Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

KAPITULLI 6

Popull që predikon—Shërbëtorët paraqiten vullnetarisht

Popull që predikon—Shërbëtorët paraqiten vullnetarisht

KU PËRQENDROHET KAPITULLI

Mbreti organizon një ushtri predikuesish

1, 2. Cilën vepër të madhe paratha Jezui dhe ç’pyetje e rëndësishme ngrihet?

 POLITIKANËT bëjnë shpesh premtime që nuk i plotësojnë. Edhe ata me qëllimet më të mira mund të mos i mbajnë dot premtimet. Sa mirë që Mbreti mesianik, Jezu Krishti, nuk del nga fjala!

2 Pasi u bë Mbret më 1914, Jezui ishte gati të përmbushte një profeci që kishte thënë rreth 1.900 vjet më parë. Pak para se të vdiste, Jezui paratha: «Ky lajm i mirë për mbretërinë do të predikohet në gjithë tokën e banuar.» (Mat. 24:14) Përmbushja e këtyre fjalëve do të ishte pjesë e shenjës së pranisë së tij si Mbret. Mirëpo ngrihet një pyetje e rëndësishme: si do të organizonte Mbreti një ushtri me predikues vullnetarë në ditët e fundit​—kohë që do të karakterizohej nga egoizmi, mungesa e dashurisë dhe apatia ndaj fesë? (Mat. 24:12; 2 Tim. 3:1-5) Na intereson përgjigjja e kësaj pyetjeje, pasi përfshihen gjithë të krishterët e vërtetë.

3. Cilën siguri shprehu Jezui dhe nga i vinte?

3 Hidhu sërish një sy fjalëve profetike të Jezuit. A shprehin siguri fjalët «do të predikohet»? Po! Jezui ishte i sigurt se në ditët e fundit do të kishte përkrahës vullnetarë. Nga i vinte kjo siguri? E mësoi nga i Ati. (Gjoni 12:45; 14:9) Në ekzistencën paranjerëzore, Jezui e pa me sytë e vet sigurinë e Jehovait për frymën vullnetare të shërbëtorëve të tij. Le të shohim si e shprehu Jehovai këtë siguri.

«Populli yt do të paraqitet vullnetarisht»

4. Cilën punë u kërkoi Jehovai izraelitëve të mbështetnin dhe si u përgjigjën?

4 Sill ndër mend ç’ndodhi kur Jehovai e udhëzoi Moisiun të ndërtonte tabernakullin ose tendën, që do të ishte qendra e adhurimit për kombin e Izraelit. Me anë të Moisiut, Jehovai ftoi gjithë popullin ta mbështeste punën. Moisiu u tha: «Kush të ketë një zemër të gatshme, le të sjellë këtë kontribut për Jehovain.» Me ç’rezultat? Populli ‘sillte te Moisiu blatime vullnetare mëngjes për mëngjes’. Sollën kaq shumë, saqë «nuk e lanë popullin të sillte më kontribute». (Dal. 35:5; 36:3, 6) Izraelitët provuan se Jehovai kishte të drejtë që u besoi.

5, 6. Cilën frymë priste Jehovai dhe Jezui të gjenin mes adhuruesve të vërtetë në kohën e fundit, sipas Psalmit 110:1-3?

5 A priste Jehovai të gjente këtë lloj fryme vullnetare tek adhuruesit e tij në ditët e fundit? Po! Më shumë se 1.000 vjet para se Jezui të lindte në tokë, Jehovai e frymëzoi Davidin të shkruante për kohën kur do të fillonte të qeveriste Mesia. (Lexo Psalmin 110:1-3.) Jezui, Mbreti i sapoemëruar, do të kishte armiq që do t’i kundërviheshin. Ama do të kishte edhe një ushtri përkrahësish, të cilët do t’i shërbenin pa i detyruar kush. Edhe të rinjtë mes tyre do të paraqiteshin lirisht, duke u bërë kështu një shumicë aq e madhe saqë me të drejtë mund të krahasohen me bulëzat e panumërta të vesës që mbulojnë tokën në një mëngjes me diell. a

Përkrahësit vullnetarë të Mbretërisë janë aq të shumtë sa bulëzat e vesës (Shih paragrafin 5.)

6 Jezui e dinte se profecia e Psalmit 110 zbatohej për të. (Mat. 22:42-45) Ndaj kishte çdo arsye për të qenë i sigurt se do të kishte përkrahës besnikë që do të paraqiteshin vullnetarisht për të predikuar lajmin e mirë në të gjithë tokën. Çfarë tregojnë faktet historike? A ia ka dalë Mbreti të organizojë një ushtri me predikues vullnetarë në këto ditë të fundit?

«Privilegji e detyra ime është ta shpall këtë mesazh»

7. Cilat masa mori Jezui pasi u emërua Mbret që të përgatiste përkrahësit e tij për punën që i priste?

7 Pak pasi u emërua Mbret, Jezui mori masa t’i përgatiste dishepujt për veprën kolosale që duhej të bënin. Siç e pamë në kapitullin 2, ai bëri një hetim dhe pastrim nga 1914-a deri në fillim të 1919-s. (Mal. 3:1-4) Pas kësaj, më 1919, caktoi skllavin e besueshëm të merrte drejtimin mes dishepujve të Tij. (Mat. 24:45) Nga ajo kohë e në vazhdim, skllavi filloi të shpërndante ushqim frymor​—me anë të fjalimeve në kongrese dhe botimeve të shtypura—ku theksonte në mënyrë të përsëritur përgjegjësinë e çdo të krishteri për të predikuar.

8-10. Si i dhanë hov veprës së predikimit kongreset? Jep një shembull. (Shih edhe kutinë « Kongreset e para që i dhanë hov veprës së predikimit».)

8 Fjalimet e kongreseve. Të etur për drejtim, Studentët e Biblës u mblodhën në Sidër-Point, Ohajo, SHBA, 1-8 shtator 1919, për kongresin e parë të madh pas Luftës I Botërore. Ditën e dytë, vëlla Radhërfordi mbajti një fjalim ku u tha hapur delegatëve: «Misioni i një të krishteri në tokë është të shpallë mesazhin për mbretërinë e Zotërisë.»

9 Kongresi arriti pikën kulmore tri ditë më pas kur vëlla Radhërfordi trajtoi temën «Drejtuar bashkëpunëtorëve», e cila te Kulla e Rojës u botua me titullin «Të lajmërohet Mbretëria». Ai tha: «Kur reflekton, një i krishterë natyrshëm pyet veten: ‘Pse jam në tokë?’ Përgjigjja duhet të jetë se Zotëria me dashamirësi më ka bërë ambasador që t’i çoj botës mesazhin hyjnor të pajtimit dhe privilegji e detyra ime është ta shpall këtë mesazh.»

10 Në këtë fjalim historik, vëlla Radhërfordi njoftoi se do të dilte një revistë e re, Epoka e artë (sot Zgjohuni!), e cila do të përdorej për t’i drejtuar njerëzit te Mbretëria, si shpresa e vetme e njerëzimit. Më pas pyeti sa nga të pranishmit donin të merrnin pjesë në shpërndarjen e këtij botimi. Në një raport për kongresin shpjegohej: «Mënyra si u përgjigjën, ishte një pamje mbresëlënëse. Gjashtë mijë veta, si një trup i vetëm, u ngritën në këmbë.» b Dukej qartë se Mbreti kishte përkrahës vullnetarë që mezi pritnin ta shpallnin Mbretërinë.

11, 12. Kur tha Kulla e Rojës e 1920-s se do të kryhej vepra që paratha Jezui?

11 Botimet e shtypura. Me anë të faqeve të Kullës së Rojës u bë gjithnjë e më e qartë rëndësia e veprës që paratha Jezui, pra predikimi i lajmit të mirë të Mbretërisë. Shqyrto disa shembuj nga fillimi i 1920-s.

12 Çfarë mesazhi do të shpallej që të përmbushej Mateu 24:14? Kur do të kryhej kjo vepër? Kulla e Rojës e 1 korrikut 1920 (angl.), në artikullin «Ungjilli i Mbretërisë» shpjegoi cili ishte mesazhi duke thënë: «Lajmi i mirë në këtë rast ka të bëjë me fundin e sistemit të vjetër dhe me qeverisjen e mbretërisë së Mesisë.» Në artikull tregohej qartë kur do të predikohej ai: «Ky mesazh duhet të shpallet mes luftës së madhe botërore [Lufta I Botërore] dhe ‘shtrëngimit të madh’.» Prandaj artikulli vërente: «Tani është koha . . . ta çojmë anekënd botës së krishterimit lajmin e mirë.»

13. Si i bënte thirrje Kulla e Rojës e vitit 1921 frymës vullnetare të të krishterëve të mirosur?

13 A do ta detyronte kush popullin e Perëndisë të kryente veprën e parathënë nga Jezui? Jo. Artikulli i Kullës së Rojës «Merrni zemër» i 15 marsit 1921 (angl.), i bënte thirrje frymës vullnetare të të krishterëve të mirosur. Secili u inkurajua të pyeste veten: «A nuk është privilegji më i madh, si edhe detyra ime të marr pjesë në këtë vepër?» Më tej thuhej: «Jemi të sigurt se, kur ta shihni kështu [si privilegj të merrni pjesë në vepër], do të jeni si Jeremia, në zemrën e të cilit fjala e Zotërisë ishte ‘si një zjarr përvëlues i mbyllur në kockat’ e tij që e nxiste të fliste dhe ai nuk rrinte dot në heshtje.» (Jer. 20:9) Ky inkurajim i ngrohtë pasqyroi sigurinë ose besimin që Jehovai dhe Jezui kanë te përkrahësit besnikë të Mbretërisë.

14, 15. Në cilën mënyrë i nxiti Kulla e Rojës e vitit 1922 të krishterët e mirosur që t’u predikonin njerëzve?

14 Si do t’ua jepnin të krishterët e vërtetë lajmin e Mbretërisë të tjerëve? Artikulli i shkurtër por i fuqishëm me titull «Shërbimi është thelbësor», i Kullës së Rojës të 15 gushtit 1922 (angl.), i nxiti të krishterët e mirosur t’u çonin aktivisht mesazhin e shtypur njerëzve dhe të flitnin me ta në shtëpitë e tyre, duke u dhënë dëshmi se «mbretëria e qiejve është afër».

15 Që nga viti 1919 e më tej, Krishti e ka përdorur skllavin e besueshëm e të matur që të theksojë vazhdimisht se privilegji dhe detyra e një të krishteri në tokë është të shpallë mesazhin e Mbretërisë. Si iu përgjigjën Studentët e hershëm të Biblës inkurajimit për të marrë pjesë në veprën e shpalljes së Mbretërisë?

«Besnikët do të dalin vullnetarë»

16. Si reaguan disa nga pleqtë e zgjedhur ndaj idesë që të gjithë duhej të merrnin pjesë në shërbim?

16 Në vitet 20 dhe 30 të shekullit të 20-të, disa nuk e pranonin idenë që gjithë të krishterët e mirosur duhej të dilnin në shërbim. Kulla e Rojës e 1 nëntorit 1927 (angl.) shpjegoi çfarë po ndodhte: «Në kishë [kongregacion] ka nga ata me pozita përgjegjësie si pleq . . . që nuk pranojnë t’i nxitin vëllezërit të shkojnë në shërbim, madje refuzojnë të marrin pjesë edhe vetë . . . Përbuzin sugjerimin për të predikuar shtëpi më shtëpi e t’u flasin njerëzve për mesazhin e Zotit, për Mbretin dhe mbretërinë e tij.» Artikulli thoshte shkoqur: «Tani është koha që besnikët t’i shënojnë këta e t’i shmangin, si dhe t’u thonë se nuk do t’ua besojnë më pozitën e plakut këtyre burrave.» c

17, 18. Si iu përgjigj drejtimit të skllavit të besueshëm shumica në kongregacion? Si i janë përgjigjur drejtimit miliona veta gjatë 100 viteve të fundit?

17 Sa mirë që shumica në kongregacion iu përgjigjën me entuziazëm drejtimit të skllavit të besueshëm! E konsideronin privilegj të shpallnin mesazhin e Mbretërisë. Kulla e Rojës e 15 marsit 1926 (angl.) tha kështu: «Besnikët do të dalin vullnetarë . . . që t’ua thonë këtë mesazh njerëzve.» Këta besnikë i përmbushën fjalët profetike të Psalmit 110:3 dhe provuan se ishin përkrahës vullnetarë të Mbretërisë mesianike.

18 Gjatë 100 viteve të fundit, miliona veta janë paraqitur vullnetarisht për ta përmbushur veprën e shpalljes së Mbretërisë. Disa kapituj në vijim do të trajtojnë si kanë predikuar​—metodat dhe mjetet që kanë përdorur—​dhe me çfarë rezultati. Megjithatë, së pari le të diskutojmë pse miliona njerëz kanë marrë pjesë vullnetarisht në veprën e predikimit për Mbretërinë ndonëse jetojnë në një botë egoiste. Ndërsa trajtojmë pse-në, është mirë të pyesim veten: «Përse ua jap lajmin e mirë të tjerëve?»

«Vazhdoni të kërkoni në radhë të parë mbretërinë»

19. Pse ia vëmë veshin këshillës së Jezuit «vazhdoni të kërkoni në radhë të parë mbretërinë»?

19 Jezui i këshilloi dishepujt ‘të vazhdonin të kërkonin në radhë të parë mbretërinë’. (Mat. 6:33) Pse ia vëmë veshin kësaj këshille? Kryesisht sepse e kuptojmë rëndësinë e Mbretërisë, pra që është thelbësore për qëllimin e Perëndisë. Siç e pamë në kapitullin e mëparshëm, fryma e shenjtë ka zbuluar pak nga pak të vërteta drithëruese për Mbretërinë. Kur e vërteta e çmuar për Mbretërinë na prek zemrën, nxitemi të kërkojmë në radhë të parë këtë Mbretëri.

Ashtu si një njeri gëzon shumë kur gjen një thesar të fshehur, edhe të krishterët lumturohen se kanë gjetur të vërtetën për Mbretërinë (Shih paragrafin 20.)

20. Si e tregon ilustrimi i Jezuit për thesarin e fshehur si do të reagonin dishepujt ndaj këshillës që të vazhdonin të kërkonin Mbretërinë të parën?

20 Jezui e dinte si do të reagonin dishepujt ndaj këshillës që të vazhdonin të kërkonin të parën Mbretërinë. Shqyrto ilustrimi e tij për thesarin e fshehur. (Lexo Mateun 13:44.) Në një ditë pune, bujku i këtij ilustrimi gjen një thesar të fshehur dhe ia dallon menjëherë vlerën. Çfarë bën? «Nga gëzimi shkon e shet gjithçka dhe e blen atë arë.» Cili është mësimi për ne? Kur gjejmë të vërtetën e Mbretërisë dhe ia dallojmë vlerën, bëjmë me dëshirë çdo sakrificë të nevojshme që t’i mbajmë në radhë të parë në jetë interesat e Mbretërisë. d

21, 22. Si e tregojnë përkrahësit besnikë se po kërkojnë Mbretërinë të parën? Jepni një shembull.

21 Përkrahësit besnikë të Mbretërisë e tregojnë me vepra e jo thjesht me fjalë se po kërkojnë Mbretërinë në radhë të parë. Ata ia kushtojnë jetën, aftësitë dhe të ardhurat veprës së predikimit të Mbretërisë. Shumë kanë bërë sakrifica të mëdha që të fillojnë shërbimin e plotkohor. Gjithë këta predikues vullnetarë e kanë parë vetë se Jehovai i bekon ata që vënë Mbretërinë të parën. Ja një shembull nga vitet e para të shekullit të kaluar.

22 Evëri dhe Lovenia Bristo filluan shërbimin si përhapës (pionierë) në jug të Shteteve të Bashkuara, në fund të viteve 20 të shekullit të 20-të. Vite më vonë Lovenia solli ndër mend: «Që nga ajo kohë, unë dhe Evëri kemi kaluar së bashku shumë vite të gëzuara në veprën e pionierit. Ka pasur plot raste kur nuk e dinim nga do t’i nxirrnim paratë për karburant ose për ushqime. Por në një mënyrë a në një tjetër, Jehovai gjithmonë na i siguroi. Ne thjesht vazhduam shërbimin si pionierë. Gjithnjë patëm pikërisht çka na nevojitej.» Lovenia kujtoi një rast kur po shërbenin në Pensakolë, Florida, dhe ishin ngushtë për para dhe ushqime. Erdhën te shtëpia e tyre rulotë dhe gjetën dy çanta të mëdha me ushqime, si edhe një pusullë: «Me dashuri nga kompania e Pensakolës.» e Duke menduar për dekadat që kaloi në shërbimin e plotkohor, Lovenia tha: «Jehovai s’na braktis kurrë. Asnjëherë s’e tradhton besimin që kemi tek ai.»

23. Si ndihesh për të vërtetën që ke gjetur rreth Mbretërisë dhe çfarë je i vendosur të bësh?

23 Nuk predikojmë dot të gjithë në të njëjtën masë, sepse rrethanat tona ndryshojnë. Ama mund ta konsiderojmë privilegj shpalljen e lajmit të mirë me gjithë shpirt. (Kolos. 3:23) Ngaqë e çmojmë të vërtetën e vyer që kemi gjetur për Mbretërinë, jemi të gatshëm​—mezi presim—​të bëjmë çdo sakrificë që mundemi për të shërbyer në maksimum. A nuk je i vendosur të bësh kështu?

24. Cila është një nga arritjet më të mëdha të Mbretërisë në ditët e fundit?

24 Gjatë shekullit të kaluar, Mbreti i ka përmbushur vërtet fjalët e tij profetike të dokumentuara te Mateu 24:14. E ka bërë këtë pa detyruar kënd. Pasi dalin nga kjo botë egoiste, dishepujt e tij paraqiten vullnetarisht të predikojnë. Predikimi i lajmit të mirë anembanë botës është pjesë e shenjës së pranisë së Krishtit si Mbret dhe një nga arritjet më të mëdha të Mbretërisë në ditët e fundit.

a Në Bibël vesa lidhet me bollëkun.​—Zan. 27:28; Mik. 5:7.

b Broshura Kujt i është besuar vepra (angl.) shpjegoi: «Qëllimi i Epokës së artë është të përdoret shtëpi më shtëpi në fushata për mesazhin e mbretërisë. . . . Pasi të prezantoni mesazhin, lini një revistë Epoka e artë, pavarësisht nëse bëni një pajtim.» Për vite me radhë, vëllezërit u nxitën t’u ofronin njerëzve pajtime të Epokës së artë dhe të Kullës së Rojës. Që nga 1 shkurti 1940, populli i Jehovait u nxit të shpërndante kopje të revistave dhe të raportonte sa kishte shpërndarë.

c Në atë kohë, pleqtë zgjidheshin në mënyrë demokratike nga kongregacioni. Prandaj, kongregacioni mund të zgjidhte të mos votonte për burrat që kundërshtonin predikimin. Emërimi i pleqve në mënyrë teokratike do të trajtohet në kapitullin 12.

d Jezui tregoi të njëjtën gjë në ilustrimin për tregtarin shëtitës që kërkonte një margaritar të shkëlqyer. Kur tregtari e gjeti, shiti gjithçka dhe e bleu. (Mat. 13:45, 46) Të dyja ilustrimet gjithashtu na tregojnë se mund ta mësojmë të vërtetën për Mbretërinë në mënyra të ndryshme. Disa e ndeshin të vërtetën, ndërsa të tjerë e kërkojnë. Sido që ta marrim atë, jemi të gatshëm të bëjmë sakrifica që të vëmë Mbretërinë në vend të parë në jetë.

e Në atë kohë kongregacioni quhej kompani.