Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Si ta kuptoj nëse është dashuri e vërtetë?

Si ta kuptoj nëse është dashuri e vërtetë?

KAPITULLI 29

Si ta kuptoj nëse është dashuri e vërtetë?

Përgjigjju pyetjeve të mëposhtme:

1. Si do ta përkufizoje «dashurinë»? ․․․․․

2. Si do ta përkufizoje një «dashuriçkë»? ․․․․․

3. Sipas teje, cili është ndryshimi midis të dyjave? ․․․․․

NDOSHTA e kishe pak ose aspak të vështirë t’u përgjigjeshe pyetjeve më sipër. Në fund të fundit, është e lehtë ta kuptosh ndryshimin midis dashurisë dhe dashuriçkës në teori.

Por e gjithë kjo mund të ndryshojë në momentin që sheh djalin ose vajzën e ëndrrave të tua. Papritur magjepsesh dhe asgjë tjetër nuk ka rëndësi. Ke rënë kokë e këmbë në dashuri. Por, a është vërtet kështu? Është dashuri apo dashuriçkë? Si mund ta kuptosh? Për këtë, le të shqyrtojmë në fillim se si mund të ketë ndryshuar gjatë viteve pikëpamja jote për seksin tjetër. Për shembull, shqyrto pyetjet e mëposhtme:

● Çfarë mendoje për seksin tjetër kur ishe 5 vjeç?

● Çfarë mendon për seksin tjetër tani?

Përgjigjet e tua ka të ngjarë të tregojnë se kur hyre në pubertet, fillove t’i shihje ndryshe ata të seksit tjetër. «Kam filluar të vë re që vajzat janë të lezetshme»,—thotë një 12-vjeçar me emrin Brajan. Elina, 16 vjeçe, kujton ndryshimin që ndodhi disa vjet më parë. Ajo shprehet: «Të gjitha shoqet filluan të flisnin për djemtë dhe mua më binte në kokë gati për çdo çun.»

Tani që e sheh me sy tjetër seksin e kundërt, si mund t’i përballosh këto ndjenja të forta? Në vend që t’i shpërfillësh ato, gjë që i intensifikon më shumë, mund të përfitosh nga kjo mundësi e mrekullueshme për të mësuar diçka për tërheqjen, dashuriçkën dhe dashurinë. Duke kuptuar ndryshimin mes këtyre tri ndjenjave, mund t’i kursesh vetes dhembje të panevojshme dhe, me kalimin e kohës, do të gjesh dashurinë e vërtetë.

TËRHEQJA Ajo që sheh

«Me shokët flasim gjithë kohën për vajzat. Përpiqemi të diskutojmë për gjëra të tjera, por sapo na kalon para një vajzë simpatike, e harrojmë fare për çfarë po flisnim.»​—Aleksi.

«Një çun që më sheh në sy, që ka një buzëqeshje të ngrohtë dhe një ecje të sigurt, më bie menjëherë në sy.»​—Lora.

Është normale të të tërheqin njerëzit e bukur. Problemi është që nuk janë gjithmonë ashtu si duken. Në fakt, pamja e jashtme mund të të mashtrojë. Bibla thotë: «Si një unazë ari në feçkën e një derri, kështu është një grua e bukur që e hedh poshtë gjykimin e shëndoshë.» (Proverbat 11:22) Sigurisht, i njëjti parim vlen edhe për djemtë.

DASHURIÇKA Ajo që ndien

«Më ra keq në kokë për një çun kur isha 12 vjeçe dhe kur e kapërceva, e kuptova pse më kishte pëlqyer. Të gjitha shoqet e mia e kishin mendjen te çunat, dhe ai ishte çun. Vetëm për këtë.»​—Elina.

«Më ka rënë në kokë për shumë goca, por te shumica prej tyre shihja vetëm anën e jashtme. Sapo kuptoja se si ishin përbrenda, e kuptoja që nuk përputheshim aq sa kisha menduar.»​—Marku.

Kur është një dashuriçkë, ndihesh si i dashuruar. Në të vërtetë, në dashuri përfshihen edhe ndjenjat romantike. Por baza e secilës prej tyre ndryshon komplet. Dashuriçka vjen nga një reagim sipërfaqësor ndaj karakteristikave të jashtme. Gjithashtu, është e verbër ndaj dobësive të tjetrit dhe ekzagjeron pikat e forta të tij ose të saj. Si rezultat, dashuriçka është aq e qëndrueshme sa ç’mund të jetë një kështjellë prej rëre. «Nuk zgjat shumë,—thotë një vajzë me emrin Fiona.—Një ditë mund të të ikë truri për dikë dhe pastaj pas një muaji ndien prapë të njëjtën gjë, por për një tjetër.»

DASHURIA Ajo që di

«Mendoj se në dashuri tërhiqesh nga dikush për një arsye, por për një arsye të mirë, jo egoiste.»​—Davidi.

«Për mendimin tim, dashuria e vërtetë duhet të zhvillohet me kalimin e kohës. Në fillim, jeni miq të mirë. Pastaj, pak nga pak, fillon të pëlqesh njeriun që ke njohur tek ai ose ajo dhe fillon të zhvillosh ndjenja që nuk i ke provuar kurrë më parë.»​—Xhudita.

Dashuria bazohet te një njohuri e mirëformuar për pikat e forta dhe pikat e dobëta të një njeriu. Prandaj s’është çudi që Bibla thotë se dashuria është më shumë se një ndjenjë. Ajo pohon se, ndër të tjera, dashuria është, «shpirtgjerë dhe mirëdashëse. . . . Mban çdo gjë, beson çdo gjë, shpreson çdo gjë, i qëndron çdo gjëje. Dashuria nuk shuhet kurrë.» (1 Korintasve 13:4, 7, 8) Dhe dashuria e bën njeriun të veprojë kështu duke u bazuar në njohuri, jo në besim të verbër ose në padije.

Shembull i dashurisë së vërtetë

Tregimi biblik i Jakobit dhe i Rakelës e ilustron në mënyrë të gjallë dashurinë e vërtetë. Ata u takuan te një pus ku Rakela kishte shkuar për t’u dhënë ujë deleve të të atit. Jakobit i pëlqeu sapo e pa. Pse? Sepse kishte «trup dhe fytyrë të bukur».—Zanafilla 29:17.

Megjithatë, mos harro se dashuria e vërtetë nuk bazohet vetëm te pamja e jashtme. Jakobi kuptoi se nuk ishte vetëm e bukur. Në fakt, Bibla thotë se shumë shpejt ai kaloi përtej fazës së tërheqjes. «Ishte i dashuruar me Rakelën.»​—Zanafilla 29:18.

A ishte ky fundi romantik i një historie dashurie? Jo, sepse historia nuk mbaroi me kaq. Babai i Rakelës e la Jakobin të priste shtatë vjet para se të martohej me Rakelën. E drejtë apo jo, dashuria e Jakobit tani po vihej në provë. Nëse do ishte vetëm një dashuriçkë, ai nuk do të kishte pritur. Vetëm dashuria e vërtetë mund ta kalojë sprovën e kohës. Po si vazhduan ngjarjet? Bibla thotë: «Jakobi shërbeu shtatë vjet për Rakelën, dhe nga dashuria që kishte për të, iu dukën vetëm pak ditë.»​—Zanafilla 29:20.

Ç’mund të mësosh nga shembulli i Jakobit dhe i Rakelës? Që dashuria e vërtetë mund ta kalojë sprovën e kohës. Gjithashtu, nuk bazohet vetëm në pamjen e jashtme. Në fakt, një partner i mundshëm për martesë mund të mos jetë mahnitës për ty që me shikim të parë. Barbara, për shembull, njohu një djalë që ajo pranon se nuk e tërhoqi shumë në fillim. «Por kur fillova ta njihja më mirë,—thotë ajo,—gjërat ndryshuan. Pashë shqetësimin e Stefanit për të tjerët dhe se si gjithmonë vinte interesat e të tjerëve para interesave të veta. Këto ishin cilësitë që e dija se i ka një bashkëshort i mirë. Më tërhoqi dhe fillova ta doja.» Ata patën një martesë të fortë.

Kur je aq i pjekur sa të njihesh me dikë me qëllim për t’u martuar, si ta kuptosh nëse ke gjetur dashurinë e vërtetë? Zemra mund të flasë, por ki besim te mendja e stërvitur sipas parimeve të Biblës. Njihe më mirë, shko përtej imazhit të jashtëm. Lër kohë që marrëdhënia të lulëzojë. Mos harro, dashuriçkat shpesh veniten brenda një kohe të shkurtër. Kurse dashuria e vërtetë rritet me kalimin e kohës dhe bëhet «një lidhje e përsosur bashkimi».​—Kolosianëve 3:14.

Të jesh i sigurt se mund ta gjesh këtë lloj dashurie​—nëse mëson të shohësh përtej tërheqjes (asaj që sheh) dhe dashuriçkës (asaj që ndien). Tri faqet në vazhdim do të të ndihmojnë ta bësh këtë.

LEXO MË SHUMË PËR KËTË TEMË NË VËLLIMIN 2, KAPITUJT 1 DHE 3

NË KAPITULLIN TJETËR:

E zëmë se ke gjetur dashurinë e vërtetë. Si ta kuptosh nëse je gati për t’u martuar?

SHKRIMI KYÇ

«Ujërat e shumta nuk munden ta shuajnë dashurinë, as lumenjtë ta marrin me vete.»​—Kënga e Solomonit 8:7.

KËSHILLË

Për të kuptuar se sa e njeh dikë që të duket tërheqës, përgjigjju pyetjeve në faqen 39 (për vajzat) dhe në faqen 40 (për djemtë) të vëllimit 2.

A E DIJE . . . ?

Të rinjtë që, si pa të keq, hyjnë e dalin nga lidhjet romantike, në njëfarë mënyre «po stërviten» për divorc pas martese.

HAPAT QË DUA TË BËJ . . .

Që të arrij të kuptoj nëse ndjenjat që kam për dikë janë shenjë e një dashuriçke apo e një dashurie, do të ․․․․․

Pyetje që dua t’u bëj prindërve: ․․․․․

ÇFARË MENDON?

● Pse i krijoi Perëndia njerëzit me ndjenja kaq të forta për seksin tjetër?

● Pse shumë lidhje «dashurie» në adoleshencë dështojnë?

[Diçitura në faqen 207]

«Dashuria mund t’i kapërcejë pengesat, kurse dashuriçka merr fund sapo ndryshojnë rrethanat ose dalin probleme. Duhet shumë kohë për të zhvilluar dashurinë e vërtetë.»​—Daniela

[Kutia në faqen 209]

Fletë pune

Çfarë do të bëje ti?

Mikeli dhe Xhudi shoqërohen prej tre muajsh dhe Xhudi thotë se ka rënë «kokë e këmbë në dashuri». Mikeli i rri mbi kokë për çdo gjë​—madje i tregon si të vishet dhe me kë mund të shoqërohet e me kë jo. E trajtonte si princeshë—​deri para një jave. Mikeli i dha një shpullë Xhudit kur «e kapi» duke folur me një djalë tjetër.

Ai thotë: «Xhudi duhet ta dijë që më tmerron ideja se mund ta humbas. Në fakt, vetëm mendimi se mund të ma marrë të dashurën një djalë tjetër, më çmend fare. Ndihem keq që i gjuajta. Por e bëra vetëm ngaqë nuk duroj dot as kur e shoh duke parë dikë tjetër. Pastaj, unë i kërkova edhe falje.»

Ajo thotë: «Prindërit më thonë se Mikeli më mban nën kontroll, por ai thjesht ka norma të larta. Dua të them, ai s’më ka detyruar kurrë të bëjmë diçka imorale. Dhe kur më gjuajti​—e këtë s’ua kam treguar prindërve—​në fakt, po flisja me një djalë tjetër. Mikeli bëhet xheloz, dhe kjo ndonjëherë më pëlqen. Gjithsesi, ai më kërkoi falje dhe më premtoi se nuk do ta bënte më.»

Tani, radha jote: A sheh shenja paralajmëruese në këtë marrëdhënie? Nëse po, cilat janë ato? ․․․․․

Çfarë duhet të bëjë Xhudi? ․․․․․

Çfarë do të bëje ti? ․․․․․

[Kutia në faqen 210]

Fletë pune

Çfarë do të bëje ti?

Etani po njihet me Elisën prej dy muajsh, dhe tashmë e ka parë sa grindavece është, sidomos me prindërit e vet. Në të vërtetë, Elisa grindet vazhdimisht me prindërit dhe zakonisht del e saja. Ajo është mjaft «e zonja» për të mbrojtur pikëpamjen e saj derisa prindërit tërhiqen të lodhur. Elisa i është mburrur Etanit se ‘i ka në dorë’ prindërit.

Ai thotë: «Elisa thotë gjithmonë atë që mendon. Ajo nuk pranon asgjë nga ato që i thonë të tjerët, madje as nga prindërit e saj. Babai i saj ndonjëherë bëhet i bezdisshëm. Ja pse ajo e humb toruan me të. Por të bërtiturat nuk janë e vetmja gjë që bën. Ajo qan, var buzët ose bëhet shumë e ëmbël, vetëm e vetëm të marrë atë që kërkon nga mami e babi.»

Ajo thotë: «Nuk dua t’ia di se kush je ose çfarë titulli ose pozite ke. Unë flas hapur, pa i sheqerosur shumë fjalët. I dashuri im, Etani, e di këtë. Më ka parë me prindërit e mi.»

Tani, radha jote: A sheh shenja paralajmëruese në këtë marrëdhënie? Nëse po, cilat janë? ․․․․․

Çfarë duhet të bëjë Etani? ․․․․․

Çfarë do të bëje ti? ․․․․․

[Kutia në faqen 211]

Fletë pune

Është dashuri apo dashuriçkë?

Përpiqu të gjesh fjalën që mungon në citimet e mëposhtme. Në vendet bosh shkruaj fjalën dashuri ose dashuriçkë.

1. «․․․․․ është e verbër dhe nuk i pëlqen të hapë sytë. Nuk i pëlqen të shohë realitetin.»​—Kalvini.

2. «Nëse më duhet të ndryshoj personalitetin tim kur jam me një vajzë që më tërheq, kjo quhet ․․․․․.»​—Tomasi.

3. «Mund të ketë ndonjë gjë që të bezdis tek ai njeri. Por nëse është ․․․․․, prapëseprapë do që të rrish me të dhe ta kapërcesh problemin.»​—Rajani.

4. «Kur është ․․․․․, të vetmet gjëra që dëshiron të marrësh parasysh, janë të përbashkëtat që keni.»​—Klaudia.

5. «Në një ․․․․․, nuk ke frikë të tregosh çfarë njeriu je.»​—Eva.

6. «․․․․․ është një mënyrë egoiste për të marrë atë që dëshiron—ndoshta vetëm për të thënë që ke të dashur.»​—Alisona.

7. «․․․․․ i sheh të metat dhe huqet dhe prapëseprapë mund t’i tolerojë.»​—Aprila.

8. «Kur është ․․․․․, nuk mund ta përcaktosh pse të tërheq—thjesht ndihesh ashtu.»​—Davidi.

9. «Kur është ․․․․․, personi tjetër është i pagabueshëm.»​—Çelsia.

10. «Kur është ․․․․․, nuk i sheh ata të seksit tjetër si më parë, sepse tani ke ndjenjën e besnikërisë.»​—Danieli.

Përgjigjet: Dashuriçkë: 1, 2, 4, 6, 8, 9. Dashuri: 3, 5, 7, 10.

[Figura në faqet 206, 207]

Dashuriçka është aq e qëndrueshme sa një kështjellë rëre​—pas pak kohe, dallgët e rrëzojnë