Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

KAPITULLI 9

Rezultatet e predikimit—«Fushat . . . janë të bardha për korrje»

Rezultatet e predikimit—«Fushat . . . janë të bardha për korrje»

KU PËRQENDROHET KAPITULLI

Jehovai i ka rritur farat e së vërtetës për Mbretërinë

1, 2. (a) Pse janë të habitur dishepujt? (b) Për cilën korrje e ka fjalën Jezui?

 DISHEPUJT janë të habitur. Jezui u ka thënë: «Ngrini sytë dhe shihni fushat. Ato janë të bardha për korrje.» Shohin nga tregon Jezui, por fushat, në vend që të jenë të bardha, janë të gjelbra​—kanë ngjyrën e elbit të sapombirë. Ndoshta mendojnë: «Çfarë të korrash?! Duhen muaj para se të nisë korrja.»​—Gjoni 4:35.

2 Megjithatë, Jezui nuk e ka fjalën për një korrje të mirëfilltë. Përkundrazi, këtë rast po e përdor që t’u ngulitë dishepujve dy mësime të rëndësishme për një korrje frymore—për mbledhjen e njerëzve në kongregacionin e krishterë. Cilat janë këto mësime? Le të shqyrtojmë tregimin më me hollësi.

Futjuni punës dhe do të gëzoni

3. (a) Çfarë mund ta ketë nxitur Jezuin të thoshte: «Fushat . . . janë të bardha për korrje?» (Shih shënimin.) (b) Si e shpjegoi Jezui pohimin e tij?

3 Biseda e Jezuit me dishepujt u bë në fund të vitit 30 të e.s., afër qytetit samaritan të Siharit. Ndërkohë që dishepujt shkuan në qytet, Jezui ndenji prapa te një pus, ku i tregoi të vërteta frymore një gruaje, e cila e kapi menjëherë rëndësinë e mësimeve të tij. Kur dishepujt u kthyen te Jezui, gruaja u turr për në Sihar që t’u tregonte fqinjëve gjërat e mrekullueshme që kishte mësuar. Ajo çka u tregoi, ngjalli shumë interes dhe mjaft nga fqinjët u dhanë këmbëve për te pusi, që të takonin Jezuin. Ndoshta në atë moment, kur Jezui pikasi përtej fushave turmën e samaritanëve tek afrohej, tha: «Shihni fushat. Ato janë të bardha për korrje.» a Pastaj, që të shpjegonte se e kishte fjalën për një korrje frymore e jo të mirëfilltë, Jezui shtoi: «Korrësi . . . po mbledh frytin për jetë të përhershme.»​—Gjoni 4:5-30, 36.

4. (a) Cilat ishin dy mësimet që shpjegoi Jezui për korrjen? (b) Cilat pyetje do të shqyrtojmë?

4 Cilat ishin dy mësimet e rëndësishme që shpjegoi Jezui për korrjen frymore? I pari, vepra është urgjente. Kur tha se «fushat . . . janë të bardha për korrje», po i nxiste dishepujt t’i futeshin punës. Që t’u nguliste ndjenjën e urgjencës, Jezui shtoi: «Tashmë korrësi po merr pagën.» Po, korrja kishte filluar tashmë​—s’kishte kohë për t’u humbur! I dyti, punëtorët janë të gëzuar. Jezui tha se mbjellësit dhe korrësit ‘do të gëzonin së bashku’. (Gjoni 4:35b, 36) Ashtu si duhet të jetë gëzuar Jezui kur pa se «shumë samaritanë . . . treguan besim tek ai», edhe dishepujt do të gëzonin shumë kur të punonin me gjithë shpirt në korrje. (Gjoni 4:39-42) Ky tregim i shekullit të parë ka domethënie të veçantë për ne, sepse ilustron atë që po ndodh gjatë korrjes më të madhe frymore të të gjitha kohëve. Kur filloi kjo korrje e ditëve tona? Kush merr pjesë në të? Cilat kanë qenë rezultatet?

Mbreti ynë prin korrjen më të madhe të të gjitha kohëve

5. Kush e prin korrjen globale dhe si e tregon vegimi i Gjonit se vepra është urgjente?

5 Në një vegim që i dha apostullit Gjon, Jehovai tregon se e caktoi Jezuin t’i printe një korrjeje globale njerëzish. (Lexo Zbulesën 14:14-16.) Në këtë vegim, Jezui paraqitet me një kurorë dhe një drapër. ‘Kurora e artë mbi krye’ tregon pozitën e Jezuit si Mbret në fuqi. ‘Drapri i mprehtë në dorë’ tregon rolin e tij si Korrës. Kur thotë nëpërmjet një engjëlli se «të korrat e tokës janë plotësisht të pjekura», Jehovai thekson se vepra është urgjente. Po, ka ardhur «ora e korrjes»​—s’ka kohë për t’u humbur! Duke iu bindur urdhrit të Perëndisë «vër draprin», Jezui vë draprin dhe toka korret, pra mblidhen njerëzit në kongregacionin e krishterë. Ky vegim emocionues na kujton përsëri se «fushat . . . janë të bardha për korrje». A na ndihmon vegimi të përcaktojmë kur filloi korrja globale? Po.

6. (a) Kur filloi ‘koha e korrjes’? (b) Kur filloi konkretisht ‘korrja e tokës’? Shpjego.

6 Meqenëse në vegimin e Gjonit te Zbulesa kapitulli 14 Jezui, Korrësi, paraqitet me një kurorë (vargu 14), kjo tregon se tashmë ishte emëruar Mbret më 1914. (Dan. 7:13, 14) Pak kohë pas kësaj, Jezui urdhërohet të nisë korrjen (vargu 15). E njëjta radhë ngjarjesh vihet re te shëmbëlltyra e Jezuit për korrjen e grurit, ku thotë: «Të korrat janë përfundimi i një sistemi.» Prandaj, koha e korrjes dhe përfundimi i këtij sistemi filluan në të njëjtën kohë​—më 1914. Korrja konkretisht filloi më vonë «në kohën e korrjes», pra gjatë kësaj periudhe. (Mat. 13:30, 39) Kur i kthejmë sytë prapa, kuptojmë se korrja filloi disa vjet pasi Jezui nisi të qeveriste si Mbret. Së pari, nga 1914-a deri në fillim të 1919-s, Jezui kreu një vepër pastrimi mes dishepujve të mirosur. (Mal. 3:1-3; 1 Pjet. 4:17) Pastaj, më 1919, nisën «të korrat e tokës». Pa humbur kohë, Jezui përdori skllavin e besueshëm të sapoemëruar që t’i ndihmonte vëllezërit tanë të dallonin urgjencën e veprës së predikimit. Shqyrto çfarë ndodhi.

7. (a) Cili shqyrtim i ndihmoi vëllezërit të dallonin urgjencën e veprës së predikimit? (b) Për çfarë u nxitën vëllezërit të bënin?

7 Në korrik të vitit 1920, Kulla e Rojës (angl.) tha: «Nga shqyrtimi i Shkrimeve duket qartë se kishës i është dhënë privilegji të shpërndajë mesazhin për mbretërinë.» Për shembull, fjalët profetike të Isaisë i ndihmuan vëllezërit të kuptonin se lajmi për Mbretërinë duhej shpallur në të gjithë botën. (Isa. 49:6; 52:7; 61:1-3) Nuk e dinin si do të kryhej kjo vepër, por besonin se Jehovai do t’ua hapte udhën. (Lexo Isainë 59:1.) Si rrjedhojë e kësaj pikëpamjeje të qartësuar për urgjencën e veprës së predikimit, vëllezërit tanë u nxitën të shtonin aktivitetin. Si u përgjigjën?

8. Cilat ishin dy faktet që kuptuan vëllezërit për veprën e predikimit më 1921?

8 Në dhjetor të vitit 1921, Kulla e Rojës (angl.) njoftoi: «Ka qenë viti më i mirë nga të gjithë; mesazhin e së vërtetës e kanë dëgjuar më shumë njerëz gjatë vitit 1921 se në çdo vit tjetër.» Revista shtoi: «Ka ende plot punë për të bërë. . . . Le të punojmë me zemër të gëzuar.» Vër re si i kuptuan vëllezërit dy faktet për veprën e predikimit që Jezui ua kishte ngulitur apostujve: vepra është urgjente dhe punëtorët janë të gëzuar.

9. (a) Çfarë tha Kulla e Rojës më 1954 për veprën e korrjes dhe pse? (b) Cila rritje mbarëbotërore në lajmëtarë ka ndodhur gjatë 50 viteve të fundit? (Shih grafikun « Rritja mbarëbotërore».)

9 Gjatë viteve 30 të shekullit të 20-të, pasi vëllezërit kuptuan se një turmë e madhe e deleve të tjera do t’i përgjigjej mesazhit për Mbretërinë, vepra e predikimit u intensifikua edhe më tej. (Isa. 55:5; Gjoni 10:16; Zbul. 7:9) Rezultati? Numri i atyre që predikonin mesazhin për Mbretërinë u rrit nga 41.000 më 1934 në 500.000 në vitin 1953! Kulla e Rojës e 1 dhjetorit 1954 (angl.) me të drejtë nxori përfundimin: «Falë frymës së Jehovait dhe fuqisë së Fjalës së tij, u arrit kjo korrje e madhe në mbarë botën.» bZak. 4:6.

 

RRITJA MBARËBOTËRORE

Vende

1962

1987

2013

Australi

15.927

46.170

66.023

Brazil

26.390

216.216

756.455

Francë

18.452

96.954

124.029

Itali

6.929

149.870

247.251

Japoni

2.491

120.722

217.154

Meksikë

27.054

222.168

772.628

Nigeri

33.956

133.899

344.342

Filipinë

36.829

101.735

181.236

SHBA

289.135

780.676

1.203.642

Zambie

30.129

67.144

162.370

 

RRITJA E NUMRIT TË STUDIMEVE BIBLIKE

1950

234.952

1960

646.108

1970

1.146.378

1980

1.371.584

1990

3.624.091

2000

4.766.631

2010

8.058.359

Rezultati i korrjes parathuhet me gjuhë të gjallë

10, 11. Cilat aspekte të rritjes së farës theksohen në shëmbëlltyrën për farën e sinapit?

10 Në shëmbëlltyrat për Mbretërinë, Jezui paratha me gjuhë të gjallë rezultatin e veprës së korrjes. Të shohim shëmbëlltyrën për farën e sinapit dhe për majanë. Kryesisht do të përqendrohemi te mënyra si janë plotësuar në kohën e fundit.

11 Shëmbëlltyra për farën e sinapit. Një njeri mbjell një farë sinapi që bëhet pemë ku gjejnë strehë zogjtë. (Lexo Mateun 13:31, 32.) Cilat aspekte të rritjes së farës theksohen në këtë shëmbëlltyrë? (1) Shtrirja e rritjes është e jashtëzakonshme. «Më e vogla e të gjitha farave» bëhet pemë me «degë të mëdha». (Mar. 4:31, 32) (2) Rritja është e sigurt. «Pasi mbillet, mbin [rritet].» Jezui nuk thotë «mund të rritet», por «rritet». Rritja e saj është e pandalshme. (3) Pema e rritur tërheq vizitorë dhe u siguron strehim. «Zogjtë e qiellit venë» dhe «gjejnë strehë mes degëve të saj». Si zbatohen këto tri aspekte për korrjen frymore të ditëve tona?

12. Si zbatohet shëmbëlltyra për farën e sinapit në lidhje me korrjen e ditëve tona? (Shih edhe grafikun « Rritja e numrit të studimeve biblike».)

12 (1) Shtrirja e rritjes: shëmbëlltyra thekson rritjen e mesazhit të Mbretërisë dhe të kongregacionit të krishterë. Që nga 1919-a, punëtorë të zellshëm të korrjes janë mbledhur në kongregacionin e krishterë të përtërirë. Në atë kohë, numri i punëtorëve ishte i vogël, por u rrit vrullshëm. Në fakt, rritja nga fillimi i viteve 1900 deri sot ka qenë fenomenale. (Isa. 60:22) (2) Siguria: rritja e kongregacionit të krishterë ka qenë e pandalshme. Edhe pse hasi shumë kundërshtim, fara vazhdoi të rritej. (Isa. 54:17) (3) Strehimi: «zogjtë e qiellit» që gjejnë strehë te pema janë miliona njerëz me zemër të drejtë nga afro 240 vende. Këta e pranuan mesazhin për Mbretërinë kur u bënë pjesë e kongregacionit të krishterë. (Ezek. 17:23) Këtu marrin ushqim frymor, freskim dhe mbrojtje.​—Isa. 32:1, 2; 54:13.

Shëmbëlltyra e farës së sinapit tregon se ata që janë në kongregacionin e krishterë gëzojnë strehë dhe mbrojtje (Shih paragrafët 11, 12.)

13. Cilat aspekte të rritjes nxjerr në pah shëmbëlltyra për majanë?

13 Shëmbëlltyra për majanë. Pasi një grua i shton pak maja një mase mielli, majaja bën të vijë gjithë brumi. (Lexo Mateun 13:33.) Cilat aspekte të rritjes dalin në pah në këtë shëmbëlltyrë? Të shqyrtojmë dy. (1) Rritja shkakton transformim. Majaja ‘bën të vijë brumi’. (2) Rritja përhapet. Majaja shpërndahet te ‘të tria masat e mëdha të miellit’​—tek i gjithë brumi. Si zbatohen këto dy aspekte për korrjen e sotme frymore?

14. Si zbatohet shëmbëlltyra për majanë në lidhje me korrjen e ditëve tona?

14 (1) Transformimi: majaja është mesazhi për Mbretërinë dhe masa e miellit përfaqëson njerëzimin. Ashtu si majaja shkakton transformim te mielli pasi janë përzierë, edhe mesazhi për Mbretërinë shkakton transformim në zemrat e njerëzve pasi e pranojnë mesazhin. (Rom. 12:2) (2) Përhapja: shpërndarja e majasë ka të bëjë me shpërndarjen e mesazhit për Mbretërinë. Majaja vepron te brumi derisa është përhapur në gjithë masën. Po njësoj, mesazhi për Mbretërinë është përhapur «deri në skajin më të largët të tokës». (Vep. 1:8) Gjithashtu, ky aspekt i shëmbëlltyrës tregon se edhe në ato vende ku vepra është në ndalim, mesazhi për Mbretërinë do të përhapet, ndonëse vepra jonë e predikimit në këto vende të tokës mund të mos vihet re.

15. Si janë plotësuar fjalët e Isaisë 60:5, 22? (Shih edhe kutitë « Jehovai e bëri të mundur», dhe « Si u bë ‘i vogli një komb i fuqishëm’».)

15 Afro 800 vjet para se Jezui t’i thoshte këto shëmbëlltyra, Jehovai, nëpërmjet Isaisë, paratha me gjuhë të gjallë shtrirjen e korrjes së sotme frymore dhe gëzimin që do të shkaktonte. c Jehovai përshkruan se njerëz «nga larg» vërshojnë drejt organizatës së tij. Duke folur për veten si një «grua», që sot përfaqësohet nga mbetja e të mirosurve në tokë, thotë: «Ti do të shohësh dhe do të të shndritë fytyra. Zemra jote do të brofë e do të gufojë, sepse pasuritë e detit do të drejtohen për te ti dhe të mirat e kombeve do të vijnë te ti.» (Isa. 60:1, 4, 5, 9) Sa të vërteta janë këto fjalë! Sot, ata që i shërbejnë Jehovait prej vitesh shndritin nga gëzimi teksa shohin sa është rritur numri i lajmëtarëve për Mbretërinë në vendet e tyre, nga pak veta në mijëra.

Pse kanë arsye për të gëzuar gjithë shërbëtorët e Jehovait?

16, 17. Cila është një arsye pse ‘mbjellësi dhe korrësi gëzojnë së bashku’? (Shih edhe kutinë « Dy fletushka prekin dy zemra në Amazonë».)

16 Siç e kujton, Jezui u tha apostujve: «Korrësi . . . po mbledh frytin për jetë të përhershme, që mbjellësi dhe korrësi të gëzojnë së bashku.» (Gjoni 4:36) Si ‘gëzojmë së bashku’ në korrjen globale? Në disa mënyra. Të shqyrtojmë tri.

17 Së pari, gëzojmë kur shohim rolin e Jehovait në këtë vepër. Kur predikojmë mesazhin për Mbretërinë, mbjellim farë. (Mat. 13:18, 19) Kur ndihmojmë dikë të bëhet dishepull i Krishtit, korrim fryt. Dhe të gjithë ndiejmë gëzim të madh teksa shohim me nderim të thellë si e ka bërë Jehovai farën për Mbretërinë të ‘mbijë e të rritet’. (Mar. 4:27, 28) Disa fara që shpërndajmë, mbijnë më vonë dhe i korrin të tjerë. Mund të kesh pasur përvojë të ngjashme me atë të Joanës, motër e krishterë në Britani që ka 60 vjet e pagëzuar. Ajo tregoi: «Kam takuar njerëz që thonë se mbolla farë në zemrën e tyre kur u predikova vite më parë. Më vonë, Dëshmitarë të tjerë studiuan Biblën me ta dhe i ndihmuan të bëheshin shërbëtorë të Jehovait. Gëzohem se fara që mbolla u rrit dhe u korr.»​—Lexo 1 Korintasve 3:6, 7.

18. Cila arsye për gëzim përmendet te 1 Korintasve 3:8?

18 Së dyti, e ruajmë gëzimin si punëtorë kur mbajmë në mendje se Pavli tha: «Secili do të marrë shpërblimin e vet sipas mundit.» (1 Kor. 3:8) Shpërblimi jepet në bazë të punës, jo të rezultatit të asaj pune. Sa zemërdhënëse është kjo për ata që predikojnë në territore ku pak e pranojnë të vërtetën! Në sytë e Zotit, çdo Dëshmitar që merr pjesë me gjithë zemër në veprën e mbjelljes po ‘jep shumë fryt’, e kështu ka arsye për të gëzuar.​—Gjoni 15:8; Mat. 13:23.

19. (a) Si lidhet profecia e Jezuit te Mateu 24:14 me gëzimin tonë? (b) Çfarë duhet të mbajmë parasysh nëse nuk bëjmë dot dishepuj?

19 Së treti, gëzojmë sepse vepra jonë plotëson profeci. Shqyrto përgjigjen që u dha Jezui apostujve kur e pyetën: «Cila do të jetë shenja e pranisë sate dhe e përfundimit të sistemit?» Ai u tha se një nga aspektet e kësaj shenje do të ishte një vepër predikimi globale. A po fliste për veprën e bërjes së dishepujve? Jo. Ai tha: «Ky lajm i mirë për mbretërinë do të predikohet në gjithë tokën e banuar si dëshmi.» (Mat. 24:3, 14) Kështu që predikimi për Mbretërinë​—mbjellja e farës—​është një aspekt i shenjës. Prandaj, ndërsa predikojmë lajmin e mirë për Mbretërinë, mbajmë në mendje se gjithnjë arrijmë të japim «dëshmi», ndonëse nuk arrijmë të bëjmë dishepuj. d Po, pavarësisht si reagojnë njerëzit, marrim pjesë në plotësimin e profecisë së Jezuit dhe kemi nderin të shërbejmë si «bashkëpunëtorë të Perëndisë». (1 Kor. 3:9) Ç’arsye e fuqishme për gëzim!

«Nga lindja e diellit deri në perëndim të tij»

20, 21. (a) Si po plotësohen fjalët e Malakisë 1:11? (b) Çfarë je i vendosur të bësh për sa i përket veprës së korrjes dhe pse?

20 Në shekullin e parë, Jezui i ndihmoi apostujt të kuptonin se vepra e korrjes ishte urgjente. Që nga viti 1919 e më tej, Jezui i ka ndihmuar dishepujt e sotëm të kuptojnë të njëjtën të vërtetë. Për t’iu përgjigjur kësaj, populli i Perëndisë e ka intensifikuar aktivitetin. Në fakt, vepra e korrjes ka treguar se është e pandalshme. Siç paratha profeti Malakia, vepra e predikimit sot po kryhet «nga lindja e diellit deri në perëndim të tij». (Mal. 1:11) Po, nga lindja në perëndim, pavarësisht se ku ndodhen, mbjellësit dhe korrësit punojnë dhe gëzojnë së bashku. Dhe nga lindja e diellit deri në perëndim​—pra gjithë ditën, nga mëngjesi në mbrëmje—​punojmë me ndjenjë urgjence.

21 Kur shohim mbi 100 vjet pas dhe kur vërejmë si një grup i vogël shërbëtorësh të Perëndisë është bërë «një komb i fuqishëm», na ‘brof e na gufon’ zemra nga gëzimi. (Isa. 60:5, 22) Qoftë gëzimi dhe dashuria për Jehovain, ‘Zotërinë e të korrave’, nxitës për secilin prej nesh që të vazhdojë ta çojë deri në fund korrjen më të madhe të të gjitha kohëve!​—Luka 10:2.

a Pohimi i Jezuit se ‘fushat janë të bardha’, mund t’u referohet veshjeve të bardha që ndoshta kishin samaritanët, të cilët po afroheshin.

b Për të mësuar më tepër për vitet dhe dekadat që pasuan, të inkurajojmë të lexosh librin Dëshmitarët e Jehovait: Lajmëtarë të Mbretërisë së Perëndisë, faqet 425-520 (angl.), që tregon çfarë arriti vepra e korrjes nga viti 1919-1992.

c Për më shumë hollësi rreth kësaj profecie emocionuese, shih Profecitë e Isaisë​—Dritë për gjithë njerëzimin II, faqet 303-320.

d Studentët e hershëm të Biblës tashmë e kishin kuptuar këtë të vërtetë jetësore. Kulla e Rojës e Sionit e 15 nëntorit 1895 (angl.) tha: «Sado pak grurë të mblidhet, të paktën jepet dëshmi e bollshme për të vërtetën. . . . Të gjithë mund ta predikojnë ungjillin.»