Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Si ta mbroj besimin te Perëndia?

Si ta mbroj besimin te Perëndia?

KAPITULLI 36

Si ta mbroj besimin te Perëndia?

Çfarë të step më shumë që të mos u flasësh shokëve të klasës për besimin tënd?

□ Nuk e njoh mirë Biblën

□ Kam frikë se mos më tallin

□ Nuk di si ta nis bisedën

Si është më e lehtë për ty të flasësh për besimin tënd?

□ Vetëm për vetëm me një shok

□ Para gjithë klasës

□ Të shkruaj për bindjet e mia biblike

Shkruaj emrin e një shoku klase që mendon se do të të dëgjojë po të dish si ta hapësh këtë temë. ․․․․․

PERËNDIA nuk është nga ato tema që shokët e klasës e kanë në majë të gjuhës. Përmend çfarë të duash​—sportin, veshjen ose seksin tjetër​—dhe biseda ndizet. Por guxo të përmendësh Perëndinë, dhe mund të pllakosë menjëherë një heshtje e sikletshme.

Nuk po themi se shokët nuk besojnë te Perëndia; shumë të rinj besojnë. Por disa vihen në siklet kur flasin për këtë temë. «Nuk është trendy»,—mund të mendojnë.

Po ti?

Nëse ngurron t’u flasësh shokëve për Perëndinë, është e kuptueshme. Askujt s’i pëlqen që të tjerët ta marrin me sy të keq, e aq më pak ta tallin! A mund të ndodhë kjo po të flasësh për besimin tënd? Po, mund të ndodhë. Por nga ana tjetër, shokët mund të të befasojnë. Shumë prej tyre duan të dinë përgjigjet për pyetje, si: ku po shkon bota dhe pse është plot probleme? Për këto tema ata mund të flasin më shumë me një shok se me një të rritur.

Por prapëseprapë, mund të stepesh kur mendon që duhet të flasësh me shokët për fenë. Megjithatë, s’është e thënë që duhet të dukesh si besimtar i flaktë ose të shqetësohesh të gjesh tamam fjalët e sakta. Të flasësh për besimin mund të jetë pak a shumë si t’i biesh një vegle muzikore. Ndoshta fillimi mund të jetë i vështirë. Por sa më shumë të ushtrohesh, aq më të lehtë do ta kesh, dhe mundi yt do të shpërblehet. Por, si ta nisësh bisedën?

Zakonisht mund të fillosh me një gjë që e ke të lehtë të flasësh. Për shembull, kur diskutoni në shkollë ndonjë gjë që ka ndodhur së fundi, ti mund të tregosh mendimin tënd të bazuar në Bibël. Ose mund të provosh të flasësh me njërin nga shokët. Disa të rinj të krishterë kanë bërë diçka edhe më të lehtë: thjesht kanë vënë mbi bankë një botim për të parë nëse tërheq vëmendjen e shokëve. Zakonisht, ata bëhen kureshtarë dhe kështu fillon biseda.

Cilën nga këto mënyra mund të përdorësh ti? ․․․․․

A të vjen ndër mend ndonjë mënyrë tjetër se si të flasësh me shokët e klasës për besimin? Nëse po, shkruaje më poshtë.

․․․․․

Ndonjëherë, një temë e caktuar në shkollë hap rrugën për të folur për besimin. Për shembull, çfarë mund të bësh kur në klasë diskutohet tema e evolucionit? Si ta mbrosh besimin te krijimi?

Si të mbrosh krijimin?

«Kur në klasë u diskutua teoria e evolucionit, pashë se binte ndesh me të gjitha ato që kisha mësuar,—thotë një djalë me emrin Rajan.​—Evolucioni paraqitej si fakt dhe kjo më stepi.» Njësoj shprehet edhe një vajzë me emrin Rakela. «U tmerrova kur mësuesja e lëndëve shoqërore na tha se evolucioni do të ishte tema e radhës. E dija se do të më duhej të shpjegoja para klasës qëndrimin tim për këtë temë që ka ngjallur shumë debat»,—thotë ajo.

Po ti, si ndihesh kur në klasë diskutohet tema e evolucionit? Ti beson se Perëndia ‘krijoi gjithçka’. (Zbulesa 4:11) Kudo përreth teje sheh prova të një projekti inteligjent. Kurse librat e shkollës dhe mësuesi thonë se jeta ka evoluar. Kush je ti që të vësh në dyshim fjalën e «ekspertëve»?

Të jesh i sigurt se nuk je i vetmi që nuk e beson teorinë e evolucionit. E vërteta është se edhe shumë shkencëtarë nuk e pranojnë. Madje edhe shumë nxënës e mësues.

Megjithatë, që ta mbrosh besimin te krijimi, duhet të dish se çfarë mëson Bibla për këtë temë. S’ka pse të debatosh për gjëra që Bibla nuk i përmend drejtpërdrejt. Ja disa shembuj:

Libri im i shkollës thotë se toka dhe sistemi diellor ekzistojnë prej miliarda vjetësh. Bibla thotë se toka dhe pjesa tjetër e universit ekzistonin para se të fillonte dita e parë e krijimit. Domethënë, toka dhe sistemi diellor mund të ekzistojnë prej miliarda vjetësh.​—Zanafilla 1:1.

Mësuesi im thotë se toka s’mund të jetë krijuar brenda gjashtë ditëve. Bibla nuk thotë se gjashtë ditët e krijimit ishin ditë të mirëfillta 24-orëshe.

Në klasë u morën shembuj të ndryshëm që tregonin se kafshët dhe njerëzit kanë ndryshuar me kalimin e kohës. Bibla thotë se Perëndia i krijoi gjallesat «sipas llojit të vet». (Zanafilla 1:20, 21) Ajo nuk mbështet idenë se jeta filloi nga një gjë e pajetë ose se Perëndia nisi procesin e evolucionit nga një qelizë e vetme. Megjithatë, çdo ‘lloj’ ka potencial për një larmi të gjerë. Prandaj, sipas Biblës ndryshimet ndodhin brenda «llojit».

Duke mbajtur parasysh çfarë është thënë deri tani, si do të përgjigjeshe nëse mësuesi ose një shok klase të thotë:

«Shkenca ka provuar se jemi fryt i evolucionit.» ․․․․․

«Nuk besoj te Perëndia sepse nuk e shoh.» ․․․․․

Sigurohu për bindjet e tua!

Nëse je rritur në një familje të krishterë, mund të besosh te krijimi thjesht sepse këtë gjë të kanë mësuar prindërit. Por, tani që po rritesh, do që ta adhurosh Perëndinë «me fuqinë tënde për të arsyetuar», duke pasur një themel të fortë për bindjet e tua. (Romakëve 12:1) Atëherë pyet veten: «Çfarë më bind se ka një Krijues?» Semi 14-vjeçar mendon për trupin e njeriut. «Është i ndërlikuar, i menduar deri në hollësi dhe të gjitha pjesët bashkëveprojnë për bukuri,​—thotë ai.​—Është e pamundur që trupi njerëzor të ketë evoluar!» Holi 16-vjeçare, është dakord me Semin. «Që kur dola me diabet,—thotë ajo,—kam mësuar shumë se si punon trupi ynë. Për shembull, është e habitshme se si pankreasi​—një organ i vogël që fshihet pas stomakut​—bën një punë kaq të jashtëzakonshme duke siguruar një funksionim të mirë të gjakut dhe të organeve të tjera.»

Më poshtë, shëno tri gjëra që të bindin se ka një Krijues.

1. ․․․․․

2. ․․․․․

3. ․․․․․

S’ka pse të ndihesh në siklet ose të të vijë turp që beson te Perëndia dhe te krijimi. Duke parë provat, është më se e logjikshme të besosh se njerëzit janë fryt i një projekti inteligjent.

Në fund, evolucioni, dhe jo krijimi, kërkon që të besosh me sy mbyllur, domethënë, të besosh te mrekullitë pa besuar te një mrekullibërës! Pasi të kesh menduar mirë, duke vënë në punë fuqinë për të arsyetuar, do të ndihesh më i sigurt për ta mbrojtur besimin tënd te Perëndia.

NË KAPITULLIN TJETËR:

Sheh që shokët e moshës sate po pagëzohen. A je edhe ti gati për ta bërë këtë hap?

SHKRIMI KYÇ

«Nuk më vjen turp për lajmin e mirë. Në të vërtetë, ai është fuqia e Perëndisë për shpëtimin e kujtdo që ka besim.»​—Romakëve 1:16.

KËSHILLË

Ki kujdes kur flet për besimin tënd. Nëse duket që të vjen turp, u hap derën talljeve të shokëve. Por nëse flet me bindje, siç do të flisnin ata për mendimet e tyre, ka më shumë mundësi të fitosh respektine tyre.

A E DIJE . . . ?

Nganjëherë, kur mësuesve u kërkohet të japin prova për evolucionin, nuk arrijnë ta bëjnë, dhe kuptojnë se e pranojnë atë teori vetëm ngaqë kështu ua kanë mësuar.

HAPAT QË DUA TË BËJ . . .

Për të hapur një bisedë rreth Biblës me një shok klase, mund të ․․․․․

Nëse më pyesin pse besoj se ka një Krijues, do të them: ․․․․․

Pyetje që dua t’u bëj prindërve: ․․․․․

ÇFARË MENDON?

● Pse është e rëndësishme të flasësh me të tjerët për besimin tënd?

● Në cilat rrethana mund ta kesh më të lehtë të shprehësh besimin te krijimi kur je në shkollë?

● Si mund t’ia tregosh mirënjohjen Atij që krijoi gjithçka?​—Veprat 17:26, 27.

[Diçitura në faqen 299]

«Shkolla është një territor ku vetëm ne mund të futemi.»​—Irida

[Figura në faqen 298]

Ashtu si me një vegël muzikore, të flasësh për besimin kërkon aftësi; praktika të bën më të aftë

[Figura në faqet 300, 301]

Mund ta mposhtësh frikën për të mbrojtur besimin