Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

KAPITULLI 81

Në ç’kuptim Jezui dhe Ati janë «një»?

Në ç’kuptim Jezui dhe Ati janë «një»?

GJONI 10:22-42

  • «UNË DHE ATI JEMI NJË»

  • JEZUI HEDH POSHTË AKUZËN SE E BËN VETEN PERËNDI

Jezui ka ardhur në Jerusalem për Festën e Kushtimit (ose Hanukah). Në këtë festë përkujtohet rikushtimi i tempullit. Në fakt, mbi një shekull më parë, mbreti sirian Antioku IV Epifan ndërtoi një altar pagan mbi altarin e madh që gjendej në tempullin e Perëndisë. Më vonë, djemtë e një prifti jude rimorën Jerusalemin dhe ia rikushtuan tempullin Jehovait. Që prej asaj kohe, kjo ngjarje nis të përkujtohet çdo vit më 25 hislev, muaj që përkon me periudhën nga fundi i nëntorit deri në fillim të dhjetorit.

Është stina e dimrit dhe moti është i ftohtë. Jezui po ecën në tempull në kolonadën e Solomonit, kur një grup judenjsh e rrethojnë dhe nisin ta pyesin: «Deri kur do të na mbash në ajër? Nëse ti je Krishti, na e thuaj troç.» (Gjoni 10:22-24) Jezui u përgjigjet: «Jua thashë, e prapëseprapë ju nuk besoni.» Është e vërtetë se Jezui nuk ua ka thënë hapur se është Krishti, siç ia tha gruas samaritane te pusi. (Gjoni 4:25, 26) Megjithatë e ka zbuluar identitetin e tij kur u shpreh: «Para se Abrahami të vinte në jetë, unë kam qenë.»—Gjoni 8:58.

Jezui dëshiron që njerëzit të arrijnë vetë në përfundimin se ai është Krishti, duke krahasuar veprat e tij me profecitë për Mesinë. Ja pse, në disa raste, i urdhëroi dishepujt të mos i tregonin askujt se ishte Mesia. Megjithatë, tani u thotë troç këtyre judenjve armiqësorë: «Veprat që po bëj në emër të Atit tim, japin dëshmi për mua. Por ju nuk besoni.»—Gjoni 10:25, 26.

Por pse këta judenj nuk besojnë se Jezui është Krishti? Jezui thotë: «Ju nuk besoni sepse nuk jeni delet e mia. Delet e mia e dëgjojnë zërin tim, unë i njoh dhe ato më ndjekin. Unë u jap jetë të përhershme, dhe ato nuk do të shkatërrohen kurrën e kurrës, e askush nuk do të m’i rrëmbejë nga dora. Delet që Ati më ka dhënë, janë më të rëndësishme se gjithçka tjetër.» Pastaj Jezui u tregon ç’lidhje të ngushtë ka me Atin duke thënë: «Unë dhe Ati jemi një.» (Gjoni 10:26-30) Kjo nuk do të thotë se ata janë «një» në kuptimin e mirëfilltë, sepse Jezui është në tokë, kurse Ati i tij në qiell. Ama, janë «një» në kuptimin që janë të bashkuar e punojnë për të njëjtin qëllim.

Fjalët e Jezuit i tërbojnë kaq shumë judenjtë, sa përpiqen sërish ta vrasin me gurë. Por, Jezui nuk frikësohet. Ai u thotë: «Ju tregova shumë vepra të shkëlqyera nga Ati. Për cilën prej tyre po më vritni me gurë?» Ata i përgjigjen: «Nuk po të vrasim për ndonjë vepër të shkëlqyer, por për blasfemi sepse ti e bën veten perëndi.» (Gjoni 10:31-33) Pse i bëjnë këtë akuzë, kur Jezui nuk ka pohuar kurrë se është perëndi?

Sepse Jezui po thotë se ka atë lloj fuqie që, sipas judenjve, e ka vetëm Perëndia. Për shembull, për «delet» Jezui tha: «Unë u jap jetë të përhershme», diçka që njerëzit s’mund ta bëjnë. (Gjoni 10:28) Gjithsesi, judenjtë po harrojnë se Jezui ka pranuar hapur se autoriteti i tij vjen nga Ati.

Për të hedhur poshtë akuzën e tyre të rreme, Jezui i pyet: «A nuk është shkruar në Ligjin tuaj [te Psalmi 82:6]: “Unë thashë: ‘Ju jeni perëndi.’” Nëse Perëndia i quajti ‘perëndi’ ata kundër të cilëve u drejtua fjala e tij . . . mua që Ati më shenjtëroi dhe më dërgoi në botë, më thoni: ‘Ti blasfemon’, ngaqë thashë se jam Biri i Perëndisë?!»—Gjoni 10:34-36.

Në Shkrime, edhe disa gjykatës njerëzorë të padrejtë quhen «perëndi». Atëherë, si ka mundësi që këta judenj e fajësojnë Jezuin ngaqë thotë se ‘është Biri i Perëndisë’? Arsyetimi që bën tani Jezui duhet t’u fshijë çdo dyshim: «Nëse nuk bëj veprat e Atit tim, mos më besoni. Por nëse i bëj, edhe pse nuk më besoni mua, besojuni veprave, që të kuptoni dhe të besoni gjithnjë se Ati është në unitet me mua, dhe unë jam në unitet me Atin.»—Gjoni 10:37, 38.

Judenjtë përpiqen ta kapin Jezuin, por ai u ikën sërish nga duart. Jezui largohet nga Jerusalemi dhe shkon matanë lumit Jordan, në zonën ku Gjoni filloi të pagëzonte rreth katër vjet më parë. Me sa duket, kjo zonë s’është larg bregut jugor të detit të Galilesë.

Turmat vijnë te Jezui dhe thonë: «Gjoni vërtet nuk kreu asnjë shenjë, por gjithë sa tha për këtë njeri, ishin të vërteta.» (Gjoni 10:41) Ndaj, shumë judenj fillojnë të besojnë te Jezui.