Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Pse nuk u pëlqej djemve?

Pse nuk u pëlqej djemve?

KAPITULLI 27

Pse nuk u pëlqej djemve?

Ai e di se të gjithë më admirojnë, pasi i kam thënë se u pëlqej edhe djemve të tjerë. Qeshi kur i thashë sa budallaqe janë disa nga shoqet e mia. E di edhe se jam e zgjuar, sepse e kam korrigjuar për disa gjëra që ka thënë. Çuditem pse akoma s’më ka ftuar të dalim bashkë.

Është tërheqëse, por duket kaq e cekët! S’më ka lënë të flas fare. Edhe kur flas, më korrigjon gjithnjë. Sapo e shoh, më vjen t’ia mbath.

A KE merak mos nuk u dukesh tërheqëse djemve? Shumë vajza merakosen, madje edhe ato që ti mendon që s’e kanë problem. Për shembull, mendo për Joanën. Ajo është e bukur, e zgjuar dhe e shkathët nga goja. Megjithatë thotë: «Shpesh, më duket sikur nuk u pëlqej djemve. Disa që kam pëlqyer, treguan njëfarë interesi për ca kohë, por pastaj as më flitnin me gojë!»

Çfarë i tërheq djemtë te një vajzë? Çfarë nuk i tërheq? Ç’mund të bësh që t’i tërheqësh vëmendjen një djali për së mbari?

Ç’duhet të bësh?

Njih mendjen dhe zemrën tënde. Pak pasi hyre në pubertet, me siguri filluan të të pëlqenin më tepër djemtë. Ndoshta të ka tërhequr më shumë se një djalë. Kjo është normale. Por, nëse do t’ia kishe falur menjëherë zemrën djalit të parë për të cilin ajo të rrahu fort, do të kishe rrezikuar të pengoje rritjen tënde emocionale e frymore. Duhet kohë që të zhvillosh tipare të mira të personalitetit, ‘të përtërish mendjen’, domethënë të kesh pikëpamjen e Perëndisë për çështje të rëndësishme, dhe të arrish disa synime të tuat.​—Romakëve 12:2; 1 Korintasve 7:36; Kolosianëve 3:9, 10.

Është e vërtetë se shumë djem pëlqejnë vajzat që ende nuk kanë formuar bindje të forta ose që janë naive. Por, këtyre djemve kryesisht u intereson trupi i vajzës, jo njeriu i brendshëm. E vërteta është se një djalë i ekuilibruar do të kërkojë një vajzë, cilësitë e mira të së cilës mund të plotësojnë personalitetin e tij.​—Mateu 19:6.

Ja çfarë thonë djemtë: «Më pëlqen kur një vajzë është në gjendje të formojë idetë e saj, kur duket e bindur se ka personalitetin e vet.»​—Xhejmsi.

«Do të më interesonte një vajzë që mund të shprehet me respekt e ndershmëri, jo një që thjesht është dakord me çdo gjë që them. Edhe sikur të jetë e bukur, nuk ndihem rehat me një vajzë që më thotë vetëm gjërat që dua të dëgjoj.»​—Dareni.

Çfarë mendon për komentet e djemve më sipër?

․․․․․

Zhvillo respekt për të tjerët. Ashtu siç ti ke nevojë që të të duan, djemtë që njeh kanë një dëshirë të thellë që t’i respektojnë. Nuk është rastësi që Bibla i thotë burrit se duhet të dojë gruan, kurse gruas se duhet të ketë «respekt të thellë» për burrin e saj. (Efesianëve 5:33) Në përputhje me këtë kuptueshmëri, një anketë me qindra djem zbuloi se mbi 60 për qind thanë se vlerësonin më tepër respektin se dashurinë. Mbi 70 për qind e burrave të anketuar, bënë të njëjtën zgjedhje.

Të tregosh respekt nuk do të thotë të dorëzohesh, domethënë të heqësh dorë nga e drejta për të pasur një mendim ndryshe e për ta shprehur. (Zanafilla 21:10-12) Por mënyra si e shpreh mendimin, ka të ngjarë të përcaktojë nëse do t’i pëlqesh apo jo një djali. Nëse gjithnjë e kundërshton ose e korrigjon kur flet, ai mund të mendojë se s’ke shumë respekt për të. Por, nëse tregon se e pranon pikëpamjen e tij dhe komenton për atë që të duket me vlerë, do të ketë më shumë të ngjarë që ta pranojë e ta vlerësojë mendimin tënd. Natyrisht, një i ri mendjemprehtë do të dallojë edhe nëse i trajton familjarët e tu dhe të tjerët me respekt.

Ja çfarë thonë djemtë: «Mendoj se respekti është gjëja më e rëndësishme në fillim të një lidhjeje. Dashuria mund të lindë më vonë.»​—Adriani.

«Nëse një vajzë mund të më tregojë respekt, mendoj se patjetër mund të më dojë.»​—Marku.

Çfarë mendon për komentet e djemve më sipër?

․․․․․

Vishu me modesti dhe mbaj një higjienë të mirë. Veshja e rregullimi janë si altoparlantë që u transmetojnë të tjerëve mendimet e tua të brendshme dhe qëndrimet e tua. Shumë kohë para se të fillosh të flasësh me një djalë, veshja jote i ka thënë tashmë shumë për ty. Nëse rrobat janë të rregullta e modeste, do t’u dërgojnë të tjerëve një mesazh shumë pozitiv. (1 Timoteut 2:9) Nëse janë provokuese ose të shkujdesura, mesazhi do të jetë i qartë, madje negativ.

Ja çfarë thonë djemtë: «Standardi që ka një vajzë në veshje tregon shumë për qëndrimin që ka ndaj jetës. Nëse vishet në mënyrë të shkujdesur ose me rroba që zbulojnë pjesë të trupit, kjo më thotë se vdes që ta vënë re.»​—Adriani.

«Më tërheq një vajzë që kujdeset për flokët, vjen erë të mirë dhe ka një zë qetësues. Në anën tjetër, edhe pse më tërhiqte një vajzë e bukur, higjiena e saj e keqe i dha fund gjithçkaje.»​—Rajani.

«Nëse një vajzë ka veshje provokuese, natyrisht që të tërheq fillimisht. Por nuk është ky lloji i vajzës me të cilën dua të lidhem.»​—Nikolasi.

Çfarë mendon për komentet e djemve më sipër?

․․․․․

Çfarë nuk duhet të bësh?

Mos flirto. Gratë kanë aftësinë të ushtrojnë një ndikim të jashtëzakonshëm te burrat. Kjo fuqi tërheqëse mund të përdoret për mirë e për keq. (Zanafilla 29:17, 18; Proverbat 7:6-23) Nëse e vë në provë këtë fuqi te çdo djalë që takon, do të të dalë nami si flirtuese.

Ja çfarë thonë djemtë: «Thjesht ulja afër një vajze tërheqëse dhe prekja e supeve, mund të jetë emocionuese. Prandaj, mendoj se një vajzë që vazhdimisht të prek ndërsa flet me ty, po flirton.»​—Nikolasi.

«Nëse një vajzë vazhdimisht gjen mënyra për t’i prekur krahun çdo djali që takon ose nëse i hedh vështrime lozonjare çdo mashkulli që kalon, mendoj se është flirtuese dhe nuk më tërheq.»​—Hozeja.

Mos ji shumë e ngjitur. Kur një çift martohet, bëhen «një mish i vetëm», siç e quan Bibla. (Zanafilla 2:24) Në atë fazë të lidhjes së tyre, burri e gruaja heqin dorë nga shumë liri që kishin si beqarë, dhe i përkushtohen njëri-tjetrit. (1 Korintasve 7:32-34) Por, nëse sapo ke filluar ta njohësh një djalë, s’ke të drejtë të presësh që ai të të japë llogari si të ishit të martuar, e po njësoj edhe ai. * Në fakt, kur ti e pranon që ai ka të drejtë të gëzojë shoqëri të tjera, ai mund të tërhiqet më shumë nga ti. Dhe mënyra si e përdor ai këtë liri do të të tregojë mjaft për karakterin e tij.​—Proverbat 20:11.

Ja çfarë thonë djemtë: «Mendoj se një vajzë po bëhet shumë e ngjitur nëse do të dijë çdo lëvizje timen dhe duket sikur s’mund të ketë një jetë shoqërore të vetën ose interesa të tjera përveç meje.»​—Dareni.

«Nëse një vajzë që kam takuar kohët e fundit, më dërgon vazhdimisht mesazhe dhe do të dijë me kë jam, sidomos emrin e çdo vajze të grupit, mendoj se është një shenjë paralajmëruese.»​—Rajani.

«Një vajzë që nuk të lë të kalosh kohë me shokët e tu dhe mërzitet kur nuk e fton gjithnjë, bëhet e varur ndaj teje dhe nuk është tërheqëse.»​—Adriani.

Çfarë mendon për komentet e djemve në këtë nëntitull?

․․․․․

Ji e vetëdijshme për vlerën tënde

Ndoshta njeh vajza që do të bënin gjithçka për të pasur vëmendjen dhe miratimin e një djali. Të tjera mund t’i ulin normat e tyre vetëm që të kenë një të dashur ose edhe një burrë. Por, parimi ‘atë që mbjell, do të korrësh’ zbatohet edhe në këtë rast. (Galatasve 6:7-9) Nëse nuk e vlerëson veten dhe normat sipas të cilave përpiqesh të jetosh, ka të ngjarë të tërheqësh djem që nuk të vlerësojnë as ty dhe as normat e tua.

E vërteta është se jo të gjithë djemve do t’u pëlqesh, dhe kjo mund të jetë gjë e mirë. Por nëse bën çmos të kujdesesh si për bukurinë e jashtme, ashtu edhe për atë të brendshme, do të kesh «vlerë të madhe në sytë e Perëndisë» dhe do të tërheqësh atë lloj djali që bën për ty.​—1 Pjetrit 3:4.

NË KAPITULLIN TJETËR:

Po nëse je djalë dhe pyet veten: «Pse nuk u pëlqej vajzave?»

[Shënimi]

^ par. 30 Natyrisht, kur një çift fejohet, me të drejtë kanë më shumë përgjegjësi ndaj njëri-tjetrit.

SHKRIMI KYÇ

«Nuri mund të jetë i rremë dhe bukuria e kotë, por gruaja që ka frikë nga Jehovai, do të marrë lëvdata.»​—Proverbat 31:30.

KËSHILLË

Mos e tepro me tualetin! Tualeti i ngarkuar mund të krijojë ide të gabuar: që je mendjemadhe ose kërkon patjetër vëmendjen e të tjerëve.

A E DIJE . . . ?

Nëse kërkon në mënyrë të vazhdueshme vëmendjen absolute të një djali, mund të dëmtosh miqësinë me të.

HAPAT QË DUA TË BËJ . . .

Cilësia që do të përpiqem të përmirësoj, është ․․․․․

Pyetje që dua t’u bëj prindërve: ․․․․․

ÇFARË MENDON?

● Si mund ta tregosh se i respekton mendimet dhe ndjenjat e një djali?

● Si mund të tregosh se e vlerëson veten?

[Diçitura në faqen 190]

«E pranoj se shpesh, më tërheqin fillimisht vajzat e bukura. Por kjo mund të shuhet shpejt, nëse vajza nuk ka synime të qarta e të vlefshme. Nga ana tjetër, nëse e di se çfarë dëshiron të bëjë me jetën e saj, sidomos nëse tashmë i ka arritur disa synime, kjo mund ta bëjë shumë tërheqëse.»​—Damiani

[Figura në faqen 191]

Dashuria dhe respekti janë si rrotat e biçikletës; të dyja janë të domosdoshme