Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

KAPITULLI 15

Jezui kryen mrekullinë e parë

Jezui kryen mrekullinë e parë

GJONI 2:1-12

  • DASMA NË KANË

  • JEZUI KTHEN UJIN NË VERË

Kanë kaluar tri ditë që kur Natanaeli është bërë një nga dishepujt e parë të Jezuit. Jezui po udhëton për në veri me dishepujt e parë. Po shkojnë në Kanë të Galilesë, në vendlindjen e Natanaelit. Janë ftuar në një dasmë që do të bëhet në këtë qytet kodrinor, në veri të Nazaretit, vendit ku u rrit Jezui.

Në dasmë është ftuar edhe nëna e Jezuit. Si mike e familjes, me sa duket Maria po jep një dorë për t’u kujdesur për të ftuarit. Ja pse, sapo kupton se diçka mungon, i thotë Jezuit: «Nuk kanë më verë.»—Gjoni 2:3.

Maria dëshiron që i biri të gjejë një zgjidhje për këtë problem. Por Jezui i përgjigjet me një shprehje idiomatike që tregon kundërshtim: «O grua, ç’punë kemi ne me këtë?» (Gjoni 2:4) Si Mbret i caktuar nga Perëndia, Jezui nuk do që veprimet e tij të drejtohen nga familjarët dhe miqtë, por nga Ati i tij qiellor. Me mençuri, Maria ia lë në dorë çështjen të birit dhe u thotë atyre që shërbejnë: «Bëni si t’ju thotë ai.»—Gjoni 2:5.

Aty ndodhen gjashtë qypa guri për ujë që mbajnë mbi 40 litra secili. Jezui u thotë shërbyesve: «Mbushini qypat me ujë.» Pastaj shton: «Tani merrni ca dhe çojani të parit të gostisë.»—Gjoni 2:7, 8.

I pari i gostisë çuditet nga cilësia e shkëlqyer e verës, por nuk e di se ajo është fryt i një mrekullie. Ai thërret dhëndrin dhe i thotë: «Gjithë të tjerët nxjerrin në fillim verën e mirë dhe, kur njerëzit dehen, nxjerrin atë të keqen. Kurse ti e ke ruajtur verën e mirë deri tani.»—Gjoni 2:10.

Kjo është mrekullia e parë e Jezuit. Kur ata që sapo janë bërë dishepuj shohin këtë mrekulli, u forcohet besimi tek Jezui. Pas kësaj, Jezui niset për në Kapernaum, në veriperëndim të detit të Galilesë, bashkë me të ëmën dhe gjysmëvëllezërit.