Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Si të bëj ca para?

Si të bëj ca para?

KAPITULLI 18

Si të bëj ca para?

«Dua para që të blej një makinë.»​—Serxho.

«Më pëlqen të dal nëpër dyqane.»​—Loriana.

«Ka gjëra vërtet të bukura dhe do të doja shumë t’i kisha, por prindërve s’ua mban xhepi.»​—Mikeli.

EDHE ti mund të kesh arsye të ngjashme pse do para. Ose mbase ke nevojë për para që të ndihmosh familjen. Edhe nëse nuk kontribuon në shtëpi, thjesht duke nxjerrë paratë për rrobat ose gjërat e tua, mund t’ua lehtësosh barrën prindërve.

Sido që të jetë, për të mbajtur veten ose familjen, duhen para. Ndonëse Jezui premtoi se Perëndia do t’i ndihmonte ata që ‘kërkonin në radhë të parë Mbretërinë e Perëndisë’, një i krishterë s’duhet të presë t’i vijnë paratë nga qielli. (Mateu 6:33; Veprat 18:1-3; 2 Selanikasve 3:10) Atëherë, si të bësh ca para? Dhe më e rëndësishmja, si të tregosh ekuilibër në lidhje me paratë?

Si të gjesh punë?

Nëse të duhet diçka që prindërve s’ua mban xhepi, mund të gjesh një punë që të lejon ta blesh vetë. Shprehja prindërve këtë mendim. Atyre mund t’u bëjë shumë përshtypje kjo që do të bësh. Nëse s’kanë kundërshtim dhe s’është e kundërligjshme të punosh, ja katër sugjerime që do të të ndihmojnë të gjesh punë:

Hap fjalën. Thuaju të afërmve, fqinjëve dhe mësuesve se po kërkon punë. Nëse të vjen zor t’u kërkosh atyre drejtpërdrejt, mund t’i pyesësh se ç’punë kanë bërë kur ishin në moshën tënde. Sa më shumë ta dinë se po kërkon punë, aq më shumë raste mund të kesh.

Shihi të gjitha mundësitë. Shih reklamat për punë në gazeta, Internet dhe tabelat e informacionit nëpër dyqane, në shkollë dhe në zona të tjera publike. «Kështu gjeta punë,—thotë një i ri me emrin Dejv.—E pashë në gazetë kërkesën, u dërgova me faks një CV dhe i mora në telefon.» Nëse kjo s’bën punë, provo ta bindësh një punëdhënës a punëdhënëse se ka nevojë për shërbimin që mund t’i ofrosh.

Bëj një CV dhe shpërndaje. Shkruaj në një copë letër çfarë di të bësh, përvojën që ke dhe si mund të lidhen me ty. Mendon se s’ke çfarë të shkruash? Mendohu edhe një herë. A je kujdesur ndonjëherë për motrën a vëllanë më të vogël kur prindërit nuk ishin në shtëpi ose a ke mbajtur fëmijët e të tjerëve? Kjo tregon se je njeri i besuar. A e ke ndihmuar babin të rregullojë makinën? Kjo mund të tregojë se të jepet për të rregulluar. A di të shtypësh me makinë shkrimi ose të përdorësh kompjuterin? Ose, a je vlerësuar me nota të mira në ndonjë projekt që ka nxjerrë në pah aftësitë e tua krijuese? Këto janë pika të mira për atë që do të donte të të merrte në punë. Mos i lër pa përmendur në CV-në tënde. Jepua CV-në punëdhënësve të mundshëm dhe kërkoju miqve e të afërmve t’ia japin ndonjë të njohuri që ka ndër mend të punësojë dikë.

Vetëpunësohu. Mendo për lagjen tënde. A ka nevojë për ndonjë gjë apo për ndonjë shërbim që s’po e bën njeri tjetër? Për shembull, ta zëmë se i do shumë kafshët. Mund t’u kërkosh fqinjëve të kujdesesh për kafshët e tyre shtëpiake kundrejt një pagese. Nëse luan një instrument muzikor, a mund të japësh kurse? Ose mund të kërkosh të bësh ndonjë punë që të tjerët shpesh s’duan ta bëjnë, si për shembull larjen e dritareve ose pastrimin. Kush është i krishterë s’e ka problem punën fizike. (Efesianëve 4:28) Kuptohet, vetëpunësimi kërkon motivim të brendshëm, disiplinë dhe gatishmëri për të marrë iniciativën.

Një këshillë: mos i hyj një pune pa llogaritur më parë sa shpenzime ka dhe çfarë duhet. (Luka 14:28-30) Në fillim, diskutoje me prindërit. Veç kësaj, fol me të tjerë që kanë bërë një punë të ngjashme. A të kërkohet të paguash taksa? A të duhet leje ose licencë? Pyet nëpër zyrat përkatëse për hollësitë.​—Romakëve 13:1.

Mbaj ekuilibrin

Mendo sikur po i jep biçikletës i ngarkuar me plot gjëra, si, një çantë shkolle, një top dhe ndoshta disa kuti të rënda. Sa më shumë të kesh për të mbajtur, aq më të vështirë do ta kesh të ruash ekuilibrin! Njësoj është edhe nëse pranon një punë që kërkon më shumë nga ç’mund të bësh. Harxhimi i tepruar i kohës, i energjive dhe përqendrimi në punë pas mësimit, mund të ndikojnë te notat dhe te shëndeti. Mbi të gjitha, një program i ngjeshur pune mund të të vështirësojë ndjekjen e rutinës sonë si të krishterë, ku futen mbledhjet, studimi i Biblës dhe pjesëmarrja në shërbim. «Kam humbur disa mbledhje ngaqë isha e lodhur pas një dite në shkollë dhe në punë»,—pranon një vajzë me emrin Mikela.

Mos lejo që paratë të bëhen gjëja më e rëndësishme për ty. Jezui tha se lumturi të vërtetë kanë ata që janë «të vetëdijshëm se kanë nevojë të mësojnë për Perëndinë». (Mateu 5:3) Gjithashtu tha: «Edhe kur dikush ka me bollëk, jeta e tij nuk varet nga gjërat që zotëron.» (Luka 12:15) Një vajzë me emrin Maura e ka ndjekur këtë këshillë. «Nuk dua të bie në kurthin e synimeve materialiste,—thotë ajo.—E di mirë se po të bie në çarkun e parave, do të prish miqësinë me Perëndinë.»

Vërtet, në disa vende të rinjtë janë të detyruar të punojnë me orë të gjata për të mbajtur familjen. Por nëse ti nuk je në atë situatë, pse të humbësh ekuilibrin? Shumica e studiuesve mendojnë se të punosh mbi 20 orë në javë kur je në shkollë, është e tepërt dhe të bën më shumë dëm se mirë. Disa sugjerojnë të mos punohet më tepër se tetë deri në dhjetë orë çdo javë. Mbreti i mençur Solomon ka thënë: «Është më mirë të kesh një grusht me pushim, se dy grushte me mund dhe duke u rropatur pas erës.»​—Eklisiastiu 4:6.

Mos harro, «fuqia mashtruese e pasurisë» pak nga pak mund t’i mbytë gjërat frymore. (Marku 4:19) Ndaj, nëse pas shkollës punon për të fituar ndonjë lek, organizoje programin në një mënyrë që aktivitetet frymore të mos kalojnë në vend të dytë. Kërko ndihmën e Jehovait në lutje. Ai mund të të japë forcë t’u bësh ballë presioneve që po has dhe të mbash ekuilibrin frymor.

LEXO MË SHUMË PËR KËTË TEMË NË VËLL. 1, KAP. 21

NË KAPITULLIN TJETËR:

E ke ti nën kontroll paranë apo të ka ajo nën kontroll ty? Shih si mund ta marrësh ti timonin në dorë.

SHKRIMI KYÇ

«Përtaci vritet nga lakmia dhe mbetet i uritur; por njeriu i zellshëm ngopet.»​—Proverbat 13:4, ECM.

KËSHILLË

Mos prit njoftimet e kompanive për punë, por dërgo vetë një CV.

A E DIJE . . . ?

Në disa vende, për më shumë se 85 për qind të vendeve të lira të punës, nuk nxjerrin njoftime.

HAPAT QË DUA TË BËJ . . .

Do t’i rris shanset për të filluar punë duke ․․․․․

Do ta kufizoj kohën e punës deri në ․․․․․ orë në javë.

Pyetje që dua t’u bëj prindërve: ․․․․․

ÇFARË MENDON?

● Për çfarë ke nevojë të fitosh para?

● Çfarë vështirësish ka gjetja e një pune?

● Si të mbash një pikëpamje të ekuilibruar për paratë?

[Diçitura në faqen 153]

«Nëse për ty lumturi do të thotë të kesh sa më shumë, s’do të jesh kurrë i lumtur. Do të dalë gjithmonë diçka e re që nuk e ke. Duhet të mësosh të jesh i lumtur me ato që ke.»​—Joni

[Kutia në faqen 155]

Vlerësoje paranë, por mos u marros pas saj!

Në duart e arta të një kryekuzhinieri, thika e mprehtë është një mjet që bën punë, por në dorën e atij që s’di ta përdorë ose që s’ka kujdes, mund të bëjë mjaft dëme. Paraja është si një thikë e mprehtë. Nëse di ta përdorësh, të zgjidh punë. Por nëse s’tregon kujdes, mund të vritesh me të. Për shembull, apostulli Pavël na ka paralajmëruar që të mos zhvillojmë dashuri për paranë. Duke rendur pas parasë, disa kanë sakrifikuar shoqërinë, familjen dhe madje miqësinë me Perëndinë. Për pasojë, ‘e shpojnë veten tejpërtej me shumë dhembje’. (1 Timoteut 6:9, 10) Çfarë mësimi nxjerrim? Mëso ta përdorësh mirë paranë. Vlerësoje, por mos u marros pas saj!

[Figura në faqen 153]

Kur merr përsipër shumë gjëra, është e vështirë të mbash ekuilibrin