Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

KAPITULLI 62

Një mësim i rëndësishëm për përulësinë

Një mësim i rëndësishëm për përulësinë

MATEU 17:22–18:5 MARKU 9:30-37 LUKA 9:43-48

  • JEZUI FLET SËRISH PËR VDEKJEN E TIJ

  • PAGUAN TAKSËN ME MONEDHËN NGA GOJA E PESHKUT

  • KUSH DO TË JETË MË I MADHI NË MBRETËRI?

Pasi u shpërfytyrua dhe shëroi djalin e demonizuar në rajonin e Cezaresë së Filipit, Jezui merr rrugën për në Kapernaum. Pa rënë në sy, niset vetëm me dishepujt e tij, që turmat ‘të mos e marrin vesh’. (Marku 9:30) Kjo i jep mundësi t’i përgatitë më tej dishepujt për vdekjen e tij dhe për veprën që do të kryejnë pastaj. Ai shpjegon: «Birin e njeriut do ta tradhtojnë dhe do ta dorëzojnë në duart e njerëzve, të cilët do ta vrasin. Por ditën e tretë ai do të ngrihet nga të vdekurit.»—Mateu 17:22, 23.

Kjo nuk është diçka e re për dishepujt. Jezui ua kishte thënë edhe më parë se do ta vrisnin, edhe pse Pjetri nuk donte ta besonte këtë. (Mateu 16:21, 22) Veç kësaj, tre apostujt panë shpërfytyrimin dhe dëgjuan bisedën për «largimin» e Jezuit. (Luka 9:31) Por tani dishepujt ‘hidhërohen shumë’ nga ajo që po thotë Jezui, edhe pse nuk i kuptojnë tamam fjalët e tij. (Mateu 17:23) Prapëseprapë, kanë frikë ta pyesin më tej.

Më vonë mbërrijnë në Kapernaum, baza e aktivitetit të Jezuit dhe qyteti i disa prej apostujve. Atje, burrat që mbledhin taksën e tempullit i afrohen Pjetrit. Në përpjekje që ta akuzojnë Jezuin për mospagim taksash, e pyesin: «A i paguan mësuesi juaj dy drahmat e taksës [së tempullit]?»—Mateu 17:24.

«Po»,—përgjigjet Pjetri. Edhe pse Jezui e di çfarë ka ndodhur, kur janë në shtëpi, në vend që të presë që muhabetin ta hapë Pjetri, e hap ai: «Si mendon Simon? Nga cilët i marrin mbretërit e tokës taksat ose haraçet për kokë? Nga bijtë e tyre apo nga të huajt?» Pjetri i përgjigjet: «Nga të huajt.» Kështu Jezui pohon: «Ashtu është, bijtë janë të përjashtuar nga taksat.»—Mateu 17:25, 26.

Ati i Jezuit është Mbreti i universit dhe Ai që adhurohet në tempull. Prandaj, Birit të Perëndisë, sipas ligjit, nuk i kërkohet të paguajë taksën e tempullit. «Megjithatë, që të mos bëhemi pengesë për ta,—thotë Jezui,—shko në det, hidh grepin dhe, peshkut të parë që do të kapësh, hapi gojën e do t’i gjesh një monedhë argjendi [staterë ose tetradrahmë]. Merre dhe jepua për mua e për vete.»—Mateu 17:27.

Kur dishepujt mblidhen bashkë, kanë dëshirë të dinë nga Jezui se kush do të jetë më i madhi në Mbretëri. Pak më parë kishin frikë ta pyesnin Jezuin për vdekjen që do të vuajë pas pak, ama për të ardhmen e tyre nuk kanë frikë të shkojnë tek ai për ta pyetur. Jezui e di mirë çfarë janë duke menduar. Tashmë kishin debatuar për këtë çështje teksa ecnin pas tij rrugës për në Kapernaum. Ja pse i pyet: «Për çfarë po debatonit rrugës?» (Marku 9:33) Në fillim, s’e hapin gojën nga sikleti, ngaqë po debatonin mes tyre se kush ishte më i madhi. Por pastaj, apostujt i bëjnë Jezuit pyetjen për të cilën kishin diskutuar: «Kush është më i madhi në Mbretërinë e qiejve?»—Mateu 18:1.

Si ka mundësi që dishepujt bëjnë një pyetje të tillë pas gati 3 vjetësh që shohin shembullin e Jezuit dhe dëgjojnë mësimet e tij?! Janë të papërsosur dhe janë rritur në një klimë fetare ku i jepet tepër rëndësi pozitës dhe rangut. Veç kësaj, kohët e fundit Jezui i premtoi Pjetrit se do t’i jepte ‘çelësat’ e Mbretërisë. Mos ndoshta kjo e bën Pjetrin të ndihet më lart se të tjerët? Edhe Jakovi e Gjoni mund të ndihen njësoj, meqë kanë qenë dëshmitarë okularë të shpërfytyrimit të Jezuit.

Sidoqoftë, Jezui bën diçka për t’ua ndrequr qëndrimin. Thërret pranë një fëmijë, e vë mes dishepujve dhe u thotë: «Po të mos ndryshoni e të bëheni si fëmijë të vegjël, nuk do të hyni kurrsesi në Mbretërinë e qiejve. Prandaj, kushdo që përulet dhe bëhet si ky fëmijë i vogël, do të jetë më i madhi në Mbretërinë e qiejve. Dhe kushdo që pranon një fëmijë të vogël si ky në emrin tim, më pranon edhe mua.»—Mateu 18:3-5.

Ç’metodë e mrekullueshme mësimdhënieje! Jezui nuk zemërohet me dishepujt e tij, as nuk i quan lakmitarë ose ambiciozë. Përkundrazi, i mëson duke u dhënë një shembull të goditur. Fëmijët e vegjël nuk kanë pozitë të lartë a të shquar. Kështu Jezui u tregon dishepujve se duhet të mësojnë ta shohin veten si ata. Në fund Jezui thotë këto fjalë: «Ai që e sheh veten si të vogël mes jush, pikërisht ai është i madh.»—Luka 9:48.