Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

KAPITULLI 22

Katër dishepuj do të bëhen peshkatarë njerëzish

Katër dishepuj do të bëhen peshkatarë njerëzish

MATEU 4:13-22 MARKU 1:16-20 LUKA 5:1-11

  • JEZUI U KËRKON DISHEPUJVE TA NDJEKIN GJITHË KOHËS

  • PESHKATARËT BËHEN PESHKATARË NJERËZISH

Pasi nazareasit përpiqen ta vrasin Jezuin, ai shkon në Kapernaum, afër detit të Galilesë që quhet edhe ‘liqeni i Genesaretit’. (Luka 5:1) Kështu përmbushet profecia e Isaisë se banorët e Galilesë që shtrihet buzë detit, do të shihnin një dritë të madhe.—Isaia 9:1, 2.

Po, këtu në Galile, Jezui vazhdon të shpallë se «Mbretëria e qiejve është afruar». (Mateu 4:17) Ai gjen katër dishepuj, që më parë e kishin shoqëruar, por që kanë rifilluar biznesin e peshkimit kur u kthyen bashkë me të nga Judea. (Gjoni 1:35-42) Megjithatë, tani është momenti ta shoqërojnë Jezuin gjithë kohën. Ai duhet t’i stërvitë që të vazhdojnë veprën pas ikjes së tij.

Ndërsa ecën buzë detit, Jezui shikon Simon Pjetrin, vëllanë e tij, Andrean, dhe disa nga shokët e tyre duke larë rrjetat. Ai afrohet, hipën në varkën e Pjetrit dhe i kërkon të largohen nga bregu. Kur largohen pak, Jezui ulet dhe fillon t’u mësojë të vërtetat për Mbretërinë turmave që janë mbledhur në breg.

Më pas, Jezui i thotë Pjetrit: «Shkoni thellë dhe hidhini atje rrjetat që të zini peshk.» Pjetri ia kthen: «Mësues, ne u robtuam gjithë natën dhe nuk zumë gjë, por, meqë po thua ti, do t’i hedh rrjetat.»—Luka 5:4, 5.

Ata bëjnë siç u thotë Jezui dhe kapin kaq shumë peshq, sa rrjetat fillojnë të shqyhen. Menjëherë u thërrasin për ndihmë ortakëve që janë në një varkë aty pranë. Shpejt të dyja barkat mbushen me aq shumë peshq, sa fillojnë të fundosen. Kur e sheh këtë, Pjetri bie në gjunjë para Jezuit dhe i thotë: «Largohu prej meje, Zotëri, se jam njeri mëkatar!» Jezui i përgjigjet: «Mos ki më frikë. Që tani e tutje do të zësh njerëz e jo peshq.»—Luka 5:8, 10.

Jezui i thotë Pjetrit dhe Andreas: «Ejani pas meje dhe unë do t’ju bëj peshkatarë njerëzish.» (Mateu 4:19) Ai thërret edhe dy peshkatarë të tjerë, Jakovin dhe Gjonin, bijtë e Zebedeut, të cilët e ndjekin pa u menduar dy herë. Të katër burrat braktisin biznesin e peshkimit dhe bëhen dishepujt e parë që e shoqërojnë Jezuin në kohë të plotë.