Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

MËSIMI 24

Si financohet vepra jonë mbarëbotërore?

Si financohet vepra jonë mbarëbotërore?

Nepal

Togo

Britani

Çdo vit organizata jonë boton dhe shpërndan qindra milionë Bibla e botime të tjera pa pagesë. Ndërtojmë dhe mirëmbajmë Salla Mbretërie e zyra dege. Mbështetim financiarisht mijëra bethelitë dhe misionarë, si edhe sigurojmë ndihmë në raste katastrofash. Ndoshta pyet veten: «Si financohen të gjitha këto?»

Nuk kërkojmë të dhjeta, kuota dhe nuk mbledhim pará. Pavarësisht nga shpenzimet e mëdha që bëhen për të mbështetur veprën tonë të ungjillëzimit, ne nuk kërkojmë para. Më se një shekull më parë, numri i dytë i revistës Kulla e Rojës thoshte se jemi të bindur se kemi mbështetjen e Jehovait dhe ‘as do të kërkojmë e as do të lypim mbështetjen e njerëzve’. Kështu kemi bërë vërtet.—Mateu 10:8.

Vepra jonë mbështetet me kontribute vullnetare. Shumë njerëz e vlerësojnë veprën tonë të arsimimit biblik dhe kontribuojnë për të. Vetë Dëshmitarët japin me gëzim nga koha, energjitë, të ardhurat e gjithçka tjetër që të bëhet vullneti i Perëndisë në tërë tokën. (1 Kronikave 29:9) Në Sallën e Mbretërisë dhe në asamble e kongrese ka kuti kontributesh ku mund të kontribuojnë ata që dëshirojnë. Këto kontribute mund të bëhen edhe me anë të sitit jw.org. Pjesa më e madhe e parave të mbledhura vijnë nga njerëz me të ardhura të pakta, ashtu si vejusha nevojtare që hodhi dy qindarka në arkën e thesarit të tempullit, të cilën Jezui e lavdëroi. (Luka 21:1-4) Pra, gjithkush mund «të vërë diçka mënjanë» rregullisht, që të japë «ashtu si ka vendosur në zemër».—1 Korintasve 16:2; 2 Korintasve 9:7.

Jemi të bindur se Jehovai do të vazhdojë të nxitë zemrat e atyre që duan ‘ta nderojnë me gjërat e tyre me vlerë’ për të mbështetur veprën e Mbretërisë, që të përmbushet vullneti i tij.—Proverbat 3:9.

  • Ku ndryshon organizata jonë nga fetë e tjera?

  • Si përdoren kontributet vullnetare?