Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

KAPITULLI 11

Rafinimet morale​—Pasqyrimi i shenjtërisë së Perëndisë

Rafinimet morale​—Pasqyrimi i shenjtërisë së Perëndisë

KU PËRQENDROHET KAPITULLI

Si i ka mësuar Mbreti nënshtetasit t’i respektojnë normat morale të Perëndisë

Imagjinoje veten duke hyrë në portën e oborrit të jashtëm të tempullit të madh frymor të Jehovait

1. Çfarë pa Ezekieli që na mbush me nderim të thellë?

 PO SIKUR të përjetoje atë që i ndodhi profetit Ezekiel 25 shekuj më parë? Imagjino: i afrohesh një tempulli madhështor plot shkëlqim. Një engjëll i fuqishëm është atje për të të treguar këtë vend të jashtëzakonshëm. Ngjit shtatë shkallët që të çojnë në një nga tri portat e jashtme. Këto porta që shkojnë deri në 30 metra lartësi, të mbushin me nderim të thellë. Brenda tyre sheh se janë dhomat e rojave. Shtyllat ngjajnë me një palmë të hijshme.​—Ezek. 40:1-4, 10, 14, 16, 22; 41:20.

2. (a) Çfarë përfaqëson tempulli frymor? (Shih edhe shënimin.) (b) Ç’mësojmë nga detajet e portave të tempullit?

2 Ky është tempulli frymor i profetizuar. Ezekieli e përshkroi me kaq shumë detaje, saqë tregimi zë kapitujt 40 deri në 48 të librit të tij profetik. Ky tempull përfaqëson rregullimin e Jehovait për adhurimin e pastër. Çdo detaj ka domethënie për adhurimin tonë në këto ditë të fundit. a Çfarë nënkuptojnë portat e larta? Ato na kujtojnë se kush hyn në rregullimin e Jehovait për adhurimin e pastër duhet të jetojë sipas normave të larta e të drejta të Zotit. Edhe gdhendjet e palmave tregojnë të njëjtën gjë, pasi disa herë palmat janë përdorur në Bibël për të paraqitur drejtësinë. (Psal. 92:12) Po dhomat e rojave? Qartë, kush nuk respekton normat hyjnore nuk lejohet të hyjë në këtë udhë të bukur jetëdhënëse të adhurimit të pastër.​—Ezek. 44:9.

3. Pse kanë pasur nevojë për rafinim të herëpashershëm dishepujt e Krishtit?

3 Si është plotësuar vegimi që pa Ezekieli? Siç vumë re në kapitullin 2, Jehovai përdori Krishtin që ta kalonte popullin e tij në një proces të veçantë rafinimi nga viti 1914 deri në fillim të 1919-s. A mbaroi rafinimi në atë kohë? As që bëhet fjalë! Gjatë shekullit të kaluar, Krishti i ka përkrahur normat e shenjta të Jehovait për sjelljen. Kështu që dishepujt kishin nevojë për rafinim të herëpashershëm. Pse? Sepse Krishti i ka mbledhur dishepujt nga kjo botë e korruptuar moralisht dhe Satanai s’rresht kurrë t’i tërheqë në llucën e imoralitetit. (Lexo 2 Pjetrit 2:20-22.) Të shqyrtojmë tri fusha ku të krishterët e vërtetë janë rafinuar rregullisht. Së pari do të shikojmë disa rafinime morale, pastaj një masë jetësore për ta mbajtur kongregacionin të pastër dhe në fund rregullimin për familjen.

Rafinimet morale gjatë viteve

4, 5. Cilën strategji ka përdorur prej kohësh Satanai dhe me ç’rezultat?

4 Populli i Jehovait ka qenë gjithmonë tejet i interesuar për sjelljen e moralshme e të drejtë. Prandaj i ka mirëpritur udhëzimet më të qartësuara rreth kësaj teme. Shih disa shembuj.

5 Imoraliteti seksual. Jehovai bëri që marrëdhëniet seksuale midis të martuarve të jenë të pastra e të kënaqshme. Satanait i bëhet qejfi kur e shtrembëron këtë dhuratë të bukur në diçka të pistë, të cilën e shfrytëzon për të tunduar popullin e Jehovait që të humbasë miratimin e Perëndisë. Satanai e përdori me sukses këtë strategji që rezultoi fatale në ditët e Balaamit, dhe e ka përdorur më shumë se kurrë në ditët e fundit.​—Num. 25:1-3, 9; Zbul. 2:14.

6. Cili zotim u botua te Kulla e Rojës, si përdorej dhe pse u la në harresë? (Shih edhe shënimin.)

6 Si kundërpërgjigje të përpjekjeve të Satanait, Kulla e Rojës e 15 qershorit 1908 (angl.) botoi këtë zotim: «Kurdo dhe kudo, si do të sillesha publikisht me ata të seksit tjetër, do të sillem edhe privatisht.» b Ndonëse zotimi nuk ishte i detyrueshëm, shumë veta e bënë atë dhe pranuan që emrat t’u dilnin në Kullën e Rojës të Sionit. Vite më vonë, me të drejtë u vu re se zotimi ishte i dobishëm për mjaft veta në atë kohë, ama po kthehej në ritual, ndaj u la në harresë. Gjithsesi, parimet e larta morale që përfaqësonte, u ruajtën gjithmonë.

7. Cilin problem trajtoi Kulla e Rojës më 1935 dhe cilën normë konfirmoi?

7 Sulmet e Satanait vetëm sa intensifikoheshin. Kulla e Rojës e 1 marsit 1935 (angl.) foli hapur për një problem gjithnjë e në rritje mes popullit të Zotit. Me sa duket, disa mendonin se, po të merrnin pjesë në shërbim, në njëfarë mënyre nuk kishin pse t’i zbatonin normat morale të Jehovait në jetën private. Kulla e Rojës tha troç: «Kushdo duhet të mbajë parasysh se përfshirja në veprën e dëshmisë nuk është gjithçka që kërkohet. Dëshmitarët e Jehovait janë përfaqësuesit e tij dhe detyrimi që bie mbi ta është ta përfaqësojnë denjësisht Jehovain dhe mbretërinë e tij.» Artikulli më pas dha një këshillë të qartë për martesën dhe moralin seksual, e kështu ndihmoi popullin e Perëndisë ‘të ikte nga kurvëria’.​—1 Kor. 6:18.

8. Pse e ka theksuar vazhdimisht Kulla e Rojës kuptimin e plotë të fjalës greke për imoralitetin seksual?

8 Dekadat e fundit, Kulla e Rojës ka theksuar në mënyrë të përsëritur përkufizimin e saktë të fjalës që përdoret në Shkrimet Greke për imoralitetin seksual​—porneía. Domethënia e fjalës nuk përfshin vetëm marrëdhëniet seksuale. Përkundrazi, porneía përfshin shumëllojshmëri veprimesh imorale, në përgjithësi veprimet e fëlliqura që bëhen në vendet e prostitucionit. Në këtë mënyrë, dishepujt e Krishtit janë mbrojtur nga epidemia e zvetënimit seksual që ka zënë kaq shumë njerëz në botën e sotme.​—Lexo Efesianëve 4:17-19.

9, 10. (a) Për cilën çështje të moralit foli Kulla e Rojës më 1935? (b) Cila është pikëpamja e ekuilibruar e Biblës për alkoolin?

9 Abuzimi me alkoolin. Kulla e Rojës e 1 marsit 1935 ngriti një çështje tjetër për moralin: «Po ashtu është vënë re se disa shkojnë në shërbimin në fushë dhe kryejnë caktime të tjera në organizatë kur janë nën ndikimin e [alkoolit]. Në cilat rrethana është i përshtatshëm përdorimi i verës sipas Shkrimeve? A do të ishte e përshtatshme të përdorej verë deri aty sa të ndikonte në shërbimin që bën dikush në organizatën e Zotërisë?»

10 Përgjigjja trajtonte pikëpamjen e ekuilibruar që gjejmë në Fjalën e Zotit rreth pijeve alkoolike. Bibla nuk e dënon përdorimin me karar të verës dhe të pijeve të tjera alkoolike, ama dënon rreptësisht dehjen. (Psal. 104:14, 15; 1 Kor. 6:9, 10) Në lidhje me shërbimin e shenjtë nën ndikimin e alkoolit, shërbëtorët e Perëndisë janë përkujtuar prej kohësh për tregimin e bijve të Aaronit, të cilët Perëndia i ekzekutoi ngaqë i paraqitën zjarr të palejueshëm mbi altar. Pak pas kësaj, Perëndia dha ligjin që i ndalonte gjithë priftërinjtë të pinin alkool teksa kryenin detyrat e tyre të shenjta, e nga kjo kuptojmë çfarë mund t’i ketë shtyrë këta burra të bënin një gjë kaq të papërshtatshme. (Lev. 10:1, 2, 8-11) Për të zbatuar këtë parim thelbësor, dishepujt e Krishtit bëjnë kujdes që të mos e kryejnë shërbimin e shenjtë nën ndikimin e alkoolit.

11. Pse ka qenë bekim për popullin e Perëndisë kuptueshmëria më e qartësuar për alkoolizmin?

11 Dekadat e fundit, dishepujt e Krishtit janë bekuar edhe më tej me kuptueshmëri më të qartësuar për alkoolizmin, gjendje që nënkupton varësi dhe abuzim të vazhdueshëm me alkoolin. Falë ushqimit frymor në kohën e duhur, mjaft veta janë ndihmuar ta përballojnë këtë gjendje siç duhet e të rimarrin në kontroll jetën e tyre. Shumë të tjerë janë ndihmuar të heqin dorë njëherë e mirë nga alkoolizmi. Askush s’duhet të lejojë që abuzimi me alkoolin t’i grabitë dinjitetin, familjen dhe, mbi të gjitha, privilegjin të marrë pjesë në adhurimin e pastër të Jehovait.

«S’e përfytyrojmë dot Zotërinë tonë duke tymosur duhan ose duke futur në gojë diçka të ndotur.»​—Ç. T. Rasëlli

12. Si e konsideronin përdorimin e duhanit shërbëtorët e Krishtit kohë para se të fillonin ditët e fundit?

12 Përdorimi i duhanit. Shërbëtorët e Krishtit filluan të mos e miratonin përdorimin e duhanit kohë para se të nisnin ditët e fundit. Disa vite më parë, një vëlla i moshuar, Çarls Kepëni, kujtoi takimin e tij të parë me Çarls Tejz Rasëllin në fund të shekullit të 19-të. Kepëni, asokohe 13-vjeçar, dhe tre vëllezër të tij ishin te shkallët e Shtëpisë së Biblës në Allegeni të Pensilvanisë. Kur Rasëlli u kaloi afër, i pyeti: «Çuna, po pini duhan? Se ndiej era duhan.» E siguruan që nuk po pinin. Nga ky rast, kuptuan qartë ç’mendonte ai për këtë argument. Në Kullën e Rojës të 1 gushtit 1895 (angl.) vëlla Rasëlli komentoi 2 Korintasve 7:1: «Nuk e kuptoj si do të ishte në lavdi të Zotit ose në dobi të një të krishteri, nëse do të përdorte duhanin në ndonjë mënyrë. . . . S’e përfytyrojmë dot Zotërinë tonë duke tymosur duhan ose duke futur në gojë diçka të ndotur.»

13. Cili rafinim moral ndodhi më 1973?

13 Më 1935 Kulla e Rojës (angl.) e quajti duhanin «bari i ndyrë» dhe vuri në dukje se kushdo që e përtypte ose e pinte nuk mund të ishte pjesëtar i familjes Bethel a të shërbente si përfaqësues i organizatës së Perëndisë në veprën e pionierit ose udhëtuese. Në vitin 1973 ndodhi një rafinim i mëtejshëm. Kulla e Rojës e 1 qershorit shpjegoi se asnjë Dëshmitar i Jehovait nuk mund të kishte qëndrim të miratuar në kongregacion ndërkohë që bënte këtë praktikë vdekjeprurëse, të ndotur dhe jo të dashur. Ata që nuk pranonin të hiqnin dorë nga keqpërdorimi i duhanit, duheshin përjashtuar. c Krishti kishte marrë një hap tjetër të rëndësishëm për të rafinuar dishepujt.

14. Cila është norma e Perëndisë për gjakun dhe si u bë e zakonshme praktika e transfuzionit të gjakut?

14 Keqpërdorimi i gjakut. Në kohën e Noesë, Perëndia tha se është e gabuar ngrënia e gjakut. E konfirmoi këtë në Ligjin që i dha kombit të Izraelit e po njësoj udhëzoi edhe kongregacionin e krishterë që ‘të rrinte larg nga gjaku’. (Vep. 15:20, 29; Zan. 9:4; Lev. 7:26) Nuk çuditemi që Satanai në kohët tona ka gjetur një mënyrë që shumë ta shpërfillin këtë normë hyjnore. Në shekullin e 19-të, mjekët po eksperimentonin me transfuzionin e gjakut, por kjo praktikë u bë edhe më e përhapur kur u zbuluan grupet e gjakut. Më 1937, gjaku filloi të mblidhej e të ruhej në bankat e gjakut dhe më pas Lufta II Botërore i dha shtysë të madhe kësaj praktike. Shpejt, transfuzionet u bënë më se të zakonshme përreth botës.

15, 16. (a) Cilin qëndrim morën Dëshmitarët e Jehovait për transfuzionet e gjakut? (b) Cila ndihmë u është siguruar dishepujve të Krishtit rreth transfuzioneve të gjakut dhe trajtimeve pa gjak? Me ç’rezultat?

15 Që në 1944-n, Kulla e Rojës tregoi se transfuzionet e gjakut në të vërtetë ishin një mënyrë tjetër si të haje gjakun. Vitin pasues, qëndrimi ynë sipas Shkrimeve u përforcua dhe u qartësua. Më 1951, u botua një listë me pyetje e përgjigje që ta ndihmonte popullin e Zotit të fliste me specialistët e mjekësisë. Anembanë botës, dishepujt besnikë të Krishtit po merrnin qëndrim të guximshëm shpesh përballë përbuzjes, armiqësisë e madje përballë përndjekjes së hapur. Por Krishti vazhdoi ta lëvizte organizatën e tij, që të siguronte mbështetjen e nevojshme. U botuan broshura dhe artikuj të hollësishëm, të bazuar në kërkime të sakta.

16 Në vitin 1979, disa pleq nisën të shkonin nëpër spitale që t’i ndihmonin mjekët të kuptonin më mirë qëndrimin tonë, arsyet nga Shkrimet dhe alternativat pa gjak që disponoheshin. Më 1980, pleq në 39 qytete të Shteteve të Bashkuara morën stërvitje të specializuar për këtë fushë. Me kalimin e kohës, Trupi Udhëheqës miratoi formimin e Komiteteve të Lidhjes me Spitalet në gjithë botën. A kanë dalë të suksesshme këto përpjekje gjatë viteve? Sot dhjetëra mijë specialistë të mjekësisë​—ku përfshihen mjekë, kirurgë dhe anesteziologë—​bashkëpunojnë me pacientë Dëshmitarë, duke respektuar zgjedhjen tonë të trajtimit pa gjak. Gjithnjë e më shumë spitale ofrojnë trajtimin pa gjak e madje e konsiderojnë si një nga standardet më të larta të kujdesit shëndetësor. A nuk është emocionuese të mendosh për mënyrat si i ka mbrojtur Jezui dishepujt nga përpjekjet e Satanait për t’i ndotur?​—Lexo Efesianëve 5:25-27.

Gjithnjë e më shumë spitale ofrojnë trajtimin pa gjak e madje e konsiderojnë si një nga standardet më të larta të kujdesit shëndetësor

17. Si mund të tregojmë se e vlerësojmë mënyrën si i ka rafinuar Krishti dishepujt?

17 Bëjmë mirë të pyesim veten: «A e çmoj mënyrën si i ka rafinuar Krishti dishepujt, duke i stërvitur të mbajnë normat e larta morale të Jehovait?» Nëse po, të mos harrojmë se Satanai kërkon gjithnjë të na largojë nga Jehovai dhe Jezui, duke na gërryer respektin që kemi për moralin hyjnor. Për t’iu kundërvënë këtij ndikimi, organizata e Jehovait rregullisht siguron paralajmërime dhe përkujtues të dashur rreth udhëve imorale të kësaj bote. Le të jemi syçelë, t’i mirëpresim e t’u bindemi këtyre këshillave dobiprurëse!​—Prov. 19:20.

Mbrohet kongregacioni nga ana morale

18. Cilin paralajmërim të qartë na jep vegimi i Ezekielit për ata që rebelohen kundër normave të Zotit?

18 Një fushë e dytë e rafinimit moral përfshin masën për ta mbajtur kongregacionin të pastër. Fatkeqësisht, jo kushdo që pranon normat e Jehovait për sjelljen dhe i kushtohet atij, e mban me besnikëri vendimin që ka marrë. Disa më pas ndryshojnë qëndrimin e zemrës dhe rebelohen kundër këtyre normave. Ç’duhet bërë me këta? Një të dhënë e gjejmë në vegimin e Ezekielit për tempullin frymor të përmendur në hyrje të kapitullit. A të kujtohen portat e larta? Brenda secilës kishte dhoma rojash. Rojat mbronin tempullin, me sa duket që të ndalonin hyrjen e ‘të parrethprerëve në zemër’. (Ezek. 44:9) Ky është përkujtues i qartë se adhurimi i pastër është privilegj i rezervuar vetëm për ata që përpiqen të jetojnë sipas normave të pastra të Jehovait për sjelljen. Në mënyrë të ngjashme, privilegji për t’u shoqëruar me të bashkëkrishterët në adhurim nuk është për këdo.

19, 20. (a) Si i ka ndihmuar Krishti gradualisht dishepujt të rafinohen për mënyrën si trajtohen keqbërjet e rënda? (b) Cilat janë tri arsye pse keqbërësit e papenduar përjashtohen?

19 Më 1892, Kulla e Rojës (angl.) komentoi se «detyra jonë është t’i përjashtojmë ata të krishterë që drejtpërdrejt a tërthorazi e mohojnë se Krishti dha veten si shpërblesë [çmim përkatës] për të gjithë». (Lexo 2 Gjonit 10.) Në vitin 1904, libri Krijimi i ri pranoi se ata që këmbëngulin në sjellje të gabuar përbëjnë rrezik real për shkurajimin e kongregacionit. Në atë kohë i gjithë kongregacioni merrte pjesë në «gjyqet e kishës» për të trajtuar rastet e keqbërjes së rëndë. Sidoqoftë, këto ishin raste të rralla. Në 1944-n, Kulla e Rojës tregoi se këto çështje duhej t’i trajtonin vetëm vëllezërit përgjegjës. Në vitin 1952, Kulla e Rojës botoi një procedurë si të trajtoheshin çështjet gjyqësore, e cila bazohej në Bibël. Në të theksohej një arsye e rëndësishme pse përjashtohen të papenduarit: që kongregacioni të mbahet i pastër.

20 Që nga ajo kohë, Krishti i ka ndihmuar dishepujt të qartësohen e të rafinohen për mënyrën si trajtohen keqbërjet e rënda. Pleqtë e krishterë marrin stërvitje të kujdesshme që t’i trajtojnë çështjet gjyqësore në mënyrën e Jehovait, duke ekuilibruar drejtësinë me mëshirën. Sot dallojmë qartë të paktën tri arsye për të përjashtuar nga kongregacioni keqbërësit e papenduar: (1) të mos shahet emri i Jehovait, (2) të mbrohet kongregacioni nga ndotja dhe (3) të nxitet mëkatari të pendohet, nëse është e mundur.

21. Si ka dalë bekim masa e përjashtimit për popullin e Perëndisë?

21 A e dallon si masa e përjashtimit ka dalë bekim për dishepujt e Krishtit? Në Izraelin e lashtë, keqbërësit shpesh ishin ndikim i dëmshëm për kombin, madje me raste tejkalonin në numër ata që donin Jehovain dhe që mundoheshin të bënin çka ishte e drejtë. Kështu kombi shpesh i sillte sharje emrit të Jehovait dhe humbiste miratimin hyjnor. (Jer. 7:23-28) Kurse sot Jehovai nuk ka të bëjë me një komb specifik, por me një komunitet burrash e grash frymorë. Meqë keqbërësit e papenduar hiqen nga mesi ynë, nuk lejohen të bëhen armë në duart e Satanait që të dëmtojnë edhe më tej kongregacionin dhe qëndrimin e pastër që gëzon. Madje ky ndikim mbahet në minimum. Në këtë mënyrë, si grup ruajmë miratimin e Jehovait. Mos harro se Jehovai premtoi: «Asnjë armë e sajuar kundër teje nuk do të ketë sukses.» (Isa. 54:17) A i mbështet me besnikëri pleqtë që mbajnë përgjegjësinë serioze për të trajtuar çështje gjyqësore?

I jepet lavdi atij nga i cili merr emër çdo familje

22, 23. Pse u jemi mirënjohës të bashkëkrishterëve në fillim të shekullit të 20-të? Nga e dimë se nevojitej më shumë drejtpeshim në lidhje me familjen?

22 Një fushë e tretë në të cilën dishepujt e Krishtit kanë nxjerrë dobi nga rafinimi i vazhdueshëm, ka të bëjë me martesën dhe jetën familjare. A është rafinuar pikëpamja jonë për familjen gjatë viteve? Po. Për shembull, kur lexojmë për shërbëtorët e Perëndisë në fillim të shekullit të 20-të, s’ka si të mos na bëjë përshtypje dhe të na mahnitë fryma e tyre e vetëmohimit. U jemi thellësisht mirënjohës për mënyrën si e vunë shërbimin e shenjtë mbi gjithçka tjetër në jetë. Në të njëjtën kohë, e kuptojmë fare mirë se nevojitej më shumë drejtpeshim. Në ç’kuptim?

23 Ishte e zakonshme që vëllezërit të shkonin në caktime shërbimi dhe në veprën udhëtuese për muaj me radhë larg shtëpisë. Hera-herës martesa nëpër botime nuk këshillohej, dhe kjo bëhej me më tepër forcë se sa autorizonin Shkrimet. Ndërkohë jepeshin fare pak këshilla si të ndërtoheshin martesa të forta të krishtere. A kemi të njëjtën situatë sot? Jo.

Caktimet teokratike nuk duhet të arrihen në kurriz të detyrimeve familjare

24. Si e ndihmoi Krishti popullin e tij besnik të fitonte pikëpamje më të ekuilibruar për martesën dhe familjen?

24 Tani caktimet teokratike nuk duhet të arrihen në kurriz të detyrimeve familjare. (Lexo 1 Timoteut 5:8.) Gjithashtu, Krishti u ka siguruar dishepujve të tij besnikë në tokë një lumë të pashtershëm këshillash të dobishme, të ekuilibruara e të bazuara në Shkrime për martesën dhe jetën familjare. (Efes. 3:14, 15) Në vitin 1978 doli libri Bëjeni të lumtur jetën familjare. Gati 18 vjet më vonë u botua libri Sekreti i lumturisë familjare. Për më tepër, Kulla e Rojës ka nxjerrë artikuj të shumtë për të ndihmuar çiftet e martuara që t’i zbatojnë parimet biblike në lidhjen e tyre.

25-27. Si u është kushtuar edhe më shumë vëmendje gjatë viteve nevojave të fëmijëve me mosha të ndryshme?

25 Po për të rinjtë? Gjatë viteve, u është kushtuar gjithnjë e më shumë vëmendje nevojave të tyre. Organizata e Jehovait ka siguruar nga kohë gjëra të mira për fëmijët e moshave të ndryshme: currili është bërë lumë i pashtershëm. Për shembull, tek Epoka e artë nga 1919-1921 doli rubrika «Studim biblik për të rinj». Pas kësaj rubrike, në vitin 1920 doli broshura Epoka e artë ABC dhe në vitin 1941 libri Fëmijët. Në vitet 70, u botuan librat Dëgjoni Mësuesin e Madh, Rinia​—Nxirr më të mirën prej saj dhe Libri im i tregimeve biblike. Më 1982 te revista Zgjohuni! filloi seria «Të rinjtë pyesin», derisa në vitin 1989-n doli në anglisht libri Të rinjtë pyesin . . . Përgjigje praktike.

Broshura Mësimet e para nga Bibla u mirëprit me gëzim në një kongres në Gjermani

26 Sot kemi dy vëllime të përditësuara të librit Të rinjtë pyesin, e kjo seri vazhdon në faqen tonë të Internetit jw.org. Po ashtu kemi librin Të mësojmë nga Mësuesi i Madh. Faqja jonë e Internetit ka shumë rubrika për të rinjtë, ku përfshihen fletë me personazhe biblike, fletë për studimin e Biblës si për fëmijë të rritur e të vegjël, fletë studimi dhe vizatimi, video e tregime biblike me vizatime, si edhe mësime të bazuara në Bibël për fëmijë nga mosha tre vjeç e poshtë. Qartë, pikëpamja e Krishtit për të rinjtë nuk ka ndryshuar që kur mori fëmijët në krah në shekullin e parë. (Mar. 10:13-16) Ai dëshiron që të rinjtë mes nesh të ndiejnë se i duam dhe të jenë të ushqyer mirë frymësisht.

27 Gjithashtu, Jezui do që fëmijët të jenë të mbrojtur nga rreziqet. Ndërsa kjo botë e shthurur moralisht është zhytur në degjenerimin e vet, murtaja e abuzimit me fëmijët është përhapur akoma më shumë. Prandaj janë botuar materiale të qarta e të drejtpërdrejta që t’i ndihmojnë prindërit t’i mbrojnë fëmijët nga kjo praktikë e ligë. d

28. (a) Siç tregohet në vegimin e Ezekielit për tempullin, çfarë kërkohet nëse duam të marrim pjesë në adhurimin e pastër? (b) Çfarë je i vendosur të bësh?

28 A nuk është drithëruese të mendosh si ka vazhduar Krishti t’i rafinojë dishepujt, duke i stërvitur si të respektojnë, të jetojnë në përputhje dhe të nxjerrin dobi nga normat e larta morale të Jehovait? Sill sërish ndër mend tempullin që pa Ezekieli në vegim. A të kujtohen portat e larta? Patjetër, ky tempull nuk është vend i mirëfilltë, por frymor. Gjithsesi, a e shohim si të vërtetë? Ne hyjmë në të, jo vetëm kur bëjmë veprime të dukshme, siç janë: të shkojmë në Sallën e Mbretërisë, të hapim Biblën ose të dalim në shërbim. Edhe një hipokrit mund t’i bëjë këto gjëra pa hyrë kurrë në tempullin e Jehovait. Megjithatë, nëse i bëjmë këto gjëra e në të njëjtën kohë jetojmë sipas normave të larta të Jehovait dhe kemi qëndrimin e drejtë të zemrës ndërsa marrim pjesë në adhurimin e pastër, atëherë hyjmë në të dhe shërbejmë në vendin më të shenjtë​—rregullimin për adhurimin e pastër të Perëndisë Jehova! Le ta çmojmë gjithmonë këtë privilegj të vyer! Bëfshim të pamundurën që të pasqyrojmë shenjtërinë e Jehovait duke mbajtur normat e tij të drejta!

a Më 1932, në vëllimin II të librit Shfajësimi (angl.) u tregua për herë të parë se profecitë biblike që përqendrohen te rivendosja e popullit të Perëndisë në atdhe, patën një përmbushje moderne, jo për Izraelin mishor, por për Izraelin frymor. Këto profeci e drejtojnë vëmendjen te rivendosja e adhurimit të pastër. Kulla e Rojës e 1 marsit 1999 shpjegoi se vegimi i Ezekielit për tempullin është profeci rivendosjeje, prandaj ka një përmbushje të rëndësishme frymore gjatë ditëve të fundit.

b Zotimi ndalonte që një burrë e një grua të rrinin vetëm në një dhomë nëse nuk e linin derën tërësisht hapur ose nëse nuk ishin bashkëshortë a familjarë të ngushtë. Për ca vjet, ky zotim lexohej përditë si pjesë e programit të Adhurimit të Mëngjesit në Bethel.

c Keqpërdorimi i duhanit përfshin pirjen, përtypjen dhe kultivimin e tij për këto arsye.

d Për shembull, shih kapitullin 32 të librit Të mësojmë nga Mësuesi i Madh; si dhe serinë e artikujve, «Mbrojini fëmijët tuaj!» në revistën Zgjohuni!, tetor 2007.