Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

KAPITULLI 18

Si financohen aktivitetet e Mbretërisë

Si financohen aktivitetet e Mbretërisë

KU PËRQENDROHET KAPITULLI

Pse dhe si e mbështet financiarisht veprën e Mbretërisë populli i Jehovait

1, 2. (a) Si iu përgjigj vëlla Rasëlli një pastori që donte të dinte si administroheshin aktivitetet e Studentëve të Biblës? (b) Çfarë do të trajtojmë në këtë kapitull?

 NJË herë, vëlla Çarls T. Rasëllit iu afrua një pastor i Kishës së Reformuar që donte të dinte si administroheshin aktivitetet e Studentëve të Biblës.

 —Nuk mbledhim kurrë pará—​shpjegoi vëlla Rasëlli.

 —Ku i gjeni paratë?—​pyeti pastori.

 —Po të të them të vërtetën, zor se do ta besosh—​iu përgjigj Rasëlli.​—Kur njerëzit vijnë në mbledhje, nuk e gjejnë shportën e parave nën hundë. Por e kuptojnë se ka shpenzime. Thonë me vete: «Kjo sallë kushton diçka. . . . Si mund të kontribuoj?»

 Pastori e pa vëlla Rasëllin me mëdyshje.

 —Po të them sinqerisht të vërtetën​—vazhdoi Rasëlli.—​Më bëjnë tamam këtë pyetje: «Si mund të kontribuoj?» Kur dikush është i bekuar ekonomikisht dhe ka të ardhura, do që t’i përdorë për Zotërinë. Nëse nuk ka të ardhura, pse duhet ta detyrojmë të japë? a

2 Vëlla Rasëlli po thoshte «sinqerisht të vërtetën». Populli i Zotit prej kohësh ka kontribuar vullnetarisht për të mbështetur adhurimin e vërtetë. Në lidhje me këtë, kapitulli do të trajtojë disa shembuj nga Shkrimet dhe historinë tonë moderne. Ndërsa shqyrtojmë si financohen aktivitetet e Mbretërisë, secili do të bënte mirë të pyeste veten: «Si mund të tregoj se e mbështet Mbretërinë?»

«Kush të ketë një zemër të gatshme, le të sjellë këtë kontribut»

3, 4. (a) Çfarë besimi ka Jehovai te shërbëtorët e tij? (b) Si e treguan izraelitët mbështetjen e tyre për ndërtimin e tabernakullit?

3 Jehovai ka besim tek adhuruesit e vërtetë. Ai e di se po t’u jepet mundësia, do ta tregojnë me kënaqësi përkushtimin duke dhënë vullnetarisht. Shih dy shembuj nga historia e Izraelit.

4 Pasi i nxori izraelitët nga Egjipti, Jehovai u tha të ndërtonin një tendë ose tabernakull për adhurim. Struktura dhe pajisjet e saj kërkonin të ardhura të konsiderueshme. Jehovai e udhëzoi Moisiun që t’i jepte popullit mundësi ta mbështeste projektin kur tha: «Kush të ketë një zemër të gatshme, le të sjellë këtë kontribut për Jehovain.» (Dal. 35:5) Si reagoi populli, i cili jo shumë kohë më parë ishte robtuar ‘në çdo formë skllavërie, nën tirani’? (Dal. 1:14) Izraelitët e mbështetën plotësisht projektin duke dhënë me gatishmëri ar, argjend dhe gjëra të tjera të çmuara​—shumicën e të cilave ua kishin dhënë ish-pronarët, egjiptianët. (Dal. 12:35, 36) Ata dhanë më tepër se ç‘nevojitej, ndaj ‘nuk i lanë më të sillnin kontribute’.​—Dal. 36:4-7.

5. Si u përgjigjën izraelitët kur Davidi u dha mundësinë që të kontribuonin për ndërtimin e tempullit?

5 Gati 475 vjet më vonë, Davidi kontribuoi nga ‘prona e tij e veçantë’ ose nga thesari i tij për të financuar ndërtimin e tempullit, ndërtesën e parë të adhurimit të pastër në tokë. Pastaj u dha izraelitëve të tjerë mundësinë që të jepnin kur i pyeti: «Kush del vullnetar për të ardhur sot duarplot para Jehovait?» Si përgjigje, populli ‘i bëri blatime vullnetare Jehovait me gjithë zemër’. (1 Kron. 29:3-9) Duke pranuar burimin e vërtetë të kontributeve, Davidi i tha Jehovait në lutje: «Çdo gjë është prej teje dhe të kemi dhënë atë që na ka dhënë vetë dora jote.»​—1 Kron. 29:14.

6. Pse nevojiten para që të çohet përpara vepra e Mbretërisë dhe cilat pyetje lindin?

6 As Moisiut, as Davidit nuk iu desh ta detyronte popullin e Perëndisë të jepte. Përkundrazi, populli dha me zemër të gatshme. Po sot? E dimë fare mirë se vepra që po kryen Mbretëria e Perëndisë kërkon para. Nevojiten të ardhura të konsiderueshme për të botuar dhe shpërndarë Bibla e literaturë biblike, për të ndërtuar dhe mirëmbajtur vendet e mbledhjeve dhe godinat e degëve, si edhe për t’u dhënë ndihmë urgjente bashkëbesimtarëve në kohë katastrofash. Prandaj lindin pyetje të rëndësishme: ku i gjejmë fondet e nevojshme? A duhet t’i detyrojë kush dishepujt e Mbretit që të japin?

«As do të kërkojë e as do të lypë mbështetjen e njerëzve»

7, 8. Pse populli i Jehovait nuk u lyp ose u kërkon të tjerëve para?

7 Vëlla Rasëlli dhe bashkëpunëtorët e tij nuk pranuan të imitonin mënyrën e zakonshme si i mblidhnin paratë kishat e krishterimit të rremë. Në numrin e dytë të Kullës së Rojës (angl.), te nëntitulli «A e doni ‘Kullën e Rojës të Sionit’?», Rasëlli tha: «Kemi bindjen se ‘Kulla e Rojës e Sionit’ ka mbështetjen e JEHOVAIT dhe, përderisa është kështu, as do të kërkojë e as do të lypë mbështetjen e njerëzve. Kur Ai që thotë se ‘tërë ari dhe argjendi i maleve është imi’, të mos sigurojë më fondet e nevojshme, do ta kuptojmë se ka ardhur ora që botimi i saj të ndërpritet.» (Hag. 2:7-9) Më shumë se 130 vjet më vonë, Kulla e Rojës dhe organizata që e boton atë janë ende të fuqishme!

8 Populli i Jehovait nuk lyp para. Nuk kalon pjata për të mbledhur kontribute, as dërgon letra për të kërkuar të ardhura. Nuk përdor bingot, pazaret ose lotaritë për të mbledhur para. I përmbahet asaj që tha kohë më parë Kulla e Rojës: «Asnjëherë nuk na është dukur e përshtatshme të mbledhim para për çështjen e Zotërisë, siç bëjnë kishat. . . . Mendojmë se mbledhja e parave me anë të formave të ndryshme të lypjes në emër të Zotërisë është ofenduese, e papranueshme për të dhe nuk sjell bekimin e tij as mbi dhënësit, as mbi veprën që bëhet me këto para.» b

«Secili le të bëjë ashtu si ka vendosur në zemër»

9, 10. Cila është një arsye pse bëjmë kontribute vullnetare?

9 Si nënshtetas të Mbretërisë sot, nuk ka pse të na detyrojë kush të japim. Krejt e kundërta, me kënaqësi i përdorim paratë dhe gjithçka tjetër për të mbështetur aktivitetet e Mbretërisë. Pse jemi kaq të gatshëm të japim? Shih tri arsye.

10 Së pari, bëjmë kontribute vullnetare sepse e duam Jehovain dhe duam të bëjmë «gjërat që janë të pëlqyeshme në sytë e tij». (1 Gjon. 3:22) Jehovai kënaqet vërtet me adhuruesin që jep bujarisht nga zemra. Të shqyrtojmë fjalët e apostullit Pavël për dhënien e krishterë. (Lexo 2 Korintasve 9:7.) Një i krishterë i vërtetë nuk është dhënës që ngurron ose që jep me pahir. Ai jep ngaqë «ka vendosur në zemër» të bëjë kështu. c Pra, jep pasi e ka shqyrtuar nevojën dhe mënyrën si ta plotësojë. Dhënës të tillë janë të shtrenjtë për Jehovain, sepse «Perëndia do një dhënës të gëzuar». Një përkthim tjetër thotë: «Perëndia i do ata që duan të japin.»

Edhe të vegjlit tanë në Mozambik duan të japin

11. Çfarë na motivon t’i japim Jehovait dhuratën më të mirë që mundemi?

11 Së dyti, bëjmë kontribute materiale që t’i themi Jehovait faleminderit për gjithë bekimet. Shih një parim vetëshqyrtues në Ligjin e Moisiut. (Lexo Ligjin e përtërirë 16:16, 17.) Kur merrte pjesë në tri festat vjetore, çdo mashkull izraelit duhej të jepte një dhuratë ‘aq sa e kishte bekuar Jehovai’. Prandaj, para se të merrte pjesë në një festë, çdo mashkull duhej të numëronte bekimet dhe të shqyrtonte veten që të vendoste për dhuratën më të mirë që mund të sillte. Në mënyrë të ngjashme, kur mendojmë thellë për gjithë mënyrat si na ka bekuar Jehovai, ndihemi të motivuar t’i japim dhuratën më të mirë që mundemi. Dhurata jonë me gjithë zemër, që përfshin kontributet tona materiale, pasqyron çmueshmërinë për bekimet që Jehovai na ka dhënë.​—2 Kor. 8:12-15.

12, 13. Si tregojnë kontributet tona vullnetare se e duam Mbretin? Sa jep secili?

12 Së treti, me anë të kontributeve vullnetare, tregojmë dashurinë tonë për Mbretin Jezu Krisht. Si? Vër re çfarë u tregoi Jezui dishepujve natën e fundit të jetës së tij tokësore. (Lexo Gjonin 14:23.) Jezui tha: «Nëse dikush më do, ai do ta zbatojë fjalën time.» Në «fjalën» e Jezuit përfshihet urdhërimi për të predikuar lajmin e mirë të Mbretërisë në të gjithë tokën. (Mat. 24:14; 28:19, 20) Veprojmë në përputhje me «fjalën» duke bërë gjithçka kemi në dorë​—shpenzojmë kohën, energjinë dhe gjërat materiale—​që të çojmë përpara veprën e predikimit për Mbretërinë. Kështu tregojmë dashurinë për Mbretin mesianik.

13 Po, si nënshtetas besnikë të Mbretërisë, duam ta tregojmë me gjithë zemër se e mbështetim Mbretërinë duke bërë kontribute financiare. Si e bëjmë këtë? Ky është vendim personal. Secili jep më të mirën që ka. Gjithsesi, shumë bashkëbesimtarë zotërojnë pak nga të mirat e kësaj bote. (Mat. 19:23, 24; Jak. 2:5) Këta mund të ngushëllohen kur dinë se Jehovai dhe i Biri vlerësojnë edhe kontributet e vogla të bëra nga një zemër e gatshme.​—Mar. 12:41-44.

Si mblidhen paratë?

14. Si e ofronin literaturën e tyre për shumë vjet Dëshmitarët e Jehovait?

14 Për shumë vjet, Dëshmitarët e Jehovait ofronin literaturë biblike në bazë të kontributeve. Kontributi i sugjeruar mbahej sa më i ulët të ishte i mundur, që edhe njerëzit me pak të ardhura të merrnin literaturë. Sigurisht, nëse i zoti i shtëpisë tregonte interes por nuk kontribuonte dot, lajmëtarët e Mbretërisë ishin shumë të gatshëm t’ia linin literaturën. Ata donin me gjithë zemër t’u çonin literaturë njerëzve të sinqertë, të cilët mund ta lexonin e të nxirrnin dobi prej saj.

15, 16. (a) Çfarë përmirësimi nisi Trupi Udhëheqës më 1990 për mënyrën si ofrojmë literaturën? (b) Si bëhen kontributet vullnetare? (Shih edhe kutinë « Ku shkojnë kontributet tona?»)

15 Në vitin 1990, Trupi Udhëheqës nisi ta përmirësojë mënyrën si e ofrojmë literaturën. Që nga ai vit, në Shtetet e Bashkuara e gjithë literatura filloi të ofrohej krejtësisht në bazë të kontributeve vullnetare. Në një letër që iu dërgua kongregacioneve në këtë vend shpjegohej: «Revistat dhe literatura do t’u jepen lajmëtarëve dhe publikut të interesuar pa kërkuar e pa sugjeruar që të bëhet një kontribut specifik si kusht që të merret një botim. . . . Kush dëshiron të kontribuojë për të mbuluar shpenzimet e veprës sonë të arsimimit mund ta bëjë, por mund ta marrë literaturën pavarësisht nëse bën apo jo kontribute.» Ky rregullim shërbeu për të qartësuar natyrën vullnetare dhe fetare të veprës sonë dhe për të bërë të qartë se «nuk jemi shitës ambulantë të fjalës së Perëndisë». (2 Kor. 2:17) Me kalimin e kohës, rregullimi i kontributeve vullnetare filloi të zbatohej në degët anembanë botës.

16 Si bëhen kontributet vullnetare? Në Sallat e Mbretërisë të Dëshmitarëve të Jehovait ka kuti kontributesh të vendosura me maturi. Kushdo mund të kontribuojë ose të dërgojë kontribute në një prej enteve ligjore të Dëshmitarëve të Jehovait. Çdo vit, një artikull i Kullës së Rojës tregon si mund të bëhen këto kontribute vullnetare.

Si përdoren paratë?

17-19. Shpjego si fondet e dhuruara përdoren për (a) veprën mbarëbotërore, (b) ndërtimin mbarëbotëror të Sallave të Mbretërisë dhe (c) shpenzimet e kongregacionit.

17 Vepra mbarëbotërore. Fondet përdoren për të mbuluar shpenzimet që bëhen për veprën mbarëbotërore të predikimit. Te shpenzimet përfshihet kostoja për prodhimin e literaturës në mbarë botën, për ndërtimin dhe mirëmbajtjen e zyrave të degëve, si edhe për shkollat e ndryshme teokratike që zhvillohen. Përveç këtyre, fondet përdoren për misionarët, mbikëqyrësit udhëtues dhe pionierët specialë. Kontributet tona përdoren edhe për t’u dhënë ndihmë urgjente bashkëbesimtarëve në raste katastrofash. d

18 Ndërtimi mbarëbotëror i Sallave të Mbretërisë. Fondet përdoren për të ndihmuar kongregacionet të ndërtojnë ose të rimodelojnë një Sallë Mbretërie. Kur kontributet kthehen, mund të vihen në dispozicion edhe më shumë fonde për të ndihmuar kongregacione të tjera. e

19 Shpenzimet e kongregacionit. Fondet përdoren për funksionimin dhe mirëmbajtjen e Sallës së Mbretërisë. Pleqtë mund të rekomandojnë që një pjesë e fondit t’i dërgohet zyrës së degës që t’i përdorë për të çuar përpara veprën e Mbretërisë në mbarë botën. Në këtë rast, pleqtë i paraqesin një rezolutë kongregacionit. Nëse miratohet, fondi i rekomanduar dërgohet. Çdo muaj, vëllai që kujdeset për llogarinë e kongregacionit bën një raport financiar që i lexohet kongregacionit.

20. Si mund ta nderosh Jehovain me «gjërat e tua me vlerë»?

20 Kur shohim gjithçka që përfshihet për kryerjen e veprës së predikimit të Mbretërisë dhe bërjen e dishepujve në gjithë botën, motivohemi ‘ta nderojmë Jehovain me gjërat tona me vlerë’. (Prov. 3:9, 10) Gjërat tona me vlerë përfshijnë çdo gjë që kemi nga ana fizike, mendore dhe frymore. Pa dyshim që duam t’i përdorim plotësisht në veprën e Mbretërisë. Megjithatë, mos harro se gjërat tona me vlerë përfshijnë edhe të mirat materiale. Qofshim të vendosur të japim ç’të mundemi dhe kur të mundemi! Kontributet tona vullnetare i sjellin lavdi Jehovait dhe tregojnë se e mbështetim Mbretërinë mesianike.

a Kulla e Rojës, 15 korrik 1915, faqet 218-219, angl.

b Kulla e Rojës, 1 gusht 1899, faqja 201, angl.

c Një studiues thotë se fjala greke e përkthyer «vendosur», «përcjell idenë e paracaktimit». Ai shton: «Edhe pse dhënia sjell natyrshëm gëzim, prapëseprapë duhet të jetë e planifikuar dhe sistematike.»​—1 Kor. 16:2.

d Shih kapitullin 20 për më tepër informacion rreth shërbimit të dhënies së ndihmës.

e Shih kapitullin 19 për më shumë hollësi rreth ndërtimit të Sallave të Mbretërisë.