Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

KAPITULLI 18

Jezui e shton veprën e tij, kurse Gjoni e pakëson

Jezui e shton veprën e tij, kurse Gjoni e pakëson

MATEU 4:12 MARKU 6:17-20 LUKA 3:19, 20 GJONI 3:22–4:3

  • DISHEPUJT E JEZUIT PAGËZOJNË

  • GJON PAGËZORI BURGOSET

Është pranvera e vitit 30 të e.s. dhe, pasi kanë festuar Festën e Kalimit, Jezui me dishepujt largohen nga Jerusalemi. Por në vend se të kthehen menjëherë në shtëpitë e tyre, në Galile, shkojnë në Jude, ku pagëzojnë shumë veta. Gjon Pagëzori po bën një vepër të ngjashme nga thuajse një vit, dhe disa nga dishepujt e tij janë ende me të, mbase në luginën e lumit Jordan.

Jezui nuk pagëzon vetë, por janë dishepujt që pagëzojnë nën drejtimin e tij. Në këtë pikë të shërbimit të Jezuit, si ai, edhe Gjoni po mësojnë judenjtë që janë penduar për mëkatet e tyre kundër besëlidhjes së Ligjit të Perëndisë.—Veprat 19:4.

Por dishepujt e Gjonit bëhen xhelozë dhe i ankohen atij për Jezuin: «Ai [Jezui] që ishte me ty . . . po pagëzon, dhe të gjithë po shkojnë tek ai.» (Gjoni 3:26) Megjithatë Gjoni nuk është xheloz, por shumë i gëzuar që Jezui ka sukses, madje dëshiron që edhe dishepujt e tij të gëzojnë. Ai u kujton: «Ju vetë jeni dëshmitarë që unë thashë se nuk jam Krishti, por më kanë dërguar përpara tij.» Pastaj, që ta kuptojnë më kollaj, e ilustron kështu: «Ai që ka nusen, është dhëndri. Megjithatë, edhe miku i dhëndrit gëzohet shumë kur ia dëgjon zërin, teksa rri pranë tij. Ja pse gëzimi im është i plotë tani.»—Gjoni 3:28, 29.

Gjoni, ashtu si miku i dhëndrit, u gëzua kur disa muaj më parë i prezantoi dishepujt me Jezuin. Disa prej tyre e ndoqën Jezuin dhe, më vonë, do të mirosen me frymën e shenjtë. Gjoni dëshiron që edhe dishepujt që janë me të, ta ndjekin Jezuin. Në fakt, qëllimi i tij është të përgatitë udhën për shërbimin e Krishtit. Gjoni shpjegon: «Ai do ta shtojë veprën e tij, kurse unë do ta pakësoj.»—Gjoni 3:30.

Më vonë, një Gjon tjetër, tashmë dishepull i Jezuit, do ta përshkruajë origjinën e Jezuit dhe rolin kyç që ka ai në shpëtimin e njerëzimit me këto fjalë: «Ai që vjen nga lart, është mbi gjithë të tjerët. . . . Ati e do Birin dhe i ka dhënë gjithçka në dorë. Ai që tregon besim te Biri, ka jetë të përhershme, kurse ai që nuk i bindet Birit, nuk do të shohë jetë, por zemërimi i Perëndisë qëndron mbi të.» (Gjoni 3:31, 35, 36) Çfarë e vërtete e rëndësishme për të gjithë njerëzit!

Gjon Pagëzori arrestohet nga mbreti Herod jo shumë kohë pasi ka treguar se roli dhe vepra e tij do të pakësohet. Herodi është martuar me Herodiadën, gruan e Filipit, gjysmëvëllait të tij. Kur Gjoni nxjerr në shesh sjelljen imorale të Herodit, ai e burgos. Jezui merr vesh se Gjonin e kanë arrestuar, ndaj bashkë me dishepujt ikën nga Judea dhe ‘kthehet në Galile’.—Mateu 4:12; Marku 1:14.