Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

PJESA 7

Perëndia çliron bijtë e Izraelit

Perëndia çliron bijtë e Izraelit

Jehovai sjell plagë mbi Egjipt dhe Moisiu nxjerr që andej popullin e Izraelit. Perëndia i jep Izraelit Ligjin nëpërmjet Moisiut

PËR shumë vjet, bijtë e Izraelit jetuan në Egjipt, u begatuan e u shtuan. Por më pas doli një faraon i ri, që nuk e njihte Jozefin. Ai tiran i lig kishte frikë nga izraelitët që sa vinin e shtoheshin, prandaj i ktheu në skllevër dhe urdhëroi që të gjithë djemtë e sapolindur t’i mbytnin në lumin Nil. Por një nënë trime e mbrojti foshnjën e vet dhe e fshehu në një kanistër mes kallamave të lumit. Foshnjën e gjeti bija e faraonit, ia vuri emrin Moisi (i njohur edhe si Musa) dhe e rriti në oborrin mbretëror egjiptian.

Kur ishte 40 vjeç, Moisiu u fut në telashe pasi mbrojti një skllav izraelit nga një përgjegjës egjiptian që po e rrihte. Moisiu ia mbathi në një vend të largët, ku jetoi si i mërguar. Kur Moisiu ishte 80 vjeç, Perëndia e dërgoi përsëri në Egjipt që të dilte para faraonit e t’i kërkonte çlirimin e popullit të Perëndisë.

Faraoni refuzoi prerazi. Prandaj, Perëndia e goditi Egjiptin me dhjetë plagë. Sa herë që Moisiu dilte para faraonit që t’i jepte një mundësi për të shmangur plagën tjetër, ky tregohej kokëfortë, duke përbuzur Moisiun dhe Perëndinë e tij, Jehovain. Së fundi, plaga e dhjetë solli vdekjen e të gjithë të parëlindurve të vendit, me përjashtim të familjeve që iu bindën Jehovait duke lyer shtalkat e dyerve me gjakun e një qengji të flijuar. Engjëlli që dërgoi Perëndia për të vrarë të parëlindurit, kaloi sipër atyre shtëpive. Më pas, izraelitët e përkujtuan këtë çlirim të mrekullueshëm me një festë vjetore të quajtur Pashkë.

Pasi humbi djalin e parëlindur, faraoni i urdhëroi Moisiun dhe gjithë izraelitët të iknin nga Egjipti. Menjëherë ata organizuan Daljen nga ai vend. Por më vonë faraoni ndërroi mendje. I ndoqi nga pas me shumë luftëtarë dhe karroca. Izraelitët dukeshin të zënë në kurth në breg të Detit të Kuq. Por Jehovai ndau detin, kështu që izraelitët kaluan nëpër shtratin e thatë, me mure uji nga të dyja anët. Kur egjiptianët nxituan pas tyre, Perëndia bëri që ujërat të binin mbi ta, duke mbytur faraonin dhe ushtrinë e tij.

Më vonë, ndërsa fushonin pranë malit Sinai, Jehovai bëri një besëlidhje me izraelitët. Duke përdorur Moisiun si ndërmjetës, Perëndia i dha Izraelit ligje që siguronin drejtim e mbrojtje pothuajse në çdo fushë të jetës. Për aq kohë sa Izraeli të ndiqte me besnikëri udhëheqjen e Jehovait, ai do të ishte me ta dhe do t’u sillte bekime të tjerëve nëpërmjet tyre.

Megjithatë, shumica e izraelitëve nuk treguan besim dhe e lënduan Perëndinë me këtë. Kështu Jehovai bëri që ai brez të endej nëpër shkretëtirë për 40 vjet. Pastaj Moisiu caktoi si pasues të tij Josiun, një njeri të drejtë. Më në fund, Izraeli ishte gati të hynte në vendin që Perëndia ia kishte premtuar Abrahamit.

—Bazuar te Dalja; Levitiku; Numrat; Ligji i përtërirë; Psalmi 136:10-15; Veprat 7:17-36.