Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

KAPITULLI 4

Jehovai lartëson emrin e tij

Jehovai lartëson emrin e tij

KU PËRQENDROHET KAPITULLI

Populli i Perëndisë i jep rëndësinë e merituar emrit hyjnor

1, 2. Si e lartëson emrin e Perëndisë Përkthimi Bota e Re?

 E MARTË, 2 dhjetor 1947. Mëngjesi ishte me diell e i ftohtë. Një grup i vogël vëllezërish të mirosur të Bethelit të Bruklinit, Nju-Jork, nisën një projekt madhështor. Ishte punë e vështirë, por për 12 vjet nuk u dorëzuan. Më në fund, të dielën e 13 marsit 1960 përfunduan tekstin e një përkthimi të ri të Biblës. Tre muaj më vonë, më 18 qershor 1960, para një auditori të emocionuar vëlla Nejthën Nori prezantoi vëllimin e fundit të Shkrimeve të Shenjta—Përkthimi Bota e Re, në një kongres në Mançester, Angli. Vëlla Nori i shprehu më së miri ndjenjat e gjithë të pranishmëve me fjalët: «Sot është ditë hareje për Dëshmitarët e Jehovait në mbarë botën!» Arsye e fortë për t’u gëzuar ishte një veçori e jashtëzakonshme e përkthimit të ri: përdorimi i emrit të Perëndisë sa herë shfaqej në tekstin origjinal të Biblës.

Përkthimi Bota e Re i Shkrimeve të Krishtere Greke u prezantua në vitin 1950, në asamblenë «Rritja e teokracisë» (Majtas: Stadiumi Jenki, qyteti i Nju-Jorkut; djathtas: Ganë)

2 Shumë përkthime të Biblës nuk e shkruajnë emrin e Zotit. Por shërbëtorët e mirosur të Jehovait iu kundërvunë taktikës së Satanait për ta fshirë emrin e Perëndisë nga kujtesa e njerëzimit. Përkthimi Bota e Re thoshte në hyrje: «Veçoria parësore e këtij përkthimi është rivendosja e emrit të Perëndisë në vendin e duhur.» Në fakt, Përkthimi Bota e Re e përdor emrin e Perëndisë Jehova më shumë se 7.000 herë. Ky përkthim ka lartësuar në mënyrë të jashtëzakonshme emrin e Jehovait, Atit tonë qiellor!

3. (a) Çfarë kuptuan vëllezërit tanë për domethënien e emrit të Perëndisë? (b) Si duhet kuptuar Dalja 3:13, 14? (Shih kutinë « Domethënia e emrit të Zotit».)

3 Në vitet e para Studentët e Biblës mendonin se emri i Perëndisë kishte kuptimin «Unë jam ai që jam». (Dal. 3:14, King James Version) Ndaj, Kulla e Rojës e 1 janarit 1926 (angl.) thoshte: «Emri Jehova përfaqëson vetekzistuesin, . . . të Vetmin që nuk ka as fillim e as fund.» Sidoqoftë, para se përkthyesit e Përkthimit Bota e Re të nisnin punën, Jehovai e kishte ndihmuar popullin e vet të kuptonte se emri i tij nuk tregon thjesht se ai vetekziston por, mbi të gjitha, se është Perëndi i qëllimit dhe i veprimit. Ata mësuan se emri Jehova fjalë për fjalë do të thotë «Ai shkakton të bëhet». Po, ai ka shkaktuar që universi dhe krijesat me intelekt të vijnë në jetë dhe vazhdon të shkaktojë që vullneti dhe qëllimi i tij të realizohen. Pse, atëherë, është kaq e rëndësishme që emri i Perëndisë të lartësohet dhe si mund ta lartësojmë?

Shenjtërimi i emrit të Perëndisë

4, 5. (a) Çfarë kërkojmë kur lutemi: «U shenjtëroftë emri yt.» (b) Kur dhe si do ta shenjtërojë Perëndia emrin e tij?

4 Jehovai dëshiron që emri i tij të lartësohet. Faktikisht, qëllimi i tij kryesor është të shenjtërojë emrin e tij, siç duket nga kërkesa e parë e Jezuit në lutjen model: «U shenjtëroftë emri yt.» (Mat. 6:9) Për çfarë lutemi kur bëjmë këtë kërkesë?

5 Siç mësuam në kapitullin e parë të këtij libri, kërkesa «u shenjtëroftë emri yt» është një nga tri kërkesat e lutjes model të Jezuit që lidhen me qëllimin e Jehovait. Dy të tjerat janë: «Ardhtë mbretëria jote. U bëftë vullneti yt.» (Mat. 6:10) Prandaj, ashtu siç i kërkojmë Jehovait të shkaktojë që Mbretëria të vijë dhe të bëhet vullneti i tij, i kërkojmë Jehovait edhe të veprojë për të shenjtëruar emrin e tij. E thënë ndryshe, i lutemi Jehovait që të pastrojë emrin e tij nga gjithë sharjet që i janë bërë qysh nga rebelimi në Eden. Si do t’i përgjigjet Jehovai kësaj lutjeje? Ai thotë: «Unë kam për ta shenjtëruar emrin tim të madh, që u përdhos midis kombeve.» (Ezek. 36:23; 38:23) Kur të heqë gjithë ligësinë në Harmagedon, Jehovai do ta shenjtërojë emrin në sy të gjithë krijimit.

6. Si mund ta shenjtërojmë emrin e Perëndisë?

6 Përgjatë historisë, Jehovai i ka lejuar shërbëtorët e tij të marrin pjesë në shenjtërimin e emrit të tij. Kuptohet që nuk mund ta bëjmë më të shenjtë emrin e Perëndisë. Ai tashmë është i shenjtë në kuptimin absolut. Si mund ta shenjtërojmë atëherë? Isaia thotë: «Jehovain e ushtrive, Atë duhet të shenjtëroni» ose ta konsideroni të shenjtë. Dhe Jehovai tha për popullin e tij: «Do të shenjtërojnë emrin tim, . . . dhe do të shohin me nderim të thellë Perëndinë e Izraelit.» (Isa. 8:13; 29:23) Kështu, e shenjtërojmë emrin e Perëndisë duke e konsideruar më të lartë dhe të ndarë nga çdo emër tjetër, duke e respektuar atë çka përfaqëson e duke ndihmuar të tjerët ta konsiderojnë të shenjtë. Tregojmë nderim të thellë dhe respekt për emrin e Perëndisë sidomos kur e pranojmë Jehovain si Sovran e kur i bindemi me gjithë zemër.—Prov. 3:1; Zbul. 4:11.

Përgatiten që të mbajnë e të lartësojnë emrin e Perëndisë

7, 8. (a) Pse duhej të kalonte kohë para se populli i Perëndisë të mbante emrin e Tij? (b) Çfarë do të shqyrtojmë tani?

7 Shërbëtorët e Perëndisë të kohëve tona e kanë përdorur emrin e Zotit nëpër botime që nga viti 1870. Për shembull, Kulla e Rojës e Sionit e gushtit 1879 dhe Këngët e nuses, libër këngësh i botuar në të njëjtin vit, përmendin emrin Jehova. Sidoqoftë, para se Jehovai të lejonte popullin e vet të mbante emrin e Tij të shenjtë, duket se u sigurua që populli të plotësonte kërkesat për këtë privilegj të madh. Si i përgatiti Jehovai Studentët e Biblës që të bëheshin mbajtës të emrit të tij?

8 Kur i hedhim një sy fundit të 1800-s dhe fillimit të 1900-s, shohim si i dha Jehovai popullit një kuptueshmëri më të qartë për të vërtetat e rëndësishme që lidhen me emrin e tij. Do të trajtojmë tri prej tyre.

9, 10. (a) Pse artikujt e hershëm të Kullës së Rojës përqendroheshin te Jezui? (b) Çfarë ndryshimi u bë në vitin 1919 e më tej, dhe me çfarë rezultatesh? (Shih kutinë « Si e ka lartësuar Kulla e Rojës emrin e Perëndisë».)

9 E para, shërbëtorët e Jehovait arritën të kishin pikëpamjen e duhur për rëndësinë e emrit të Perëndisë. Studentët e hershëm e besnikë të Biblës e panë shpërblesën si mësimin kryesor të Biblës. Kjo shpjegon pse Kulla e Rojës përqendrohej shpesh te Jezui. Për shembull, vitin e parë të botimit, revista e përmendi emrin Jezu dhjetë herë më shumë se emrin Jehova. Duke iu referuar viteve të para të Studentëve të Biblës, Kulla e Rojës e 15 marsit 1976 (angl.) tha se i dhanë Jezuit «më tepër rëndësi se ç’duhej». Por, me kalimin e kohës, Jehovai i ndihmoi të dallonin rëndësinë që Bibla i jep emrit të Perëndisë. Si ndikoi kjo te Studentët e Biblës? I njëjti artikull i Kullës së Rojës thotë se, veçanërisht nga viti 1919 e më tej, «ata nisën të tregonin më shumë nderim për Atin qiellor të Mesisë, Jehovain». E në fakt, në dekadën që pasoi, Kulla e Rojës e përmendi emrin e Perëndisë mbi 6.500 herë!

10 Duke i dhënë emrit Jehova vëmendjen që meriton, vëllezërit tanë treguan dashurinë që kishin për emrin e Perëndisë. Si Moisiu i lashtësisë, ata vendosën ‘të shpallnin emrin e Jehovait’. (Ligj. 32:3; Psal. 34:3) Siç ishte premtuar në Shkrime, Jehovai e pa dashurinë e tyre për emrin e tij dhe u tregoi hir.—Psal. 119:132; Hebr. 6:10.

11, 12. (a) Si ndryshuan botimet tona menjëherë pas vitit 1919? (b) Ku po ua drejtonte vëmendjen Jehovai shërbëtorëve të tij dhe pse?

11 E dyta, të krishterët e vërtetë fituan kuptueshmërinë e duhur për veprën që u kishte caktuar Perëndia. Pak pas vitit 1919, vëllezërit drejtues të mirosur të udhëhequr nga fryma e shenjtë shqyrtuan librin profetik të Isaisë. Nga ai moment, përmbajtja e botimeve tona pësoi një ndryshim të fokusit. Pse ky ndryshim ishte «ushqim në kohën e duhur»?—Mat. 24:45.

12 Para vitit 1919, Kulla e Rojës nuk e kishte trajtuar ndonjëherë deklaratën e Isaisë: «Ju jeni dëshmitarët e mi,—thotë Jehovai.—Jeni shërbëtori që kam zgjedhur.» (Lexo Isainë 43:10-12.) Por menjëherë pas vitit 1919, në botimet tona iu kushtua vëmendje këtyre vargjeve biblike. Gjithë të mirosurit u inkurajuan të merrnin pjesë në veprën që Jehovai u kishte caktuar: të dëshmonin për të. Imagjino, nga viti 1925 deri më 1931, kapitulli 43 i Isaisë u shqyrtua në 57 numra të ndryshëm të Kullës së Rojës. Në secilin nga këta numra, fjalët e Isaisë u aplikuan për të krishterët e vërtetë. Kuptohet qartë se, gjatë atyre viteve, Jehovai po ua drejtonte vëmendjen shërbëtorëve të tij te vepra që duhej të bënin. Pse? Që në njëfarë mënyre të ‘provoheshin më parë nëse ishin të aftë’. (1 Tim. 3:10) Para se të meritonin të mbanin emrin e Perëndisë, Studentët e Biblës duhej t’i tregonin me vepra Jehovait se ishin vërtet dëshmitarët e tij.—Luka 24:47, 48.

13. Si e zbulon Fjala e Perëndisë çështjen më të rëndësishme që duhet zgjidhur?

13 E treta, populli i Jehovait arriti të kuptonte rëndësinë e shenjtërimit të emrit të Perëndisë. Gjatë viteve 20 të shekullit të 20-të, kuptuan se shenjtërimi i emrit të Perëndisë është çështja më e rëndësishme për t’u zgjidhur. Si e zbulon Fjala e Perëndisë këtë të vërtetë? Të shohim dy shembuj. Për ç’arsye kryesore e çliroi Perëndia Izraelin nga Egjipti? Jehovai tha: «Që emri im të shpallet në gjithë tokën.» (Dal. 9:16) Dhe pse Jehovai tregoi mëshirë kur Izraeli ngriti krye kundër tij? Prapë Jehovai tha: «U përmbajta për hir të emrit tim, që ai të mos përdhosej para syve të kombeve.» (Ezek. 20:8-10) Çfarë mësuan Studentët e Biblës nga këto tregime biblike e të tjera të ngjashme?

14. (a) Çfarë dalloi populli i Perëndisë në fund të viteve 20 të shekullit të 20-të? (b) Si ndikoi kuptueshmëria më e thellë që fituan Studentët e Biblës te vepra e predikimit? (Shih edhe kutinë « Arsye e fuqishme për të predikuar».)

14 Në fund të viteve 20 të shekullit të 20-të, populli i Perëndisë kuptoi domethënien e fjalëve që tha Isaia për Jehovain rreth 2.700 vjet më parë: «Ti i prive popullit tënd, që t’i bëje vetes një emër të lavdishëm.» (Isa. 63:14) Studentët e Biblës kuptuan se çështja parësore ishte shenjtërimi i emrit të Perëndisë, jo shpëtimi i tyre. (Isa. 37:20; Ezek. 38:23) Më 1929, në librin Profecia (angl.), kjo e vërtetë u përmblodh kështu: «Emri i Jehovait është çështja më jetësore për gjithë krijimin.» Kjo kuptueshmëri e përmirësuar u dha shërbëtorëve të Perëndisë shtysë të mëtejshme që të dëshmonin për Jehovain dhe të pastronin emrin e tij nga shpifjet.

15. (a) Çfarë kishin fituar vëllezërit tanë në vitet 30 të shekullit të 20-të? (b) Cili moment kishte ardhur?

15 Në agim të viteve 30 të shekullit të 20-të, vëllezërit tanë kishin fituar pikëpamjen e duhur për rëndësinë e emrit të Perëndisë, një kuptueshmëri të qartë për veprën që Perëndia u kishte caktuar të bënin dhe një gjykim më të thellë për çështjen kryesore që duhej zgjidhur. Për Jehovain kishte ardhur momenti t’u jepte shërbëtorëve të tij nderin që të mbanin para të gjithëve emrin e tij. Të shohim disa ngjarje që i paraprinë kësaj.

Jehovai nxjerr «një popull për emrin e tij»

16. (a) Në ç’mënyrë të jashtëzakonshme e lartëson Jehovai emrin e tij? (b) Në të kaluarën, kush ishte në fillim populli për emrin e Jehovait?

16 Një mënyrë e jashtëzakonshme si e lartëson Jehovai emrin është duke zgjedhur një popull në tokë që mban emrin e tij. Nga viti 1513 p.e.s. e më tej, kombi i Izraelit përfaqësoi Jehovain, ishte populli i tij. (Isa. 43:12) Megjithatë, nuk e mbajtën besëlidhjen që kishin bërë me Perëndinë dhe, në vitin 33 të e.s., e humbën lidhjen e veçantë me të. Pak pas kësaj, Jehovai e drejtoi «vëmendjen nga kombet, për të nxjerrë prej tyre një popull për emrin e tij». (Vep. 15:14) Ky popull i sapozgjedhur, i përbërë nga dishepuj të mirosur të Krishtit me kombësi të ndryshme, u bë i njohur si ‘Izraeli i Perëndisë’.—Gal. 6:16.

17. Cila taktikë e Satanait pati sukses?

17 Rreth vitit 44 të e.s., dishepujt e Krishtit «u quajtën të krishterë, me anë të drejtimit hyjnor». (Vep. 11:26) Fillimisht, ky ishte një emër që i dallonte, pasi u referohej vetëm të krishterëve të vërtetë. (1 Pjet. 4:16) Sidoqoftë, siç tregonte ilustrimi i Jezuit për grurin dhe egjrat, taktika e Satanait për t’ua vënë këtë emër të veçantë gjithë të krishterëve të shtirur, pati sukses. Si pasojë, për shumë shekuj, të krishterët e vërtetë nuk u dalluan qartë nga të shtirurit. Por kjo nisi të ndryshonte gjatë ‘kohës së korrjes’ që filloi në vitin 1914. Pse? Sepse engjëjt filluan të ndanin të krishterët e shtirur nga të vërtetët.—Mat. 13:30, 39-41.

18. Çfarë i ndihmoi vëllezërit tanë të kuptonin se duhej një emër i ri?

18 Pas emërimit të skllavit të besueshëm në vitin 1919, Jehovai e ndihmoi popullin e tij të bëhej i vetëdijshëm për veprën që u kishte caktuar. E panë menjëherë se predikimi shtëpi më shtëpi i ndau veç nga gjithë të krishterët e shtirur. Pasi kjo u bë e qartë, nuk u desh shumë që të kuptonin se edhe emri «Studentë të Biblës» nuk i dallonte edhe aq. Qëllimi kryesor në jetën e tyre nuk ishte thjesht studimi i Biblës, por që të dëshmonin për Perëndinë dhe të nderonin e të lartësonin emrin e tij. Atëherë, cili do të ishte emri më i përshtatshëm për veprën që po kryenin? Përgjigjja erdhi në vitin 1931.

Programi i kongresit, 1931

19, 20. (a) Cila rezolutë entuziazmuese u bë në një kongres të vitit 1931? (b) Si reaguan vëllezërit tanë kur morën emrin e ri?

19 Në korrik të vitit 1931, rreth 15.000 Studentë të Biblës erdhën për një kongres në Kolumbus të Ohajos, SHBA. Ndërsa shikonin programin e kongresit, u çuditën me dy shkronjat e mëdha të shtypura në faqen e parë: J dhe W. Pyesnin: «Ç’kuptim kanë shkronjat?» Disa mendonin «veç shiko», të tjerë «veç prit» (Just Watch dhe Just Wait në anglisht). Pastaj, të dielën më 26 korrik, vëlla Jozef Radhërfordi paraqiti një rezolutë që përfshinte deklaratën e fuqishme: «Dëshirojmë të njihemi dhe të thirremi me emrin, Dëshmitarët e Jehovait» (Jehovah’s Witnessess në anglisht). Në çast, të gjithë të pranishmit e kuptuan se shkronjat intriguese do të thoshin Dëshmitarë të Jehovait, emër nga Shkrimet, i bazuar tek Isaia 43:10.

20 Të pranishmit iu përgjigjën rezolutës me brohoritje të paparë dhe duartrokitje të gjatë. Reagimi entuziazmues në Kolumbus u dëgjua me anë të radios në gjysmën e globit. Ernest dhe Naomi Barber nga Australia kujtonin: «Kur duartrokitja nisi në Amerikë, vëllezërit në Melburn brofën në këmbë dhe duartrokitën. Nuk do ta harrojmë kurrë atë moment!» a

Emri i Perëndisë po lartësohet në gjithë botën

21. Si i dha shtysë veprës së predikimit emri i ri?

21 Emri me bazë biblike Dëshmitarë të Jehovait, u shtoi shërbëtorëve të Perëndisë fuqinë për të marrë pjesë në veprën e predikimit. Eduard dhe Xhesi Graimzi, çift pionierësh nga Shtetet e Bashkuara që ndoqën kongresin e vitit 1931 në Kolumbus, thanë: «U nisëm për në kongres si Studentë të Biblës, por u kthyem si Dëshmitarë të Jehovait. Ishim të lumtur me emrin që na ndihmoi të lartësonim emrin e Perëndisë tonë.» Pas kongresit, disa Dëshmitarë përdorën një metodë të re për ta bërë këtë. Prezantoheshin para të tjerëve duke u dhënë një kartëvizitë ku shkruhej: «Dëshmitar i JEHOVAIT që predikon Mbretërinë e Perëndisë JEHOVA.» Po, populli i Perëndisë ishte krenar të mbante emrin e Jehovait dhe ishte gati t’ia tregonte çdo njeriu domethënien e tij.—Isa. 12:4.

«U nisëm për në kongres si Studentë të Biblës, por u kthyem si Dëshmitarë të Jehovait»

22. Çfarë prove kemi se populli i Jehovait ka identitet të spikatshëm?

22 Kanë kaluar shumë vjet që kur Jehovai i nxiti vëllezërit tanë të mirosur të mirëpritnin emrin e tyre të veçantë. Gjatë viteve që pasuan, a ka arritur Satanai ta zbehë identitetin e popullit të Perëndisë? A ia ka dalë mbanë të na futë në një kazan me fetë e tjera të botës? Absolutisht jo! Përkundrazi, identiteti ynë i spikatshëm si dëshmitarë të Perëndisë shkëlqen më shumë se kurrë. (Lexo Mikenë 4:5; Malakinë 3:18.) Faktikisht, kaq shumë na lidhin me emrin e Perëndisë, saqë kushdo që e përdor lirisht këtë emër, menjëherë e identifikojnë si Dëshmitar të Jehovait. Në vend që të humbasë mes feve të rreme që krahasohen me malet, adhurimi i vërtetë i Jehovait është ‘lartësuar patundshmërisht mbi majat e maleve’. (Isa. 2:2) Sot, adhurimi i Jehovait dhe emri i tij i shenjtë po lartësohen jashtë mase.

23. Cila e vërtetë e rëndësishme për Jehovain na fuqizon, sipas Psalmit 121:5?

23 Sa forcë marrim ngaqë e dimë se Jehovai do të jetë një mburojë për ne ndaj sulmeve të tanishme e të ardhshme të Satanait! (Psal. 121:5) Kemi arsye të forta që të shprehemi me të njëjtat ndjenja si ato të psalmistit: «Lum ai komb, që ka Perëndi Jehovain! Lum ai popull, që Ai e ka zgjedhur si trashëgiminë e tij!»​—Psal. 33:12.

a Shih kapitullin 7, faqet 72-74, për informacione shtesë rreth përdorimit të radios.