Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

MËSIMI 8

Pse vishemi mirë për mbledhje?

Pse vishemi mirë për mbledhje?

Islandë

Meksikë

Guineja-Bisau

Filipine

A ke vënë re në fotografitë e kësaj broshure sa mirë vishen Dëshmitarët e Jehovait kur ndjekin mbledhjet e kongregacionit? Pse i kushtojmë kaq shumë vëmendje veshjes dhe mënyrës si mbahemi?

Që të tregojmë respekt për Perëndinë tonë. Është e vërtetë se Perëndia sheh më thellë se pamja. (1 Samuelit 16:7) Megjithatë, kur mblidhemi që ta adhurojmë, duam nga zemra të tregojmë respekt për të dhe për bashkëbesimtarët. Nëse do të dilnim para një gjykatësi, ka shumë të ngjarë që do t’i kushtonim vëmendje paraqitjes sonë nga respekti për pozitën e tij. Po ashtu, kur ndjekim mbledhjet, paraqitja jonë tregon nderim për ‘Gjykatësin e gjithë tokës’, Perëndinë Jehova, dhe për vendin ku e adhurojmë.—Zanafilla 18:25.

Që të pasqyrojmë vlerat sipas së cilave jetojmë. Bibla na nxit të vishemi «me modesti dhe mendje të shëndoshë». (1 Timoteut 2:9, 10) Të vishemi «me modesti» do të thotë të mos zgjedhim veshje me të cilat mund të tërheqim vëmendjen te vetja ngaqë bien tepër në sy, janë provokuese ose zbulojnë pjesë të papërshtatshme të trupit. Veç kësaj, ‘mendja e shëndoshë’ na ndihmon të zgjedhim veshje tërheqëse që nuk janë të shkujdesura a ekstravagante. Gjithsesi, këto parime lënë vend për një larmi të pafund zgjedhjesh personale. Edhe pa nxjerrë asnjë fjalë nga goja, pamja jonë tërheqëse e me shije mund ‘të stolisë mësimin e Shpëtimtarit tonë’ dhe ‘t’i japë lavdi Perëndisë’. (Titit 2:10; 1 Pjetrit 2:12) Pra, duke u veshur mirë për mbledhje, ndikojmë në mënyrën si e shohin të tjerët adhurimin e Jehovait.

Veshja nuk ka pse të të pengojë të ndjekësh mbledhjet në Sallën e Mbretërisë. Rrobat tona s’ka nevojë të jenë të shtrenjta e luksoze që të jenë të përshtatshme, të pastra e të hijshme.

  • Sa e rëndësishme është mënyra si vishemi kur adhurojmë Perëndinë?

  • Cilat parime na udhëheqin kur zgjedhim si do të vishemi dhe do të mbahemi?