Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Si ta shpjegoj pikëpamjen e Biblës për homoseksualizmin?

Si ta shpjegoj pikëpamjen e Biblës për homoseksualizmin?

KAPITULLI 23

Si ta shpjegoj pikëpamjen e Biblës për homoseksualizmin?

Gjatë ndarjes së çmimeve, spektatorët shpërthejnë në brohoritje të tërbuara kur dy aktore të famshme përshëndeten me një puthje pasionante. Shqyejnë sytë, por pastaj duartrokasin në shenjë përkrahjeje. Për homoseksualët ky është një triumf. Disa besojnë se është vetëm një mënyrë për të tërhequr vëmendje dhe për reklamë. Në ditët në vijim, kjo puthje do të transmetohet një më dy në lajmet televizive dhe do të kapë majat e suksesit në Internet.

SIÇ ilustrohet në skenën e mësipërme, të pakta janë ato ngjarje që bëjnë më shumë bujë në shtyp sesa kur një i famshëm a e famshme lë të nënkuptohet ose zbulohet se është gei, lezbike ose biseksual. Disa i lavdërojnë këta njerëz për guximin e tyre, kurse të tjerë i kritikojnë për shfrenimin. Midis këtyre dy pikëpamjeve, ka shumë që e konsiderojnë homoseksualizmin veçse një mënyrë jetese alternative. «Kur isha në shkollë,—thotë Danieli, 21 vjeç,—edhe nxënësit që nuk ishin homoseksualë thoshin se, nëse ishe kundër homoseksualizmit, ishe paragjykues dhe kritikues.»

Pikëpamjet për homoseksualizmin mund të ndryshojnë nga një brez në tjetrin dhe nga një vend në tjetrin. Por të krishterët nuk lëkunden «andej-këtej nga çdo erë mësimi». (Efesianëve 4:14) Përkundrazi, ata i përmbahen ngushtësisht pikëpamjes së Biblës.

Cila është pikëpamja e Biblës për homoseksualizmin? Nëse jeton sipas kodit moral të Biblës, si mund t’u përgjigjesh atyre që të etiketojnë si paragjykues, kritikues ose edhe homofobik? Shqyrto në vijim disa pyetje ose pohime dhe përgjigje të mundshme.

«Çfarë thotë Bibla për homoseksualizmin?»

«Bibla e thotë qartë se qëllimi fillestar i Perëndisë ishte që marrëdhëniet seksuale të ekzistonin vetëm midis një burri e një gruaje, dhe vetëm brenda lidhjes martesore. (Zanafilla 1:27, 28; Levitiku 18:22; Proverbat 5:18, 19) Kur flet kundër kurvërisë, Bibla e ka fjalën si për sjelljen e homoseksualëve ashtu edhe për sjelljen imorale të heteroseksualëve.» *​—Galatasve 5:19-21.

«Çfarë mendon ti për homoseksualizmin?»

«Nuk është se i urrej homoseksualët, por s’mund ta përkrah sjelljen e tyre.»

Mbaj parasysh: nëse udhëhiqesh nga kodi moral i Biblës, atëherë kjo është mënyra e jetesës që ke zgjedhur dhe kjo është e drejta jote. (Josiu 24:15) Mos të të vijë turp për pikëpamjen tënde.​—Psalmi 119:46.

«A nuk duhet që të krishterët t’i respektojnë të gjithë njerëzit, pavarësisht nga prirja e tyre seksuale?»

«Patjetër që po. Bibla thotë: ‘Nderoni njerëzit e çdo lloji’ ose siç e përkthen Today’s English Version: ‘Respektoni këdo.’ (1 Pjetrit 2:17) Pra, të krishterët nuk janë homofobikë. Ata u tregojnë dashamirësi të gjithë njerëzve, edhe homoseksualëve.»​—Mateu 7:12.

«A nuk nxit pikëpamja jote paragjykimin ndaj homoseksualëve?»

«Aspak. Unë nuk jam kundër njerëzve, por kundër sjelljes homoseksuale.»

Mund të shtosh: «Sa për ta krahasuar, unë kam vendosur edhe të mos pi duhan. Në fakt, vetëm ideja më duket e neveritshme. Por e zëmë se ti e pi duhanin dhe mendon ndryshe. Unë nuk do të të gjykoja ty për pikëpamjen që ke, ashtu siç jam i sigurt se as ti nuk do të më gjykoje për pikëpamjen time, apo jo? I njëjti parim vlen edhe për pikëpamjet tona të ndryshme për homoseksualizmin.»

«A nuk tha Jezui se duhet të jemi tolerantë? Atëherë, a nuk duhet të kenë të krishterët një pikëpamje tolerante ndaj homoseksualizmit?»

«Jezui nuk i inkurajoi dishepujt e tij të pranonin çfarëdolloj mënyre jetese. Përkundrazi, ai i mësoi se rruga e shpëtimit është e hapur për ‘këdo që tregon besim tek ai’. (Gjoni 3:16) Të tregosh besim te Jezui do të thotë të jetosh sipas kodit moral të Perëndisë, i cili i ndalon disa lloj sjelljesh​—përfshirë homoseksualizmin.»​—Romakëve 1:26, 27.

«Homoseksualët nuk mund ta ndryshojnë prirjen e tyre; ata kanë lindur ashtu.»

«Bibla nuk thotë gjë për shkaqet biologjike të homoseksualëve, megjithëse ajo thotë se disa vese janë të rrënjosura thellë. (2 Korintasve 10:4, 5) Edhe nëse disa priren të tërhiqen nga persona të të njëjtit seks, Bibla thotë se të krishterët nuk duhet të kryejnë akte homoseksuale.»

Sugjerim: Në vend që të ngecësh në një debat në lidhje me shkakun e dëshirave homoseksuale, thekso se Bibla e ndalon sjelljen homoseksuale. Për të bërë një krahasim, mund të thuash: «Shumë pretendojnë se shkaku i sjelljes së dhunshme mund të jetë gjenetik dhe prandaj disa priren të jenë të dhunshëm. (Proverbat 29:22) Po sikur kjo të ishte e vërtetë? Siç mund ta dish, Bibla i dënon shpërthimet e zemërimit. (Psalmi 37:8; Efesianëve 4:31) A mund ta quajmë të padrejtë këtë normë vetëm se disa mund të kenë prirjen të jenë të dhunshëm?»

«Si mund t’i thotë Perëndia një njeriu që tërhiqet nga i njëjti seks, që të largohet nga homoseksualizmi? Kjo duket mizore.»

«Ky arsyetim bazohet në konceptin e gabuar se njerëzit duhet të veprojnë sipas impulseve të tyre seksuale. Bibla u jep dinjitet qenieve njerëzore duke i siguruar se mund të zgjedhin të mos veprojnë siç ua diktojnë dëshirat e papërshtatshme seksuale, nëse vërtet duan.»​—Kolosianëve 3:5.

«Edhe pse vetë nuk je i tillë, duhet të ndryshosh pikëpamje për homoseksualizmin.»

«E zëmë se unë jam kundër bixhozit, kurse ti jo. A do të ishte e arsyeshme të këmbëngulje që unë të ndryshoja pikëpamje vetëm se miliona njerëz zgjedhin të luajnë bixhoz.»

Mbaj parasysh: Homoseksualët dhe shumica e njerëzve kanë disa parime etike që i bëjnë të dënojnë disa gjëra, si mashtrimin, padrejtësinë ose luftërat. Bibla i ndalon këto gjëra; ajo dënon edhe disa sjellje seksuale, përfshirë homoseksualizmin.​—1 Korintasve 6:9, 10.

Bibla nuk është e paarsyeshme dhe nuk nxit paragjykimin. Ajo thjesht i udhëzon ata që kanë dëshira homoseksuale, të bëjnë të njëjtën gjë që kërkohet nga heteroseksualët: ‘të ikin nga kurvëria’.​—1 Korintasve 6:18.

Fakti është që, miliona heteroseksualë që dëshirojnë t’u përmbahen normave biblike, ushtrojnë vetëkontroll pavarësisht nga tundimet që mund të hasin. Këtu futen edhe shumë beqarë pa shumë perspektivë për t’u martuar ose të martuar me dikë që nuk është në gjendje të kryejë marrëdhënie seksuale. Ata mund të jetojnë të lumtur edhe pa i plotësuar dëshirat seksuale. Edhe ata që kanë prirje homoseksuale mund të bëjnë të njëjtën gjë nëse duan vërtet t’i pëlqejnë Perëndisë.​—Ligji i përtërirë 30:19.

LEXO MË SHUMË PËR KËTË TEMË NË VËLLIMIN 2, KAPITULLI 28

NË KAPITULLIN TJETËR:

Disa vajza mendojnë se lidhja e tyre me të dashurin do të forcohet nëse bëjnë dashuri. Vështirë që kjo të ndodhë! Shihni përse.

[Shënimi]

^ par. 8 Termi biblik «kurvëri» i referohet jo vetëm aktit seksual, por edhe akteve të tilla si masturbimi i një personi tjetër ose seksi oral e anal.

SHKRIMI KYÇ

«Bëni, pra, të vdesin gjymtyrët e trupit tuaj në tokë në lidhje me kurvërinë, ndyrësinë, urinë seksuale, dëshirat e dëmshme dhe lakminë, që është idhujtari.»​—Kolosianëve 3:5.

KËSHILLË

Edhe pse sjellja e të tjerëve mund të të mërzitë, mos përdor atë lloj toni sikur ti ke të drejtë. Ata janë të lirë të zgjedhin atë që duan të besojnë, ashtu si edhe ti.

A E DIJE . . . ?

Në shekullin e parë, disa që para se të bëheshin të krishterë kishin kryer marrëdhënie homoseksuale, arritën të largoheshin nga ajo jetë e papastër dhe u bënë ‘të larë’ në sytë e Perëndisë.​—1 Korintasve 6:9-11.

HAPAT QË DUA TË BËJ . . .

Nëse dikush thotë se i ka ikur koha asaj që thotë Bibla për homoseksualizmin, unë do t’i them ․․․․․

Për ta bërë të qartë se unë jam kundër sjelljes homoseksuale dhe jo kundër vetë njerëzve homoseksualë, do të them ․․․․․

Pyetje që dua t’u bëj prindërve: ․․․․․

ÇFARË MENDON?

● Pse Perëndia ka të drejtën t’u vërë ligje morale njerëzve?

● Si nxjerr dobi duke zbatuar ligjet morale të Biblës?

[Diçitura në faqen 170]

«Një djalë në shkollë mendonte se isha e ligë ngaqë isha kundër mënyrës së tij të jetesës. Por kur i shpjegova se nuk isha kundër tij si person dhe kur kuptoi se nuk isha dakord jo vetëm me homoseksualizmin, por edhe me të gjitha format e imoralitetit, ai filloi të më respektonte e madje të më mbronte kur të tjerët më kundërshtonin.»​—Obri

[Kutia në faqen 168]

Ç’mund të thuhet për biseksualizmin?

Megjithëse haset te të dyja gjinitë, duket se biseksualizmi po bëhet gjithnjë e më i zakonshëm në radhët e vajzave. Për disa, është çështje kurioziteti. Lisa 26-vjeçare thotë: «Po të reklamosh nëpër filma, televizor dhe videoklipe vajza që puthen, adoleshentet do të tundohen ta provojnë, sidomos nëse nuk e shohin si të gabuar.»

Për disa të tjerë, me sa duket është çështje tërheqjeje. «Takova dy vajza biseksuale në një festë,—thotë Viki 13-vjeçare,—dhe më vonë një shoqe më tha se u pëlqeja. Pastaj, njërës prej tyre fillova t’i dërgoja mesazhe me celular dhe fillova të ndieja për të.»

A je ndier ndonjëherë kështu si Viki? Shumë do të të nxitnin që thjesht ta pranosh që të tërheqin edhe vajzat edhe djemtë dhe të vetëshpallesh si biseksual ose biseksuale. Megjithatë, duhet të jesh i vetëdijshëm se tërheqja nga i njëjti seks shpesh është veçse një fazë kalimtare. Këtë zbuloi edhe Viki. Po kështu edhe Lizeta 16-vjeçare. Ajo thotë: «U ndjeva më mirë kur fola me prindërit për atë që ndieja. Gjithashtu, në orët e biologjisë në shkollë mësova se gjatë viteve të adoleshencës nivelet hormonale mund të kenë luhatje të mëdha. Jam e bindur se, nëse të rinjtë do të kishin më tepër njohuri për trupin e tyre, do ta kuptonin se tërheqja nga i njëjti seks mund të jetë e përkohshme dhe nuk do të ishin nën presion për t’u bërë homoseksualë.»

Edhe nëse këto ndjenja nuk janë vetëm gjatë kësaj faze kalimtare të jetës, por të rrënjosura më thellë, kupto se Bibla të vë para një synimi të arritshëm: mund të zgjedhësh të mos veprosh sipas një dëshire të gabuar, cilado qoftë ajo.

[Figura në faqen 169]

Kur bëhet fjalë për pikëpamjen e shumicës, të krishterët kanë guximin të ecin kundër rrymës