Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Pse më lëndoi?

Pse më lëndoi?

KAPITULLI 10

Pse më lëndoi?

«Kejsi ishte shoqja ime e ngushtë. Meqë s’kishte makinë, shkoja çdo ditë me makinën time dhe e merrja nga puna. Por shpejt m’u krijua përshtypja se po përfitonte nga unë.

Hipte në makinë e shpenguar, ndërkohë që fliste në celular ose shkruante mesazhe. Nuk më tha një herë faleminderit që shkoja ta merrja, dhe nuk kontribuonte më as për benzinën. S’mjaftonte kjo, por fliste keq për të tjerët. Më vinte inat me veten që po e duroja kaq gjatë.

Një ditë, i shpjegova me të butë që s’e merrja dot më nga puna. Që prej asaj kohe, ajo më bënte bisht gjithmonë, dhe kjo më bind edhe më shumë se më kishte shoqe vetëm për interes. A s’të lëndon kjo?!»​—Nikola.

KJO mund të ndodhë edhe mes shokëve më të ngushtë. Sot të pandashëm, nesër s’i flasin me gojë njëri-tjetrit. Si ka mundësi që një miqësi e ngrohtë të bëhet kaq shpejt e akullt?

● Në rastin e Xherit duket sikur gjithçka ndryshoi kur një shoku i tij i ngushtë mori shtëpi rreth 1.600 km larg. «Pas ikjes nuk më telefonoi më, dhe s’më erdhi hiç mirë»,—thotë Xheri.

● Kerina filloi të vërente se shoqja e saj e ngushtë që prej pesë vjetësh, nuk ishte më ajo e para. «Më shqetësonte sjellja dhe mënyra e saj e të folurit,—thotë Kerina.—Më fliste ashpër dhe më shpotiste për gjëra që për mua ishin të rëndësishme. U ulëm për të folur, dhe ajo më akuzoi se mendoja sikur vetëm unë kisha të drejtë. Më tha se s’isha besnike dhe shoqe e mirë për të.»

● Për Glorian, shoqëria e ngushtë me dikë mori fund papritur e pakujtuar. «Në fillim shkonim për bukuri, dhe ajo më thoshte se më kishte si motër. Pastaj, një ditë të bukur, i preu lidhjet me mua dhe për këtë sajonte justifikime të kota.»

● Problemet mes Laurës dhe Darias filluan kur Daria i mori «të dashurin» Laurës. «Ajo fliste në telefon me të për orë të tëra, megjithëse e dinte se ne po njiheshim bashkë,—thotë Laura.—Jo vetëm që shoqja ime e ngushtë ma punoi, por humba edhe njeriun me të cilin mund të isha martuar, dhe të dyja ndodhën njëherazi!»

Çfarë nuk shkoi mirë?

Të gjithë gabojnë. Ndaj s’është çudi që herët a vonë një shok a një shoqe të thotë ose të bëjë diçka që të lëndon. Të jemi të sinqertë, mbase të kujtohet ndonjë rast kur edhe ti i ke lënduar të tjerët. (Eklisiastiu 7:22) «Jemi të papërsosur dhe ia bëjmë ndonjëherë borxh njëri-tjetrit»,—thotë një vajzë me emrin Alisa. Megjithatë, zakonisht, kur dy veta prishen me njëri-tjetrin për gjëra të vogla, mund të sqarohen me një bisedë të shkurtër.

Mirëpo ndonjëherë, prishja e shoqërisë nuk vjen thjesht nga një rast, por kur të dyja palët e kuptojnë dalëngadalë se nuk janë edhe aq të ngjashëm sa kujtonin. Mos harro se ndërsa rritesh, ndryshon, dhe e njëjta gjë vlen edhe për shokun ose shoqen tënde. Si të veprosh nëse po nuhat se shoqëria juaj pak nga pak po ftohet?

Si të jemi prapë si më parë?

Ç’do të bëje nëse do të grisje bluzën që të pëlqen më shumë? Do ta hidhje apo do ta rregulloje? S’do mend që varet shumë nga sa i madh është dëmi dhe sa për zemër e ke atë bluzë. Nëse e ke shumë qejf, ndoshta e gjen mënyrën për ta rregulluar. Shpeshherë, e njëjta gjë mund të ndodhë edhe kur prish shoqërinë me dikë. Varet shumë nga çfarë ka ndodhur dhe sa e vlerëson atë shoqëri. *

Për shembull, nëse të ka vrarë ndonjë veprim a fjalë e ashpër, mund ta kapërcesh problemin duke ndjekur këshillën e Psalmit 4:4: «Flitini zemrës në shtratin tuaj dhe heshtni.» Prandaj, mendo mirë para se t’ia vësh vizën shoqërisë me dikë. A e bëri me qëllim? Nëse s’ke prova, më mirë mos dysho për keq. Në shumë raste, mund të lësh ‘dashurinë të mbulojë një shumicë mëkatesh’.​—1 Pjetrit 4:8.

Gjithashtu, shiko se mos edhe ti ke një pjesë të fajit. Për shembull, nëse shoku ose shoqja ka zbuluar një sekretin tënd, mos ndoshta ti i pari nuk u tregove i mençur që ia the? Ka edhe një gjë tjetër që duhet të mbash parasysh. Mos ndoshta je ti që e bën veten për t’u tallur, duke folur tepër ose duke ia këputur kot? (Proverbat 15:2) Nëse është kështu, mendo ç’ndryshime duhet të bësh që shoku a shoqja të të respektojë më shumë.

«A mund të sqarohemi?»

Po nëse s’të duket e udhës ta lësh me aq? Atëherë, më mirë të sqarohesh. Por kujdes, jo kur je me nerva. Bibla thotë: «Një njeri i tërbuar ndez grindje, ndërsa kush nuk zemërohet shpejt, shuan sherrin.» (Proverbat 15:18) Prit sa të të bien nervat, e pastaj mundohu ta zgjidhësh problemin.

Kur të flasësh me shokun a shoqen, mos harro se qëllimi nuk është ‘t’ia kthesh të keqen me të keqe’. (Romakëve 12:17) Përkundrazi, syno t’i sqarosh gjërat dhe të jeni prapë shokë. (Psalmi 34:14) Tregohu i sinqertë. Për shembull, mund të thuash: «Kemi qenë shokë për kaq kohë. A mund të sqarohemi?» Kur e di shkakun e problemit, mund ta kesh më të lehtë ta gjesh gjuhën me shokun. Edhe nëse tjetri s’do të flasë, mund të ndihesh mirë me veten për faktin që ti e bëre tënden.

Në fund, të jesh i sigurt se ashtu siç «ka nga ata shokë që janë gati ta bëjnë copë njëri-tjetrin», ka edhe «një mik me të cilin lidhesh më ngushtë se me një vëlla». (Proverbat 18:24) Kuptohet se edhe ata që janë shokë për kokë kanë fërkime hera-herës. Nëse të ndodh edhe ty, bëj ç’të mundësh për ta fituar shokun. Kur je i gatshëm t’i shuash fërkimet, tregon vërtet se po rritesh e po piqesh.

LEXO MË SHUMË PËR KËTË TEMË NË VËLL. 1, KAP. 8

NË KAPITULLIN TJETËR:

Disa nga shokët e moshës sate mund të kalojnë orë të tëra duke biseduar në Internet. Ç’i tërheq kaq shumë?

[Shënimi]

^ par. 15 Disa shokë ndoshta s’ia vlen t’i mbash afër, sidomos nëse sjellja e tyre s’është e përshtatshme për një të krishterë.​—1 Korintasve 5:11; 15:33.

SHKRIMI KYÇ

«Nëse është e mundur dhe aq sa varet nga ju, jini paqësorë me të gjithë.»​—Romakëve 12:18.

KËSHILLË

Para se të dalësh në përfundime të nxituara, dëgjo edhe versionin e shokut ose shoqes.​—Proverbat 18:13.

A E DIJE . . . ?

Ata që kanë një shoqëri të shëndoshë, i lënë hapësirë njëri-tjetrit. (Proverbat 25:17) Ndërsa, kush kërkon gjithë kohën dhe vëmendjen e tjetrit, ia zë frymën shoqërisë.

HAPAT QË DUA TË BËJ . . .

Nëse duhet të flas me një shok a shoqe që më ka lënduar, mund të filloj me këto fjalë: ․․․․․

Edhe kur të jem i mërzitur nga ajo që bën shoku a shoqja, do të mundohem të ruaj paqen duke ․․․․․

Pyetje që dua t’u bëj prindërve: ․․․․․

ÇFARË MENDON?

Pse shoqëria nganjëherë ftohet?

Cilat fyerje mund t’i kalosh vetë dhe për cilat duhet të flasësh me atë që të ka lënduar?

Ç’mësime të vlefshme mund të nxjerrësh nga një përvojë e dhimbshme me një shok?

Çfarë mund të bësh që të mos i lësh rast shokut a shoqes të të lëndojë?

[Diçitura në faqen 95]

«Nëse do të kthehesha edhe një herë pas, nuk do të kisha kërkuar përsosmëri nga shoku. Do ta kisha dëgjuar më shumë, do ta kisha mbështetur dhe s’do t’i kisha zmadhuar të metat e tij. Tani e kuptoj se, kur kapërcehen sprovat dhe vështirësitë, shoqëria bëhet më e ngushtë.»​—Keni

[Figura në faqen 94]

Prishja e shoqërisë është si e grisura në një rrobë, por që të dyja mund të rregullohen