësohen shumë. Prandaj, nëse ke prirjen të jesh i ndrojtur, mos mendo se do ta mbash gjallë bisedën vetëm ti!

Shkruaj emrat e dy të rriturve që do të doje t’i njihje më mirë.

․․․․․

Pse të mos i afrohesh njërit prej tyre dhe të nisësh një bisedë? Sa më shumë të shoqërohesh me «gjithë vëllazërinë», aq më pak i vetmuar do të ndihesh.​—1 Pjetrit 2:17.

Hendeku i tretë: Sjellja e pakëndshme. Atyre që u duket vetja të gjithëditur, kanë gjithmonë në majë të gjuhës një fjalë të rëndë, një kunj ose diçka që të vë në siklet. Ka edhe nga ata që s’u rrihet pa kundërshtuar dhe ua imponojnë mendimin e tyre të gjithëve. Duke qenë ‘të drejtë së tepërmi’, për ta kushdo që s’ndjek normat e tyre, është kot. (Eklisiastiu 7:16) S’do mend që njerëz të tillë s’i duron dot afër. Por mund të jetë edhe që hendekun e krijon vetë ti nëse ke këtë qëndrim. Bibla thotë: «I marri flet shumë» dhe «në fjalët e shumta nuk mungon shkelja».​—Eklisiastiu 10:14; Proverbat 10:19.

Si ta kalosh? Trego «ndjenja të përbashkëta». (1 Pjetrit 3:8) Edhe nëse s’pajtohesh me mendimin e tjetrit, tregohu i duruar e lëre të flasë. Përqendrohu te gjëra për të cilat jeni në një mendje. Nëse të duhet t’i tregosh se nuk je dakord me të, thuaja me takt dhe butësi.

Kur të flasësh me të tjerët, vëre veten në vendin e tyre. Bibla këshillon ‘të vazhdojmë ta bëjmë çdo gjë pa murmuritje dhe pa debate’. (Filipianëve 2:14) Nëse hahesh me fjalë, tallesh për gjëra të kota, i rëndon ose i bën të ndihen sikur ia fusin gjithmonë kot, i largon njerëzit. Por nëse ‘fjala jote është gjithnjë me hir’, do të të duan afër.​—Kolosianëve 4:6.

Shoqëri me çdo kusht?

Pas këtij vetëshqyrtimi të shkurtër, ndoshta vëren disa mënyra si të kalosh hendekun që mund të të ndajë nga të tjerët. Por, nga ana tjetër, mos kërko të pamundurën. S’i bën dot shokë të gjithë. Jezui tha se disa do të arrinin deri aty sa t’i urrenin ata që veprojnë drejt. (Gjoni 15:19) Ndaj është e kotë të mundohesh të bësh shokë me çdo kusht.

Gjithsesi, mund të bësh sa ke në dorë për të qenë njeri i këndshëm dhe për t’u përshtatur kollaj pa shkelur normat e Perëndisë. Samueli, që jetoi në kohët biblike, ishte shumë i vendosur të bënte atë që i pëlqente Perëndisë. Çfarë mori në këmbim? Teksa rritej, ai «fitonte pëlqimin e Jehovait dhe të njerëzve». (1 Samuelit 2:26) Me pak përpjekje, këtë mund ta arrish edhe ti.

LEXO MË SHUMË PËR KËTË TEMË NË VËLL. 1, KAP. 8

Për më shumë informacion, shih DVD-në «Të rinjtë pyesin: Si mund të bëj miq të vërtetë?», që është në dispozicion në më shumë se 40 gjuhë

NË KAPITULLIN TJETËR:

Shoku yt më i ngushtë, befas, kthehet në armikun tënd të betuar. Si të veprosh?

SHKRIMI KYÇ

«Kush ujit me bollëk, edhe ai vetë do të ujitet me bollëk.»​—Proverbat 11:25.

KËSHILLË

Mbaje gjallë bisedën. Për shembull, nëse të pyesin si e kalove fundjavën, mos thuaj vetëm mirë. Trego pak më shumë pse u kënaqe. Pastaj, pyete edhe tjetrin si ia kaloi.

A E DIJE . . . ?

Bibla tregon se Moisiu, Jeremia dhe Timoteu mund të kenë pasur probleme me ndrojtjen.​—Dalja 3:11, 13; 4:1, 10; Jeremia 1:6-8; 1 Timoteut 4:12; 2 Timoteut 1:6-8.

HAPAT QË DUA TË BËJ . . .

Hendeku më i thellë që më ndan nga të tjerët është: ․․․․․

Këtë hendek do ta kaloj duke ․․․․․

Pyetje që dua t’u bëj prindërve: ․․․․․

ÇFARË MENDON?

● Pse disa të krishterë mund të ndihen të vetmuar?

● Çfarë mund të të ndihmojë të kesh një pikëpamje të ekuilibruar për veten e të mos të brejnë mendimet negative?

● Si do t’i jepje zemër vëllait a motrës më të vogël që po lufton me vetminë?

[Diçitura në faqen 88]

«Një motër e krishtere po mundohej të më bënte shoqe, por për njëfarë kohe unë i rrija ftohtë. Në fund, kur u afrova me të, e kuptova sa budallaqe isha treguar. Ajo u bë shoqja ime më e ngushtë, edhe pse është 25 vjet më e madhe se unë.»​—Mariola

[Figura në faqen 87]

Mund ta kalosh hendekun që të ndan nga shokët e moshës sate