Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Ç’të keqe ka të pish me tepri?

Ç’të keqe ka të pish me tepri?

KAPITULLI 34

Ç’të keqe ka të pish me tepri?

Si do t’u përgjigjeshe pyetjeve më poshtë? Vër një shenjë ✔ në kutinë përbri përgjigjes që do të zgjedhësh.

A pi ndonjë nga shokët e tu edhe pse nuk ka mbushur moshën ose sipas mënyrës «binxh»?

□ Po □ Jo

A të kanë bërë ndonjëherë presion bashkëmoshatarët që të pish alkool?

□ Po □ Jo

Po ti a ke pirë ndonjëherë sipas mënyrës «binxh»?

□ Po □ Jo

NËSE je tunduar ndonjëherë të pish me tepri ose të pish edhe pse nuk ke mbushur moshën, nuk je i vetmi. Shumë të rinj abuzojnë me alkoolin. * Disa pinë sipas mënyrës binxh. Po çfarë është binxhi? Disa njerëz mendojnë se kjo është një mënyrë të piri thjesht për t’u dehur. Një raport i Institutit Kombëtar të SHBA-së për Abuzimin me Alkoolin dhe për Alkoolizmin, u përpoq të ishte më specifik. Raporti thoshte se binxhi «zakonisht përkufizohet si konsumimi i 5 a më shumë gotave rresht nga burrat dhe i 4 a më shumë gotave rresht nga gratë».

Por pyet veten: «A e kuptoj vërtet pse dua të pi dhe si mund të ndikojë alkooli tek unë?» Për shembull, a mendon se pohimet e mëposhtme janë të vërteta apo të rreme? Vër një shenjë në kutinë përbri përgjigjes tënde dhe pastaj kushtoju vëmendje fakteve.

a. Adoleshentët pinë vetëm sepse u pëlqen shija e alkoolit.

□ E vërtetë □ E rreme

b. Ngaqë janë të rinj e të shëndetshëm, adoleshentët kanë më pak efekte anësore nga abuzimi me alkoolin se të rriturit.

□ E vërtetë □ E rreme

c. Nuk vdes nga «binxhi».

□ E vërtetë □ E rreme

ç. Bibla e ndalon fare përdorimin e alkoolit.

□ E vërtetë □ E rreme

d. Të pirët «binxh» ndikon për keq vetëm te shëndeti.

□ E vërtetë □ E rreme

a. Adoleshentët pinë vetëm sepse u pëlqen shija e alkoolit.​—E rreme. Në një anketë për përdorimin e alkoolit në Australi, 36 për qind e të rinjve të pyetur thanë se pinin kryesisht për t’u pranuar nga moshatarët në aktivitetet shoqërore. Në Shtetet e Bashkuara, u zbulua se 66 për qind e të rinjve të anketuar pinin për shkak të presionit nga moshatarët. Megjithatë, më shumë se gjysma thanë edhe se pinin për të harruar problemet.

b. Ngaqë janë të rinj e të shëndetshëm, adoleshentët kanë më pak efekte anësore nga abuzimi me alkoolin se të rriturit.​—E rreme. «Kërkimet e reja hedhin idenë se konsumuesit e alkoolit në moshë të re, po e kërkojnë vetë rrezikun»,—thotë një artikull në revistën Discover. Pse? «Adoleshentët që pinë me tepri, mund të jenë duke shkatërruar një pjesë të mirë të kapacitetit të tyre mendor.»

Konsumimi i vazhdueshëm i alkoolit sjell gjithashtu si pasojë aknet, rrudhosjen e parakohshme të lëkurës, shtimin në peshë, varësinë nga alkooli dhe nga droga. Gjithashtu, mund të dëmtojë rëndë sistemin nervor, mëlçinë dhe zemrën.

c. Nuk vdes nga «binxhi».​—E rreme. Sasi të tepërta alkooli pengojnë furnizimin e trurit me oksigjen; proceset jetësore të trupit mund të fillojnë të mos funksionojnë si duhet. Ndër simptomat që mund të shfaqen janë: të vjellat, humbja e vetëdijes dhe frymëmarrja e ngadaltë ose e parregullt. Në disa raste mund të shkaktojë edhe vdekje.

ç. Bibla e ndalon fare përdorimin e alkoolit.​—E rreme. Bibla nuk e dënon pirjen e alkoolit dhe as nuk i ndalon të rinjtë që të argëtohen. (Psalmi 104:15; Eklisiastiu 10:19) Sigurisht, duhet të kesh mbushur moshën sipas ligjit që të pish alkool.​—Romakëve 13:1.

Megjithatë, Bibla paralajmëron kundër pirjes me tepri. «Vera sjell tallje dhe pija dehëse e bën njeriun të zhurmshëm. Kushdo që e humbet rrugën prej saj, nuk është i mençur»,—thuhet te Proverbat 20:1. Alkooli mund ta bëjë dikë të sillet në një mënyrë që të tjerët ta tallin. Është e vërtetë se për një çast mund të të sjellë kënaqësi, por po ta teprosh, «kafshon si një gjarpër», duke të të sjellë shumë probleme.​—Proverbat 23:32.

d. Të pirët «binxh» ndikon për keq vetëm te shëndeti.​—E rreme. Po të dehesh, mund të biesh lehtë pre e sulmeve fizike e madje edhe e përdhunimit. Njëkohësisht, mund të jesh një rrezik për të tjerët, duke u përfshirë në sjellje që janë jashtë karakterit tënd. Bibla paralajmëron që nëse pi me tepri, «nuk do të jesh në gjendje të mendosh ose të flasësh me kthjelltësi». (Proverbat 23:33, Today’s English Version) Me pak fjalë, do të të bëjë të dukesh i pamend. Pasoja të tjera të dhembshme mund të jenë: miqësi të rrënuara, rendiment i ulët në shkollë e në punë, dosje penale dhe varfëri.​—Proverbat 23:21.

Ç’është më e rëndësishmja, duhet të marrësh parasysh si mund ta dëmtojë pirja me tepri marrëdhënien tënde me Perëndinë. Perëndia Jehova do që t’i shërbesh me «gjithë mendjen tënde» e jo me një mendje të dëmtuar më kot nga teprimi me alkoolin. (Mateu 22:37) Fjala e Perëndisë dënon jo vetëm ‘teprimet në verë’, por edhe ‘garat në të pirë’. (1 Pjetrit 4:3) Prandaj, të pish sipas mënyrës binxh është kundër vullnetit të Krijuesit. Një teprim i tillë, mund të bëhet pengesë për një marrëdhënie të ngushtë me Perëndinë.

Çfarë do të zgjedhësh?

A do t’i ndjekësh pa e vrarë mendjen moshatarët e tu që abuzojnë me alkoolin? «A nuk e dini,—thotë Bibla—se po të vazhdoni t’ia paraqitni veten dikujt si skllav që t’i bindeni, jeni skllav i tij ngaqë i bindeni?» (Romakëve 6:16) A dëshiron vërtet të bëhesh skllav i moshatarëve të tu ose i alkoolit?

Çfarë të bësh nëse tashmë ke rënë në grackën e binxhit? Kërko menjëherë ndihmë duke folur me një prind ose me një mik të pjekur. Lutju Perëndisë Jehova dhe përgjëroju për ndihmë. Në fund të fundit, ai është «ndihmë që gjendet me lehtësi gjatë vuajtjeve». (Psalmi 46:1) Meqë binxhi dhe pirja e alkoolit nën moshën e lejuar shpesh vijnë si pasojë e presionit nga moshatarët, mund të të duhet të bësh ndryshime thelbësore në zgjedhjen e miqve. * Nuk do ta kesh të lehtë, por me ndihmën e Jehovait mund t’ia dalësh mbanë.

NË KAPITULLIN TJETËR:

Varësia ndaj drogës mund të mposhtet. Zbulo se si.

[Shënimet]

^ par. 10 Shih kutinë  «cilët e praktikojnë?» në faqen 249.

^ par. 32 Për më shumë informacion, shih kapitujt 8 dhe 9 të këtij libri dhe kapitullin 15 të vëllimit 2.

SHKRIMI KYÇ

‘Pijaneci . . . do të bjerë në varfëri.’​—Proverbat 23:21.

KËSHILLË

Identifiko arsyet pse dëshiron të pish alkool. Pastaj përpiqu të mendosh për mënyra të tjera më të shëndetshme si të zbavitesh ose si të largosh ndjenjat dëshpëruese.

A E DIJE . . . ?

Sipas një studimi të bërë në SHBA, «ata që praktikonin shpesh binxhin, kishin tetë herë më shumë të ngjarë, sesa ata që nuk e praktikonin, që të linin orët e mësimit, të mbeteshin prapa me mësime, të pësonin dëmtime fizike dhe të shkaktonin dëme materiale».

HAPAT QË DUA TË BËJ . . .

Nëse bashkëmoshatarët më ftojnë të pi alkool me tepri, do t’u them ․․․․․

Pyetje që dua t’u bëj prindërve: ․․․․․

ÇFARË MENDON?

● Pse moshatarët e tu duan që edhe të tjerë të abuzojnë me alkoolin bashkë me ta?

● A do të të bëjë abuzimi me alkoolin tërheqës për seksin tjetër dhe pse mendon kështu?

[Diçitura në faqen 250]

«Kur shokët e shkollës më ofrojnë alkool, u them se nuk kam nevojë për të që të zbavitem.»​—Marku

[Figura në faqen 249]

 Cilët e praktikojnë?

Sipas një studimi me nxënës të shkollave në Angli, Skoci dhe Uells, gati një e katërta e 13 dhe 14-vjeçarëve «u shprehën se kishin kthyer së paku pesë gota me alkool njëra pas tjetrës». Rreth gjysma e 15 dhe 16-vjeçarëve të anketuar, pohuan të njëjtën gjë. Sipas Departamentit Amerikan të Shëndetësisë dhe të Shërbimeve Publike «rreth 10,4 milionë adoleshentë të moshës 12 deri 20 vjeç thanë se pinin alkool. Nga këta, 5,1 milionë pinin sipas mënyrës binxh dhe 2,3 milionë prej këtyre të fundit pinin rëndshëm dhe e praktikonin këtë zakon të paktën pesë herë në muaj.» Një studim i bërë në Australi zbuloi se në këtë vend, më shumë sesa djemtë, janë vajzat ato që praktikojnë binxhin duke konsumuar 13 deri 30 gota njëra pas tjetrës.

[Figura në faqen 251]

Alkooli mund të kafshojë si një gjarpër