Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

KAPITULLI 59

Kush është Biri i njeriut?

Kush është Biri i njeriut?

MATEU 16:13-27 MARKU 8:22-38 LUKA 9:18-26

  • JEZUI SHËRON NJË TË VERBËR

  • PJETRIT DO T’I JEPEN ÇELËSAT E MBRETËRISË

  • JEZUI TREGON SE DO TË VDESË E PASTAJ DO TË RINGJALLET

Jezui dhe dishepujt mbërrijnë në Betsaidë. Atje njerëzit çojnë tek ai një të verbër dhe i përgjërohen që ta prekë e ta shërojë.

Jezui e merr për dore të verbrin dhe e çon jashtë fshatit. Pasi i vë pështymë në sy, e pyet: «A sheh gjë?» Burri përgjigjet: «Shoh ca njerëz, por më duken si pemë që ecin sa andej këtej.» (Marku 8:23, 24) Jezui ia vë përsëri duart në sy dhe burrit i kthehet shikimi. Pastaj e nis për në shtëpi këtë njeri që tani sheh qartë dhe i thotë të mos hyjë në fshat.

Pastaj, Jezui dhe dishepujt marrin rrugën drejt veriut për në rajonin e Cezaresë së Filipit. Për të arritur atje duhet të përshkojnë 40 km rrugë në ngjitje. Fshati ndodhet rreth 350 m mbi nivelin e detit dhe në verilindje, në sfond, shihet mali madhështor i Hermonit i mbuluar me dëborë. Ky udhëtim zgjat të paktën 2 ditë.

Në një moment gjatë rrugës, Jezui shkëputet për t’u lutur veçmas. Mbeten vetëm nëntë ose dhjetë muaj para se të vdesë dhe ka merak për dishepujt e tij. Kohët e fundit shumë dishepuj e kanë braktisur, kurse disa të tjerë janë të trazuar a të zhgënjyer. Mbase hamenden pse Jezui nuk e lejoi popullin ta bënte mbret ose pse nuk bën një shenjë tjetër për të hequr çdo dyshim për identitetin e tij.

Kur dishepujt shkojnë ku po lutet Jezui, ai i pyet: «Çfarë thonë njerëzit: kush është Biri i njeriut?» Ata ia kthejnë: «Disa thonë Gjon Pagëzori, të tjerë Elija, disa të tjerë Jeremia ose një nga profetët.» Po, njerëzit mendojnë se në të vërtetë Jezui është një nga këta burra i ringjallur. Për të nxjerrë në sipërfaqe mendimet e dishepujve, Jezui i pyet: «Po ju, ç’thoni: kush jam unë?» Pjetri përgjigjet menjëherë: «Ti je Krishti, Biri i Perëndisë së gjallë.»—Mateu 16:13-16.

Jezui e përgëzon Pjetrin që Perëndia ia zbuloi këtë dhe shton: «Po të them: ti je Pjetri, dhe mbi këtë shkëmb unë do të ndërtoj kongregacionin tim dhe portat e Varrit nuk do të triumfojnë mbi të.» Jezui po thotë se ai vetë do të ndërtojë një kongregacion me pjesëtarë që, po të qëndrojnë besnikë në tokë, as Varri nuk do t’i robërojë dot. Ai i bën këtë premtim Pjetrit: «Unë do të të jap çelësat e Mbretërisë së qiejve.»—Mateu 16:18, 19.

Jezui nuk po e ngre Pjetrin mbi apostujt e tjerë, as nuk po e bën themelin e kongregacionit. Vetë Jezui është Shkëmbi mbi të cilin do të ndërtohet kongregacioni. (1 Korintasve 3:11; Efesianëve 2:20) Megjithatë Pjetri do të marrë tre çelësa. Ai do të ketë privilegjin që t’u hapë rrugën grupeve të ndryshme për të hyrë në Mbretërinë e qiejve.

Çelësin e parë Pjetri do ta përdorë në Festën e Ditës së Pesëdhjetë të vitit 33 të e.s., duke u treguar judenjve të penduar dhe prozelitëve çfarë duhet të bëjnë që të shpëtojnë. Çelësin e dytë do ta përdorë për t’u dhënë mundësi samaritanëve besimtarë që të hyjnë në Mbretërinë e Perëndisë. Pastaj çelësin e tretë do ta përdorë në vitin 36 të e.s., për t’ua dhënë këtë mundësi edhe jojudenjve të parrethprerë, Kornelit e të tjerëve.—Veprat 2:37, 38; 8:14-17; 10:44-48.

Gjatë kësaj bisede, apostujt e Jezuit trishtohen kur ai parathotë se po afron koha kur do të vuajë e do të vdesë në Jerusalem. Ngaqë nuk e kupton se Jezui do të ringjallet në jetën qiellore, Pjetri e merr mënjanë dhe e qorton: «Ji i mirë me veten, Zotëri. Ti nuk ke pse të përfundosh kështu.» Por Jezui i kthen shpinën dhe i thotë: «Rri prapa meje, Satana! Ti je pengesë për mua, se nuk mendon si mendon Perëndia, por si njerëzit.»—Mateu 16:22, 23.

Tani Jezui thërret edhe të tjerët dhe u shpjegon atyre dhe apostujve se nuk do të jetë e lehtë të jenë dishepujt e tij. Ai thotë: «Nëse dikush dëshiron të vijë pas meje, le ta mohojë veten, të marrë shtyllën e vet të torturës dhe të më ndjekë vazhdimisht, sepse kushdo që dëshiron ta shpëtojë jetën e vet, do ta humbasë, por kushdo që e humbet jetën e vet për hirin tim dhe të lajmit të mirë, do ta shpëtojë.»—Marku 8:34, 35.

Vërtet, që të fitojnë pëlqimin e Jezuit, dishepujt duhet të jenë të guximshëm e vetëmohues. Jezui thotë: «Nëse dikujt i vjen turp për mua dhe për fjalët e mia mes këtij brezi kurorëshkelës dhe mëkatar, edhe Birit të njeriut do t’i vijë turp për të kur të vijë në lavdinë e Atit të vet bashkë me engjëjt e shenjtë.» (Marku 8:38) Po, kur Jezui të vijë, «do ta shpërblejë secilin sipas sjelljes».—Mateu 16:27.