Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Pse kërkoj përsosmëri nga vetja?

Pse kërkoj përsosmëri nga vetja?

KAPITULLI 27

Pse kërkoj përsosmëri nga vetja?

A mërzitesh nëse nuk merr dhjetë në provim?

□ Po

□ Jo

A të duket vetja kot fare kur të bëjnë edhe vërejtjen më të vogël?

□ Po

□ Jo

A e ke të vështirë të zësh shokë ose ta mbash shoqërinë me ta ngaqë asnjëri s’është në lartësinë tënde?

□ Po

□ Jo

NËSE përgjigjja për një ose më shumë nga pyetjet e mësipërme ishte po, ndoshta po lufton me atë që quhet mania për përsosmëri. «Por, ç’të keqe ka të përpiqesh t’i bësh gjërat përsosur?»​—mund të pyesësh. Pa dyshim, s’ka asgjë të keqe. Bibla e lëvdon atë që është ‘i zoti në punën e tij’. (Proverbat 22:29) Vetëm se, ai që kërkon përsosmëri, shkon në ekstrem.

Për shembull, Xhejsoni 19-vjeçar pranon: «Gjatë vitit të fundit të shkollës së mesme mendoja se po të mos dilja shkëlqyeshëm në provime, s’mund të quhesha nxënës i mirë. Unë i bie edhe pianos, dhe dikur mendoja se duhej të luaja si pianist i vërtetë.»

Mania për përsosmëri mund të bëhet pengesë edhe për adhurimin. Mendo çfarë mund t’i ndodhë një adoleshenti që mbahet gjithmonë si shembull për të tjerët. Duke qenë përherë në qendër të vëmendjes, atij mund t’i duket sikur ecën mbi litar dhe të gjithë vëzhgojnë çdo hap që hedh. Pa dyshim, të gjithë të krishterët, të rinj a të vjetër, përfitojnë nga shembujt e mirë në kongregacion. Megjithatë, përpjekjet për të qenë ikona e përsosmërisë mund ta bëjnë një adoleshent të mos gjejë gëzim në shërbimin që i bën Perëndisë. Dhe, nëse kjo ndodh, ai ka nevojë për ndihmë, por mund të mos e kërkojë nga frika se mos zhgënjen ata që e vlerësojnë aq shumë. Mund të mendojë edhe të heqë dorë plotësisht nga diçka, se ndoshta thotë: «Nëse s’e bëj përsosur, më mirë të mos i futem fare.»

Si ta luftosh këtë mani?

Ata që pretendojnë përsosmëri luftojnë me mendimin e gënjeshtërt se s’duhen bërë kurrë gabime. Por ky mendim është shumë i pavend. Bibla thotë qartë: «Të gjithë kanë mëkatuar dhe nuk e kanë arritur lavdinë e Perëndisë.» (Romakëve 3:23) Pra, për këdo, është e pamundur të jetë i përsosur në kuptimin absolut. Në fakt, t’i mbushësh mendjen vetes se mund t’i bësh gjërat përsosur, është po aq absurde sa të mendosh se mund të fluturosh. Sado ta besosh, një gjë e tillë nuk ka për të ndodhur kurrë!

Çfarë mund të bësh që të mos e lejosh maninë për përsosmëri të marrë kontrollin mbi jetën tënde? Provo sugjerimet e mëposhtme:

Shihe «suksesin» me një sy tjetër. A po e sfilit veten që të jesh më i miri? Bibla tregon se kjo mund të jetë si «përpjekje për të kapur erën». (Eklisiastiu 4:4, Dio) E vërteta është se janë të paktë ata që arrijnë të jenë «më të mirët». Madje edhe kur dikush arrin të jetë «më i miri», zakonisht pas njëfarë kohe del një tjetër që ia kalon. Sukses do të thotë të bësh më të mirën brenda mundësive të tua, jo t’ia kalosh tjetrit.​Galatasve 6:4.

Ji realist. Ajo që pret nga vetja nuk duhet të jetë përtej aftësive dhe kufizimeve të tua. Nëse pretendon tepër nga vetja, tregon mungesë modestie, dhe madje i jep tepër rëndësi vetes. Apostulli Pavël dha një këshillë të mençur: «I them gjithsecilit mes jush të mos mendojë për veten më shumë nga sa duhet të mendojë.» (Romakëve 12:3) Prandaj, qëndro me këmbë në tokë. Shiko edhe një herë çfarë pret nga vetja. Përpiqu të bësh më të mirën, por mos kërko të arrish përsosmërinë.

Merri gjërat më lehtë. Provo të bësh gjëra për të cilat nuk të jepet, për shembull t’i biesh një vegle muzikore. Është e vërtetë që do të bësh shumë gabime. Megjithatë, mundohu t’i shohësh gabimet me një sy tjetër. Bibla thotë se ka «një kohë për të qeshur». (Eklisiastiu 3:4) Ndaj, mos i merr gjërat aq seriozisht. Kjo do të të ndihmojë të kuptosh se, po nuk gabove, nuk mëson. Kuptohet, ndoshta nuk është e lehtë të pranosh se ke gabuar. Megjithatë, bëj çmos që të heqësh nga mendja mendimet shkurajuese dhe kritike.

Asnjëherë mos harro se Jehovai nuk kërkon përsosmëri. Ai do nga ne vetëm t’i qëndrojmë besnikë. (1 Korintasve 4:2) Nëse po përpiqesh të jesh besnik, mund të jesh vërtet i kënaqur me veten, edhe pse s’je i përsosur.

NË KAPITULLIN TJETËR:

Sot homoseksualizmi pranohet gjerësisht. Si ta shmangësh? Çfarë mund të bësh nëse ke dëshira homoseksuale?

SHKRIMI KYÇ

«Nuk ka asnjë njeri të drejtë në tokë, që vazhdon të bëjë të mirën dhe të mos mëkatojë.»​—Eklisiastiu 7:20.

KËSHILLË

Mendo për diçka që ke kohë që e zvarrit nga frika se mos nuk e bën përsosur. Pastaj cakto një datë për ta përfunduar.

A E DIJE . . . ?

Jehovai është i përsosur, por nuk kërkon përsosmëri nga njerëzit e papërsosur. Ai nuk është i paarsyeshëm dhe as pret nga ne të pamundurën.

HAPAT QË DUA TË BËJ . . .

Kur bëhem tepër kritik me veten, do të ․․․․․

Kur bëhem tepër kritik me të tjerët, do të ․․․․․

Pyetje që dua t’u bëj prindërve: ․․․․․

ÇFARË MENDON?

● Në cilat fusha të jetës, nëse ka ndonjë, ke prirjen të kërkosh tepër nga vetja?

● Cilat vargje biblike tregojnë qartë se Perëndia Jehova nuk pret përsosmëri nga shërbëtorët e tij?

● Pse të tjerët mund të të rrinë larg nëse pretendon përsosmëri?

● Si do të reagosh në të ardhmen kur të bësh gabime?

[Diçitura në faqen 226]

«Të bësh më të mirën dhe të pretendosh përsosmëri janë dy gjëra krejt të ndryshme; njëra është e arsyeshme, tjetra jo.»​—Megi

[Kutia në faqen 228]

Mania për përsosmëri dhe shoqëria

A je larguar nga njerëzit sepse, sipas teje, nuk janë të mirë sa duhet? Ose, a të rrinë larg njerëz të mirë, sepse kërkesat e tua ndaj shoqërisë duken tepër të larta? Bibla na këshillon: «Mos u bëj i drejtë së tepërmi, as mos u trego i mençur jashtë mase. Përse të shkatërrosh veten?» (Eklisiastiu 7:16) Një mënyrë se si ‘e shkatërron veten’ ai që ka maninë për përsosmëri, është duke larguar nga vetja ata që përndryshe do ta konsideronin shoqëri të këndshme. «Askujt s’i pëlqen të rrijë me njerëz që e bëjnë të ndihet keq,—thotë një vajzë me emrin Ambra.—Kam parë disa nga ata që kanë këtë mani të humbin shokë të mirë për hiçgjë.»

[Figura në faqen 229]

Të mundohesh të jesh i përsosur është po aq e kotë sa të mundohesh të fluturosh