Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Si të përshtatem kur njëri nga prindërit martohet përsëri?

Si të përshtatem kur njëri nga prindërit martohet përsëri?

KAPITULLI 5

Si të përshtatem kur njëri nga prindërit martohet përsëri?

MAMAJA * jote ndoshta ndihet shumë e lumtur ditën kur martohet përsëri. Kurse ti vetëm e (i) lumtur që s’mund të jesh. Pse? Martesa e dytë e një prindi të heq çdo shpresë se prindërit e tu të vërtetë do të bashkohen prapë. Kjo martesë mund të jetë e dhembshme sidomos, nëse bëhet pak pas vdekjes së një prindi të dashur.

Si u ndjeve kur njëri nga prindërit e tu u martua përsëri? Vër një shenjë ✔ përbri secilës prej ndjenjave që provove ti.

U ndjeva . . .

□ i lumtur

□ i pasigurt

□ i tradhtuar

□ xheloz ndaj njerkut

□ tradhtar, ngaqë ka filluar të më hyjë në zemër njerku

Kjo e fundit mund të vijë nga ndjenja e besnikërisë ndaj prindit që nuk ke. Cilado qoftë arsyeja, ndjenjat negative të përmendura më sipër, mund të të shtyjnë ta shfrysh dhembjen emocionale në mënyra të dëmshme.

Për shembull, ndoshta vazhdimisht përpiqesh t’ia nxish jetën njerkut. Madje mund të përpiqesh të futësh në sherr mamanë me njerkun, duke shpresuar që të ndahen. Megjithatë, një fjalë e urtë paralajmëron: «Ai që bën rrëmujë në shtëpinë e vet do të trashëgojë erën», domethënë do të mbetet pa gjë. (Proverbat 11:29, Diodati i Ri) Nuk ka pse të biesh në këtë grackë. Mund ta përballosh gjendjen e trazuar emocionale në mënyra më dobiprurëse. Le të shqyrtojmë disa shembuj.

Vështirësia I: Të pranosh autoritetin e njerkut

Nuk është e lehtë t’i nënshtrohesh autoritetit të njerkut. Kur të kërkon të bësh diçka, mund të tundohesh t’ia presësh: «Ti s’je babi (mami) im i vërtetë!» Një përgjigje e tillë ndoshta të jep njëfarë kënaqësie për momentin, por kjo nuk tregon pjekuri.

Nga ana tjetër, pranimi i autoritetit të njerkut është një mënyrë për të treguar se i ke vënë veshin këshillës biblike që «të rritesh në aftësitë për të menduar». (1 Kor. 14:20, The Holy Bible in the Language of Today, nga Uilliam Beku) Në fakt, njerku përmbush të njëjtat përgjegjësi që do të përmbushte edhe prindi i vërtetë, dhe për këtë meriton respektin tënd.​—Proverbat 1:8; Efesianëve 6:1-4.

Disiplina e njerkut zakonisht është shprehje e dashurisë dhe e merakut të tij për ty. (Proverbat 13:24) «Njerku na disiplinon,—thotë Ivona, 18 vjeçe,—por kjo pritet edhe nga baballarët e vërtetë. Mendoj se, nëse inatosem kur ai më këshillon, atëherë në njëfarë mënyre po them se nuk dua t’ia di për kujdesin që ka treguar për ne nga ana materiale dhe frymore gjatë viteve. Dhe kjo do të ishte mosmirënjohje.»

Megjithatë, mund të ketë raste kur me të drejtë mund të ankohesh. Nëse ndodh, trego se je ‘i rritur’ duke vepruar sipas asaj që thuhet te Kolosianëve 3:13: «Vazhdoni të duroni dhe të falni bujarisht njëri-tjetrin, edhe nëse ndokush ka shkak për t’u ankuar kundër një tjetri.»

Më poshtë shkruaj dy ose më shumë cilësi të mira që ka njerku.

․․․․․

Si të ndihmon mbajtja parasysh e cilësive të mira të njerkut që ta respektosh më shumë atë?

․․․․․

Vështirësia II: Të mësosh të ndash me të tjerët dhe të bësh lëshime

«Babi im u martua edhe dy herë të tjera,—sjell ndër mend Aroni 24—vjeçar.—E kisha të vështirë të ndieja dashuri për secilën nga këto familje të reja. Në fillim, për mua ata ishin veçse të huaj, por më thanë se duhet t’i doja. Nuk dija ç’të bëja.»

Edhe ti mund të hasësh vështirësi. Për shembull, mund të të duhet të heqësh dorë nga roli yt si fëmija i madh ose fëmija i vetëm. Nëse je djalë, për një kohë të gjatë mund ta kesh konsideruar veten si «burri i shtëpisë»​—një vend që tani e zë njerku. Ose mund të jesh në të njëjtën situatë si Ivona, që thotë: «Babi im nuk i kushtonte kurrë vëmendje mamit, kështu që isha mësuar ta kisha vetëm për vete. Por kur mami u martua prapë, njerku i kushtonte shumë vëmendje. Kalonin kohë së bashku e bisedonin dhe më dukej sikur po e largonte nga unë. Por dalëngadalë arrita të përshtatesha.»

Si mund të përshtatesh edhe ti si Ivona? «Arsyetueshmërinë tuaj le ta njohin të gjithë njerëzit»,—këshillon Bibla. (Filipianëve 4:5) Fjala e përkthyer «arsyetueshmëri», në gjuhën origjinale do të thotë «të hapësh rrugë» dhe përçon idenë e dikujt që nuk këmbëngul në të gjitha të drejtat e tij të ligjshme. Si mund ta zbatosh këtë këshillë? (1) Mos jeto me të kaluarën. (Eklisiastiu 7:10) (2) Ji i gatshëm për të ndarë me njerkun dhe fëmijët e tij. (1 Timoteut 6:18) (3) Mos i trajto si të huaj.

Në cilat nga pikat e mësipërme ke nevojë të përmirësosh? ․․․․․

Vështirësia III: Të përballosh trajtimin e anshëm

«Njerku i donte fëmijët e vet më shumë se mua dhe motrën time,—thotë Tara.—U blinte çdo gjë që u pëlqente për të ngrënë dhe u merrte filmat që donin. Bënte çdo gjë për t’u bërë qejfin.» Është e vështirë ta durosh këtë lloj trajtimi. Çfarë mund të të ndihmojë? Përpiqu të kuptosh përse njerku mund të mos ketë për ty të njëjtat ndjenja që ka për fëmijët e vet. Ndoshta arsyeja nuk është lidhja e gjakut, por fakti që kanë kaluar shumë gjëra bashkë. Fundja, edhe ti do më shumë prindin tënd, sesa njerkun.

Megjithatë, ka një ndryshim të madh midis trajtimit të barabartë dhe trajtimit të drejtë. Njerëzit kanë personalitete dhe nevoja të ndryshme. Prandaj, në vend që të merakosesh së tepërmi nëse njerku po të trajton njësoj si fëmijët e vet, përpiqu të kuptosh nëse ai po bën çmos që të të plotësojë nevojat.

Cilat nevoja të plotëson njerku?

․․․․․

Cilat nevoja mendon se nuk po t’i plotëson?

․․․․․

Nëse mendon se disa nevoja nuk po të plotësohen, pse të mos bisedosh me respekt me njerkun për këtë?

․․․․․

Durimi shpërblehet

Normalisht, duhet të kalojnë disa vjet para se të krijohet një besim i atillë, sa të ndiheni rehat me njëri-tjetrin në familjen e re. Vetëm atëherë zakonet dhe vlerat tuaja mund të ndërthuren e kështu të jetoni në harmoni. Prandaj, bëj durim! Mos prit që ta doni njëri-tjetrin sa hap e mbyll sytë ose të jeni një familje e vërtetë që në fillim.

Kur mamaja e Tomit u martua përsëri, ai nuk ndihej rehat, për të mos thënë më shumë. Mamaja e tij kishte katër fëmijë, kurse burri me të cilin u martua kishte tre. «Ziheshim, grindeshim, ishim të përçarë dhe në ankth të tmerrshëm»,—u shpreh Tomi. Si ia dolën mbanë? «Duke zbatuar parimet biblike, problemet u sheshuan.»

NË KAPITULLIN TJETËR:

Po nëse jeton me vëllezërit e motrat e tua, por ama të ngrenë nervat?

[Shënimi]

^ par. 3 Megjithëse i referohemi martesës së mamasë, parimi vlen edhe në rastet kur është babai ai që martohet për së dyti.

SHKRIMI KYÇ

«Më mirë se fillimi i një çështjeje është ajo që vjen pas saj. Më mirë kush është i durueshëm, se ai që ka frymën e fodullëkut.»​—Eklisiastiu 7:8.

KËSHILLË

Duke jetuar me fëmijët e njerkut, të cilët janë të seksit tjetër, mund të lindë ndonjë tërheqje seksuale. Prandaj, largoji mendimet që ngjallin dëshira seksuale dhe bëj kujdes që as veshja e as sjellja jote të mos jenë provokuese.

A E DIJE . . . ?

Edhe fëmijët e njerkut mund ta kenë të vështirë të përshtaten me familjen e re.

HAPAT QË DUA TË BËJ . . .

Do të përpiqem të rris respektin për njerkun duke kujtuar këto gjëra të mira që ka bërë për familjen (shkruaj dy gjëra pozitive): ․․․․․

Në rast se fëmijët e njerkut janë hundëpërpjetë me mua, mund të zbatoj parimin e Romakëve 12:21 duke vepruar si më poshtë: ․․․․․

Pyetje që dua t’i bëj prindit tim ose njerkut: ․․․․․

ÇFARË MENDON?

● Çfarë frike mund të kenë njerku ose fëmijët e tij nga bashkimi me familjen tënde?

● Pse është e rëndësishme t’i shohësh me largpamësi marrëdhëniet me familjen e re?

[Diçitura në faqen 38]

«Martesa e dytë e mamit përfundoi në divorc. Por, edhe sot e kësaj dite jam mjaft e lidhur me fëmijët e njerkut. Njohja me ta ka qenë një nga gjërat më të bukura që më ka ndodhur.»​—Tara

[Figura në faqen 39]

Të bashkosh dy familje është si të përziesh ujin me çimenton; kërkon kohë dhe punë, por në fund rezultati mund të jetë një masë e fortë dhe e qëndrueshme