Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

PJESA 21

Jezui është gjallë!

Jezui është gjallë!

Jezui u shfaqet dishepujve, që t’i udhëzojë e t’u japë zemër

DITËN e tretë pas vdekjes së Jezuit, disa gra që ishin dishepulle të tij zbuluan se guri që bllokonte hyrjen e varrit, ishte rrokullisur. Jo vetëm kaq, por varri ishte bosh.

Grave iu shfaqën dy engjëj. Njëri prej tyre tha: «Ju po kërkoni Jezuin, nazareasin, që u vu në shtyllë. Ai u ngrit.» (Marku 16:6) Pa humbur kohë, gratë vrapuan t’u tregonin apostujve. Rrugës takuan Jezuin, që u tha: «Mos kini frikë! Shkoni, çojuani lajmin vëllezërve të mi, që të shkojnë në Galile dhe atje do të më shohin.»—Mateu 28:10.

Po atë ditë, pak më vonë, dy dishepuj po shkonin nga Jerusalemi në fshatin Emaus. Një i huaj u bashkua me ta rrugës dhe i pyeti për çfarë po flitnin. Në të vërtetë, ai ishte Jezui i ringjallur, por iu shfaq në një mënyrë të tillë që fillimisht s’e njohën. Fytyrëngrysur, ata iu përgjigjën se po flitnin për Jezuin. I huaji nisi t’u shpjegonte në të gjitha Shkrimet gjërat që kishin të bënin me Mesinë. Në fakt, Jezui i kishte përmbushur profecitë për Mesinë deri në hollësitë më të vogla. * Kur dishepujt e kuptuan se i huaji ishte Jezui që ishte ringjallur si frymë, ai u zhduk.

Dy dishepujt u kthyen menjëherë në Jerusalem. Atje gjetën apostujt që ishin mbledhur në një dhomë me dyer të kyçura. Ndërsa ata të dy tregonin përvojën që patën, u shfaq Jezui. Dishepujt e tij të mahnitur nuk u besonin dot syve! «Pse ju lindin dyshime në zemër?»—i pyeti Jezui. «Është shkruar që Krishti do të vuante, do të ngrihej nga të vdekurit ditën e tretë.»—Luka 24:38, 46.

Për 40 ditë pas ringjalljes, Jezui iu shfaq dishepujve në raste të ndryshme. Një herë, iu shfaq më tepër se 500 vetave. Ka mundësi që ky të ketë qenë rasti kur Jezui u dha këtë caktim të rëndësishëm: «Shkoni dhe bëni dishepuj njerëz nga të gjitha kombet, . . . dhe mësojuni të zbatojnë të gjitha gjërat që ju kam urdhëruar. Dhe ja, unë jam me ju gjithë ditët, deri në përfundimin e sistemit.»—Mateu 28:19, 20.

Në mbledhjen e fundit me 11 apostujt besnikë, Jezui u premtoi: «Kur fryma e shenjtë të vijë mbi ju, do të merrni fuqi e do të jeni dëshmitarët e mi . . . deri në skajin më të largët të tokës.» (Veprat 1:8) Atëherë Jezui u ngrit lart dhe një re ua fshehu nga sytë, ndërsa ngjitej në qiell.

—Bazuar te Mateu, kapitulli 28; Marku, kapitulli 16; Luka, kapitulli 24; Gjoni, kapitujt 20 dhe 21; 1 Korintasve 15:5, 6.

^ par. 6 Për disa shembuj të profecive mesianike të përmbushura te Jezui, shih Pjesën 14, Pjesën 15 dhe Pjesën 16 në këtë broshurë, si edhe artikullin «Jezu Krishti​—Mesia i premtuar» në shtojcën e librit Çfarë mëson vërtet Bibla?