Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

KAPITULLI 17

Stërvitemi si shërbëtorë të Mbretërisë

Stërvitemi si shërbëtorë të Mbretërisë

KU PËRQENDROHET KAPITULLI

Si i përgatitin shkollat teokratike shërbëtorët e Mbretërisë që t’i përmbushin caktimet

1-3. Si e zgjeroi veprën e predikimit Jezui dhe cilat pyetje lindin?

 JEZUI predikoi dy vjet anembanë Galilesë. (Lexo Mateun 9:35-38.) Vizitoi shumë qytete e fshatra, mësoi në sinagoga dhe predikoi lajmin e mirë për Mbretërinë. Kudo që predikonte, turma e rrethonte. Ai vërejti se ‘të korrat ishin të mëdha’ dhe se duheshin më shumë punëtorë.

2 Jezui mori masa që ta zgjeronte veprën e predikimit. Si? Duke i dërguar 12 apostujt «të predikonin mbretërinë e Perëndisë». (Luka 9:1, 2) Ndoshta apostujt kishin pyetje si do ta kryenin këtë vepër. Para se t’i niste, Jezui me dashuri u dha diçka që i kishte dhënë Ati​—stërvitje.

3 Tani lindin disa pyetje: ç’stërvitje mori Jezui nga Ati? Ç’stërvitje u dha Jezui apostujve? Po sot, a i ka stërvitur Mbreti mesianik dishepujt që ta kryejnë shërbimin? Nëse po, si?

«I them këto gjëra ashtu si më mësoi Ati»

4. Kur dhe ku e mësoi Ati Jezuin?

4 Jezui e pranoi hapur se e kishte mësuar Ati. Gjatë shërbimit, Jezui tha: «I them këto gjëra ashtu si më mësoi Ati.» (Gjoni 8:28) Kur dhe ku e mësoi Ati Jezuin? Duket se stërvitja për Birin e parëlindur të Perëndisë filloi menjëherë pasi u krijua. (Kolos. 1:15) Përkrah Atit në qiell, Biri kaloi epoka të panumërta duke dëgjuar e vëzhguar ‘Mësuesin e Madh’. (Isa. 30:20) Si rezultat, Biri mori arsimim të pashoq për cilësitë, veprat dhe qëllimet e të Atit.

5. Çfarë udhëzimesh i dha Ati të Birit në lidhje me shërbimin që do të kryente në tokë?

5 Në kohën e duhur, Jehovai e mësoi të Birin për shërbimin që do të kryente në tokë. Shqyrto një profeci që përshkruan marrëdhënien e Mësuesit të Madh me Birin e tij të parëlindur. (Lexo Isainë 50:4, 5.) Profecia thotë se Jehovai e zgjonte të Birin «mëngjes për mëngjes». Kjo gjuhë e figurshme të jep idenë e një mësuesi që e zgjon nxënësin herët në mëngjes, që ta mësojë. Një vepër biblike referimi thotë: «Jehovai . . . si të thuash e çon në shkollë sikur të ishte nxënës dhe i mëson çfarë dhe si duhet të predikojë.» Në atë «shkollë» qiellore, Jehovai i mësoi Birit ‘çfarë të thoshte e çfarë të fliste’. (Gjoni 12:49) Ati i dha të Birit edhe udhëzime si t’i mësonte të tjerët. a Në tokë, Jezui e përdori mirë stërvitjen jo vetëm kur kreu shërbimin e tij, por edhe kur i stërviti dishepujt ta përmbushnin shërbimin e tyre.

6, 7. (a) Çfarë stërvitjeje u dha Jezui apostujve dhe për çfarë i pajisi? (b) Cilën lloj stërvitjeje u ka dhënë Jezui sot dishepujve?

6 Çfarë stërvitjeje u dha Jezui apostujve siç u përmend në fillim? Sipas kapitullit 10 të Mateut, u dha udhëzime specifike për shërbimin, siç janë: ku të predikonin (vargjet 5, 6), çfarë lajmi të jepnin (vargu 7), nevojën për të besuar te Jehovai (vargjet 9, 10), si të flitnin me të zotin e shtëpisë (vargjet 11-13), si të reagonin ndaj kundërshtimit (vargjet 14, 15) dhe si të vepronin kur t’i përndiqnin (vargjet 16-23). b Stërvitja e qartë që Jezui u dha apostujve, i pajisi që t’i prinin veprës së predikimit të lajmit të mirë në shekullin e parë të e.s.

7 Po sot? Jezui, Mbreti i Mbretërisë së Perëndisë, u ka dhënë dishepujve caktimin më të rëndësishëm, pra, të predikojnë ‘këtë lajm të mirë për mbretërinë në gjithë tokën e banuar si dëshmi për të gjitha kombet’. (Mat. 24:14) A na ka stërvitur Mbreti që ta kryejmë këtë vepër tejet të rëndësishme? Që ç’ke me të! Nga qielli, Mbreti është siguruar që gjithë dishepujt të jenë të stërvitur si të predikojnë jashtë kongregacionit dhe si t’i përmbushin përgjegjësitë e veçanta brenda tij.

Stërviten shërbëtorët që të jenë ungjillëzues

8, 9. (a) Cili ishte qëllimi kryesor i Shkollës së Shërbimit Teokratik? (b) Si të ka ndihmuar mbledhja e mesjavës të jesh më i efektshëm në shërbim?

8 Organizata e Jehovait i ka përdorur prej kohësh asambletë, kongreset dhe mbledhjet e kongregacionit​—si Mbledhjen e Shërbimit—​që ta stërvitë popullin e Perëndisë për shërbimin. Gjithsesi, duke filluar nga vitet 40 të shekullit të 20-të, vëllezërit që merrnin drejtimin në selinë botërore morën masa për këtë stërvitje nëpërmjet shkollave të ndryshme.

9 Shkolla e Shërbimit Teokratik. Siç e pamë në kapitullin e mëparshëm, kjo shkollë filloi më 1943. A kishte synim kjo shkollë vetëm t’i stërviste studentët që të mbanin fjalime të efektshme në mbledhjet e kongregacionit? Jo. Qëllimi kryesor i shkollës ishte të stërviste popullin e Zotit të përdorte dhuratën e të folurit që ta lëvdonte Jehovain në shërbim. (Psal. 150:6) Shkolla i pajisi të gjithë vëllezërit e motrat e regjistruar të ishin shërbëtorë më të efektshëm të Mbretërisë. Sot kjo stërvitje sigurohet nga mbledhja e mesjavës.

10, 11. Cilët mund të regjistrohen tani në Shkollën e Galaadit dhe cili është synimi i programit të saj?

10 Shkolla Biblike Watchtower e Galaadit. Ajo që sot quhet Shkolla Biblike Watchtower e Galaadit nisi të hënën më 1 shkurt 1943. Në fillim shkolla u mendua që të stërviste pionierë dhe shërbëtorë të tjerë në kohë të plotë për shërbimin misionar anembanë botës. Por, që nga tetori i 2011-s, në këtë shkollë regjistrohen vetëm ata që janë tashmë në ndonjë formë të shërbimit special të plotkohor​—pionierë specialë, mbikëqyrës udhëtues me gratë e tyre, bethelitë, si dhe misionarë që nuk e kanë ndjekur ende shkollën.

11 Cili është synimi i programit të Shkollës së Galaadit? Një instruktor, që shërben prej kohësh, përgjigjet: «T’u forcojë besimin studentëve me anë të një studimi të hollësishëm të Fjalës së Perëndisë dhe t’i ndihmojë që të zhvillojnë cilësi frymore të nevojshme për të përballuar me sukses sfidat e caktimeve. Gjithashtu, një synim thelbësor i programit është t’u ngulitë studentëve një dëshirë edhe më të zjarrtë për të marrë pjesë në veprën e ungjillëzimit.»​—Efes. 4:11.

12, 13. Ç’efekt ka pasur Shkolla e Galaadit te vepra mbarëbotërore e predikimit? Jep një shembull.

12 Ç’efekt ka pasur Shkolla e Galaadit te vepra mbarëbotërore e predikimit? Që nga 1943-shi, mbi 8.500 njerëz janë stërvitur në këtë shkollë, c dhe misionarët e Galaadit kanë shërbyer në më se 170 vende. Misionarët e përdorin mirë stërvitjen kur janë shembull për zellin në shërbim dhe kur i stërvitin të tjerët të bëjnë njësoj. Në shumë raste, misionarët i kanë prirë veprës në vende që kishin pak ose aspak lajmëtarë të Mbretërisë.

13 Shih çfarë ndodhi në Japoni gjatë Luftës II Botërore, kur predikimi publik i organizuar thuajse ndaloi. Në gusht të 1949-s, ishin më pak se 10 lajmëtarë vendës në Japoni. Sidoqoftë, nga fundi i atij viti, në Japoni po predikonin 13 misionarë të Galaadit e shumë të tjerë erdhën më pas. Fillimisht, misionarët u përqendruan te qytetet e mëdha, më pas shkuan në qytetet e tjera. Misionarët i nxitën me gjithë zemër studentët e tyre dhe të tjerë që të nisnin shërbimin e pionierit. Përpjekjet e zellshme të misionarëve dhanë shumë fryt. Tani janë mbi 216.000 lajmëtarë të Mbretërisë në Japoni dhe gati 40 për qind janë pionierë! d

14. Për çfarë janë dëshmi e fuqishme shkollat teokratike? (Shih edhe kutinë « Shkolla që stërvitin shërbëtorët e Mbretërisë».)

14 Shkolla të tjera teokratike. Shkolla e Shërbimit për Pionierë, Shkolla Biblike për Çiftet e Krishtere dhe Shkolla Biblike për Vëllezërit Beqarë i kanë ndihmuar pjesëmarrësit, të rriten frymësisht dhe t’i prijnë me zell veprës së ungjillëzimit. e Gjithë këto shkolla teokratike janë dëshmi e fuqishme se Mbreti ynë i ka pajisur plotësisht dishepujt që ta kryejnë shërbimin.​—2 Tim. 4:5.

Stërviten vëllezër që të përmbushin përgjegjësi të veçanta

15. Në ç’mënyrë duan ta imitojnë Jezuin burrat që shërbejnë në pozita përgjegjësie?

15 Sill ndër mend profecinë e Isaisë që flet për Jezuin si i stërvitur nga Jehovai. Në atë «shkollë» qiellore, Biri mësoi ‘si t’i përgjigjej të lodhurit me një fjalë’. (Isa. 50:4) Jezui e zbatoi këtë mësim. Kur ishte në tokë, u solli freskim atyre që ‘robtoheshin dhe që ishin të ngarkuar’. (Mat. 11:28-30) Duke imituar Jezuin, burra që shërbejnë në pozita përgjegjësie duan të jenë burim freskimi për vëllezërit dhe motrat. Për këtë qëllim, janë organizuar shkolla të ndryshme që të ndihmojnë vëllezërit e kualifikuar të jenë më të efektshëm ndërsa u shërbejnë bashkëbesimtarëve.

16, 17. Cili është qëllimi i Shkollës së Shërbimit të Mbretërisë? (Shih edhe shënimin.)

16 Shkolla e Shërbimit të Mbretërisë. Kjo shkollë filloi më 9 mars 1959, në Lansingun Jugor, Nju-Jork. Mbikëqyrësit udhëtues dhe shërbëtorët e kongregacionit u ftuan të ndiqnin një kurs njëmujor. Më vonë, kursi u përkthye nga anglishtja në gjuhë të tjera dhe shkolla gradualisht nisi të stërviste vëllezër kudo në botë. f

Vëlla Llojd Berri duke dhënë mësim në Shkollën e Shërbimit të Mbretërisë në Japoni, 1970

17Librin vjetor të Dëshmitarëve të Jehovait 1962 (angl.) u tha qëllimi i Shkollës së Shërbimit të Mbretërisë: «Në këtë botë të vrullshme, një mbikëqyrës në kongregacionin e Dëshmitarëve të Jehovait duhet të jetë një burrë që e organizon jetën e vet në mënyrë që t’u kushtojë vëmendjen e duhur të gjithëve në kongregacion dhe të jetë bekim për ta. Në të njëjtën kohë, nuk mund të jetë një burrë që lë pas dore familjen ngaqë kujdeset për kongregacionin, por duhet të jetë me mendje të shëndoshë. Pjesëmarrja në Shkollën e Shërbimit të Mbretërisë është mundësi e shkëlqyer për shërbëtorët e kongregacionit nëpër botë që të stërviten, e kjo do t’i ndihmojë të bëjnë pikërisht atë që thotë Bibla për mbikëqyrësit.»​—1 Tim. 3:1-7; Titit 1:5-9.

18. Si nxjerr dobi i gjithë populli i Zotit nga Shkolla e Shërbimit të Mbretërisë?

18 I gjithë populli i Zotit ka nxjerrë dobi nga Shkolla e Shërbimit të Mbretërisë. Si? Kur pleqtë dhe shërbëtorët ndihmës i zbatojnë gjërat që kanë mësuar në shkollë, janë burim freskimi për bashkëbesimtarët siç ishte Jezui. A nuk e çmon kur një plak a shërbëtor ndihmës i dashur të thotë një fjalë të ëmbël, të dëgjon me vëmendje ose të bën një vizitë inkurajuese? (1 Sel. 5:11) Këta burra të kualifikuar janë bekim i vërtetë për kongregacionin!

19. Cilat shkolla të tjera mbikëqyr Komiteti i Mësimit dhe për çfarë janë menduar?

19 Shkolla të tjera teokratike. Komiteti i Mësimit i Trupit Udhëheqës mbikëqyr shkolla të tjera që stërvitin vëllezër me pozita përgjegjësie në organizatë. Këto shkolla janë menduar për të ndihmuar vëllezërit përgjegjës​—pleqtë e kongregacionit, mbikëqyrësit udhëtues dhe anëtarët e Komiteteve të Degëve—​që t’i përmbushin më me efektshmëri përgjegjësitë e shumta. Kurset e bazuara në Bibël i nxitin vëllezërit të qëndrojnë të fortë frymësisht dhe t’i zbatojnë parimet e Shkrimeve ndërsa kujdesen për delet e çmuara që Jehovai i ka lënë në kujdesin e tyre.​—1 Pjet. 5:1-3.

Klasa e parë e Shkollës së Stërvitjes për Shërbim në Malavi, 2007

20. Pse Jezui mund të thoshte se të gjithë ‘jemi të mësuar nga Jehovai’ dhe çfarë je i vendosur të bësh?

20 Pa dyshim, Mbreti mesianik është siguruar që të gjithë dishepujt të jenë të stërvitur mirë. E gjithë stërvitja ka ardhur nga lart: Jehovai stërviti Birin dhe Biri ka stërvitur dishepujt. Ndaj Jezui mund të thoshte se të gjithë jemi ‘të mësuar nga Jehovai’. (Gjoni 6:45; Isa. 54:13) Qofshim të vendosur të përfitojmë plotësisht nga stërvitja që Mbreti na ka vënë në dispozicion. Le të mbajmë përherë në mendje se synimi kryesor i gjithë kësaj stërvitjeje është të na ndihmojë të qëndrojmë të fortë frymësisht që ta kryejmë plotësisht shërbimin tonë!

a Nga e dimë se Ati e stërviti të Birin si t’i mësonte të tjerët? Shqyrto këtë: mësimdhënia e Jezuit me anë të ilustrimeve të shumta plotësoi një profeci që ishte dokumentuar shekuj para se të lindte. (Psal. 78:2; Mat. 13:34, 35) Sigurisht, Autori i kësaj profecie, Jehovai, e përcaktoi mjaft kohë më parë se i Biri do të mësonte me ilustrime ose shëmbëlltyra.​—2 Tim. 3:16, 17.

b Muaj më vonë, Jezui «caktoi shtatëdhjetë dishepuj të tjerë dhe i dërgoi . . . dy e nga dy» që të predikonin. U dha edhe stërvitje.​—Luka 10:1-16.

c Disa e kanë bërë Shkollën e Galaadit më shumë se një herë.

d Për më shumë hollësi rreth ndikimit që kanë pasur misionarët e Galaadit në veprën e predikimit anembanë botës, shih kapitullin 23 të librit Dëshmitarët e Jehovait: Lajmëtarë të Mbretërisë së Perëndisë, angl.

e Dy shkollat e fundit janë zëvendësuar nga Shkolla për Ungjillëzuesit e Mbretërisë.

f Tani të gjithë pleqtë nxjerrin dobi nga sesionet e Shkollës së Shërbimit të Mbretërisë që kanë kohëzgjatje të ndryshme dhe që mbahen një herë në disa vjet. Që nga 1984-a, edhe shërbëtorët ndihmës janë stërvitur në këtë shkollë.