Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Ç’të bëj nëse prindi ka ves drogën ose alkoolin?

Ç’të bëj nëse prindi ka ves drogën ose alkoolin?

KAPITULLI 23

Ç’të bëj nëse prindi ka ves drogën ose alkoolin?

«Babi tha se do të shkonte të rregullonte furgonin, por gjithë ditën s’u bë i gjallë. Mami e merrte në telefon, por ai s’përgjigjej. Pak më vonë, vura re që mami dukej e shqetësuar dhe po bëhej gati të dilte. ‘Po shkoj të kërkoj babin’,—më tha.

Më vonë, u kthye pa babin. ‘S’ishte te furgoni?’—e pyeta? ‘Jo’,—ma ktheu ajo.

Aty e kuptova se babi u ishte kthyer prapë gënjeshtrave të dikurshme. Kështu kishte ndodhur edhe herën e fundit. Puna është se im atë është i droguar. Derisa u kthye në shtëpi, unë dhe mami i kishim nervat copë. Të nesërmen e shpërfilla gati gjithë ditën, dhe pikërisht kjo më bën të ndihem keq.»​—Kareni, 14 vjeçe.

MILIONA të rinj jetojnë përditë në ankth ngaqë prindi ka ngecur në grepin e drogës ose të alkoolit. Nëse njëri nga prindërit e tu ka rënë në këtë grackë, ai ose ajo mund të të vërë në siklet, të të zhgënjejë e madje të të zemërojë.

Meri, për shembull, kishte një baba që bënte si shenjtor para të tjerëve, kurse në shtëpi ishte gojëndyrë dhe abuzues, ngaqë dendej fshehurazi me alkool. «Të tjerët vinin te ne fëmijët dhe na thoshin se sa me fat ishim që kishim një baba aq të mrekullueshëm»,—kujton Meri me inat. *

Atëherë, çfarë mund të bësh nëse një nga prindërit ka ves alkoolin ose drogën?

Kupto shkaqet

Pikësëpari është mirë të kuptosh nga mund të vijë ky problem. «Njeriu me kuptueshmëri përfiton nga drejtimi i aftë që i japin të tjerët»,​—thuhet te Proverbat 1:5. Prandaj, është mirë të dish diçka për vesin e alkoolit e të drogës, për ata që i kanë këto vese dhe pse arrijnë deri këtu.

Për shembull, alkoolist s’quhet thjesht ai që e kalon masën me raste, por ai që ka një sëmundje kronike. * Ai s’bën dot pa alkool, madje, është i fiksuar pas tij dhe kur fillon të pijë, s’ndalon dot. Vesi i tij i sjell probleme të rënda në familje, punë dhe shëndet.

Megjithëse disa njerëz mund të jenë të prirur fizikisht për të rënë në grackën e alkoolit, duket se përfshihen edhe faktorë emocionalë. Në fakt, një pjesë e mirë e alkoolistëve shpesh kanë mendim negativ për veten. (Proverbat 14:13) Në fakt, disa prej tyre janë rritur në familje me prindër të alkoolizuar. Këtyre njerëzve pija mund t’u mpijë plagët emocionale të fëmijërisë. Të njëjtët faktorë vlejnë edhe në rastin e drogës.

S’ka dyshim se pija ose droga vetëm i përkeqëson problemet; mendja dhe ndjenjat çoroditen më shumë. Ja pse prindi mund të ketë nevojë për ndihmën e një eksperti që ta lërë këtë ves.

Mos pretendo tepër

S’do mend që nuk i jep dot fund problemit thjesht duke kuptuar pse prindi sillet në këtë mënyrë. Megjithatë, kur kupton shkaqet e këtyre veseve, mund të tregosh më shumë dhembshuri për prindin.

Për shembull, a do të pretendoje që një prind me këmbë të thyer të luante futboll me ty? Po sikur ta dije se prindi e kishte fajin vetë për këmbën? Pa dyshim që do të të vinte inat. Megjithatë, do ta kuptoje se, derisa këmba të shërohej, ai s’do të luante dot top me ty. Kur e kupton këtë, e ke më të lehtë të mos pretendosh tepër.

E njëjta gjë është edhe me një prind të alkoolizuar ose që ka vesin e drogës; ai ka çrregullime mendore dhe emocionale. Është e vërtetë se prindi e kishte fajin vetë për «dëmtimin», dhe me të drejtë mund të të vijë inat për marrëzinë e tij. Megjithatë, duhet ta pranosh se ai s’kujdeset dot si duhet për ty, derisa të kërkojë ndihmë për të hequr vesin që ka. Kur e sheh vesin e tij si një dëmtim fizik, mund ta kesh më të lehtë të mos pretendosh tepër.

Çfarë mund të bësh?

Gjithsesi, duhet të pranosh se derisa prindi të ndryshojë, duhet të jetosh me pasojat e sjelljes së tij. Çfarë mund të bësh ndërkohë?

Mos bëj veten përgjegjës për vesin e prindit. Përgjegjës është prindi dhe vetëm ai. «Secili do të mbajë ngarkesën e vet»,​—thotë Galatasve 6:5. Prandaj, s’të takon ty ta shërosh dhe as je i detyruar ta mbrosh prindin nga pasojat e vesit të tij. Për shembull, s’ke pse të gënjesh shefin e tij, ose lëre të shkojë vetë zvarrë-zvarrë në krevat kur rrëzohet i trullosur nga pija.

Nxite të marrë ndihmën e nevojshme. Problemi më i madh i tij mund të jetë që nuk e pranon se ka një problem. Kur të jetë esëll dhe i qetë, ndoshta prindi tjetër dhe motra ose vëllai më i madh mund t’i tregojnë si po ndikon vesi i tij në familje dhe çfarë duhet të bëjë.

Gjithashtu, mund të jetë mirë që prindi me një ves të tillë të shkruajë përgjigjet e këtyre pyetjeve: çfarë do të më ndodhë mua dhe familjes sime nëse vazhdoj të pi ose të marr drogë? Si do të jetë po ta lë këtë ves? Çfarë duhet të bëj për të marrë ndihmën e nevojshme?

Largohu kur nuhat rrezikun. «Largohu . . . përpara se të plasë sherri»,—thuhet te Proverbat 17:14. Mos rreziko duke u futur në mes të sherrit. Po të jetë e mundur, shko në dhomën tënde ose në shtëpinë e një miku. Nëse ekziston kërcënimi i dhunës, ndoshta nevojitet ndihmë nga dikush tjetër.

Mos fajëso veten për ndjenjat që ke. Disa të rinj bëjnë me faj veten pse ndiejnë zemërim për prindin që ka këto vese. Është më se normale të ndiesh njëfarë zemërimi, sidomos nëse ky ves nuk e lë prindin të të japë mbështetjen dhe dashurinë që të nevojitet. Vërtet që Bibla të detyron ta nderosh prindin. (Efesianëve 6:2, 3) Megjithatë, ‘të nderosh’ do të thotë të respektosh autoritetin e tij, pak a shumë në të njëjtën mënyrë që duhet të respektosh atë të një polici ose gjykatësi. Por kjo s’do të thotë se e pranon vesin e prindit. (Romakëve 12:9) Gjithashtu, s’do të thotë se je njeri i keq, ngaqë ndien neveri për vesin e tij; në fund të fundit, është për t’u pasur neveri.​—Proverbat 23:29-35.

Kërko shoqëri ndërtuese. Kur jeta në shtëpi është lëmsh, mund të harrosh se çfarë është normale. Prandaj, është e rëndësishme të rrish në shoqëri me njerëz të qëndrueshëm emocionalisht dhe të fortë frymësisht. Vëllezërit dhe motrat në kongregacion mund të të japin shumë përkujdes dhe mbështetje, si dhe ndonjëherë mund të të ndihmojnë të gjesh prehje nga stresi në familje. (Proverbat 17:17) Shoqërimi me familje të tjera në kongregacion mund të të japë shembullin e një familjeje model, që të zëvendësosh kështu modelin e shtrembër që sheh në shtëpi.

Kërko ndihmë. Të kesh një të rritur të pjekur e të besuar me të cilin të hapesh, është një ndihmë e madhe. Pleqtë e kongregacionit janë të gatshëm të të ndihmojnë sa herë të kesh nevojë. Bibla thotë se ata mund të jenë «si një strehë për t’u mbrojtur nga era dhe si një vend për t’u fshehur nga shtrëngata, si rrëke uji në një vend të thatë, si hija e një shkrepi të madh në një tokë të shkretë». (Isaia 32:2) Prandaj, mos ki frikë dhe as turp të kërkosh prej tyre ngushëllim dhe këshilla.

Shkruaj cilin nga gjashtë hapat e mësipërm do të mundohesh të zbatosh në fillim. ․․․․․

Ndoshta s’ke gjë në dorë për të ndryshuar situatën në shtëpi, por mund të mos lejosh të ndikohesh prej saj. Në vend që të mundohesh të kontrollosh prindin, përqendrohu tek i vetmi person që mund të kontrollosh, te vetja. «Vazhdoni të punoni për shpëtimin e vetes suaj»,​—shkroi apostulli Pavël. (Filipianëve 2:12) Kjo do të të ndihmojë të jesh optimist dhe, madje, mund ta shtyjë prindin të kërkojë ndihmë për ta lënë vesin.

NË KAPITULLIN TJETËR:

Si të veprosh nëse duket sikur prindërit grinden gjithë kohën? Si mund ta përballosh trazimin emocional?

[Shënimet]

^ par. 7 Nëse një prind i alkoolizuar të keqtrajton, duhet të kërkosh ndihmë. Hapu me një të rritur tek i cili ke besim. Nëse je Dëshmitar i Jehovait, mund të flasësh me një plak kongregacioni ose me një të krishterë tjetër të pjekur.

^ par. 11 Megjithëse alkoolistit ose të droguarit po i referohemi në gjininë mashkullore, parimet që po diskutojmë vlejnë edhe për femrat.

SHKRIMI KYÇ

«Gjykimi i thellë me siguri ia ngadalëson zemërimin njeriut.»​—Proverbat 19:11.

KËSHILLË

Mos urre prindin, por sjelljen e tij jo të mirë.​—Proverbat 8:13; Juda 23.

A E DIJE . . . ?

Fjala ‘nderoj’ në Bibël mund të nënkuptojë thjesht të pranosh autoritetin e atyre që u takon me të drejtë. (Efesianëve 6:1, 2) Prandaj, që të nderosh prindin, nuk është e thënë të miratosh gjithmonë sjelljen e tij.

HAPAT QË DUA TË BËJ . . .

Nëse prindi abuzon fizikisht ose me fjalë, do të ․․․․․

Mund ta nxis prindin të marrë ndihmë duke ․․․․․

Pyetje që dua t’u bëj prindërve: ․․․․․

ÇFARË MENDON?

Ç’i shtyn disa njerëz të bëhen robër të alkoolit ose drogës?

Pse nuk je ti përgjegjës për vesine prindit?

Çfarë gjërash ke ti në dorë në këtësituatë dhe si mund të veprosh?

[Diçitura në faqen 192]

«E di se në të ardhmen prindërit mund të më vënë prapë në siklet, por di, gjithashtu se, nëse mbështetem te Jehovai, ai do të më japë forcë për të duruar.»​—Maksi

[Kutia në faqen 198]

Nëse prindi nuk i shërben më Jehovait

Çfarë mund të bësh, nëse njëri nga prindërit nuk u përmbahet më normave të Biblës, e ndoshta bën të ditur se nuk do më të jetë pjesë e kongregacionit?

Të jesh i bindur se Jehovai nuk të bën me faj ty për sjelljen e tij. Bibla thotë: «Secili nga ne do t’i japë llogari Perëndisë për veten.»​—Romakëve 14:12.

Mos u krahaso me të rinjtë e tjerë që kanë një familje normale. (Galatasve 5:26) Një djalë i ri, babai i të cilit braktisi familjen, thotë: «Në vend që ta vrasësh mendjen për gjëra të tilla, është më mirë të mendosh se si ta përballosh këtë situatë.»

Vazhdo të respektosh prindin që nuk i bindet më Jehovait dhe, nëse urdhrat e tij nuk bien ndesh me normat e Perëndisë, bindu. Urdhri i Jehovait që fëmijët të nderojnë prindërit vlen edhe kur prindi nuk është Dëshmitar. (Efesianëve 6:1-3) Kur i nderon dhe u bindesh prindërve, pavarësisht nga të metat që kanë, tregon se e do Jehovain.​—1 Gjonit 5:3.

Shoqërohu sa më shumë me kongregacionin. Atje mund të gjesh ngushëllimin e një familjeje të madhe frymore. (Marku 10:30) Davidi, një djalë ri, kishte frikë se mos vëllezërit dhe motrat në kongregacion do ta shmangnin atë dhe familjen e tij, ngaqë i ati ishte larguar nga Jehovai. Por, ai e kuptoi se frika e tij kishte qenë e kotë. «Nuk na qëndruan ftohtë. Kjo më bindi se kongregacioni na donte vërtet»,—thotë ai.

[Figura në faqen 194]

Kur e sheh vesin e prindit si një dëmtim fizik, mund ta kesh më të lehtë të mos pretendosh tepër