Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

KAPITULLI 82

Shërbimi i Jezuit në Pere

Shërbimi i Jezuit në Pere

LUKA 13:22–14:6

  • NEVOJITEN PËRPJEKJE TË FUQISHME PËR TË HYRË NGA DERA E NGUSHTË

  • JEZUI DUHET TË VDESË NË JERUSALEM

Jezui ka ndenjur ca kohë në Jude dhe në Jerusalem, që të mësojë e të shërojë njerëz. Më pas kalon lumin Jordan dhe fillon të predikojë qytet më qytet në krahinën e Peresë. Megjithatë, shpejt do të rikthehet në Jerusalem.

Ndërsa është ende në Pere, një burrë e pyet: «Zotëri, a është e vërtetë se pak veta do të shpëtojnë?» Ndoshta ky burrë ka dëgjuar për debatin që ekziston mes krerëve fetarë se sa do të jenë ata që do të shpëtojnë. Megjithatë Jezui e drejton bisedën diku tjetër. Në vend se të përqendrohet te numri i atyre që do të shpëtojnë, ai flet për atë çka nevojitet për të shpëtuar. Ai thotë: «Përpiquni fuqimisht të hyni nga dera e ngushtë.» Po, nevojitet mund e përpjekje. Përse? Jezui shpjegon: «Unë po ju them se shumë do të kërkojnë të hyjnë, por nuk do të munden.»—Luka 13:23, 24.

Për të ilustruar sa e nevojshme është të përpiqen fuqimisht, Jezui thotë: «Kur i zoti i shtëpisë të ngrihet e të kyçë derën, ju do të ngelni jashtë, do të trokitni e do të thoni: ‘Zotëri, na e hap derën!’ . . . Por ai do t’ju thotë: ‘Unë nuk ju njoh. Largohuni nga unë të gjithë ju që veproni me padrejtësi!’»—Luka 13:25-27.

Kjo ilustron gjendjen e mjerueshme të dikujt që mbërrin vonë—me sa duket, kur i vjen më për mbarë—dhe e gjen derën të kyçur. Duhej të kishte ardhur më parë, edhe nëse kjo nënkuptonte sakrifica nga ana e tij. Kjo gjë ndodhi me shumë nga ata që dëgjuan mësimet e Jezuit, por që nuk nxorën dobi. Lanë t’u ikte nga duart mundësia që ta bënin adhurimin e vërtetë boshtin e jetës. Shumica e njerëzve nuk e pranuan mjetin e Perëndisë për shpëtim. Jezui thotë se këta ‘do të qajnë e do të kërcëllijnë dhëmbët’ kur të flaken jashtë. E megjithatë do të ketë njerëz «nga lindja e perëndimi, nga veriu e jugu», po, nga të gjitha kombet, që «do të shtrohen në tryezë në Mbretërinë e Perëndisë».—Luka 13:28, 29.

Jezui vazhdon: «Disa nga të fundit [si jojudenjtë dhe judenjtë e shtypur] do të jenë të parët dhe disa nga të parët [krerët fetarë judenj që mburren se janë pasardhës të Abrahamit], do të jenë të fundit.» (Luka 13:30) Këta mosmirënjohës do të jenë «të fundit» në kuptimin që s’do të hyjnë fare në Mbretërinë e Perëndisë.

Tani disa farisenj vijnë te Jezui dhe e paralajmërojnë: ‘Dil, largohu që këtej, sepse Herod Antipa kërkon të të vrasë.’ Mbase vetë Herodi ka nisur të përhapë këta zëra që ta shtyjë Jezuin të ikë nga vendi. Ndoshta ka frikë se mos përfshihet prapë në vrasjen e një profeti, si në rastin e Gjon Pagëzorit. Por, Jezui u thotë farisenjve: «Shkoni e i thoni asaj dhelpre: ‘Unë do të dëboj demonë e do të kryej shërime sot e nesër, dhe do të mbaroj ditën e tretë.’» (Luka 13:31, 32) Kur e quan Herodin «dhelpër», Jezui mund të ketë ndër mend dinakërinë e kësaj kafshe. Ai nuk do të lejojë të manipulohet as nga Herodi e as nga ndonjë tjetër. Jezui do të përmbushë caktimin që i ka besuar Ati i tij, duke respektuar programin e Perëndisë, jo të ndonjë njeriu.

Jezui vazhdon rrugën drejt Jerusalemit, sepse, siç thotë ai, «një profet nuk mund të vritet jashtë Jerusalemit». (Luka 13:33) Por pse Jezui thotë se do të vritet në Jerusalem, kur asnjë profeci e Biblës nuk tregon vendin ku do të vritet Mesia? Sepse Jerusalemi është kryeqyteti ku ndodhet Sinedri, gjykata e lartë e përbërë nga 71 anëtarë. Ndaj nëse dikush akuzohet si profet i rremë, çohet atje për t’u gjykuar. Për më tepër, këtu ofrohen flijimet në kafshë, ndaj Jezui e di se do të ishte e pakonceptueshme të vritej diku tjetër.

Jezui thotë i trishtuar: «Jerusalem, Jerusalem, vrasës i profetëve, që i vret me gurë ata që janë dërguar te ti! Sa herë desha t’i mblidhja bashkë fëmijët e tu, ashtu si i mbledh klloçka zogjtë nën krahë! Por ju nuk deshët. Ja, shtëpia juaj është braktisur dhe është lënë në dorën tuaj.» (Luka 13:34, 35) Kombi po hedh poshtë Birin e Perëndisë dhe duhet të vuajë pasojat!

Para se të shkojë në Jerusalem, në Sabat, Jezuin e fton një nga krerët e farisenjve për një vakt në shtëpinë e tij. Të ftuarit janë tërë sy e vesh se çfarë do të bëjë Jezui për një burrë që ndodhet aty e që vuan nga hidropizia (një sëmundje që shkakton grumbullim të tepërt të lëngjeve, shpesh në këmbë). Jezui pyet farisenjtë dhe njohësit e mirë të Ligjit: «A është e ligjshme të shërosh në Sabat?»—Luka 14:3.

Askush nuk përgjigjet. Pasi e shëron burrin, Jezui i pyet: «Kush nga ju, po t’i binte në pus i biri ose demi ditën e Sabatit, nuk do ta nxirrte menjëherë?» (Luka 14:5) Përsëri të gjithë mbeten pa fjalë para një arsyetimi kaq logjik.