Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

KAPITULLI 12

Jezui pagëzohet

Jezui pagëzohet

MATEU 3:13-17 MARKU 1:9-11 LUKA 3:21, 22 GJONI 1:32-34

  • JEZUI PAGËZOHET DHE MIROSET

  • JEHOVAI SHPALL SE JEZUI ËSHTË I BIRI

Gjon Pagëzori ka rreth 6 muaj që predikon, kur Jezui, tani te të 30-at, vjen tek ai në lumin Jordan. Arsyeja? Jo thjesht për të takuar Gjonin apo për të parë si po ecën vepra e tij. Ai është aty që Gjoni ta pagëzojë.

Kuptohet pse Gjoni kundërshton duke thënë: «Unë kam nevojë të më pagëzosh ti, kurse ti vjen tek unë?!» (Mateu 3:14) Gjoni e di se Jezui është Biri i Perëndisë. Mbase të kujtohet se, ndërsa Gjoni ishte në barkun e nënës, Elizabetës, kërceu nga gëzimi kur në shtëpinë e tyre erdhi Maria, e cila ishte shtatzënë me Jezuin. Patjetër që e ëma duhet t’ia ketë treguar Gjonit këtë ngjarje. Gjithashtu, ai duhet të ketë marrë vesh se lindja e Jezuit ishte njoftuar nga një engjëll, dhe se natën kur lindi Jezui, engjëjt iu shfaqën një grupi barinjsh.

Gjoni e di se pagëzimi i tij është për mëkatarët që pendohen. Por Jezui nuk ka kryer asnjë mëkat. Edhe pse Gjoni kundërshton që ta pagëzojë, Jezui ngulmon: «Le të ndodhë kështu këtë herë, sepse është e përshtatshme të përmbushim në këtë mënyrë gjithçka që është e drejtë.»—Mateu 3:15.

Pse është e përshtatshme që Jezui të pagëzohet? Ai nuk po pagëzohet në simbol të pendimit për mëkatet. Pagëzimi i tij tregon se po paraqitet për të bërë vullnetin e Atit të tij. (Hebrenjve 10:5-7) Deri tani Jezui ka punuar si zdrukthëtar, por ka ardhur koha të nisë shërbimin që i ka caktuar Ati i tij qiellor. A mendon se Gjoni pret të ndodhë diçka e pazakontë teksa pagëzon Jezuin?

Më vonë, Gjoni thotë: «Pikërisht Ai që më dërgoi të pagëzoja me ujë, më tha: ‘Ai tek i cili do të shohësh të zbresë e të qëndrojë fryma, është ai që do të pagëzojë me frymë të shenjtë.’» (Gjoni 1:33) Pra, Gjoni po pret që fryma e Perëndisë të vijë te një nga ata që do të pagëzojë. Ndaj ka mundësi që nuk çuditet kur sheh ‘frymën e Perëndisë të zbresë mbi Jezuin porsi një pëllumb’ ndërsa ai del nga uji.—Mateu 3:16.

Megjithatë kur Jezui pagëzohet, ndodh edhe diçka tjetër: ‘qiejt hapen’. Çfarë do të thotë kjo? Ka të ngjarë që kur Jezui pagëzohet, i kthehen kujtimet e jetës së mëparshme në qiell. Ai nis të kujtojë jetën si Bir i Jehovait në qiell, përfshirë edhe të vërtetat që Ati i ka mësuar para se të vijë në tokë.

Për më tepër, gjatë pagëzimit të Jezuit, një zë nga qielli shpall: «Ky është Biri im, Biri im i dashur, që unë e kam miratuar.» (Mateu 3:17) I kujt është ky zë? Patjetër që s’mund të jetë zëri i Jezuit; ai është aty me Gjonin. Ky është zëri i Perëndisë. S’ka dyshim pra se Jezui është Biri i Perëndisë, jo vetë Perëndia.

Vlen të përmendet se kur erdhi në tokë si njeri, Jezui ishte bir i përsosur i Perëndisë, njësoj si Adami, njeriu i parë. Pasi tregon për pagëzimin e Jezuit, dishepulli Lukë shkruan: «Jezui ishte rreth 30 vjeç kur nisi veprën e tij. Për të mendohej se ishte biri i Jozefit, bir i Helit, . . . bir i Davidit, . . . bir i Abrahamit, . . . bir i Noesë, . . . bir i Adamit, bir i Perëndisë.»—Luka 3:23-38.

Por kur Jezui pagëzohet, Jehovai derdh mbi të frymën e shenjtë dhe ai bëhet bir i Perëndisë në një kuptim të ri e të veçantë. Tani ai është në gjendje të tregojë të vërtetën për Perëndinë dhe udhën drejt jetës. Udha që po nis Jezui, në fund do të çojë në flijimin e jetës së tij njerëzore në dobi të njerëzimit mëkatar.