Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

KAPITULLI 17

‘Forcohu mbi themelin e besimit tënd shumë të shenjtë’

‘Forcohu mbi themelin e besimit tënd shumë të shenjtë’

«Duke u forcuar mbi themelin e besimit tuaj shumë të shenjtë, . . . ruani veten në dashurinë e Perëndisë.»​​—JUDA 20, 21.

1, 2. Në cilin projekt ndërtimi je përfshirë dhe përse është kaq e rëndësishme cilësia e punës që bën?

I JE futur punës vendçe për të ndërtuar diçka. Këtë projekt ndërtimi e ke nisur para ca kohësh dhe do ta vazhdosh edhe në të ardhmen. Deri tani puna ka ecur mirë, edhe pse ka qenë e vështirë. Sido që të ndodhë, ke vendosur të mos e ulësh ritmin e të mos heqësh dorë, pasi nga cilësia e punës që bën, varet jeta e madje edhe e ardhmja jote. Përse? Sepse ndërtesa që po ngrihet je ti vetë!

2 Dishepulli Judë e theksoi këtë punë që bëjmë për të ndërtuar veten. Në të njëjtin kontekst që i nxiti të krishterët «ruani veten në dashurinë e Perëndisë», ai zbuloi çelësin si bëhet kjo: «Duke u forcuar mbi themelin e besimit tuaj shumë të shenjtë.» (Juda 20, 21) Në cilat mënyra mund të ndërtosh mbi themelin e besimit tënd, që të qëndrosh në dashurinë e Perëndisë? Do të përqendrohemi në tri elemente të projektit të ndërtimit të besimit tënd.

VAZHDO TA FORCOSH BESIMIN TE KËRKESAT E DREJTA TË JEHOVAIT

3-5. (a) Ç’pikëpamje të shtrembër për kërkesat e Jehovait dëshiron të na shtjerë në mendje Satanai? (b) Si duhet t’i shohim kërkesat e Perëndisë dhe si duhet të ndikojë kjo në ndjenjat tona? Ilustroje.

3 Pikësëpari, duhet të forcojmë besimin te ligji i Jehovait. Gjatë studimit të këtij libri, ke shqyrtuar disa nga kërkesat e tij të drejta për sjelljen. Ç’mendim ke për to? Satanait do t’i pëlqente të të mashtronte që t’i shihje si kufizuese, madje të ashpra, ligjet, parimet dhe normat e Jehovait. E ka përdorur këtë taktikë që kur funksionoi aq mirë në Eden. (Zanafilla 3:​1-6) A do të funksionojë edhe me ty? Shumë do të varet nga pikëpamja që ke.

4 Ta ilustrojmë: po shëtit në një park të bukur dhe papritur shikon një gardh me hunj të trashë që bllokon një pjesë të tij. Peizazhi matanë gardhit duket shumë tërheqës. Fillimisht gardhi mund të të duket një kufizim i panevojshëm i lirisë sate. Por, kur sheh përtej tij, vëren një luan të egërsuar gati për sulm! Tani e kupton pse e kanë vënë gardhin. Është një mbrojtje. A ka ndonjë grabitqar të rrezikshëm gati të të sulmojë ty në këtë moment? Fjala e Perëndisë paralajmëron: «Ruani gjykimin, jini syçelë. Kundërshtari juaj, Djalli, vjen rrotull si një luan që ulërin, duke kërkuar të gllabërojë dikë.»​​—1 Pjetrit 5:8.

5 Satanai është një grabitqar i pamëshirshëm. Ngaqë nuk do që të biem pre e Satanait, Jehovai ka vendosur ligje për të na mbrojtur nga ‘intrigat’ e shumta të këtij të ligu. (Efesianëve 6:11) Pra, sa herë ndalemi e mendojmë për ligjet e Atit tonë qiellor, duhet të dallojmë në to dashurinë e tij. Parë nga ky këndvështrim, ligjet e Perëndisë janë burim sigurie dhe gëzimi. Dishepulli Jakov shkroi: «Ai që ndalet e shikon në ligjin e përsosur që sjell liri dhe ngulmon në të, është i lumtur ngaqë bëhet zbatues i fjalës.»​​—Jakovi 1:25.

6. Cila është mënyra më e mirë për të forcuar besimin te ligjet dhe parimet e drejta të Perëndisë? Jep një shembull.

6 Jetesa sipas urdhërimeve të Perëndisë është mënyra më e mirë për të forcuar besimin te Ligjdhënësi ynë dhe te mençuria e ligjeve të tij. Për shembull, në «ligjin e Krishtit» përfshihet urdhri që t’u mësojmë të tjerëve «të gjitha gjërat që [na ka] urdhëruar». (Galatasve 6:2; Mateu 28:​19, 20) Gjithashtu, të krishterët e marrin seriozisht urdhrin për t’u mbledhur bashkë rregullisht për adhurim e për të gëzuar shoqëri ndërtuese. (Hebrenjve 10:​24, 25) Ndër urdhërimet e Jehovait është edhe nxitja që ta bëjmë zakon t’i lutemi atij shpesh dhe nga zemra. (Mateu 6:​5-8; 1 Selanikasve 5:17) Duke jetuar sipas këtyre urdhrave, e shohim gjithnjë e më qartë se janë vërtet udhëzime të dashura. Kur bindemi, ndiejmë një kënaqësi e gëzim që s’mund t’i gjejmë askund tjetër në këtë botë të trazuar. A nuk të forcohet besimi kur mediton për dobitë që ke nxjerrë duke jetuar në përputhje me ligjet e Perëndisë?

7, 8. Si i qetëson Fjala e Perëndisë ata që merakosen se mos nuk e ndjekin dot rrugën e drejtë me kalimin e viteve?

7 Nganjëherë, disa kanë merak se mos do ta kenë tepër të vështirë t’u përmbahen ligjeve të Jehovait me kalimin e viteve. Kanë frikë se mos nuk ia dalin mbanë. Nëse do të ndihesh ndonjëherë kështu, kujto këto fjalë: «Unë Jehovai, jam Perëndia yt, Ai që të mëson se si të nxjerrësh dobi për vete, Ai që të vë të ecësh nëpër udhën nga duhet të shkosh. Ah, sikur t’u kushtoje vëmendje urdhërimeve të mia! Paqja jote do të ishte si lumë dhe drejtësia jote si valët e detit.» (Isaia 48:​17, 18) Je ndalur ndonjëherë të mendosh se sa shumë të qetësojnë këto fjalë?

8 Këtu Jehovai po na bën të qartë se kur i bindemi atij, nxjerrim dobi për vete. Ai premton dy bekime, në qoftë se veprojmë kështu. Së pari, paqja jonë do të jetë si një lumë që është i qetë, i bollshëm e i vazhdueshëm. Së dyti, drejtësia jonë do të jetë si valët e detit. Nëse rri buzë detit e sheh valët e tij që vijnë njëra pas tjetrës, pa dyshim të krijohet ndjesia e përjetësisë. Valët do të vazhdojnë të vijnë e të përqafojnë atë bregdet për epoka të panumërta. Jehovai thotë se edhe drejtësia jote, pra rruga e drejtë që ndjek, do të jetë e tillë. Për sa kohë të përpiqesh t’i qëndrosh besnik atij, nuk do të të lërë kurrë në baltë! (Lexo Psalmin 55:22.) A s’ta forcojnë besimin te Jehovai e te kërkesat e tij të drejta, këto premtime të mrekullueshme?

‘SULU DREJT PJEKURISË’

9, 10. (a) Pse pjekuria është synim i shkëlqyer për të krishterët? (b) Si gjen gëzim ai që e ka mendjen te fryma?

9 Një element të dytë të projektit të ndërtimit e nxjerrin në pah këto fjalë të frymëzuara: «Le të sulemi drejt pjekurisë.» (Hebrenjve 6:1) Pjekuria është synim i shkëlqyer për një të krishterë. Nuk është e paarritshme, si përsosmëria të cilën njerëzit s’e arrijnë dot tani për tani. Për më tepër, duke u pjekur, të krishterët provojnë më shumë gëzim në shërbim të Jehovait. Pse ndodh kjo?

10 Një i krishterë i pjekur i sheh gjërat nga këndvështrimi i Jehovait. (Gjoni 4:23) Pavli shkroi: «Ata që janë sipas mishit, e kanë mendjen te gjërat e mishit, por ata që janë sipas frymës, e kanë mendjen te gjërat e frymës.» (Romakëve 8:5) Ai që i sheh gjërat sipas mishit, nuk gjen shumë gëzim, sepse ka prirjen të jetë i përqendruar te vetja, dritëshkurtër e i dhënë pas gjërave materiale. Kurse ai që i sheh gjërat sipas frymës, është i gëzuar, sepse përqendrohet te Jehovai, ‘Perëndia i lumtur’. (1 Timoteut 1:11) I krishteri që i sheh gjërat nga këndvështrimi i Jehovait, bën çmos t’i pëlqejë atij dhe gëzon edhe kur ka sprova. Përse? Sepse sprovat janë mundësi që të tregojë se Satanai është gënjeshtar e të forcojë integritetin, duke e kënaqur Atin tonë qiellor.​​—Proverbat 27:11; lexo Jakovin 1:​2, 3.

11, 12. (a) Ç’tha Pavli për «aftësitë perceptuese» të një të krishteri dhe ç’domethënie ka fjala e përkthyer ‘stërvitje’? (b) Çfarë stërvitjeje i duhet trupit që të piqet e të bëhet i aftë fizikisht?

11 Pjekuria e krishterë vjen me stërvitje. Shqyrto këtë varg: «Ushqimi i fortë u përket njerëzve të pjekur, atyre që nëpërmjet përdorimit i kanë aftësitë perceptuese të stërvitura për të shquar si të drejtën, ashtu edhe të gabuarën.» (Hebrenjve 5:14) Kur foli për ‘stërvitjen’ e aftësive perceptuese, Pavli përdori një fjalë greke që ka të ngjarë të përdorej gjerësisht nëpër palestrat e Greqisë së shekullit të parë, pasi mund të përkthehet edhe ‘i stërvitur si gjimnast’. Mendo ç’përfshin një stërvitje e tillë.

Gjimnasti e stërvit trupin me anë të përdorimit

12 Kur lindëm, nuk e kishim të stërvitur trupin. Për shembull, një foshnjë nuk e ka ndjenjën e orientimit për gjymtyrët e vockla. Prandaj i lëviz krahët kuturu, madje duke gjuajtur edhe veten në fytyrë, gjë që e mërzit dhe e habit. Por, dalëngadalë, trupi stërvitet me anë të përdorimit. Në fillim foshnja nis të ecë këmbadoras nëpër shtëpi, pastaj bëhet një vogëlush që hedh hapat e parë e pastaj një fëmijë që vrapon. * Po për një gjimnast, ç’mund të themi? Kur sheh një atlet të tillë që kërcen e përdridhet në ajër me hijeshi e saktësi, nuk e vë në dyshim se trupi i tij është si një makineri e sinkronizuar mirë. Mjeshtëria e atij gjimnasti nuk ka ardhur vetvetiu, përkundrazi, duhet t’i jenë dashur kushedi sa orë stërvitje. Bibla e pranon se kjo stërvitje e trupit «është e dobishme për pak gjë». Sa më tepër e vlefshme është stërvitja e aftësive tona perceptuese!​​—1 Timoteut 4:8.

13. Si t’i stërvitim aftësitë perceptuese?

13 Në këtë libër kemi shqyrtuar shumë gjëra që do të të ndihmojnë të stërvitësh aftësitë perceptuese, që t’i qëndrosh besnik Jehovait si një i krishterë i pjekur. Shqyrtoji në lutje parimet dhe ligjet hyjnore para se të marrësh vendime në jetën e përditshme. Për çdo vendim, pyet veten: ‘Cilat ligje ose parime biblike vlejnë për këtë çështje? Si t’i zbatoj? Cili drejtim do t’i pëlqejë Atit tim qiellor?’ (Lexo Proverbat 3:​5, 6; Jakovin 1:5.) Çdo vendim që merr duke ndjekur këtë metodë, do të t’i stërvitë më tej aftësitë perceptuese. Kjo stërvitje do të të ndihmojë të bëhesh një i krishterë vërtet i pjekur e të mbetesh i tillë.

14. Për çfarë duhet të kultivojmë oreks që të rritemi frymësisht, dhe për çfarë duhet të bëjmë kujdes?

14 Edhe pse mund të bëhemi të pjekur, rritja frymore është proces që vazhdon gjithnjë. Rritja varet nga ushqimi. Kështu, Pavli komentoi: «Ushqimi i fortë u përket njerëzve të pjekur.» Një pikë kryesore për të forcuar besimin është të vazhdosh të marrësh ushqim të fortë frymor. Duke e zbatuar siç duhet atë çka mëson, bëhesh i mençur, dhe Bibla thotë: «Mençuria është gjëja parësore.» Prandaj, duhet të kultivojmë oreks për të vërtetat e çmuara që na jep Ati ynë. (Proverbat 4:​5-7; 1 Pjetrit 2:2) Natyrisht, asnjeri s’ka arsye të bëhet fodull e të bëjë si kompetent ngaqë fiton njohuri dhe mençuri hyjnore. Duhet ta hetojmë veten vazhdimisht se mos krenaria ose ndonjë dobësi tjetër zë rrënjë në zemrën tonë e rritet atje. Pavli shkroi: «Vazhdoni të vini në provë veten nëse jeni në besim, vazhdoni të provoni se çfarë jeni ju vetë.»​—2 Korintasve 13:5.

15. Pse dashuria është thelbësore për rritjen frymore?

15 Edhe pasi një shtëpi mbaron së ndërtuari, ka prapë punë. Ka nevojë për mirëmbajtje e riparime dhe ndoshta i duhen bërë shtesa, për shkak të rrethanave që ndryshojnë. Për çfarë kemi nevojë që të piqemi dhe ta mbajmë të fortë marrëdhënien me Perëndinë? Mbi të gjitha, kemi nevojë për dashurinë. Duhet të vazhdojmë ta shtojmë dashurinë për Jehovain e për bashkëbesimtarët. Po të mos kemi dashuri, e gjithë njohuria që grumbullojmë dhe veprat që bëjmë, s’janë asgjë. Janë si zhurmë e pakuptimtë dhe e mërzitshme. (1 Korintasve 13:​1-3) Kurse me dashurinë mund të arrijmë pjekurinë e krishterë e të vazhdojmë të rritemi frymësisht.

MBAJE MENDJEN TE SHPRESA QË JEP JEHOVAI

16. Ç’mënyrë të menduari nxit Satanai dhe ç’mbrojtje na ka siguruar Jehovai?

16 Të shqyrtojmë edhe një element tjetër të projektit të ndërtimit. Që të ndërtosh veten si dishepull i vërtetë i Krishtit, duhet të bësh kujdes për mënyrën si mendon. Satanai, sundimtari i kësaj bote, është mjeshtër që t’i bëjë njerëzit të mendojnë negativisht, të jenë pesimistë, dyshues dhe të dëshpëruar. (Efesianëve 2:2) Për një të krishterë, këto janë po aq të rrezikshme sa kalbëzimi i trarëve të një ndërtese druri. Lumturisht, Jehovai na ka dhënë një mjet mbrojtës jetësor: shpresën.

17. Si e ilustron Fjala e Perëndisë rëndësinë e shpresës?

17 Në Bibël renditen pjesët e ndryshme të armaturës frymore që na duhet në luftën kundër Satanait dhe botës së tij. Një pjesë e rëndësishme e armaturës është përkrenarja, ‘shpresa e shpëtimit’. (1 Selanikasve 5:8) Një ushtar në kohët biblike e dinte se nuk do ta kishte të gjatë në betejë, po të mos kishte në kokë përkrenaren. Ajo shpesh bëhej prej metali dhe vishej nga brenda me kapuç leshi ose lëkure. Mbronte kokën, dhe goditjet e drejtuara aty, nuk shkaktonin shumë dëme. Ashtu siç e mbron përkrenarja kokën, shpresa mund të të mbrojë mendjen dhe mënyrën si mendon.

18, 19. Çfarë shembulli la Jezui si njeri të cilit nuk iu shua shpresa, e si mund ta imitojmë?

18 Jezui është shembulli kryesor i një njeriu të cilit nuk iu shua shpresa. Sill ndër mend ç’duroi ai natën e fundit të jetës në tokë. Një shok i ngushtë e tradhtoi për para. Një tjetër e mohoi para njerëzve. Të tjerët e braktisën dhe ia mbathën. Bashkëkombësit iu kthyen kundër, duke u kërkuar me ngulm ushtarëve romakë që ai të vdiste mes torturash. Mund të themi se sprovat që hasi Jezui ishin më të rënda se çdo sprovë që do të hasim ne ndonjëherë. Po çfarë e ndihmoi? Hebrenjve 12:2 jep përgjigjen: «Për gëzimin që iu vu përpara, ai duroi një shtyllë torture, e përbuzi turpin dhe është ulur në të djathtën e fronit të Perëndisë.» Jezui nuk e humbi kurrë nga sytë «gëzimin që iu vu përpara».

19 Çfarë gëzimi iu vu përpara Jezuit? Po ja, ai e dinte se duke qëndruar pa u lëkundur, do të ndihmonte që të shenjtërohej emri i pashoq i Jehovait. Do të jepte provën më të madhe se Satanai është gënjeshtar. Asnjë shpresë tjetër s’do t’i kishte dhënë më shumë gëzim Jezuit! Ai dinte edhe se Jehovai do ta shpërblente bujarisht për besnikërinë që tregoi. Edhe pak e do të vinte koha e mrekullueshme kur do të ribashkohej me Atin e tij. Jezui e mbajti në mendje këtë shpresë të gëzuar gjatë periudhave më të vështira që kaloi. Kështu duhet të veprojmë edhe ne, pasi na është vënë përpara një gëzim. Jehovai na ka nderuar duke na dhënë privilegjin të ndihmojmë që të shenjtërohet emri i tij i madh. Mund të japim prova se Satanai është gënjeshtar duke zgjedhur Jehovain si Sovran dhe duke ruajtur veten në dashurinë e tij si Ati ynë, pavarësisht nga sprovat e tundimet që hasim.

20. Ç’mund të të ndihmojë të mendosh pozitivisht dhe të kesh shpresë?

20 Jehovai jo vetëm që ka dëshirë t’i shpërblejë shërbëtorët e tij besnikë, por mezi pret ta bëjë këtë. (Isaia 30:18; lexo Malakinë 3:10.) Kënaqet duke u plotësuar shërbëtorëve të vet dëshirat e drejta të zemrës. (Psalmi 37:4) Prandaj, mbaje mendjen te shpresa që ke përpara. Kurrë mos iu dorëzo mendimeve negative, të degraduara e të shtrembëruara të botës së vjetër të Satanait. Në qoftë se e ndien se fryma e kësaj bote po futet tinëzisht në mendjen dhe në zemrën tënde, lutju me zjarr Jehovait për ‘paqen e tij, që kapërcen çdo mendim’. Kjo paqe do të të ruajë zemrën dhe fuqitë mendore.​​—Filipianëve 4:​6, 7.

21, 22. (a) Cilën shpresë të lavdishme kanë pjesëtarët e ‘shumicës së madhe’? (b) Cila pjesë e shpresës së krishterë ka më tepër vlerë për ty, dhe për çfarë je i vendosur?

21 Sa e mrekullueshme është shpresa për të cilën po mendon! Nëse je pjesë e ‘shumicës së madhe’ që ‘do të dalë nga shtrëngimi i madh’, mendo për jetën që do të shpaloset para teje së afërmi. (Zbulesa 7:​9, 14) Pa Satanain dhe demonët e tij vërdallë, do të ndiesh një lehtësim që tani vështirë se mund ta konceptosh. Fundja, kush nga ne ka provuar ndonjëherë të jetojë pa presionin e ndikimit korruptues të Satanait? Pa këtë presion, do të jetë një kënaqësi të punosh për ta kthyer tokën në parajsë, nën drejtimin e Jezuit dhe 144.000 bashkësundimtarëve të tij qiellorë. Sa mrekullohemi kur mendojmë se s’do të shohim më asnjë sëmundje e kufizim fizik, do të mirëpresim njerëzit tanë të dashur që na kanë vdekur e do të jetojmë siç ishte qëllimi fillestar i Perëndisë! Dora-dorës që përparojmë drejt përsosmërisë, do të jemi më pranë një shpërblimi edhe më të madh të premtuar te Romakëve 8:​21, domethënë ‘lirisë së lavdishme të fëmijëve të Perëndisë’.

22 Jehovai dëshiron që të arrish shumë më tepër liri nga ç’mund të imagjinosh. Shtegu drejt kësaj lirie është bindja. A nuk ia vlen çdo përpjekje që mund të bësh tani për t’iu bindur Jehovait ditë për ditë? Bëj çmos të forcohesh mbi themelin e besimit tënd shumë të shenjtë, që të qëndrosh në dashurinë e Perëndisë për gjithë përjetësinë!

^ par. 12 Shkencëtarët thonë se ne njerëzit zhvillojmë një shqisë të veçantë që është ndjesia e orientimit të trupit dhe të vendit ku ndodhen gjymtyrët. Për shembull, falë kësaj shqise, mund të duartrokasësh edhe me sy mbyllur. Një paciente e rritur që humbi këtë shqisë, s’ishte në gjendje të rrinte në këmbë, të ecte dhe të rrinte ulur.