Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

KAPITULLI 50

Përgatiten për të predikuar pavarësisht nga përndjekja

Përgatiten për të predikuar pavarësisht nga përndjekja

MATEU 10:16–11:1 MARKU 6:12, 13 LUKA 9:6

  • JEZUI STËRVIT APOSTUJT DHE I DËRGON TË PREDIKOJNË

Jezui u jep udhëzime të shkëlqyera apostujve se si të kryejnë veprën e predikimit teksa dalin dy e nga dy. Por nuk mjaftohet me kaq. Me dashuri i paralajmëron për kundërshtarët: «Ja, po ju dërgoj si dele mes ujqërve. . . . Kini kujdes, sepse njerëzit do t’ju dorëzojnë në gjykata dhe do t’ju fshikullojnë nëpër sinagoga. Për shkakun tim do t’ju nxjerrin përpara guvernatorëve e mbretërve.»—Mateu 10:16-18.

Realiteti është se, po të jesh dishepull i Jezuit mund të hasësh përndjekje të egër. Prandaj ai u jep zemër apostujve me këtë premtim: «Kur t’ju dorëzojnë, mos jini në ankth si do të flitni ose ç’do të thoni, pasi fjalët që do të thoni, do t’ju tregohen në atë çast, sepse nuk do të jeni ju që do të flitni, por do të jetë fryma e Atit tuaj që do të flasë nëpërmjet jush. Vëllai do të dorëzojë vëllanë që ta vrasin, babai fëmijën, dhe fëmijët do të ngrihen kundër prindërve e do të bëhen shkaktarët e vdekjes së tyre. Për shkak të emrit tim, të gjithë do t’ju urrejnë, por ai që qëndron deri në fund, do të shpëtojë.»—Mateu 10:19-22.

Përderisa ajo që ka rëndësi më të madhe është vepra e predikimit, Jezui thekson se kushdo që predikon duhet të tregohet i matur që të mos e humbë lirinë për ta kryer këtë vepër. Ai thotë: «Kur t’ju përndjekin në një qytet, ikni te një tjetër, sepse vërtet po ju them: kurrsesi nuk do ta përfundoni predikimin në tërë qytetet e Izraelit, derisa të mbërrijë Biri i njeriut.»—Mateu 10:23.

Sa të mrekullueshme janë udhëzimet, paralajmërimet dhe fjalët inkurajuese që u jep Jezui 12 apostujve! Megjithatë, kuptohet se këto fjalë vlejnë edhe për ata që do të marrin pjesë në veprën e predikimit pas vdekjes dhe ringjalljes së Jezuit. Kjo duket qartë nga fjalët që tha: «Të gjithë do t’ju urrejnë». Pra përfshihen edhe të tjerë përveç njerëzve që u predikojnë apostujt në këtë udhëtim. Gjithashtu, nuk lexojmë gjëkundi se apostujt i nxorën para guvernatorëve e mbretërve gjatë kësaj fushate të shkurtër predikimi në Galile ose se familjarët i dorëzuan për t’i vrarë.

Është e qartë se Jezui e ka fjalën për të ardhmen kur u thotë këto gjëra apostujve. Mendo për pohimin që u thotë se nuk do ta përfundojnë predikimin në tërë qytetet «derisa të mbërrijë Biri i njeriut». Jezui do që të thotë se dishepujt e tij nuk do ta përfundojnë predikimin për Mbretërinë e Perëndisë para se Jezu Krishti, i lartësuar si Mbret, të mbërrijë si gjykatësi i Perëndisë.

Teksa predikojnë, apostujt nuk duhet të befasohen kur të hasin kundërshtim, pasi Jezui thotë: «Nxënësi nuk është më i madh se mësuesi, as skllavi se zotëria.» Mësimi i Jezuit është i qartë: atë e keqtrajtojnë dhe e përndjekin ngaqë predikon për Mbretërinë e Perëndisë, e njësoj do të ndodhë edhe me dishepujt. Megjithatë Jezui i nxit: «Mos u frikësoni nga ata që vrasin trupin, por që s’mund të vrasin shpirtin, por kini frikë nga ai që mund të shkatërrojë edhe shpirtin, edhe trupin në Gehenë.»—Mateu 10:24, 28.

Në këtë aspekt, Jezui la një shembull të shkëlqyer. Ai u përball pa pikë frike me vdekjen që të mos thyente besnikërinë e tij ndaj Jehovait, Perëndisë së Plotfuqishëm. Vetëm Ai mund ta shkatërrojë «shpirtin» e dikujt (perspektivën për të gëzuar jetën në të ardhmen) ose ta ringjallë për të shijuar jetën e përhershme. Sa zemër duhet t’u ketë dhënë apostujve kjo!

Për të treguar merakun e dashur që ka Perëndia për dishepujt e tij, Jezui tregon këtë ilustrim: «A nuk shiten dy harabela për një monedhë të vogël? E megjithatë, asnjë prej tyre nuk bie përtokë pa dijeninë e Atit tuaj. . . . Prandaj mos kini frikë: ju vleni më tepër se shumë harabela.»—Mateu 10:29, 31.

Mesazhi që predikojnë dishepujt e Jezuit do të futë përçarje në familje, sepse disa do ta pranojnë këtë mesazh, kurse të tjerë jo. Jezui shpjegon: «Mos mendoni se erdha të sjell paqen në tokë.» Po, dikujt që pranon të vërtetën e Biblës i duhet guxim para familjes. Ama, Jezui bën të qartë këtë fakt: «Ai që ka më shumë për zemër babanë ose nënën sesa mua, nuk është i denjë për mua, dhe ai që ka më shumë për zemër djalin ose vajzën sesa mua, nuk është i denjë për mua.»—Mateu 10:34, 37.

Gjithsesi, disa do t’i mirëpresin dishepujt e tij. Jezui thotë: «Ai që i jep për të pirë sikur edhe vetëm një kupë ujë të ftohtë njërit prej këtyre të vegjëlve, ngaqë është dishepull, s’do ta humbasë kurrsesi shpërblimin e tij.»—Mateu 10:42.

Të përgatitur më së miri me udhëzimet, paralajmërimet dhe fjalët inkurajuese të Jezuit, apostujt nisen e përshkojnë «territorin nga fshati në fshat, duke shpallur lajmin e mirë dhe duke shëruar kudo».—Luka 9:6.