Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Pse grindemi gjithnjë?

Pse grindemi gjithnjë?

KAPITULLI 2

Pse grindemi gjithnjë?

Në skenën hyrëse të këtij kapitulli, Rakela e ndez grindjen në tri mënyra. A mund t’i dallosh ato? Shkruaji përgjigjet më poshtë dhe pastaj krahasoji me kutinë  «përgjigjet» në faqen 20.

․․․․․

Është e mërkurë në darkë. Rakela 17-vjeçare i ka mbaruar punët që i kanë dhënë dhe më në fund e ka hak pak pushim. Ndez televizorin dhe rehatohet në kolltukun e saj të preferuar.

Pikërisht atë çast, te dera shfaqet mamaja dhe nuk duket e kënaqur.—Rakela! Pse rri kot para televizorit dhe nuk ndihmon motrën për detyrat e shtëpisë? Kurrë s’ta dëgjon fjalën!—thotë ajo.

—Filloi prapë,—murmurit Rakela aq sa të dëgjohet.

—Çfarë the?—ia kthen mamaja me duart në mes.

—Hiç mami,—thotë Rakela duke psherëtirë dhe duke shtrembëruar turinjtë e bezdisur.

Tani po që mamaja inatoset.—Mos më fol mua me atë ton!—i thotë.

—Po ti çfarë toni po përdor me mua?—ia kthen Rakela flakë për flakë.

Kaq e pati dhe pushimi . . . filloi prapë lufta.

A TË duket e njohur skena e mësipërme? A zihesh vazhdimisht me prindërit? Nëse po, ndalu pak dhe mendo për situatën. Cilat çështje shkaktojnë më shpesh grindje? Vër një shenjë ✔ te kutitë që vlejnë në rastin tënd ose shkruaj diçka tjetër përbri kutisë «Tjetër».

□ Orari i kthimit në shtëpi

□ Punët e shtëpisë

□ Qëndrimet

□ Seksi tjetër

□ Shoqëria

□ Veshja

□ Zbavitja

□ Tjetër

Cilado qoftë çështja, nga grindjet ndihesh keq edhe ti, edhe prindërit e tu. Sigurisht, edhe mund të kafshosh gjuhën e të bësh gjoja sikur je dakord për gjithçka që thonë prindërit. Por, a pret këtë Perëndia prej teje? Jo. Vërtet Bibla thotë ‘të nderosh atin dhe nënën tënde’. (Efesianëve 6:2, 3) Por, të nxit edhe të zhvillosh ‘aftësinë për të menduar’ e të përdorësh ‘fuqinë tënde për të arsyetuar’. (Proverbat 1:1-4; Romakëve 12:1) Kur e bën këtë, do të kesh se s’bën pikëpamje të forta, e këto nganjëherë ndryshojnë nga pikëpamjet e prindërve. Sidoqoftë, në familjet që zbatojnë parimet biblike, prindërit dhe fëmijët mund të komunikojnë me qetësi, edhe kur nuk janë të një mendjeje.​—Kolosianëve 3:13.

Si të shprehesh pa e kthyer një bisedë normale në luftë të hapur? Është kollaj të thuash: «Prindërit e kanë fajin. Në fund të fundit, ata më rrinë gjithnjë mbi kokë!» Por mendo: a mund t’i ndryshosh vërtet të tjerët, përfshirë edhe prindërit? Në fakt, i vetmi person të cilin e ke në dorë ta ndryshosh, është vetja jote. Por ji i sigurt se, po të bësh pjesën tënde për të qetësuar situatën, ka më shumë të ngjarë që prindërit të jenë të qetë dhe të të dëgjojnë kur do të thuash diçka.

Pra, le të shohim ç’mund të bësh ti për të shuar zjarrin. Zbato sugjerimet e mëposhtme dhe prindërit madje edhe ti vetë, mund të habiteni sa i aftë je bërë për të komunikuar.

Mendohu para se të përgjigjesh. Mos nxirr nga goja të parën gjë që të vjen kur ndihesh i sulmuar. Për shembull, ta zëmë se mamaja të thotë: «Pse nuk i lave enët? Kurrë s’ta dëgjon fjalën!» Një përgjigje rrufe mund të ishte: «Pse s’më lë rehat?» Por përdor aftësinë për të menduar. Përpiqu të kuptosh ndjenjat që qëndrojnë pas fjalëve të mamasë. Zakonisht, shprehjet që kanë fjalë të tilla, si «gjithmonë» dhe «kurrë» nuk duhen marrë fjalë për fjalë. Prapëseprapë, tregojnë se pas tyre fshihet një ndjenjë. Çfarë?

Mbase mamaja është e mërzitur, pasi mendon se po mban më tepër se ç’i takon nga punët e shtëpisë. Mbase ajo thjesht dëshiron ta sigurosh që ti e mbështet. Nëse është kështu, shprehja «pse s’më lë rehat» nuk të çon gjëkundi, veçse në grindje. Në vend të kësaj, pse të mos e qetësosh mamanë? Për shembull, mund të thuash: «E shoh që je e mërzitur, mami. Ja, tani do t’i laj enët.» Vetëm kujdes: mos fol me sarkazëm. Duke treguar mirëkuptim me përgjigjen tënde, ka shumë mundësi që mamaja të zbutet dhe të të tregojë ku qëndron problemi. *

Më poshtë shkruaj cilat shprehje të babait ose të mamasë mund të të nxehin, po ta lejosh veten.

․․․․․

Tani mendo një përgjigje që tregon mirëkuptim dhe merr parasysh ndjenjat që qëndrojnë pas fjalëve të prindërve.

․․․․․

Fol me respekt. Mikela ka mësuar nga përvoja sa e rëndësishme është mënyra si flet me të ëmën. «Pavarësisht nga problemi që po diskutojmë,—thotë ajo,—mami kapet gjithnjë me tonin e zërit tim.» Nëse edhe ty të ndodh shpesh kjo, mëso të flasësh qetë e ngadalë dhe mos shtrembëro turinjtë ose mos bëj ndonjë gjest tjetër që tregon bezdisje. (Proverbat 30:17) Nëse e ndien se po acarohesh, bëj në heshtje një lutje të shkurtër. (Nehemia 2:4) Natyrisht, qëllimi i lutjes nuk është të të vijë ndihmë nga qielli që «prindërit të të lënë rehat», por të ruash vetëkontrollin, e kështu të mos i hedhësh dru zjarrit.​—Jakovi 1:26.

Në hapësirën më poshtë, shkruaj disa reagime me fjalë ose pa fjalë që ti i ke si prirje, por që bën mirë t’i shmangësh.

Reagime me fjalë (ajo që thua):

․․․․․

Reagime pa fjalë (shprehjet e fytyrës dhe gjestet):

․․․․․

Dëgjo. Bibla thotë: «Në fjalët e shumta nuk mungon shkelja.» (Proverbat 10:19) Pra trego kujdes që t’i japësh babait ose mamasë mundësi të flasë dhe që të jesh shumë i vëmendshëm. Mos i ndërprit për të justifikuar veprimet e tua. Vetëm dëgjo. Pastaj, kur të kenë mbaruar, do të kesh boll mundësi të bësh pyetje dhe të thuash mendimin tënd. Nga ana tjetër, po të ngulësh këmbë dhe të përpiqesh me kokëfortësi ta thuash në çast mendimin tënd, vetëm sa mund t’i keqësosh gjërat. Edhe sikur të kesh më shumë për të thënë, mbase kjo është pikërisht ‘koha për të heshtur’.​—Eklisiastiu 3:7.

Ji gati të kërkosh falje. Është gjithnjë mirë të thuash «më fal» për ndonjë gjë që ke bërë, e cila ka shkaktuar mosmarrëveshje. (Romakëve 14:19) Madje mund të thuash se të vjen keq që ka një mosmarrëveshje midis jush. Po ta kesh të vështirë ta thuash ballë për ballë, provo t’i shprehësh ndjenjat me shkrim. Më tej, bëj më shumë nga ç’të kërkohet duke ndryshuar ato aspekte të sjelljes që ndezën grindjen. (Mateu 5:41) Për shembull, nëse ke lënë pas dore ndonjë punë shtëpie dhe kjo ishte shkëndija e grindjes, pse të mos i befasosh prindërit duke e bërë atë? Edhe sikur të mos e pëlqesh atë punë, a nuk është më mirë ta bësh, sesa të përballesh me pasojat që do të kesh kur prindërit të shohin se e ke lënë pas dore? (Mateu 21: 28-31) Mendo ç’dobi do të kesh po të bësh pjesën tënde që të ulësh tensionin mes teje dhe prindërve.

Familjet e suksesshme kanë mosmarrëveshje, por dinë t’i zgjidhin me qetësi. Vëri në praktikë sugjerimet e trajtuara në këtë kapitull dhe mbase do të arrish të diskutosh edhe tema më të vështira me prindërit, pa u grindur.

NË KAPITULLIN TJETËR:

A mendon se prindërit duhet të të japin më shumë liri? Nëse po, ç’mund të bësh?

[Shënimi]

^ par. 26 Për më shumë informacion, shih vëllimin 2, kapitulli 21.

SHKRIMI KYÇ

«Zemra e të drejtit mediton para se të përgjigjet.»​—Proverbat 15:28.

KËSHILLË

Kur të flasin prindërit, fike aparatin me të cilin po dëgjon muzikë, lëre mënjanë librin ose revistën që ke në dorë dhe vështroji në sy.

A E DIJE . . . ?

Kur përpiqesh ta zgjidhësh ose ta parandalosh mosmarrëveshjen, jeta do të bëhet më e lehtë për ty. Bibla thotë se njeriu «që sillet me dashamirësi, shpërblen shpirtin e vet».​Proverbat 11:17.

HAPAT QË DUA TË BËJ . . .

Një ndër sugjerimet e këtij kapitulli ku kam më shumë nevojë të punoj, është ․․․․․

Vendos që të nis ta zbatoj këtë sugjerim duke filluar nga (vër datën) ․․․․․

Pyetje që dua t’u bëj prindërve: ․․․․․

ÇFARË MENDON?

● Pse disa nga moshatarët e tu mendojnë se je i aftë vetëm nëse thua fjalën e fundit në një grindje?

● Pse për Perëndinë Jehova është i marrë ai që e ka zakon të grindet?​—Proverbat 20:3.

● Ç’dobi do të kesh ti po të bësh pjesën tënde që të ulësh tensionin mes teje dhe prindërve?

[Diçitura në faqen 18]

«Ndonjëherë mami thotë ‘më fal’ duke më përqafuar dhe sa gjë e bukur është kjo. Kështu mund të harrojmë ç’ndodhi. Edhe unë përpiqem të bëj po njësoj. Ia vlen ta lë pas krenarinë dhe të them me sinqeritet ‘më fal’, megjithëse të them të drejtën nuk është e lehtë.»​—Lorena

 [Kutia në faqen 20]

Përgjigjet

1. Sarkazma («Filloi prapë») vetëm sa ia shtoi mërzitjen mamasë.

2. Me anë të shprehjes së fytyrës (shtrembërimi i turinjve) Rakela vetëm sa nxiti grindjen.

3. Po t’ua kthesh flakë për flakë («Po ti çfarë toni po përdor me mua?») thuajse gjithnjë e keqëson situatën.

[Figura në faqen 19]

Të grindesh me prindin është si të vraposh në vend: do të harxhosh mjaft energji, por nuk do të arrish gjëkundi