Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

KAPITULLI 83

Ftesë për një vakt

Ftesë për një vakt

LUKA 14:7-24

  • NJË MËSIM PËR PËRULËSINË

  • TË FTUARIT NXJERRIN JUSTIFIKIME

Pasi shëroi burrin që vuante nga hidropizia, Jezui është ende në shtëpinë e fariseut. Ai vë re që të ftuarit në këtë vakt zgjedhin vendet më të mira, ndaj e shfrytëzon këtë rast që t’u japë një mësim për përulësinë.

Jezui thotë: «Kur dikush të fton në dasmë, mos u shtro në krye të vendit, se mund të ketë ftuar një tjetër më të rëndësishëm se ti. Përndryshe, ai që ju ftoi të dyve, do të vijë e do të të thotë: ‘Liroja vendin këtij.’ Atëherë do të zësh vendin e fundit i turpëruar.»—Luka 14:8, 9.

Pastaj vazhdon: «Por, kur të jesh mysafir, shko dhe ulu në vendin e fundit, që mikpritësi të të thotë kur të vijë: ‘Miku im, urdhëro më lart!’ Atëherë do të nderohesh në sytë e gjithë mysafirëve të tjerë.» Kjo nuk ka të bëjë thjesht me normat e mirësjelljes. Jezui shpjegon: «Sepse kushdo që e lartëson veten, do të përulet, dhe kushdo që e përul veten, do të lartësohet.» (Luka 14:10, 11) Po, Jezui po i nxit dëgjuesit që të zhvillojnë përulësi.

Pastaj, Jezui i mëson diçka fariseut që e mikpriti, duke i treguar se kë duhet të ftojë nëse dëshiron t’i pëlqejë Perëndisë: «Kur të shtrosh ndonjë drekë a darkë, mos thirr miqtë, vëllezërit, farefisin ose fqinjët e pasur, se mbase një ditë edhe ata të ftojnë, dhe kështu ta shpërblejnë. Por, kur të shtrosh një banket, fto të varfrit, sakatët, të çalët dhe të verbrit. Atëherë do të jesh i lumtur, ngaqë ata s’kanë me se të ta shpërblejnë.»—Luka 14:12-14.

Jezui nuk po thotë se është e gabuar të ftojmë për një vakt miqtë, të afërmit ose fqinjët; kjo është diçka normale. Por, po thekson se kur ftojmë ata që janë në vështirësi, si të varfrit, sakatët, të çalët ose të verbrit, mund të shijojmë plot bekime. Jezui i shpjegon fariseut: «Do të shpërblehesh në ringjalljen e të drejtëve.» Kur dëgjon këto fjalë, një nga mysafirët thotë: «Lum ai që ha në Mbretërinë e Perëndisë!» (Luka 14:15) Ky burrë e kupton se bëhet fjalë për një privilegj të jashtëzakonshëm. Megjithatë, siç e ilustron më tej Jezui, jo të gjithë kanë të njëjtën çmueshmëri:

«Një njeri shtroi një banket të madh dhe ftoi shumë veta. . . . dërgoi skllavin e vet që t’u thoshte mysafirëve: ‘Urdhëroni brenda, sepse gjithçka është gati!’ Por të gjithë filluan të nxirrnin justifikime. I pari i tha: ‘Bleva një arë dhe më duhet të iki ta shoh. Të lutem, të më falësh!’ Tjetri i tha: ‘Bleva pesë çifte qesh dhe po shkoj t’i vë në punë e t’i provoj. Të lutem, të më falësh!’ Një tjetër akoma i tha: ‘Sapo u martova, prandaj nuk vij dot.’»—Luka 14:16-20.

Ç’justifikime koti! Dy burrat e parë nuk kanë ndonjë urgjencë, meqë normalisht toka dhe gjëja e gjallë shihen para se të blihen. Burri i tretë nuk po bën përgatitjet e dasmës: është martuar tashmë, ndaj s’ka arsye të refuzojë këtë ftesë të rëndësishme. Ja pse kur dëgjon justifikimet e tyre, i zemëruar, i zoti i shtëpisë i thotë skllavit:

«Dil shpejt nëpër rrugët kryesore e rrugicat e qytetit, dhe sill këtu të varfrit, sakatët, të verbrit e të çalët.» Pasi skllavi i fton të gjithë këta, ka akoma vend, ndaj zotëria i thotë: «Dil nëpër rrugët e rrugicat jashtë qytetit dhe detyroji njerëzit të vijnë, që shtëpia të mbushet plot, sepse unë po ju them: asnjë nga ata që ishin ftuar, nuk do ta shijojë banketin që shtrova.»—Luka 14:21-24.

Ilustrimi i Jezuit tregon më së miri atë që ka bërë Perëndia Jehova. Nëpërmjet Jezuit, Ai po i fton njerëzit të hyjnë në Mbretërinë e qiejve. Të parët që morën ftesën ishin judenjtë, sidomos krerët fetarë, ama shumica e refuzuan këtë ftesë gjatë shërbimit të Jezuit. Por ata s’do të ishin të vetmit të ftuar. Jezui po lë të kuptohet se një ftesë e dytë do t’u drejtohet judenjve të përçmuar nga krerët fetarë dhe prozelitëve. Më pas do të ketë një ftesë të tretë e të fundit për ata që, sipas judenjve, s’mund të kenë miratimin e Perëndisë.—Veprat 10:28-48.

S’ka dyshim se ajo që thotë Jezui, konfirmon fjalët e mysafirit, që tha: «Lum ai që ha në Mbretërinë e Perëndisë