Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

KAPITULLI 48

E hedhin poshtë pavarësisht nga mrekullitë që bën, madje edhe në Nazaret

E hedhin poshtë pavarësisht nga mrekullitë që bën, madje edhe në Nazaret

MATEU 9:27-34; 13:54-58 MARKU 6:1-6

  • JEZUI SHËRON TË VERBRIT DHE TË PAGOJËT

  • NAZAREASIT E HEDHIN POSHTË

Jezui ka kaluar një ditë plot aktivitet. Që kur është kthyer nga rajoni i Dekapolit, ka shëruar gruan me rrjedhje gjaku dhe ka ringjallur vajzën e Jairit. Por nuk mbaron me kaq. Teksa largohet nga shtëpia e Jairit, dy të verbër e ndjekin dhe thërrasin: «Bir i Davidit, ki mëshirë për ne!»—Mateu 9:27.

Me fjalët «Bir i Davidit» ata shprehin bindjen se Jezui është trashëgimtari i fronit të Davidit, pra Mesia. Jezui bën sikur nuk i dëgjon, ndoshta për të parë nëse do të këmbëngulin. E në fakt kështu bëjnë. Kur Jezui hyn në një shtëpi, këta dy burra i shkojnë nga pas. Jezui i pyet: «A keni besim se unë mund t’ju shëroj?» Plot siguri, përgjigjen: «Po, Zotëri.» Atëherë Jezui u prek sytë dhe u thotë: «U bëftë sipas besimit tuaj!»—Mateu 9:28, 29.

Krejt papritur, ata fillojnë të shohin! Siç ka bërë edhe me të tjerët, Jezui u thotë të mos hapin fjalë se çfarë ka bërë për ta. Por, me zemrën plot, burrat s’pushojnë së foluri për të kudo që shkojnë.

Ndërsa ata largohen, njerëzit sjellin te Jezui një burrë që nuk flet, sepse është pushtuar nga një demon. Kur Jezui dëbon demonin, menjëherë burrit i zgjidhet goja. Turma mahnitet dhe thotë: «Kurrë s’është parë në Izrael një gjë e tillë!» Atje janë të pranishëm edhe farisenjtë. Meqë nuk e mohojnë dot mrekullinë, hedhin sërish baltë mbi burimin e veprave të Jezuit: «Ai i dëbon demonët me anë të sundimtarit të demonëve.»—Mateu 9:33, 34.

Pak më vonë, Jezui niset për në vendin e vet, në Nazaret. Këtë herë me të janë edhe dishepujt. Rreth një vit më parë, ai kishte predikuar në sinagogën e vendit. Në fillim njerëzit kishin mbetur gojëhapur kur fliste, por më vonë ishin ofenduar nga mësimet e tij dhe ishin përpjekur ta vritnin. Tani Jezui përpiqet edhe një herë të ndihmojë fqinjët e dikurshëm.

Në Sabat, shkon përsëri për të predikuar në sinagogë. Shumë veta çuditen e pyesin: «Ku e gjeti ky njeri këtë mençuri dhe zotësi për të kryer këto vepra të fuqishme?! A s’është ky biri i zdrukthëtarit? A nuk quhet nëna e tij Mari dhe vëllezërit e tij, Jakov, Jozef, Simon dhe Judë? A nuk jetojnë motrat e tij mes nesh? Ku i gjeti, pra, ky njeri gjithë këto?»—Mateu 13:54-56.

Njerëzit mendojnë se Jezui s’është veçse një njeri nga vendi i tyre. Ndaj thonë me vete: «E njohim që të vogël, si vallë mund të jetë ky Mesia?» Ja pse, pavarësisht nga të gjitha provat—ku përfshihen mençuria e jashtëzakonshme e Jezuit dhe veprat e tij të fuqishme—e hedhin poshtë. Ngaqë e kanë pasur ditë për ditë mes tyre, edhe të afërmit nuk besojnë tek ai, prandaj Jezui thotë: «Vetëm në vendin dhe në shtëpinë e vet nuk nderohet profeti.»—Mateu 13:57.

Jezui çuditet që ata nuk kanë fare besim. Prandaj nuk bën më asnjë mrekulli atje, përveçse ‘shëron disa të sëmurë duke vënë duart mbi ta’.—Marku 6:5, 6.