Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

KAPITULLI 5

Ku dhe kur lind Jezui?

Ku dhe kur lind Jezui?

LUKA 2:1-20

  • JEZUI LIND NË BETLEHEM

  • BARINJTË VIZITOJNË JEZUIN E PORSALINDUR

Cezar Augusti, perandori i Perandorisë Romake, ka nxjerrë një dekret për regjistrimin e gjithë popullsisë. Ja pse Jozefi dhe Maria duhet të udhëtojnë për në jug të Jerusalemit, në Betlehem, që është vendlindja e Jozefit.

Betlehemi është plot me njerëz që kanë ardhur për t’u regjistruar. Prandaj i vetmi vend që Jozefi dhe Maria gjejnë për t’u strehuar është një stallë, ku mbahen gomarë e kafshë të tjera. Pikërisht këtu lind Jezui. Maria e mbështjell me pelena dhe e vendos në një grazhd, vend ku hidhet ushqimi i kafshëve.

Me siguri, pas ligjit të regjistrimit që nxori Cezar Augusti duhet të jetë dora e Perëndisë. Pse? Sepse falë këtij ligji Jezui lindi në Betlehem, vendlindja e paraardhësit të tij, mbretit David. Shkrimet kishin parathënë kohë më parë se ai që do të qeveriste në Izrael, do të lindte në këtë qytet.—Mikea 5:2.

Kjo natë është e jashtëzakonshme! Disa barinj që janë nëpër fusha shohin një dritë që shkëlqen. Është lavdia e Jehovait! Një engjëll i Perëndisë i thotë barinjve: «Mos kini frikë, sepse po ju shpall një lajm të mirë që do t’i sjellë gëzim të madh tërë popullit. Sot, në qytetin e Davidit, ju lindi një shpëtimtar, që është Krisht, Zotëria. Kjo është shenja që ta dalloni: do të gjeni një foshnjë të mbështjellë me pelena, të shtrirë në një grazhd.» Befas, shfaqen një mori engjëjsh që thonë: «Lavdi Perëndisë atje lart në qiell dhe paqe në tokë për njerëzit që kanë miratimin e tij!»—Luka 2:10-14.

Kur engjëjt largohen, barinjtë i thonë njëri-tjetrit: «Të shkojmë drejt e në Betlehem e të shohim ç’ka ndodhur atje, siç na tregoi Jehovai.» (Luka 2:15) Ata nisen menjëherë dhe e gjejnë Jezuin e porsalindur tamam ku u tha engjëlli. Kur barinjtë tregojnë fjalët e engjëllit, të gjithë mahniten. Maria i ruan në zemër këto fjalë dhe arsyeton për kuptimin e tyre.

Sot, shumë veta besojnë se Jezui lindi më 25 dhjetor. Ama në zonën e Betlehemit, dhjetori është i ftohtë, me shira dhe me raste bie borë. Vështirë që në atë periudhë të vitit barinjtë ta kalonin natën me kopetë e tyre jashtë në fusha. E po kaq e pamundur do të ishte që një perandor romak t’i kërkonte një populli që ishte gati për t’u rebeluar, të udhëtonte në palcën e dimrit për t’u regjistruar. Me sa duket Jezui lindi në tetor.