Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

KAPITULLI 9

Rritet në Nazaret

Rritet në Nazaret

MATEU 13:55, 56 MARKU 6:3

  • FAMILJA E JOZEFIT DHE E MARISË ZGJEROHET

  • JEZUI MËSON NJË ZANAT

Jezui rritet në Nazaret, një vend relativisht i vogël dhe jo shumë i rëndësishëm. Ky qytet ndodhet në kodrinat e Galilesë, në perëndim të një liqeni të madh të njohur si Deti i Galilesë.

Jezui është rreth 2 vjeç kur kthehet nga Egjipti bashkë me prindërit. Me sa duket, në këtë kohë është ende fëmijë i vetëm. Më vonë lindin gjysmëvëllezërit e tij—Jakovi, Jozefi, Simoni dhe Juda. Jozefit dhe Marisë i lindin edhe vajza. Kështu Jezui ka të paktën gjashtë motra e vëllezër më të vegjël.

Sigurisht, ai ka edhe të afërm të tjerë. Tashmë kemi folur për Elizabetën dhe djalin e saj, Gjonin, që jetojnë në Jude, shumë kilometra në jug të Nazaretit. Kurse në Galile jeton Saloma, që është me sa duket motra e Marisë, pra tezja e Jezuit. I shoqi është Zebedeu. Djemtë e tyre, Jakovi dhe Gjoni janë kushërinj të parë të Jezuit. Nuk e dimë nëse rriten bashkë me Jezuin, por më vonë bëhen miq të ngushtë e shërbejnë si apostuj të tij.

Jozefi është zdrukthëtar dhe i duhet të punojë fort për të mbajtur familjen që po zgjerohet. Ai e rrit Jezuin si djalin e vet, ja pse Jezui quhet «biri i zdrukthëtarit». (Mateu 13:55) Jozefi i mëson zanatin Jezuit, i cili ia merr dorën punës. Në fakt, më vonë njerëzit thonë për Jezuin: «Ky është zdrukthëtari.»—Marku 6:3.

Për Jozefin dhe familjen e tij adhurimi i Jehovait zë vendin e parë. Siç kërkon Ligji i Perëndisë, Jozefi dhe Maria i mësojnë fëmijët për Jehovain ‘kur rrinë ulur në shtëpi, kur ecin rrugës, kur shtrihen dhe kur ngrihen’. (Ligji i përtërirë 6:6-9) Me siguri Jozefi e ka zakon ta adhurojë Jehovain bashkë me familjen në sinagogën e Nazaretit. Më vonë, për Jezuin thuhet se shkoi në sinagogë «siç e kishte zakon ditën e Sabatit». (Luka 4:16) Udhëtimet që bëjnë rregullisht për në tempullin e Jehovait në Jerusalem, janë raste të gëzuara për gjithë familjen.