Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

KAPITULLI 78

Rri gati kujdestar besnik!

Rri gati kujdestar besnik!

LUKA 12:35-59

  • KUJDESTARI BESNIK DUHET TË RRIJË GATI

  • JEZUI VJEN QË TË SHKAKTOJË PËRÇARJE

Jezui ka shpjeguar se vetëm një «kope e vogël» do të bëhet pjesë e Mbretërisë qiellore. (Luka 12:32) Por ky shpërblim i mrekullueshëm nuk duhet parë si diçka e zakonshme. Në fakt Jezui thekson sa e rëndësishme është të kesh qëndrimin e duhur që të jesh pjesë e kësaj Mbretërie.

Ndaj, Jezui i paralajmëron dishepujt që të jenë gati kur të kthehet, dhe u thotë: «Jini gati e të veshur, dhe mbajini llambat ndezur. Jini si ata që e presin zotërinë e tyre të kthehet nga dasma që t’ia hapin menjëherë derën kur të vijë e të trokasë. Lum ata skllevër që zotëria i tyre i gjen zgjuar kur vjen!»—Luka 12:35-37.

Dishepujt e kuptojnë fare mirë se ç’qëndrim duhet të tregojnë. Shërbëtorët në këtë ilustrim janë gati dhe po presin që zotëria të kthehet. Jezui shpjegon më tej: «Nëse [zotëria] vjen në mesnatë [pra, rreth orës 9 të mbrëmjes deri në mesnatë] ose në agim [pra, nga mesnata deri rreth orës 3 të mëngjesit] dhe i gjen gati, lum ata!»—Luka 12:38.

Jezui nuk po i këshillon thjesht të jenë shërbëtorë ose punëtorë të zellshëm. Kjo kuptohet qartë kur Jezui, Biri i njeriut, përfshin edhe veten në ilustrim. Ai u thotë dishepujve: «Prandaj, edhe ju rrini gati, sepse Biri i njeriut do të vijë në një orë që s’e mendoni.» (Luka 12:40) Jezui do të vijë në të ardhmen dhe do që dishepujt e tij—sidomos ata që janë pjesë e ‘kopesë së vogël’—të jenë gati.

Pjetri dëshiron të kuptojë qartë ku e ka fjalën Jezui, ndaj e pyet: «Zotëri, këtë ilustrim po e tregon vetëm për ne apo edhe për gjithë të tjerët?» Në vend se t’i përgjigjet drejtpërdrejt, Jezui i tregon një ilustrim tjetër: «Kush është në të vërtetë kujdestari besnik, i mençuri, të cilin zotëria i tij do ta emërojë mbi gjithë shërbëtorët e vet, që të vazhdojë t’u japë ushqimin e nevojshëm në kohën e duhur? Lum ai skllav nëse zotëria i tij e gjen duke bërë kështu kur të vijë! Vërtet po ju them: ai do ta emërojë mbi gjithë zotërimet e veta.»—Luka 12:41-44.

Në ilustrimin e mësipërm kuptohet qartë se «zotëria» është Jezui, Biri i njeriut. Logjikisht, «kujdestari besnik» përbëhet nga burra që janë pjesëtarë të ‘kopesë së vogël’ e që do të bëhen pjesë e Mbretërisë. (Luka 12:32) Jezui po thotë se disa pjesëtarë të kopesë së vogël do t’u japin ‘të gjithë shërbëtorëve të [zotërisë] ushqimin e nevojshëm në kohën e duhur’. Kështu Pjetri dhe dishepujt e tjerë që Jezui po i mëson dhe po u forcon besimin, arrijnë në përfundimin se Biri i njeriut do të vijë në të ardhmen. Në atë kohë, dishepujt e Jezuit, pra «gjithë shërbëtorët» e Zotërisë, në mënyrë të organizuar do të marrin ushqim besimforcues.

Tani Jezui thekson në një mënyrë tjetër pse dishepujt duhet të jenë vigjilentë dhe t’i kushtojnë vëmendje qëndrimit të tyre. Meqë ekziston rreziku që të bëhen neglizhentë e të arrijnë deri në atë pikë sa t’u kundërvihen bashkëbesimtarëve, Jezui thotë: «Por, sikur skllavi të thoshte me vete: ‘Zotëria im po vonon’ e të fillonte t’i rrihte shërbëtorët e shërbëtoret dhe të hante, të pinte e të dehej, zotëria i tij do të vinte në një ditë që ai s’e priste dhe në një orë që ai nuk e dinte, do ta ndëshkonte me ashpërsinë më të madhe dhe do ta vinte bashkë me të pabesët.»—Luka 12:45, 46.

Më tej, Jezui thotë se ka ardhur «për të ndezur një zjarr në tokë». Këtë e ka bërë duke ngritur çështje që shkaktojnë debate të zjarrta e që përmbysin tradita dhe mësime të rreme. Këto çështje madje shkaktojnë përçarje mes atyre që pritet të jenë të bashkuar, «babai kundër djalit dhe djali kundër babait, nëna kundër vajzës dhe vajza kundër nënës, vjehrra kundër nuses dhe nusja kundër së vjehrrës».—Luka 12:49, 53.

Deri në këtë moment Jezui u është drejtuar dishepujve. Tani i flet turmës së njerëzve. Shumica i kanë hedhur poshtë me kokëfortësi provat se ai është Mesia. Ja pse Jezui u thotë: «Kur shihni një re të ngrihet nga perëndimi, ju thoni menjëherë: ‘Po vjen një stuhi’, dhe ashtu ndodh. Ndërsa, kur shihni se po fryn juga, ju thoni: ‘Do të bëjë vapë e madhe’, dhe ashtu ndodh. Hipokritë, ju dini t’i shqyrtoni dukuritë e tokës dhe të qiellit, por si nuk ditkeni të shqyrtoni çfarë po ndodh në këtë kohë të veçantë?!» (Luka 12:54-56) Është fare e dukshme se ata nuk janë gati të pranojnë Mesinë.