Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

KAPITULLI 85

Gëzim kur pendohet një mëkatar

Gëzim kur pendohet një mëkatar

LUKA 15:1-10

  • ILUSTRIMET PËR DELEN DHE PËR MONEDHËN E HUMBUR

  • ENGJËJT NË QIELL GËZOJNË

Gjatë shërbimit të tij, Jezui ka treguar herë pas here sa rëndësi ka të jemi të përulur. (Luka 14:8-11) Ai do me gjithë zemër të gjejë burra e gra që dëshirojnë t’i shërbejnë Perëndisë me përulësi. E disa prej tyre mund të jenë ende mëkatarë me nam.

Farisenjtë dhe skribët vënë re se këta njerëz—që ata i konsiderojnë të pavlerë—dëshirojnë të rrinë me Jezuin e të dëgjojnë mesazhin e tij. Prandaj fillojnë të murmuritin: «Ky njeri i pret krahëhapur mëkatarët e madje ha me ta.» (Luka 15:2) Farisenjtë dhe skribët ndihen superiorë dhe i trajtojnë njerëzit e thjeshtë si pluhurin nën këmbët e tyre. Madje i quajnë am-haretë, shprehje hebraike përçmuese që ka kuptimin «popull i vendit [i tokës]».

Por sjellja e Jezuit ndryshon si nata me ditën; ai i trajton të gjithë me dinjitet, dashamirësi dhe dhembshuri. Ja pse shumë njerëz të thjeshtë, përfshirë edhe disa mëkatarë me nam, e dëgjojnë me ëndje. Por, si reagon Jezui kur e kritikojnë ngaqë po ndihmon njerëzit e thjeshtë?

Ai tregon një ilustrim prekës, të ngjashëm me një që ka treguar më parë në Kapernaum. (Mateu 18:12-14) Në të dyja ilustrimet, Jezui i paraqet farisenjtë sikur të jenë dele të drejta, që ndihen të sigurta në kopenë e Perëndisë. Ndërsa njerëzit e thjeshtë, paraqiten si të larguar dhe të humbur.

Jezui thotë: «Cili nga ju po të ketë 100 dele dhe t’i humbasë njëra, nuk do t’i lërë 99 mbrapa në kullotë, që të shkojë pas së humburës derisa ta gjejë? Dhe, kur e gjen, e vë mbi supe, tejet i gëzuar. Sapo mbërrin në shtëpi, mbledh miqtë dhe fqinjët e u thotë: ‘Gëzohuni bashkë me mua, sepse e gjeta delen që më kishte humbur!’»—Luka 15:4-6.

Ç’aplikim bën Jezui më pas? Ai vazhdon: «Unë ju them: po njësoj do të ketë më shumë gëzim në qiell për një mëkatar që pendohet, sesa për 99 të drejtë që s’kanë nevojë të pendohen.»—Luka 15:7.

Farisenjtë mbeten të shokuar kur Jezui flet për pendimin. Ata mendojnë se janë të drejtë dhe se s’kanë nevojë të pendohen. Vite më parë, kur disa prej tyre e kritikuan Jezuin ngaqë hante me taksambledhësit dhe mëkatarët, ai u tha: «Unë nuk erdha të thërras të drejtët, por mëkatarët.» (Marku 2:15-17) Farisenjtë që e mbajnë veten për të drejtë, nuk arrijnë ta kuptojnë se duhet të pendohen, prandaj për ta nuk ka fare gëzim në qiell. Por ndodh krejt e kundërta kur një mëkatar pendohet me gjithë zemër.

Për të theksuar sa gëzim ka në qiell kur një mëkatar kthen rrugë, Jezui tregon një ilustrim tjetër për diçka që ndodh në një shtëpi: «Kush është ajo grua që, edhe pse ka 10 drahma, po të humbasë sikur një drahmë, nuk ndez një llambë, nuk fshin shtëpinë e nuk lë vend pa kërkuar derisa ta gjejë? Dhe, kur e gjen, mbledh shoqet e fqinjat e saj dhe u thotë: ‘Gëzohuni bashkë me mua, sepse e gjeta drahmën që kisha humbur!’»—Luka 15:8, 9.

Jezui bën këtë zbatim të ngjashëm me ilustrimin për delen e humbur: «Unë ju them: po njësoj gëzohen engjëjt e Perëndisë për një mëkatar që pendohet.»—Luka 15:10.

Imagjino sa dëshirë të zjarrtë kanë engjëjt që mëkatarët e humbur të kthehen! Kjo është veçanërisht domethënëse, sepse mëkatarët që pendohen dhe bëhen pjesë e Mbretërisë qiellore të Perëndisë, do të kenë një pozitë më të lartë se engjëjt. (1 Korintasve 6:2, 3) E megjithatë, engjëjt nuk janë xhelozë. Po ne, si duhet të ndihemi për mëkatarët që pendohen me gjithë zemër dhe kthehen te Perëndia?