Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

KAPITULLI 80

Bariu i Shkëlqyer dhe vathat e deleve

Bariu i Shkëlqyer dhe vathat e deleve

GJONI 10:1-21

  • JEZUI FLET PËR BARIUN E SHKËLQYER DHE VATHAT E DELEVE

Ndërsa mëson në Jude, Jezui flet për diçka që dëgjuesit e njohin mirë—për delet dhe vathat. Por në këtë rast po përdor një gjuhë të figurshme. Ka mundësi që judenjve t’u kujtohen fjalët e Davidit: «Jehovai është Bariu im, ndaj s’do të më mungojë asgjë. Ai më çon të prehem në livadhe plot bar.» (Psalmi 23:1, 2) Në një psalm tjetër, Davidi i bëri këtë ftesë popullit: «Le të biem në gjunjë para Jehovait, Bërësit tonë! Se ai është Perëndia ynë, kurse ne jemi populli i kullotës së tij.» (Psalmi 95:6, 7) Izraelitët që ishin nën Ligjin e Moisiut, janë krahasuar me një vathë delesh.

Këto «dele» janë pjesë e një «vathe», në kuptimin që kanë lindur nën besëlidhjen e Ligjit të Moisiut. Ligji ka shërbyer si gardh për t’i mbrojtur nga praktikat e korruptuara të kombeve që s’janë pjesë e kësaj besëlidhjeje. Megjithatë, disa izraelitë e kanë keqtrajtuar kopenë e Perëndisë. Jezui thotë: «Me të vërtetë po ju them: ai që nuk hyn në vathën e deleve nga dera, por hyn në ndonjë mënyrë tjetër, është hajdut dhe plaçkitës. Kurse ai që hyn nga dera, është bariu i deleve.»—Gjoni 10:1, 2.

Të pranishmëve mund t’u vijnë ndër mend burra që kanë pretenduar se janë Mesia ose Krishti. Këta u ngjajnë hajdutëve e plaçkitësve. Populli nuk duhet të ndjekë këta mashtrues, por ‘bariun e deleve’.

Për bariun, Jezui thotë: «Këtij ia hap derën portieri. Delet e dëgjojnë zërin e tij, ai i thërret me emër delet e veta dhe i nxjerr nga vatha. Kur i ka nxjerrë gjithë delet e veta, ai u prin dhe ato e ndjekin, sepse ia njohin zërin. Një të panjohur nuk do ta ndiqnin kurrsesi, por do të largoheshin menjëherë prej tij, sepse nuk e njohin zërin e të panjohurve.»—Gjoni 10:3-5.

Ca kohë më parë, Gjon Pagëzori, ashtu si portieri, e identifikoi Jezuin si bariun që duhej të ndiqnin delet simbolike, pra ata që ishin nën Ligj. Dhe disa njerëz, në Galile e këtu në Jude, e kanë njohur zërin e Jezuit. Po ku do t’i çojë Jezui pasi ‘t’i nxjerrë nga vatha’? Dhe ç’të mira do të kenë nëse e ndjekin? Meqë ‘nuk e kuptojnë ç’po u thotë’, disa nga dëgjuesit fillojnë të vrasin mendjen për domethënien e ilustrimit.—Gjoni 10:6.

Jezui shpjegon: «Me të vërtetë po ju them: unë jam dera për delet. Të gjithë ata që kanë ardhur si bariu i vërtetë në vendin tim, janë hajdutë dhe plaçkitës, por delet nuk i kanë dëgjuar. Unë jam dera, dhe kushdo që hyn në vathë nëpërmjet meje, do të shpëtojë, do të hyjë, do të dalë dhe do të gjejë kullotë.»—Gjoni 10:7-9.

Është e qartë se Jezui po u tregon diçka të re. Dëgjuesit e dinë se ai nuk është dera që çon te besëlidhja e Ligjit, e cila ka ekzistuar prej shekujsh. Ja pse delet që «nxjerr nga vatha», duhet të hyjnë në një vathë tjetër. Ç’të mira do të gëzojnë?

Jezui shpjegon më tej rolin e tij: «Unë erdha që ato të kenë jetë, e ta kenë pafundësisht. Unë jam bariu i shkëlqyer, dhe bariu i shkëlqyer jep jetën për delet.» (Gjoni 10:10, 11) Jezui u ka dhënë zemër dishepujve edhe më parë: «Mos ki frikë, o kope e vogël, sepse Atit tuaj i ka pëlqyer t’ju japë Mbretërinë.» (Luka 12:32) Pjesëtarët e ‘kopesë së vogël’, Jezui do t’i drejtojë për te një vathë e re, që «të kenë jetë, e ta kenë pafundësisht». Ç’privilegj të jesh pjesë e kësaj ‘kopeje të vogël’!

Jezui e vazhdon më tej arsyetimin: «Kam edhe dele të tjera, që nuk janë të kësaj vathe. Edhe atyre do t’u prij, dhe ato do ta dëgjojnë zërin tim, e do të bëhen një kope e vetme me një bari të vetëm.» (Gjoni 10:16) Këto «dele të tjera» nuk janë «të kësaj vathe», prandaj duhet të jenë pjesë e një kopeje tjetër, jo pjesë e ‘kopesë së vogël’ që do të trashëgojë Mbretërinë. Megjithëse delet janë ndarë në dy vatha dhe kanë shpresa të ndryshme, të gjitha nxjerrin dobi nga roli i Jezuit. Ai thotë: «Ja pse Ati më do, sepse jap jetën time.»—Gjoni 10:17.

Shumë nga turma thonë: «Ai ka një demon dhe ka luajtur mendsh. Ç’e dëgjoni?!» Por të tjerë, që janë të prirur të ndjekin Bariun e Shkëlqyer, e dëgjojnë me vëmendje. Ata shprehen: «Këto nuk janë fjalët e një të demonizuari. A mundet një demon t’u hapë sytë të verbërve?» (Gjoni 10:20, 21) Me siguri po i referohen rastit kur Jezui shëroi një burrë që kish lindur i verbër.