Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

KAPITULLI 53

Një mbret që ka fuqi mbi forcat e natyrës

Një mbret që ka fuqi mbi forcat e natyrës

MATEU 14:22-36 MARKU 6:45-56 GJONI 6:14-25

  • NJERËZIT DUAN TA BËJNË JEZUIN MBRET

  • JEZUI ECËN MBI UJË DHE QETËSON ERËN

Mrekullia që bëri Jezui kur ushqeu mijëra veta, lë mbresa të thella te populli. Ata nxjerrin përfundimin se «ky është pa dyshim Profeti që duhej të vinte në botë», pra Mesia, që me siguri do të ishte një mbret për së mbari. (Gjoni 6:14; Ligji i përtërirë 18:18) Kështu, bëjnë plane që ta kapin Jezuin për ta bërë mbret.

Ai ua blen mendjen, prandaj nis turmën dhe u thotë dishepujve të kthehen në varkë, të marrin rrugën për në Betsaidë e të shkojnë në Kapernaum. Kurse Jezui ngjitet në mal që, gjatë natës, të lutet vetëm për vetëm.

Pak para se të agojë, nën dritën e hënës, Jezui dallon që nga larg varkën e dishepujve. Një erë e fortë tërbon dallgët e detit dhe apostujt ‘po lundrojnë me mundim të madh, sepse erën e kanë kundër’. (Marku 6:48) Jezui zbret nga mali dhe fillon të ecë drejt tyre mbi dallgë. Tashmë ata ‘kanë vozitur rreth pesë a gjashtë kilometra’. (Gjoni 6:19) Dishepujve u duket sikur shohin Jezuin që po u kalon pranë dhe thërrasin të frikësuar: «Është një vegim!»—Marku 6:49.

Por Jezui i qetëson: «Merrni zemër! Jam unë, mos kini frikë.» Tani Pjetri i thotë: «Zotëri, po të jesh ti, më urdhëro të vij te ti mbi ujë.» Jezui i thotë: «Eja!» Në çast, Pjetri del nga varka dhe ecën vërtet mbi ujë drejt Jezuit. Por, kur kthen kokën e sheh stuhinë, trembet dhe fillon të fundoset. Ai thërret: «Zotëri, më shpëto!» Jezui zgjat dorën, e kap Pjetrin dhe i thotë: «Pse ke kaq pak besim? Pse të mposhti dyshimi?!»—Mateu 14:27-31.

Sapo Pjetri dhe Jezui hipin në varkë, era qetësohet. Dishepujt janë të habitur, por a duhet të habiten? Po të kishin kapur «domethënien e mrekullisë së bukëve», mrekullinë që bëri Jezui pak orë më parë kur ushqeu mijëra veta, nuk do të ishin habitur fare që ai mund të ecte mbi ujë e të qetësonte erën. Tani fillojnë t’i bëjnë nderime e thonë: «Ti je vërtet Biri i Perëndisë!»—Marku 6:52; Mateu 14:33.

Pa kaluar shumë arrijnë në rrafshinën e bukur e pjellore të Genesaretit, në jug të Kapernaumit. Atje ankorojnë varkën dhe zbresin në breg. Njerëzit dallojnë se është Jezui, dhe bashkë me të tjerë nga zona përreth, i çojnë të sëmurët. Sapo prekin thekët e rrobës së Jezuit, shërohen plotësisht.

Ndërkohë turma që kishte qenë e pranishme kur Jezui me anë të një mrekullie ushqeu mijëra veta, merr vesh se Jezui është larguar. Kështu, kur mbërrijnë disa varka të vogla nga Tiberiada, marrin këto varka dhe lundrojnë për në Kapernaum që të gjejnë Jezuin. Kur e gjejnë, e pyesin: «Rabi, kur arrite këtu?» (Gjoni 6:25) Jezui me të drejtë i qorton, siç do të shohim edhe më vonë.