Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

MËSIMI 3

Rahaba kishte besim te Jehovai

Rahaba kishte besim te Jehovai

Ta zëmë se jemi në qytetin e Jerikosë. Ky qytet është në Kanaan, një vend ku njerëzit nuk kanë besim te Jehovai. Këtu jeton një grua me emrin Rahabë.

Kur ishte e vogël, Rahaba kishte dëgjuar se si Moisiu kishte ndarë Detin e Kuq dhe i kishte drejtuar izraelitët kur dolën nga Egjipti. Gjithashtu, kishte dëgjuar se si Jehovai i kishte ndihmuar të fitonin luftërat kundër armiqve. Tani, ajo merr vesh se izraelitët kanë ngritur kampin afër Jerikosë.

Rahaba i mbrojti dy burrat izraelitë sepse kishte besim te Jehovai

Një mbrëmje, dy izraelitë shkojnë në Jeriko për të mësuar më shumë për qytetin. Ata shkojnë te shtëpia e Rahabës. Ajo i fton të hyjnë dhe të qëndrojnë. Po atë mbrëmje, mbreti i Jerikosë zbulon se ata janë në qytet dhe kanë shkuar te shtëpia e Rahabës. Prandaj, dërgon disa burra për t’i kapur. Rahaba i fsheh dy burrat në tarracën e shtëpisë dhe u thotë të dërguarve të mbretit: ‘Burrat ishin këtu, por tashmë kanë ikur nga qyteti. Nëse shkoni tani, mund t’i kapni!’ A e di pse po i mbron Rahaba? . . . Sepse ajo ka besim te Jehovai dhe e di se ai do t’ua japë izraelitëve vendin e Kanaanit.

Para se të largohen nga shtëpia e Rahabës, dy burrat i premtojnë se ajo do të shpëtojë bashkë me familjen kur Jerikoja të shkatërrohet. A e di çfarë i thonë asaj të bëjë? . . . I thonë: ‘Merre këtë litar të kuq dhe vare jashtë dritares. Atëherë, të gjithë ata brenda shtëpisë sate do të shpëtojnë.’ Rahaba bën tamam siç i thonë. A e di çfarë ndodh më pas? . . .

Jehovai e shpëtoi Rahabën dhe familjen e saj

Disa ditë më vonë, izraelitët marshojnë përreth qytetit pa zhurmë. Për gjashtë ditë marshojnë përreth qytetit, një herë në ditë. Por, ditën e shtatë marshojnë përreth qytetit shtatë herë. Pastaj të gjithë bërtasin me zë të lartë. Jehovai i rrëzon muret përreth qytetit. Por, shtëpia me litarin e kuq në dritare nuk rrëzohet, edhe pse ishte ndërtuar në murin e qytetit. A e sheh në figurë? . . . Rahaba dhe familja e saj shpëtojnë!

Çfarë mund të mësosh nga Rahaba? . . . Rahaba kishte besim te Jehovai ngaqë kishte mësuar shumë gjëra të bukura për të. Edhe ti po mëson shumë gjëra të bukura për Jehovain. A ke besim tek Ai ashtu si Rahaba? . . . Jemi të sigurt se po.