Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Evolucioni—Mitet dhe faktet

Evolucioni—Mitet dhe faktet

«Evolucioni është një fakt siç është nxehtësia e diellit»,—deklaron profesori Riçard Dokins, një shkencëtar i shquar evolucionist.16 Sigurisht, eksperimentet dhe vrojtimet e drejtpërdrejta vërtetojnë se dielli është i nxehtë. Por, a e mbështetin në mënyrë po kaq absolute eksperimentet dhe vrojtimet e drejtpërdrejta teorinë e evolucionit?

Përpara se t’i përgjigjemi kësaj pyetjeje, duhet të sqarojmë diçka. Shumë shkencëtarë kanë vënë re se me kalimin e kohës, pasardhësit e gjallesave mund të ndryshojnë paksa. Për shembull, njerëzit mund të zgjedhin e të kryqëzojnë lloje qensh, në mënyrë që pasardhësit e tyre të kenë këmbë më të shkurtra ose qime më të gjatë se paraardhësit. * Këto ndryshime të vogla disa shkencëtarë i quajnë «mikroevolucion».

Megjithatë, evolucionistët thonë se ndryshimet e vogla janë grumbulluar dalëngadalë gjatë miliarda vjetëve dhe kanë sjellë ndryshimet e mëdha që u deshën për t’i shndërruar peshqit në amfibë dhe majmunët në njerëz. Këto ndryshime të mëdha të supozuara përkufizohen si «makroevolucion».

Çarls Darvini dhe libri i tij Prejardhja e llojeve

Për shembull, Çarls Darvini mësonte se ndryshimet e vogla që mund të vëmë re, nënkuptojnë se mund të ndodhin edhe ndryshime shumë më të mëdha, të cilat askush nuk i ka parë.17 Ai mendonte se gjatë periudhave shumë të gjata, disa forma të para të jetës, të ashtuquajtura të thjeshta, evoluan dalëngadalë, nëpërmjet «modifikimeve fare të vogla», e sollën miliona llojet e gjallesave në tokë.18

Shumë vetave u duket i logjikshëm ky pohim. Ata thonë: «Përderisa brenda një lloji mund të ndodhin ndryshime të vogla, përse evolucioni nuk mund të sjellë ndryshime të mëdha gjatë periudhave kohore të gjata?» * Por, në të vërtetë, teoria e evolucionit bazohet në tre mite. Shqyrto sa vijon.

Miti 1. Mutacionet sigurojnë lëndën e parë që nevojitet për të krijuar lloje të reja. Teoria e makroevolucionit bazohet në pohimin se mutacionet, pra ndryshimet e rastësishme në kodin gjenetik të bimëve e të kafshëve, jo vetëm që mund të prodhojnë lloje të reja, por mund të formojnë familje bimësh dhe kafshësh krejtësisht të reja.19

Mutacionet mund të shkaktojnë ndryshime te bimët, si kjo bimë mutante me lule më të mëdha, por vetëm brenda kufijve

Faktet. Shumë veçori të një bime a të një kafshe përcaktohen nga udhëzimet që gjenden në kodin gjenetik të saj—projekti i mbyllur në bërthamën e çdo qelize. * Studiuesit kanë zbuluar se mutacionet mund të sjellin ndryshime te pasardhësit e bimëve e të kafshëve. Por, a prodhojnë vërtet mutacionet lloje krejtësisht të reja? Çfarë është zbuluar gjatë një shekulli studimesh në fushën e gjenetikës?

Në fund të viteve 30 të shekullit të kaluar, shkencëtarët përqafuan me entuziazëm një ide të re. Ata tashmë mendonin se seleksionimi natyror—procesi gjatë të cilit organizmi që përshtatet më mirë me mjedisin e vet, ka më shumë të ngjarë të mbijetojë e të shumohet—mund të formonte lloje të reja bimësh nga mutacionet e rastësishme. Prandaj, dolën në përfundimin se seleksionimi artificial i mutacioneve, pra i drejtuar nga njeriu, duhej të bënte të njëjtën gjë, por edhe më mirë. «Euforia pushtoi biologët në përgjithësi e sidomos gjenetistët e rritësit e bimëve dhe kafshëve»,—tha Volf-Ekehart Lënigu, shkencëtar në Institutin Maks Plank për Kërkime në Kultivimin e Bimëve në Gjermani. * Përse kjo eufori? Lënigu, i cili ka rreth 30 vjet që studion gjenetikën e mutacioneve te bimët, tha: «Këta studiues mendonin se kishte ardhur koha të revolucionarizonin metodën tradicionale të rritjes së bimëve e të kafshëve. Mendonin se duke nxitur e duke përzgjedhur mutacionet e dobishme, mund të merrnin bimë e kafshë të reja dhe më të mira.»20 Madje, disa shpresonin të krijonin lloje krejtësisht të reja.

Miza e uthullës mutante, edhe pse e keqformuar, ka mbetur një mizë uthulle

Shkencëtarë në Shtetet e Bashkuara, Azi dhe Evropë ndërmorën programe kërkimore të financuara mirë, duke përdorur metoda që premtonin përshpejtimin e evolucionit. Cilat ishin rezultatet pas më shumë se 40 vjet kërkimesh intensive? «Pavarësisht nga shpenzimet kolosale,—thotë studiuesi Piter fon Zengbush,—u pa më së miri se orvatja për të krijuar varietete gjithnjë e më pjellore me anë të rrezatimit [për të shkaktuar mutacione], dështoi.»21 Edhe Lënigu tha: «Rreth viteve 80, shpresat dhe euforia e shkencëtarëve kishin përfunduar në dështim mbarëbotëror. Vendet Perëndimore hoqën dorë nga kultivimi me anë të mutacioneve, si një degë më vete kërkimesh. Pothuajse të gjitha format mutante . . . morën fund ose ishin më të dobëta se varietetet natyrore.» *

Megjithatë, të dhënat e mbledhura nga afro 100 vjet kërkime për mutacionet në përgjithësi dhe sidomos nga 70 vjet eksperimentime duke përdorur mutacionet për rritjen e bimëve e të kafshëve, i ndihmojnë shkencëtarët të nxjerrin përfundime për aftësinë e mutacioneve për të prodhuar lloje të reja. Pasi shqyrtoi provat, Lënigu përfundoi: «Mutacionet nuk mund të transformojnë një lloj natyror [bime ose kafshe] në një lloj krejt tjetër. Ky përfundim pajtohet me të gjitha provat dhe rezultatet në fushën e kërkimeve për mutacionet gjatë shekullit të 20-të, të marra së bashku, si edhe me ligjet e probabilitetit.»

Pra, a mund të evoluojë një lloj gjallese në një lloj krejt të ri me anë të mutacioneve? Provat përgjigjen jo! Kërkimet që bëri, e kanë çuar Lënigun në përfundimin se «llojet gjenetikisht të ndryshme nga njëra-tjetra, kanë vërtet kufij që nuk mund të shkelen ose të kapërcehen nëpërmjet mutacioneve të rastësishme».22

Mendoni se çfarë duan të thonë faktet e mësipërme. Nëse shkencëtarë shumë të përgatitur nuk janë në gjendje të prodhojnë lloje të reja duke nxitur e duke përzgjedhur artificialisht mutacione të dobishme, a ka mundësi që një proces pa asnjë drejtim inteligjent të arrinte diçka më të mirë? Nëse kërkimet tregojnë se mutacionet nuk mund ta transformojnë një lloj në një lloj krejt të ri, atëherë, si mendohet të ketë ndodhur makroevolucioni?

Miti 2. Seleksionimi natyror çon në formimin e llojeve të reja. Darvini mendonte se seleksionimi natyror, siç e quante ai, favorizon format e jetës që përshtaten më mirë me mjedisin, kurse ato që përshtaten më pak, dalëngadalë zhduken. Evolucionistët modernë thonë se ndërkohë që llojet përhapen dhe izolohen nga të tjerat, seleksionimi natyror zgjedh ato lloje që, falë mutacioneve gjenetike, janë të afta të mbijetojnë në mjedisin e ri. Si pasojë, evolucionistët ngrenë hipotezën se këto grupe të izoluara, si përfundim, evoluojnë në lloje krejtësisht të reja.

Faktet. Siç u tha më sipër, provat që vijnë nga kërkimet tregojnë pa pikë dyshimi se mutacionet nuk mund të formojnë lloje krejt të reja bimësh a kafshësh. Megjithatë, çfarë provash japin evolucionistët për të argumentuar se seleksionimi natyror zgjedh mutacionet e dobishme për të prodhuar lloje të reja? Një broshurë e botuar në vitin 1999 nga Akademia Kombëtare e Shkencave (NAS) në Shtetet e Bashkuara, përmend «13 llojet e harabelorëve që Darvini studioi në ishujt Galapagos, që tani njihen si harabelorët e Darvinit».23

Në vitet 70, një grup studiuesish të drejtuar nga Piter dhe Rozmari Granti, nga Universiteti i Prinstonit, filluan të studionin këta zogj dhe zbuluan se pas një viti thatësire në ishuj, zogjtë që kishin sqepa pak më të mëdhenj mbijetuan më kollaj se ata me sqepa më të vegjël. Meqë vëzhgimi i përmasave dhe formës së sqepit është një nga mënyrat kryesore për t’i dalluar nga njëri-tjetri 13 llojet e harabelorëve, menduan se këto zbulime ishin domethënëse. Broshura vazhdon: «Grantët parashikuan se, në qoftë se në këta ishuj thatësirat ndodhin me përafërsi një herë në dhjetë vjet, vetëm brenda 200 vjetësh mund të dalë një lloj i ri harabelorësh.»24

Megjithatë, kjo broshurë nuk përmend se në vitet që pasuan thatësirën, zogjtë me sqep të vogël mbizotëruan sërish. Studiuesit zbuluan se me ndryshimin e kushteve klimatike në ishull, harabelorët me sqep më të gjatë mbizotëruan një vit, por më pas mbizotëruan ata me sqep të vogël. Gjithashtu, vërejtën se disa «lloje» të ndryshme harabelorësh po kryqëzoheshin dhe po jepnin pasardhës që mbijetonin më mirë se prindërit. Prandaj, arritën në përfundimin se po të vazhdonte, kryqëzimi do të sillte shkrirjen e dy «llojeve» në një të vetëm.25

Harabelorët e Darvinit, e shumta tregojnë se një lloj mund të përshtatet me ndryshimet e klimës

Pra, a krijon lloje krejt të reja seleksionimi natyror? Dekada më parë, biologu evolucionist Xhorxh Kristofer Uilliams nisi të vinte në dyshim nëse seleksionimi natyror e kishte këtë fuqi.26 Në vitin 1999, teoricieni evolucionist Xhefri Shvarc shkroi se ndoshta seleksionimi natyror po i ndihmon llojet të përshtaten me kushtet e ndryshueshme të jetesës, por nuk po krijon diçka të re.27

Vërtet, harabelorët e Darvinit nuk po bëhen ‘diçka e re’. Ata mbeten harabelorë. Dhe fakti që po kryqëzohen, ngjall dyshime për metodat që përdorin disa evolucionistë për të përcaktuar një lloj. Gjithashtu, informacioni për këta zogj nxjerr në shesh të vërtetën se edhe akademitë shkencore prestigjoze mund të jenë të anshme në paraqitjen e provave.

Miti 3. Fosilet provojnë se ka pasur ndryshime makroevolucioniste. Broshura e NAS-it, e përmendur më sipër, i krijon lexuesit përshtypjen se fosilet e gjetura nga shkencëtarët japin prova të mjaftueshme për makroevolucionin. Aty thuhet: «Janë zbuluar kaq shumë forma të ndërmjetme midis peshqve dhe amfibëve, midis amfibëve dhe zvarranikëve, midis zvarranikëve dhe gjitarëve, si edhe në linjën e primatëve, saqë shpesh është e vështirë të përcaktosh në mënyrë kategorike kur ndodh kalimi nga njëri lloj te tjetri.»28

Faktet. Deklarata e thënë me kaq bindje në broshurën e përmendur më sipër, është mjaft befasuese. Përse? Najëllz Eldrexhi, një evolucionist i flaktë, pranon se fosilet e gjetura tregojnë, jo se ka një grumbullim gradual ndryshimesh, por se në periudha të gjata kohe «në shumicën e llojeve kanë ndodhur pak ose aspak ndryshime evoluese». *29

Fosilet provojnë se të gjitha grupet kryesore të kafshëve u shfaqën papritur dhe nuk ndryshuan pothuajse fare

Deri më sot, shkencëtarët anembanë botës kanë nxjerrë nga toka dhe kanë klasifikuar rreth 200 milionë fosile të mëdha dhe një mori fosilesh të vogla. Shumë studiues janë dakord se ky mal dëshmish të hollësishme tregon se të gjitha grupet kryesore të kafshëve dolën papritur dhe mbetën thuajse fare të pandryshuara, ndërkohë që shumë lloje u zhdukën po aq papritur sa ç’erdhën në ekzistencë.

Evolucioni—Çështje «besimi»

Pse shumë evolucionistë të shquar këmbëngulin se makroevolucioni është një fakt? Riçard Leuontini, një evolucionist me influencë, shkroi hapur se shumë shkencëtarë janë gati të pranojnë pohime shkencore të pavërtetuara, sepse ‘kanë një detyrim kryesor: t’i qëndrojnë besnikë materializmit’. * Shumë shkencëtarë nuk pranojnë as të marrin në shqyrtim mundësinë e një Projektuesi inteligjent, sepse, siç shkruan Leuontini, «nuk mund të lejojmë të na shkelë në derë një këmbë hyjnore».30

Lidhur me këtë, në revistën Scientific American citohen fjalët e sociologut Rodni Stark: «Ka 200 vjet që propagandohet ideja që nëse dëshiron të jesh në anën e shkencës, duhet ta mbash mendjen të lirë nga vargonjtë e fesë.» Më tej, thuhet se në universitetet që merren me kërkime, «njerëzit fetarë e mbajnë gojën mbyllur».31

Që ta pranosh si fakt makroevolucionin, duhet të besosh se shkencëtarët agnosticistë dhe ateistë nuk i lënë bindjet e tyre personale të ndikojnë në interpretimin që u bëjnë zbulimeve shkencore. Duhet të besosh se mutacionet dhe seleksionimi natyror sollën të gjitha format e ndërlikuara të jetës, pavarësisht nga një shekull kërkimesh që tregon se mutacionet nuk kanë transformuar as edhe një lloj në një lloj krejt të ri. Duhet të besosh se të gjitha krijesat evoluan gradualisht nga një paraardhës i përbashkët, pavarësisht se mbetjet fosile tregojnë qartë se llojet kryesore të bimëve e të kafshëve u shfaqën papritur dhe nuk evoluan në lloje të tjera, edhe pse kaluan mijëvjeçarë të tërë. A të duket e bazuar në fakte apo në mite një bindje e tillë? Në fund të fundit, të mbështetësh teorinë e evolucionit do të thotë të kesh besim të verbër.

^ par. 3 Ndryshimet që mund të shkaktojnë rritësit e qenve, shpesh vijnë ngaqë disa gjene e humbin funksionin e tyre. Për shembull, trupi i vogël i qenit daks’hund është i tillë ngaqë kërcet nuk zhvillohen normalisht, dhe kjo çon në shkurtësi.

^ par. 6 Në këtë pjesë, fjala «lloj» shpesh është përdorur në kuptimin shkencor të këtij termi. Në Bibël, në librin e Zanafillës, kjo fjalë ka një kuptim shumë më të gjerë. Shpesh, ajo që shkencëtarët e quajnë evolucion i një lloji të ri, është thjesht çështje varietetesh brenda një «lloji» sipas konceptit të përdorur në tregimin e Zanafillës.

^ par. 8 Studiuesit thonë se edhe citoplazma e qelizës, membranat e saj dhe strukturat e tjera luajnë rol në veçoritë që do të ketë organizmi.

^ par. 9 Lënigu beson se jeta u krijua. Komentet e tij në këtë botim shprehin mendimin e tij dhe nuk përfaqësojnë mendimin e Institutit Maks Plank për Kërkime në Kultivimin e Bimëve.

^ par. 10 Eksperimentet me mutacione treguan njëri pas tjetrit se numri i formave të reja mutante zvogëlohej vazhdimisht, ndërkohë që shfaqeshin rregullisht mutantë të të njëjtit tip. Veç kësaj, më pak se 1 për qind e mutacioneve te bimët u zgjodhën për kërkime të mëtejshme dhe më pak se 1 për qind e këtyre mutacioneve të zgjedhura ishin të përshtatshme për t’u shfrytëzuar për qëllime tregtie. Por, nuk u krijua kurrë asnjë lloj krejtësisht i ri. Rezultatet në mbarështimin e kafshëve me anë të mutacioneve ishin edhe më të dobëta se te bimët, prandaj u hoq dorë plotësisht nga kjo metodë.

^ par. 21 Edhe ata pak shembuj nga fosilet që studiuesit i përmendin si provë për evolucionin, janë të debatueshëm. Shih faqet 22 deri në 29 të broshurës Origjina e jetës: Pesë pyetje që ia vlen t’i bësh, botuar nga Dëshmitarët e Jehovait.

^ par. 24 Në këtë kontekst, «materializmi» i referohet teorisë që thotë se çdo gjë në univers, ku përfshihen të gjitha format e jetës, erdhi në ekzistencë pa ndonjë ndërhyrje të mbinatyrshme.