Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

KAPITULLI 43

Ilustrime për Mbretërinë

Ilustrime për Mbretërinë

MATEU 13:1-53 MARKU 4:1-34 LUKA 8:4-18

  • JEZUI TREGON DISA ILUSTRIME PËR MBRETËRINË

Kur Jezui qorton farisenjtë, me sa duket ndodhet në Kapernaum. Më vonë, po atë ditë, niset nga shtëpia ku po qëndron, që të shkojë në detin e Galilesë aty afër. Atje mblidhet një turmë e madhe, prandaj Jezui hipën në një varkë, largohet disi nga bregu dhe fillon të mësojë njerëzit për Mbretërinë e qiejve. Këtë e bën duke treguar disa ilustrime ose shëmbëlltyra me rrethana ose gjëra të njohura për auditorin, të cilat ua bëjnë të lehtë të kapin aspekte të ndryshme të Mbretërisë.

Në fillim Jezui flet për një mbjellës që shpërndan fara. Disa bien përgjatë rrugës, dhe zogjtë i hanë. Të tjera bien në një vend shkëmbor, ku nuk ka shumë dhé. Rrënjët që lëshojnë nuk mund të shkojnë thellë, dhe bimët e njoma zhuriten nga dielli e thahen. Fara të tjera bien mes gjembave, të cilat i mbytin bimët që mbijnë. Në fund, disa bien në tokë të mirë dhe japin fryt, «njëra 100-fish, tjetra 60 dhe një tjetër 30».—Mateu 13:8.

Ndërsa në një ilustrim tjetër, Jezui e krahason Mbretërinë me atë që ndodh pasi një njeri mbjell farë. Farat rriten, pavarësisht nëse njeriu fle apo rri zgjuar. «Se si, ai nuk e di.» (Marku 4:27) Ato rriten vetë dhe japin drithë, të cilin ai mund ta korrë.

Pastaj Jezui tregon një ilustrim të tretë për mbjelljen. Në këtë rast një njeri mbjell farën e duhur, por, ‘kur të gjithë po flenë’, një armik mbjell egjra nëpër grurë. Skllevërit e këtij njeriu e pyesin nëse do që t’i shkulin egjrat. Ai u përgjigjet: «Jo, kam merak se, duke mbledhur egjrat, mund të shkulni me rrënjë edhe grurin. Lërini të rriten bashkë deri kur të bëhen për t’u korrur dhe në kohën e korrjes do t’u them korrësve: mblidhni më parë egjrën dhe lidheni në tufa që ta digjni, pastaj mblidhni grurin e futeni në depon time.»—Mateu 13:24-30.

Meqë shumë nga dëgjuesit dinë si punohet toka, Jezui përmend diçka tjetër shumë të njohur për ta: farën e vogël të sinapit. Ajo rritet e bëhet një pemë aq e madhe, sa zogjtë gjejnë strehë në degët e saj. Prandaj thotë: «Mbretëria e qiejve është si një kokërr sinapi që një njeri e mori dhe e mbolli në arë.» (Mateu 13:31) Kuptohet Jezui nuk po jep një mësim për botanikën, por po ilustron një rritje spektakolare. Do që të tregojë si një gjë fare e vogël, mund të rritet ose të zgjerohet në diçka shumë të madhe.

Pastaj Jezui ua drejton vëmendjen te një punë që bëhet ditë për ditë. Mbretërinë e qiejve e krahason me majanë, «të cilën një grua e mori dhe e përzieu me tri masa të mëdha mielli». (Mateu 13:33) Ndonëse majaja nuk duket, ajo vepron në të gjithë brumin duke e bërë që të vijë. Shkakton një rritje të konsiderueshme dhe ndryshime që nuk dallohen menjëherë.

Pasi tregon këto ilustrime, Jezui shpërndan turmën dhe kthehet në shtëpinë ku rri. S’kalon shumë dhe dishepujt i shkojnë pranë, sepse duan të dinë ku e kishte fjalën.

MËSIME NGA ILUSTRIMET E JEZUIT

Deri tani dishepujt e kanë dëgjuar Jezuin të tregojë ilustrime, por kurrë kaq shumë njëherësh. Prandaj e pyesin: «Pse u flet me ilustrime?»—Mateu 13:10.

Një arsye është për të përmbushur profecitë e Biblës. Tek ungjilli i Mateut lexojmë: «Pa ilustrime s’u fliste atyre, që të përmbushej ç’ishte thënë nëpërmjet profetit: ‘Do të flas me ilustrime, do të shpall gjëra të fshehura që nga fillimi.’»—Mateu 13:34, 35; Psalmi 78:2.

Por ka edhe një arsye tjetër pse Jezui përdor ilustrime. Falë tyre zbulohet qëndrimi i njerëzve. Shumë prej tyre janë kureshtarë për Jezuin, thjesht se është tregimtar i zoti dhe bën mrekulli. Por nuk e konsiderojnë si Zotërinë e tyre, të cilit t’i binden dhe ta ndjekin pa interes. (Luka 6:46, 47) S’kanë pikë dëshire të ndryshojnë mënyrën si mendojnë dhe zakonet. Jo, nuk duan që mesazhi të depërtojë aq thellë tek ata.

Jezui u përgjigjet dishepujve me këto fjalë: «Ja pse u flas me ilustrime, sepse shohin, por shohin më kot, dhe dëgjojnë, por dëgjojnë më kot, dhe as që e kapin kuptimin. Në rastin e tyre po përmbushet profecia e Isaisë, që thotë: ‘. . . Zemra e këtij populli është bërë e pandjeshme.’»—Mateu 13:13-15; Isaia 6:9, 10.

Por jo të gjithë ata që dëgjojnë Jezuin janë të tillë. Ai shpjegon: «Lum sytë tuaj, sepse shohin dhe veshët tuaj, sepse dëgjojnë! Vërtet po ju them: shumë profetë dhe njerëz të drejtë donin t’i shikonin gjërat që po shihni ju, por nuk i panë, dhe të dëgjonin gjërat që po dëgjoni ju, por nuk i dëgjuan.»—Mateu 13:16, 17.

Po, 12 apostujt dhe dishepujt e tjerë besnikë kanë zemër të ndjeshme dhe mendje të hapur. Prandaj, Jezui thotë: «Juve ju është lejuar të kuptoni sekretet e shenjta të Mbretërisë së qiejve, kurse atyre nuk u është lejuar.» (Mateu 13:11) Përderisa dishepujt duan me gjithë zemër të kuptojnë, Jezui u shpjegon ilustrimin për mbjellësin.

«Fara është fjala e Perëndisë»,—thotë Jezui. (Luka 8:11) Kurse toka është zemra. Ja ku kemi çelësin për të kapur kuptimin e ilustrimit.

Për farat që bien përgjatë rrugës me dhé të ngjeshur, ai shpjegon: «Vjen Djalli dhe ua rrëmben atë nga zemra, që të mos besojnë e të mos shpëtojnë.» (Luka 8:12) Kur përmend farat e mbjella në vend shkëmbor, Jezui po flet për njerëzit që e pranojnë me gëzim fjalën, por që nuk e lejojnë të zërë rrënjë në zemrat e tyre. «Kur vijnë shtrëngimet ose përndjekjet për shkak të fjalës», ata pengohen. Pra, kur vjen një «kohë sprovash», ndoshta kundërshtim nga familja ose të tjerë, heqin dorë.—Mateu 13:21; Luka 8:13.

Ç’të themi për farat që bien mes gjembave? Jezui u tregon dishepujve se ato u referohen njerëzve që e kanë dëgjuar fjalën. Megjithatë, janë të pushtuar nga «ankthet e kësaj bote dhe fuqia mashtruese e pasurisë». (Mateu 13:22) Ata e kishin në zemër fjalën, por tani është mbytur dhe nuk jep më fryt.

Lloji i fundit i tokës për të cilën flet Jezui, është toka e mirë. Ajo përfaqëson njerëzit që e dëgjojnë dhe e pranojnë fjalën me gjithë zemër. E kapin tamam kuptimin e saj, dhe si rezultat «japin fryt». Për shkak të rrethanave, siç mund të jenë mosha ose shëndeti, jo të gjithë mund të japin njësoj. Kush jep 100-fish, tjetri 60 e një tjetër 30. Pra, «njerëzit me zemër të mirë e të sinqertë, që e ruajnë fjalën pasi e dëgjojnë dhe japin fryt ndërsa qëndrojnë», do të bekohen ngaqë i shërbejnë Perëndisë.—Luka 8:15.

Këto fjalë duhet t’u kenë lënë mbresa dishepujve që vajtën te Jezui për të dëgjuar shpjegimin e ilustrimeve. Tani nuk e dinë vetëm përciptas kuptimin e tyre. Jezui do që dishepujt ta dinë domethënien e ilustrimeve, që edhe ata të jenë në gjendje t’ua mësojnë të tjerëve këto të vërteta. Ai pyet: «Një llambë nuk merret që të vihet nën shinik a nën shtrat, apo jo? A nuk merret që të vihet në mbajtësen e vet?» Prandaj Jezui këshillon: «Ai që ka veshë, le të dëgjojë.»—Marku 4:21-23.

SHPËRBLEHEN ME MËSIME TË MËTEJSHME

Pasi Jezui u shpjegon ilustrimin për mbjellësin, dishepujt duan të dinë më shumë: «Na e shpjego ilustrimin e egjrave në arë.»—Mateu 13:36.

Me këtë kërkesë, tregojnë se kanë një qëndrim krejt ndryshe nga pjesa tjetër e turmës që ishin në breg. Me sa duket turma e dëgjon me qejf Jezuin, por s’ka dëshirë të kapë domethënien e ilustrimeve dhe si zbatohen ato në jetë. Ata mjaftohen me njohurinë sipërfaqësore për ilustrimet. Për të nxjerrë në pah dallimin mes turmës mendjelehtë dhe dishepujve që shkuan tek ai, të etur për të ditur më shumë, Jezui thotë:

«Kushtojini vëmendje asaj që po dëgjoni, sepse me atë masë që jepni, do t’ju jepet, madje edhe më shumë.» (Marku 4:24) Vërtet, dishepujt janë tërë veshë për të dëgjuar çfarë thotë Jezui dhe ‘i japin’ ose i kushtojnë vëmendje e interes të madh. Si pasojë shpërblehen me më shumë mësime dhe sqarime. Prandaj, në përgjigje të pyetjes së dishepujve rreth ilustrimit për grurin dhe egjrat, Jezui shpjegon:

«Mbjellësi i farës së mirë është Biri i njeriut. Ara është bota dhe fara e mirë janë bijtë e Mbretërisë, kurse egjrat janë bijtë e të Ligut. Armiku që i mbolli, është Djalli. Koha e korrjes është përfundimi i një sistemi dhe korrësit janë engjëjt.»—Mateu 13:37-39.

Pasi identifikon secilin aspekt të ilustrimit, Jezui përshkruan rezultatin. Thotë se në përfundim të sistemit, korrësit ose engjëjt, do të ndajnë të krishterët e shtirur, egjrat, nga ‘bijtë e vërtetë të Mbretërisë’. «Të drejtët» do të mblidhen dhe pastaj do të shkëlqejnë «në Mbretërinë e Atit të tyre». Por, ç’do të ndodhë me «bijtë e të Ligut»? Ata do të presin shkatërrimin, ja pse «do të qajnë dhe do të kërcëllijnë dhëmbët».—Mateu 13:41-43.

Tani Jezui i shpërblen dishepujt me tri ilustrime të tjera. I pari: «Mbretëria e qiejve është si një thesar i fshehur në arë, të cilin një njeri e gjeti dhe e fshehu, dhe nga gëzimi shkoi e shiti gjithçka dhe e bleu atë arë.»—Mateu 13:44.

I dyti: «Mbretëria e qiejve është si një tregtar shëtitës që kërkonte margaritarë të çmuar. Me të gjetur një margaritar me vlerë të madhe, ai iku dhe shiti menjëherë gjithçka që kishte dhe e bleu.»—Mateu 13:45, 46.

Me të dyja ilustrimet, Jezui nxjerr në pah gatishmërinë për të bërë sakrifica për diçka që ia vlen vërtet. Tregtari menjëherë shet «gjithçka që kishte» për të blerë një margaritar me vlerë të madhe. Ky shembull me margaritarin e çmuar është më se i kuptueshëm për dishepujt. Njësoj bën njeriu që gjen një thesar të fshehur në një arë dhe ‘shet gjithçka’ për ta blerë arën. Në të dyja rastet, bëhet fjalë për diçka me vlerë, që mund të blihet dhe të çmohet si thesar. Kjo mund të krahasohet me sakrificat që bën dikush për të plotësuar nevojën që ta njohë më nga afër Perëndinë. (Mateu 5:3) Disa nga ata që dëgjuan ilustrimet e Jezuit, tashmë me gatishmëri kanë bërë çmos ta plotësojnë këtë nevojë dhe të bëhen dishepuj të vërtetë të Krishtit.—Mateu 4:19, 20; 19:27.

Në fund, Jezui e krahason Mbretërinë e qiejve me një rrjetë tratë që mbledh peshq të çdo lloji. (Mateu 13:47) Kur peshkatarët ndajnë peshqit, të mirët i vendosin nëpër enë, por të papërshtatshmit i hedhin. Ai thotë se e njëjta gjë do të ndodhë në përfundim të sistemit—engjëjt do të ndajnë të ligjtë nga të drejtët.

Edhe Jezui bëri një lloj peshkimi figurativ kur i ftoi dishepujt e parë të bëheshin «peshkatarë njerëzish». (Marku 1:17) Megjithatë ai thotë se ilustrimi i rrjetës tratë zbatohet për të ardhmen, «në përfundim të sistemit». (Mateu 13:49) Kështu apostujt dhe dishepujt e tjerë mund të nuhasin se gjëra shumë interesante priten të ndodhin.

Ata që ua vunë veshin ilustrimeve që Jezui tha kur ishte në varkë, shpërblehen më shumë, sepse Jezui është i gatshëm ‘t’u shpjegojë gjithçka më vete’. (Marku 4:34) Ai është tamam «si një zot shtëpie, i cili nxjerr nga thesari i vet gjëra të reja e të vjetra». (Mateu 13:52) Jezui nuk i thotë ilustrimet për të treguar sa i zoti është si mësues. Përkundrazi, bujarisht u jep dishepujve të vërteta me një vlerë të paçmuar. Po, Jezui si «mësues» s’ka të krahasuar.