Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

KAPITULLI 13

Mëso nga mënyra si i përballon Jezui tundimet

Mëso nga mënyra si i përballon Jezui tundimet

MATEU 4:1-11 MARKU 1:12, 13 LUKA 4:1-13

  • SATANAI TUNDON JEZUIN

Menjëherë pasi Jezui pagëzohet nga Gjoni, fryma e Perëndisë e çon në shkretëtirën e Judesë. Kushedi sa gjëra i kalojnë në mendje! Gjatë pagëzimit të tij, «qiejt u hapën». (Mateu 3:16) Kështu, tani mund të kujtojë disa nga gjërat që ka mësuar e që ka bërë në qiell. Imagjino sa ka për të medituar!

Jezui kalon 40 ditë e 40 netë në shkretëtirë pa ngrënë. Prandaj, tani që është shumë i uritur, Satana Djalli afrohet për ta tunduar dhe i thotë: «Nëse je bir i Perëndisë, thuaju këtyre gurëve të bëhen bukë.» (Mateu 4:3) Por Jezui e di se është e gabuar ta përdorë fuqinë mrekullibërëse që të plotësojë dëshirat e veta, ndaj e hedh poshtë këtë tundim.

Djalli nuk e lë me kaq, por provon ta tundojë me diçka tjetër. Ai e nxit Jezuin të hidhet nga bedenat e tempullit. Megjithatë, Jezui nuk bie pre e tundimit që të bëjë një shfaqje të tillë spektakolare. Duke cituar nga Shkrimet, ai tregon se është e gabuar ta vësh në provë Perëndinë në këtë mënyrë.

Më pas, Djalli e tundon për herë të tretë, duke i treguar në ndonjë mënyrë «të gjitha mbretëritë e botës me lavdinë e tyre», dhe i thotë: «Të gjitha këto do të t’i jap nëse përkulesh me fytyrë përtokë para meje dhe më adhuron një herë.» Sërish Jezui refuzon prerazi, me fjalët: «Ik tutje, Satana!» (Mateu 4:8-10) Duke e ditur se duhet t’i bëjë shërbim të shenjtë vetëm Jehovait, ai nuk i dorëzohet tundimit për të bërë atë që është e gabuar. Jezui zgjedh t’i qëndrojë besnik Perëndisë.

Mund të mësojmë goxha nga këto tundime dhe nga mënyra si reagoi Jezui. Tundimet ishin të vërteta, e kjo tregon se Djalli nuk është e keqja brenda njeriut, siç pretendojnë disa. Ai është një person real dhe i padukshëm. Kjo ngjarje na tregon edhe një të vërtetë tjetër: qeveritë botërore janë pronë e Djallit; është ai që i kontrollon. Fundja, po të mos ishte kështu, a do të ishte vërtet tundim për Krishtin një ofertë e tillë?

Për më tepër, Djalli tha se ishte gati t’i jepte Jezuit të gjitha mbretëritë e botës po ta adhuronte vetëm një herë. Djalli mund të përpiqet të na tundojë po njësoj edhe ne, ndoshta duke na ofruar mundësi joshëse që të fitojmë pasuri, autoritet ose pozitë. Tregojmë se jemi të mençur nëse ndjekim shembullin e Jezuit duke i qëndruar besnikë Perëndisë pavarësisht nga tundimet. Megjithatë, mos harro se Djalli u largua nga Jezui «duke pritur një kohë tjetër të volitshme». (Luka 4:13) Mund të veprojë njësoj edhe me ne, ndaj le të bëjmë çmos të qëndrojmë vigjilentë!