Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

KAPITULLI 34

Jezui zgjedh 12 apostujt

Jezui zgjedh 12 apostujt

Ka kaluar rreth një vit e gjysmë që kur Gjon Pagëzori e prezantoi Jezuin si Qengjin e Perëndisë. Që nga momenti që Jezui nisi shërbimin publik, disa burra me zemër të sinqertë janë bërë dishepuj të tij. Këta janë Andrea, Simon Pjetri, Gjoni, ndoshta Jakovi (vëllai i Gjonit), Filipi dhe Bartolomeu (që quhet edhe Natanael). Me kohë edhe shumë të tjerë bëhen dishepuj të Krishtit.—Gjoni 1:45-47.

Tani ka ardhur momenti që Jezui të zgjedhë apostujt. Këta do të jenë bashkëpunëtorët e tij të ngushtë e do të marrin stërvitje speciale. Por para se t’i zgjedhë, Jezui shkon në një mal, mbase pranë detit të Galilesë, jo larg Kapernaumit. Ai i lutet gjithë natën Perëndisë, me shumë mundësi për t’i kërkuar mençuri dhe bekimin e Tij. Ditën tjetër Jezui thërret dishepujt dhe zgjedh 12 prej tyre si apostuj.

Jezui zgjedh gjashtë burrat që përmendëm në fillim, si edhe Mateun të cilin e thirri nga zyra e taksave. Pesë të tjerët janë Juda (i quajtur edhe Tadeu dhe ‘biri i Jakovit’), Simon i Zellshmi, Thomai, Jakovi, biri i Alfeut, dhe Judë Iskarioti.—Mateu 10:2-4; Luka 6:16.

Deri tani Jezui ka udhëtuar me këta 12 burra dhe i njeh mirë, madje disa i ka të afërm. Për shembull, Jakovin dhe Gjonin, që janë vëllezër me njëri-tjetrin, i ka kushërinj të parë. Dhe, nëse siç mendojnë disa, Alfeu ishte vëllai i Jozefit, babait adoptues të Jezuit, atëherë apostulli Jakov, djali i Alfeut, duhet të jetë kushëri i Jezuit.

Patjetër që Jezui e ka kollaj të kujtojë emrat e apostujve. Po ti, a i mban mend? Ja diçka që mund të të ndihmojë: dy quhen Simon, dy Jakov dhe dy të tjerë Judë. Simoni (Pjetri) ka një vëlla që quhet Andrea, ndërsa Jakovi (biri i Zebedeut) ka një vëlla që quhet Gjon. Kjo është një mënyrë si të kujtosh emrat e tetë apostujve. Katër apostujt e tjerë janë: një taksambledhës (Mateu), një që më vonë dyshon (Thomai), një që thirret teksa qëndron poshtë një peme (Natanaeli), dhe miku i Natanaelit (Filipi).

Njëmbëdhjetë apostuj janë nga Galilea, vendi i Jezuit. Natanaeli është nga Kana. Filipi, Pjetri dhe Andrea janë me origjinë nga Betsaida. Me kalimin e kohës, Pjetri dhe Andrea transferohen në Kapernaum, ku me sa duket jetonte edhe Mateu. Edhe Jakovi me Gjonin jetonin në Kapernaum ose në afërsi të tij, dhe kishin një biznes peshkimi aty pranë. Kurse Judë Iskarioti, i cili më vonë e tradhton Jezuin, ka të ngjarë të jetë apostulli i vetëm nga Judea.