Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

KAPITULLI 57

Jezui shëron një vajzë dhe një të shurdhër

Jezui shëron një vajzë dhe një të shurdhër

MATEU 15:21-31 MARKU 7:24-37

  • JEZUI SHËRON VAJZËN E NJË GRUAJE FENIKASE

  • AI SHËRON NJË BURRË TË SHURDHËR QË I MBAHET GOJA

Pasi i dënon farisenjtë se kishin sajuar tradita për interesin e tyre, Jezui bashkë me dishepujt largohet. Ai përshkon shumë kilometra drejt veriperëndimit për në rajonet e Tirit dhe të Sidonit në Feniki.

Atje Jezui gjen një shtëpi ku të qëndrojë. Edhe pse nuk do që ta marrë vesh njeri ku ndodhet, nuk shpëton pa u vënë re. Një grua me prejardhje greke që ka lindur në këtë zonë e gjen Jezuin dhe i përgjërohet: «Ki mëshirë për mua, Zotëri, Bir i Davidit! Vajza ime po vuan tmerrësisht prej demonëve.»—Mateu 15:22; Marku 7:26.

Pas njëfarë kohe, dishepujt e Jezuit i luten: «Largoje atë, sepse vazhdon të vijë pas nesh e të përgjërohet gjithë kohës.» Jezui u shpjegon pse hiqet sikur nuk po i kushton vëmendje: «Unë nuk u dërgova tek askush tjetër, përveçse te delet e humbura të shtëpisë së Izraelit.» Mirëpo gruaja nuk dorëzohet. I afrohet Jezuit, bie në gjunjë para tij dhe i përgjërohet: «Zotëri, më ndihmo!»—Mateu 15:23-25.

Me sa duket për të vënë në provë besimin e saj, Jezui përmend shkarazi pikëpamjen negative që kanë judenjtë ndaj njerëzve të kombeve të tjera: «Nuk është e drejtë të marrësh bukën e fëmijëve e t’ua hedhësh të vegjëlve të qenve.» (Mateu 15:26) Me fjalët «të vegjëlve të qenve» ose këlyshëve, Jezui tregon se i dhimbsen jojudenjtë. Me siguri këtë ndjenjë e pasqyron edhe me shprehjet e fytyrës dhe me tonin e zërit.

Në vend që të ofendohet, gruaja kupton se Jezui e ka fjalën për paragjykimet e judenjve dhe me përulësi thotë: «Po, Zotëri, por edhe të vegjlit e qenve hanë nga thërrimet që bien nga tryeza e zotërinjve të tyre.» Jezui kupton se gruaja ka një zemër të sinqertë e të përulur dhe i thotë: «O grua, i madh është besimi yt! U bëftë ashtu si dëshiron ti!» (Mateu 15:27, 28) Dhe kështu ndodh, ndonëse vajza nuk është atje. Kur gruaja kthehet në shtëpi, e gjen të bijën të shtrirë në shtrat e të shëruar plotësisht: «demoni kishte dalë prej saj».—Marku 7:30.

Tani Jezui bashkë me dishepujt e tij nisen nga rajoni i Fenikisë për në lumin Jordan. Me sa duket kalojnë në anën tjetër të lumit, diku në veri të detit të Galilesë, dhe shkojnë në rajonin e Dekapolit. Nga aty, ngjiten për në mal, por turmat i gjejnë dhe çojnë tek ai të çalë, të gjymtuar, të verbër dhe të pagojë. I vënë te këmbët e Jezuit dhe ai i shëron. Të mrekulluar, njerëzit i japin lavdi Perëndisë së Izraelit.

Jezui i kushton vëmendje të veçantë një burri të shurdhër që i mbahet goja. S’është e vështirë të kuptosh si ndihet ai mes një turme të madhe. Mbase duke dalluar sikletin e tij, Jezui e merr veçmas, larg turmës. Kur janë vetëm, Jezui i tregon se çfarë do të bëjë për të. I fut gishtat në veshë dhe, pasi pështyn, i prek gjuhën. Pastaj, me sytë drejt qiellit, Jezui thotë një shprehje semitike që ka kuptimin «hapu». Në çast, burrit i rikthehet dëgjimi dhe fillon të flasë normalisht. Jezui nuk do që kjo të bëjë bujë, se preferon që njerëzit të besojnë tek ai në bazë të asaj që shohin dhe dëgjojnë vetë.—Marku 7:32-36.

Fuqia e Jezuit për të bërë këto shërime lë mbresa të thella te të pranishmit. «Jashtëzakonisht të mahnitur» ata thonë: «Të gjitha veprat e tij janë të mrekullueshme. Ai i bën edhe të shurdhrit të dëgjojnë dhe të pagojët të flasin.»—Marku 7:37.