Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Ç’të keqe ka të shkoj me dikë thjesht për seks?

Ç’të keqe ka të shkoj me dikë thjesht për seks?

KAPITULLI 26

Ç’të keqe ka të shkoj me dikë thjesht për seks?

«Të rinjtë lidhen sa për të provuar se deri ku mund të arrijnë me njëri-tjetrin dhe për të parë se me sa veta mund të bëjnë seks.»​—Peni.

«Djemtë flasin pa pikë problemi për këtë. Mburren se kanë një të dashur dhe se njëkohësisht bëjnë seks me shumë vajza të tjera.»​—Eduardi.

SHUMË të rinj sot mburren se bëjnë seks pa pasur lidhje emocionale. Disa madje mburren se kanë të njohur te të cilët shkojnë vetëm për seks, pa «kokëçarjet» e një lidhjeje romantike.

Mos u habit nëse të tundon një ide e tillë! (Jeremia 17:9) Eduardi që përmendëm më sipër, thotë: «Shumë vajza më kanë ftuar të bëj seks, dhe t’u rezistoj është lufta më e vështirë që duhet të bëj si i krishterë. Është e vështirë të thuash jo.» Ç’parime biblike duhet të mbash në mendje nëse të ftojnë thjesht për seks?

Pse është gabim të shkosh me dikë thjesht për seks?

Kurvëria është një mëkat kaq i rëndë, saqë ata që e praktikojnë, «nuk do ta trashëgojnë mbretërinë e Perëndisë». (1 Korintasve 6:9, 10) Sigurisht, kjo është e vërtetë edhe kur janë «të dashuruar», edhe kur shkojnë me njëri-tjetrin thjesht për seks. Që t’i rezistosh tundimit në të dyja rastet, duhet ta shohësh kurvërinë ashtu si e sheh Jehovai.

«Jam plotësisht e bindur se udha e Jehovait është mënyra më e mirë e jetesës.»​—Kerëni, Kanada.

«Mos harro se je djali ose vajza e dikujt, ke shumë miq dhe je pjesë e kongregacionit. Po të dorëzohesh, do t’i zhgënjesh të gjithë.»​—Piteri, Britani.

Duke e bërë tënden pikëpamjen e Jehovait për kurvërinë, do të arrish ‘të urresh të keqen’ edhe nëse është joshëse për mishin.​—Psalmi 97:10.

Shkrim i sugjeruar: Zanafilla 39:7-9. Vër re qëndrimin e patundur të Jozefit përballë tundimit seksual dhe çfarë e ndihmoi të mos dorëzohej.

Ji krenar për bindjet e tua

Nuk është e pazakontë që të rinjtë të mbrojnë me krenari një çështje së cilës i besojnë. Ke privilegjin të ngresh lart normat e Perëndisë me anë të sjelljes. Mos ki turp për pikëpamjen tënde për seksin para martese.

«Që në fillim bëje të qartë se ke parime morale.»​—Aleni, Gjermani.

«Djemtë që kisha në shkollë të mesme, e dinin kush isha dhe e dinin se kot sa të harxhonin frymën me mua.»​—Viki, Shtetet e Bashkuara.

Po të qëndrosh i patundur në bindjet e tua, tregon se po bëhesh një i krishterë i pjekur.​—1 Korintasve 14:20.

Shkrim i sugjeruar: Proverbat 27:11. Vër re se si veprimet e tua pozitive mund të prekin zemrën e Jehovait.

Ji i vendosur!

Të thuash jo është e rëndësishme. Por, disa mund ta keqkuptojnë refuzimin tënd e t’u duket sikur po bën si «e vështirë».

«Çdo gjë e jotja, duke filluar që nga mënyra si vishesh, si flet, me kë flet dhe si sillesh, duhet të tregojë qartë refuzimin tënd.»​—Xhoi, Nigeri.

«Duhet ta bësh të qartë se nuk do të dorëzohesh kurrë. Mos prano kurrë dhurata nga djem që përpiqen të të mbushin mendjen. Mund ta shfrytëzojnë këtë gjë kundër teje, sikur duhet t’u japësh diçka në shkëmbim.»​—Lara, Britani.

Jehovai do të të ndihmojë, nëse je i vendosur. Nisur nga përvoja e vet, psalmisti David tha për Jehovain: «Me atë që është besnik, ti do të veprosh me besnikëri.»​—Psalmi 18:25.

Shkrim i sugjeruar: 2 Kronikave 16:9. Vër re se Jehovai mezi pret t’i ndihmojë ata që duan të bëjnë atë që është e drejtë.

Tregohu largpamës

Bibla thotë: «Mendjehollë është ai që e sheh të keqen dhe fshihet.» (Proverbat 22:3) Si mund ta ndjekësh këtë këshillë? Duke u treguar largpamës.

«Qëndroju sa më larg njerëzve që flasin për këto gjëra.»​—Naomi, Japoni.

«Mos jep të dhëna personale siç është adresa ose numri i telefonit.»​—Diana, Britani.

Mendo me kujdes për të folurin, sjelljen, shoqëritë dhe vendet ku shkon. Pastaj pyet veten: «Mos pa dashje po jap shenja që mund të ndjellin propozime për seks?»

Shkrim i sugjeruar: Zanafilla 34:1, 2. Vër re se fakti që ishte në vendin e gabuar, solli pasoja tragjike për Dinën.

Mos harro: të shkosh me dikë thjesht për seks nuk është një çështje e thjeshtë në sytë e Perëndisë Jehova; nuk duhet të jetë e tillë as për ty. Duke qenë i vendosur për atë që është e drejtë, mund të mbash një ndërgjegje të pastër para Perëndisë dhe mund të ruash respektin për veten. Ashtu siç thotë një vajzë me emrin Karla, «pse ta lësh veten që dikush ‘të të shfrytëzojë’ sa për të plotësuar një dëshirë të çastit? Kujdesu për gjithçka që ke ruajtur me aq mund!»

NË KAPITULLIN TJETËR:

Ç’lloj vajzash thonë djemtë se janë vërtet tërheqëse për ta? Mund të habiteni nga përgjigjet e tyre.

SHKRIMI KYÇ

«Bëni çmos që në fund, të gjendeni prej [Perëndisë] të panjollë, të patëmetë dhe në paqe.»​—2 Pjetrit 3:14.

KËSHILLË

Puno me cilësitë e tua. (1 Pjetrit 3:3, 4) Sa më i mirë të jesh si njeri, aq më i mirë do të jetë personi të cilit do t’i pëlqesh.

A E DIJE . . . ?

Jehovai i krijoi marrëdhëniet seksuale si burim kënaqësie brenda martesës dhe dëshiron që t’i gëzosh pa keqardhjen, shqetësimet dhe pasiguritë që vijnë kaq shpesh si pasojë e kurvërisë.

HAPAT QË DUA TË BËJ . . .

Mund të imitoj vendosmërinë e Jozefit për të qëndruar moralisht i pastër, nëse ․․․․․

Nuk do të bëj gabimin që bëri Dina, nëse ․․․․․

Pyetje që dua t’u bëj prindërve: ․․․․․

ÇFARË MENDON?

● Përse janë të gabuara marrëdhëniet seksuale të paligjshme edhe pse mund të jenë joshëse?

● Ç’do të bësh nëse dikush të fton të bësh seks?

[Diçitura në faqen 185]

«Tregohu e vendosur! Kur një djalë më propozoi për seks, i thashë: ‘Ma hiq atë dorë nga supi!’ dhe ika duke e parë vëngër.»​—Elena

[Figura në faqen 187]

Nëse shkon me dikë thjesht për seks, i ul vlerën vetes